“Crna Ruka” – krahu terrorist i UDB-së

25 Janar 2014 - 09:22 - Halil Matoshi      

Grupi vrasës i infiltruar në policitë sekrete “Crna Ruka” (Dora e zezë) është krijuar nga koloneli famëkeq Dragutin Dimitrijeviq “Apis”, kurse aksioni i parë është kryer nga Vojvoda (kapiteni) Vojislav Tankosiq në Merdar, më 22 tetor 1912, kur edhe nisi pushtimi i Kosovës dhe vetëm 2 vjet më vonë me atentatin e Sarajevës u shkaktua Lufta e Parë Botërore. A e ka “nënshkruar” “Crna ruka” vrasjen e gjashtë të rinjve pejanë, më 1998, zyrtarit të EULEX-it, lituanezit Audrius Shenavicius dhe të serbit Dimitrije Janiçijeviq nga Partia Liberale Serbe?

“Dora e zezë” gjenezën e ka tek grupi mafioz Sicilian dhe grupi anarkist në Spanjë në shekullin e 19-të, kurse në ShBA (Black′ Hand′) paraqitet në fillim të shekullit të 20-të. Në të gjitha versionet “Dora e zezë” është krah terrorist i milicive dhe i falangave – që përdor dhunë - ose kërcënon me dhunë civilët, në mënyrë që të arrijë qëllimet politike, fetare ose ideologjike me anë të shtrëngimit, pra përmes instalimit të frikës...

Organizatat e tilla veprojnë sipas modelit të “Dhjetë urdhrave” të mafisë. Omerta është Kodi i heshtjes – që parandalon mafiozët që të tradhtojnë partnerët e tyre tek autoritetet, e dënimi i tradhtisë është vdekja e tradhtarit dhe e familjes së tij.

Sipas Raportit të Komisionit Ndërkombëtar për Luftërat Ballkanike, në Shkup (Uskub)

vepronte një komitet qendror i "mbrojtjes kombëtare", me degë në qytete të tjera të Maqedonisë, i formuar krah për krah me komandën e lartë, pas mbërritjes së trupave serbe. Popullsia e Shkupit e ka quajtur stacionin e tyre, në afërsi të Konsullatës ruse, "Shtëpia e zezë", dhe nga kjo kuesturë e ligë buron edhe vetë emri i kësaj organizate "Dora e zezë".

Nga kjo organizatë e fshehtë që vepronte në Shkup, e njohur botërisht dhe në mbrojtje të fuqishme, janë kryer krimet më të rënda mbi shqiptarët, derisa kufomat ishin hedhur në lumin Vardar.

Është thënë se Isa Boletini ishte i shitur, tradhtar, bashkëpunëtor i serbëve etj., por fakti i luftës së tij kundër Armatës së Tretë serbe në Merdar, m’u në kohën kur pandehej për aleat të serbëve e demanton këtë mallkim.

Historiani Noel Malcolm megjithatë dëshmon se Boletini nuk e kishte tradhtuar Lëvizjen kryengritëse shqiptare.

“Por lidhjen kryesore Beogradi e kishte mbajtur me Isa Boletinin, për të cilin dihej se kishte një dashamirësi ndaj serbëve: tek ai kishin dërguar emisarë të ndryshëm serbë, enkas për të biseduar më të, ndër të cilët edhe kolonelin famëkeq Dragutin Dimitrijeviq “Apis”, të lëvizjes nacionaliste serbe “Dora e Zezë”, për ta ndikuar Boletinin që t’ia kthente pushkën Austro-Hungarisë!?

Në gushtin e vitit 1912, Isa Boletinit iu dërgua një sasi e madhe armësh; po kështu qe përhapur fjala se Serbia i kishte paguar atij një shumë të madhe parash; por, siç do të tregojnë ngjarjet, nderi i tij nuk blihej aq lehtë.” (Malcolm, Noel: Kosova një histori e shkurtër; fq. 261.)

Duket se lufta e Merdarit kërsiti aksidentalisht dhe fajtor për këtë është kapiteni Vojislav Tankosiq nga organizata e fshehtë “Dora e Zezë”.

Dy autorë serbë P. Pavloviq dhe N. Peshiq aksidentin me Tankosiqin e përshkruajnë se një incident pra, të konspiruar nga “Dora e Zezë” edhe pse detyrat e Armatës së Tretë nuk ishin që të ndërhynin në kufirin me Kosovën.

Në zbardhjen e veprimit krye në vete të kapitenit Tankosiq, historianët e pasluftës nuk ishin të një mendjeje: qëllimi i komandantit çetnik ishte që sa më parë të anuloheshin të gjitha marrëveshjet në mes të Serbisë dhe Turqisë” – shkruajnë ata.

Historiani Luba Jovanoviq në “Vetëqeverimi” (Samouprava) dhe gjenerali L. Mariq në “Luftëtari” (Ratnik) nga viti 1924, vlerësojnë se kapiteni Vojislav Tankosiq, si anëtar i organizatës sekrete “Bashkim ose vdekje” (Ujedinjenje ili smrt) frikësohej se Turqia nuk do të pranonte të gjitha kushtet e parashtruara të aleatëve ballkanikë, që do të thoshte shtyrje e luftës, e më këtë shtyrje e çlirimit të rajoneve serbe nën pushtetin turk”.  (Pavlović & Pešić:  Po aty;  http://www.novosti.rs/dodatni_sadrzaj/clanci.119.html:400122-Preki-vojvoda-Tankosic);

Sipas këtyre autorëve të fejtonit, tërheqja e forcave turke dhe shqiptare nga këto pozicione, ndër më të rëndësishmet te Prishtina, i mundësoi ushtrisë serbe për t’u shtrirë nëpër Rrafshin e Kosovës. E thamë më lartë se në mesin e rreth 3 mijë trupave shqiptare, nuk ka pasur në Merdar asnjë epror, ushtar apo zyrtar tjetër turk.

Burimet serbe thonë se më 22 tetor 1912, rreth orës 16 tërhiqen edhe pjesët e fundit të forcave turke që mbronin hyrjet në Prishtinë. Pra më 22 tetor 1912 Armata e Tretë serbe e ka pushtuar Prishtinën, pa ndonjë rezistencë të madhe, kurse njësitë turke tashmë ishin tërhequr në drejtim të Ferizajt.

Në këto luftime nga përbërja e njësive serbe - sipas burimeve serbe - ishin nxjerrë, neutralizuar e vrarë rrafsh 1.507 ushtarë dhe oficerë serbë.

Kurse Malcolm thotë se Armata e Tretë Serbe e pushtoi Prishtinën më 22 tetor 1912, pasi që në luftimet me shqiptarët kishin lënë 1.448 të vrarë e të plagosur.

Përderisa Isa Boletini kthehet në Mitrovicë e më vonë në Shqipëri, kurse Idriz Seferi përballet me serbët sërish në rrugë e sipër të kthimit në rrethinat e Ferizajt. (Malcolm, Noel; Po aty: Fq. 262.).

Gazeta elektronike beogradase “E-novine”, para pak kohe, botoi shënime të Kosta Novakoviqit nën mbititullin: “Në 100-vjetorin e okupimit të Shqipërisë (1912 – Ditari i luftës të Kosta Novakoviqit” - oficer në ushtrinë serbe, pjesëmarrës në luftën e Merdarit, i cili dëshmon për mizoritë e pashembullta të ushtrisë serbe – përkatësisht të trupave të çrregullta komitëve dhe çetnikëve. Sipas tij, tradita çetnike e krimeve ndaj shqiptarëve ishte turp për Serbinë dhe ushtrinë serbe.

“Është interesante, përgjithësisht, përse u mbajtën çetat e komitëve gjatë kohës së luftës. Kemi pasur rastin të shohim gjatë luftës, duke filluar nga Merdari e deri në Lumë, se çfarë roli kanë luajtur komitët; dhe jemi bindur, dhe e kemi dëgjuar vlerësimin e shumë oficerëve të lartë, se gjithë çka kanë bërë komitët jashtë shërbimit të pararojës dhe punës së sektorëve të parë – pra atë që do të duhej ta bënte ushtria e rregullt – ishte më shumë dëm se sa dobi për ne... Ndezja e shtëpive dhe e të korrave, vrasjet e pamëshirshme dhe plaçkitjet – çfarëdo qofshin, nuk i kanë sjellë dobi operacioneve tona, dhe posaçërisht kur kjo bëhet në prapavijë të trupave…” (Novaković, Kosta: “Ditari i luftës”: http://www.e-novine.com/srbija/srbija-tema/75004-Ratni-dnevnik-Koste-Novakovia.html);

Është fakt interesant se në luftën e Merdarit ka marrë pjesë edhe Kosta Peçanac, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore si epror i çetnikëve që bashkëpunoi me gjermanët dhe bëri luftime të ashpra me partizanët serbë, njëherësh ai bashkëpunoi edhe me liderin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Xhafer Deva, me të cilin e ndanin pushtetin në një pjesë të Kosovës, përkatësisht në Zonën e okupimit gjerman.

“Crna Ruka” është skuadra më brutale (krahu terrorist) e infiltruar në shërbimet sekrete (policitë e fshehta partiake dhe shtetërore) të Serbisë që nga krijimi i saj si shtet.

Kjo organizatë terroriste brenda shërbimeve sekrete serbe e ka për detyrë që të kryejë vrasje kriminale për të justifikuar aksione represive të forcave serbe të sigurisë, në shkallë të gjerë, ose për t’ua ndërruar kahun rrjedhave politike, për ta penguar paqen e për të nxitur konflikte, ose thjesht për ta legjitimuar dhunën institucionale.

Ky krah terrorist me ideologji nacional-shoviniste ishte mishërim i nacionalizmit egalitar serb – një betim për Serbinë e madhe - që më 1903 kur me puç e kishte rrëzuar Dinastinë Obrenoviq kur nga “Crna ruka” vritet mbreti Aleksandar Obrenoviq dhe mbretëresha Draga Mashin, dhe në fron vjen mbreti Petar Karagjorgjeviqi i Parë.

I njëjti grup i ka nxitur Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore, si dhe të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi gjatë viteve ‘90, që nga Sllovenia e deri në Kosovë.



- vijon nesër-



© KOHA DITORE -- ndalohet ribotimi i paautorizuar



 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...