Bukë misri dhe dhallë – sekreti i jetëgjatësisë së Qerime Ballobanit

24 Shtator 2016 - 21:10      

Ka pak ditë që ka mbushur plot 115 vite, ndërsa thotë se ka kohë që nuk i numëron më ato. Por ajo është me mendje të kthjellët edhe në këtë shekull të dytë të jetës së saj. Qerime Ballobani nga fshati Snosen i Gramshit, kujton me saktësi çdo periudhë historike.

“Ka hyrë Italia në mars, lufta është hapur në krye të vitit. Erdhi greku dhe vuri kufirin në Komjan. Greku në Grabovë, Italia ishte këtu. Ishte luftë, vlonin aeroplanët”, kujton ajo.

Nuk i mungojnë as detajet. Për 12 ditë thotë se familja e saj ka strehuar Mehmet Shehun së bashku me njerëzit e tij. “Mehmet Shehu ishte këtu me 10 veta dhe rojet e ruanin gjithë kohës”, thotë ajo, raporton TopChannel.

Përveç luftës, Qerimja tregon se një periudhë e vështirë ishte diktatura. “U dërrmuam në kooperativë. Kemi punuar fort dhe po të mos dilje nuk merrje bukën, rrogën”, thotë Qerimja.

Nëna e ka lënë të re, ndërsa babai ka ndërruar jetë rreth 80 vjeç. Ajo rriti 10 fëmijë, 2 prej të cilëve janë ndarë nga jeta. Por Qerimja falënderon Zotin që ka një familje të madhe dhe një jetë kaq të gjatë.

10 fëmijët e saj lindën në shtëpi, me ndihmën e së vjehrrës, si të gjitha gratë e asaj kohe. Ndërsa gjatë gjithë jetës së saj nuk ka shkuar asnjëherë tek doktori, por vetëm një herë tek dentisti për një dhëmballë.

Jetëgjatësia e saj duket se ka të bëjë me mënyrën e ushqimit. 115 -vjeçarja nga Gramshi gjatë gjithë jetës ka ngrënë bukë misri dhe ka pirë dhallë. Ajo tregon se asnjëherë nuk ka ngrënë bukë gruri.

“Unë jam rritur me bukë misri edhe tani me bukë misri jetoj. Atë ha vetëm. Nuk e kam me qejf bukën e grurit”, rrëfen ajo.

Vetëm vitet e fundit, gruaja më e vjetër në Shqipëri ka filluar të ketë probleme me zemrën dhe me shikimin. Por ajo ende nuk i është dorëzuar shtratit, e ndihmuar edhe nga familjarët Qerimja vazhdon të dalë deri në qendër të fshatit. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...