Campanópolis, fshati mesjetar me materiale të ricikluara [foto/video]

2 Tetor 2016 - 14:59      

Antonio Campana ishte një biznesmen milioner falë një supermarketi të ngritur prej vet atij. Por, kur u diagnostikua me sëmundje tumorale në fyt, ai vendosi të shiste gjithçka dhe t’i dedikonte pjesën e mbetur të jetës ndërtimit të një ëndrre.

Toka e blerë prej tij në vitin 1976 për përmbushjen e vizionit të tij, ndodhet në bashkimin e dy rrjedhave ujore dhe kufizohet me një ambient të ruajtur ekologjik. Megjithatë, vendi i gjelbër u prish shumë shpejt, kur një agjenci shtetërore ia shpronësoi pronën për ta përdorur si një vendgrumbullim plehrash, apo landfill.

E megjithëse beteja shumëvjeçare ligjore e Campanës për të rifituar pronësinë përfundoi me sukses, tashmë prona e tij përmbante tonelata të tëra mbeturinash të groposura aty. Duke qenë se toka nuk ishte më premtuese për t’u shfrytëzuar si kullota për kafshët, siç ishte edhe plani i tij origjinal, pronari mbeti sërish i palëkundur në ambiciet e tij arkitekturale.

Pasi e niveloi tokën dhe hoqi tutje dy milionë metër kub mbeturina, më në fund nisi edhe ndërtimi në vitin 1980 i asaj që do të bëhej fshati magjepsës mesjetar i Campanopolisit. Ai është një fshat i vogël i kompletuar tërësisht, i ndërtuar mbi një stil të larmishëm që të nxit të bësh krahasime me filmin e Tim Burton, transmeton tch. Ndërtesat janë kryesisht të ngritura falë pajisjeve të rikuperuara nga prishja e ndërtesave të tjera dhe të ricikluara.

Përgjatë procesit të ndërtimit, Campana ndoqi një numër të pafundëm ankandesh për të blerë dyer, gardhe, porta dhe kolona, sikurse edhe detaje zbukuruese si një karrige antike berberësh, një ashensor të vjetër, si dhe rreth 100 makina shkrimi. Një pjesë e rëndësishme e fshatit është bërë nga materialet e grumbulluara nga ndërprerjet e linjave hekurudhore.

E gjithë puna e tij është dizenjuar dhe drejtuar nga një person, i cili nuk kishte njohuri arkitekturore, por që thjesht hartoi një plan fillestar dhe më pas e pasuroi atë me evolimin e gjërave. Veç fshatit mesjetar, Campana mbolli më shumë se 100 mijë pemë dhe plantacione të tjera. Në total, fshati zë gati 20 hektarë, nga 200 hektarët e pronës së tij. Në këtë “skenë të improvizuar” përfshihen burime ujore, ura, një liqen artificial me kalata, një kishë për fshatin, një mulli me erë, rrugë me kalldrëm, një muze druri dhe një shtëpi skorjesh, sikurse edhe ndërtesa të tjera, kulla, pasazhe dhe libra sekretë për t’u eksploruar.

E ndërsa i thanë në vitin 1976 se i kishin mbetur edhe 5 vite për të jetuar, Campana mbijetoi për afro 24 vite, kohë gjatë së cilës ai punoi pa përtim në projektin e tij të Campanopolisit. Kur ai ndërroi jetë, zhvillimet e mëtejshme të kësaj prone u ndalën. Djemtë e tij tashmë e mirëmbajnë vendin, por planet shtesë të ëndërruara prej milionerit të kthyer në ideator të një fshati mesjetar mbetën të papërfunduara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...