“Shqiptarët tash e kanë në dorë që të përparojnë”

11 Janar 2017 - 18:47      

Rexhep Berisha, babai i heroit Nuhi Berisha, ishte i pari që ndezi flakadanin në sheshin “Agim Ramadani” në Gjilan.

Ndezja e flakadanit u bë për nderë të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” që çdo vit mbahet në këtë komunë.

Babai i Nuhi Berishës, tha se për këto 95 vjet ka provuar gjithçka por tash ka ardhur koha që populli shqiptar e ka në dorë që të përparojë.

Gjatë ditës ka pasur aktivitete për nderë të këtij manifestimi. Komuna e Gjilanit ka organizuar një takim me familjarët e dëshmorëve, janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve si dhe kanë vizituar kazermën e FSK-së, raporton KP.

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur takimin me familjet e dëshmorëve në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”.

Me këtë rast kryesuesja e Kuvendi të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, tha se janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët pasi që sipas saj pikërisht në rënien heroike në këtë muaj ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme për lirinë e Kosovës.

“Janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse pikërisht në rënien heroik në këtë muaj ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme për lirinë e Kosovës. Në këtë 33 vjetor nga rënia heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, kolosëve që me sakrificën e tyre janë bërë sinonim i lirisë që ne sot e gëzojmë”, tha ajo.

Ajo tha se “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe veprave të tyre të mëdha.

Ndërsa, nënkryetari i komunës, Rexhep Kadriu, tha se dëshmorët janë më meritorët për lirinë të cilën sot e gëzojmë.

“Dëshmorët janë më meritorët për lirinë që ne sot e gëzojmë, për gjithçka që sot frymon lirshëm. Dëshmorët janë ata që na bëjnë të përkulemi para veprës së tyre. Është pra ky janar i zjarrtë dhe i akullt i sakrificës së burrave të mëdhenj të kombit. Janari i Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës”, tha ai.

Gjatë homazheve tek varrezat e dëshmorëve ish-komandanti i zonës së Karadakut, Ahmet Isufi, tha se sot është një datë historike pasi që u ndizën shkëndijat e para për paralajmërimin e luftës për liri.

“Sot është një datë historike, e lavdishme për popullin tonë sepse ndizen shkëndijat e para të paralajmërimit të luftës për liri. Rexhep Mala, Nuhi Berisha 33 vite më parë treguan se si mbrohet atdheu, si bihet për liri dhe se si jepet sinjali për luftën e shenjtë të Kosovës, prandaj Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha janë dy heronj të kombit të cilët paralajmëruan luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe paralajmëruan lirinë e vendit tonë”, tha ai.

Kurse, për të nderuar dëshmorët e Gjilanit ishte edhe Albin Kurt, nga LVV, i cili tha se sot po nderojnë dëshmorët e lirisë.

“Sot jemi këtu për të bërë nderime dhe për të kujtuar 33 vjetorin e rënies heroike të Rexhep Males dhe Nuhi Berishës, Janari është janari i flakës dhe sigurisht që duke kujtuar heronj, dëshmorët martirët dhe veprimtarët e çështjeve shoqërore e kombëtare ne ia përkujtojmë vetës edhe rëndësinë e vullnetit për liri edhe çmimin e lartë të lirisë dhe njëkohësisht edhe nevojën dhe detyrat ende të pakryera për të realizuar idealin e dëshmorëve që është i rëndësishëm jo vetëm për brezin tonë por edhe për gjeneratat e ardhshme. Dëshmorët janë dëshmia e historisë dhe pishtar drejt ardhmërisë”, tha ai.

Këtë vit janë bërë 33 vite të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Manifestimi “Flaka e Janarit” këtë vit i kushtohet heroit Idriz Seferi. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...