Serbia ndalon tubimet për Srebrenicën para Kuvendit të Serbisë

10 Korrik 2015 - 15:36      

Beograd, 10 korrik - Policia serbe ndaloi mbajtjen e organizimit "Shtatë mijë", e cila me rastin e shënimit të 20 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës ishte parashikuar të mbahej nesër para Parlamentit serb.

MPB-ja e Serbisë ka ndaluar edhe mbajtjen e tubimeve të tjera që janë paralajmëruar në të njëjtin vend nga organizatat e krahut të djathtë.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, tha sot në një konferencë për shtyp se është marrë vendim që nesër të ndalohet mbajtja e të gjitha tubimeve para Parlamentit serb për vlerësime të sigurisë dhe se policia nuk do të lejojë kaos në rrugët e qyteteve të Serbisë dhe të Beogradit.

"Duke pasur parasysh kompleksitetin e situatës në rajon, kemi marrë këtë vendim, i cili garanton paqen dhe sigurinë në të gjithë Serbinë", ka thënë Stefanoviç, duke paralajmëruar se policia nuk do të lejojë mbajtjen e ndonjë tubimi para Parlamentit serb.

Aksioni "Shtatë mijë", siç transmeton AA, u organizua me iniciativën e gazetarit Dushan Masiq, i cili në rrjetet sociale propozoi shtatë mijë njerëz të shtrihen në vendin para Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Aksioni "Shtatë mijë" pritej të mbahej nesër, më 11 korrik 2015, në orën 11:07 para Parlamentit të Serbisë në Beograd, ku ishte planifikuar që 7,000 njerëz të shtrihen para Parlamentit të Serbisë në shenjë përkujtimi të viktimave të gjenocidit.

Organizatat e krahut të djathtë, në të njëjtën kohë kishte planifikuar mbajtjen e tubimit paralel, ndërsa Partia Radikale Serbe (SRS) ka bërë thirrje mbështetësve të saj që të vijnë në tubim me tipare çetnike.
Stefanoviq, i cili në konferencë për shtyp erdhi me përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë njoftoi se kanë bërë vlerësimin e sigurisë së vizitës së nesërme të kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq në Srebrenicë dhe se gjendja e sigurisë është jashtëzakonisht komplekse dhe e vështirë.

"Presim që një numër i madh i ekstremistëve të jetë i pranishëm në ngjarjet e të nesërmes në Srebrenicë, për disa tashmë kemi konfirmim se janë të pranishëm në terren, për disa pritet të mbërrijnë atje. Gjithashtu, në mediat e BeH-së në ditët e fundit vërehet rritje e transmetimit të mesazheve të intolerancës dhe urrejtjes ndaj Republikës së Serbisë dhe në veçanti kreut të Qeverisë", tha Ministri i Brendshëm serb duke shtuar se e gjitha ka ndodhur pas mos miratimit të rezolutës në KS të OKB-së.

Ai vlerësoi se "situata është shumë e nxehtë dhe shumë komplekse për zbatimin edhe të parakushteve themelore të sigurisë", duke theksuar se kanë informuar kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq me detaje shtesë.

"Nga ky moment vendimi nëse do të shkojë nesër, i mbetet Kryeministrit dhe unë jam i sigurt se ai do të marrë një vendim mbi atë gjatë ditës", tha Stefanoviq.

Kryeministri serb dje në Bruksel tha se definitivisht do të shkojë në Potoçari.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...