“Chopin Piano Festival” sjell emra të njëjtë me program të ri

8 Prill 2013 - 09:38      

Në edicionin e tretë të “Chopin Piano Festival” dy pianistët kryesorë ishin anglezi Peter Donohoe dhe ai çek Martin Kasik. Ata janë “shtyllat” edhe të edicionit të katërt që ka nisur të shtunën. Sopranoja Dorothy Stone dhe pianistja amerikane Clarie Huangci janë dy emrat e rinj të këtij edicioni, teksa lista e instrumentistëve të tjerë që do të performojnë në festival, përbëhet prej emrave të rreg

Prishtinë, 8 prill - Në edicionin e tretë të “Chopin Piano Festival” dy pianistët kryesorë ishin anglezi Peter Donohoe dhe ai çek Martin Kasik. Ata janë “shtyllat” edhe të edicionit të katërt që ka nisur të shtunën. Sopranoja Dorothy Stone dhe pianistja amerikane Clarie Huangci janë dy emrat e rinj të këtij edicioni, teksa lista e instrumentistëve të tjerë që do të performojnë në festival, përbëhet prej emrave të rregullt që kanë marrë pjesë në tri edicionet e kaluara, e deri tek vetë organizatorët e festivalit.

Pikërisht hapjen e festivalit të këtij viti e ka nisur formacioni muzikor “Pro arte” që përbëhet nga instrumentistët frymorë nga Ballkani dhe pianistes Lelja Haxhiu-Pula, e cila është edhe drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Festival”. Koncerti që ka hapur festivalin ka nisur me një vonesë prej më shumë se gjysmë ore, nga ç’ishte paraparë. Haxhiu-Pula do të performojë edhe në koncertin e Filarmonisë së Kosovës, që do ta mbyllë këtë edicion të “Chopin...”. Ajo do të ketë në krah pianistin austriak Gotelb Wallisich teksa dirigjenti holandez Rene Gulikers do të drejtojë orkestrën.

Drejtoresha artistike e festivalit ka thënë se dy pianistët do të vijnë këtë vit me një program të ri dhe se ata do të performojnë edhe vepra të cilat nuk janë dëgjuar nga publiku kosovar.

“Ata (Peter Donohoe dhe Martin Kasik v.j) e meritojnë të vijnë edhe 100 herë”, ka thënë Haxhiu-Pula. Sipas saj e mira është që kanë mundur t’i sigurojnë kushtet teknike që ata të vijnë në Prishtinë. “Edhe vetë pianistët kanë shprehur dëshirë që të vijnë përsëri dhe kjo është normale. Shumë festivale kanë miq të tyre që vijnë konstant”, ka thënë ajo. E teksa ka folur për performancën e së shtunës, të “Pro arte”, Haxhiu-Pula ka thënë se ka qenë e lumtur që është realizuar një koncert që nuk është parë më herët në Prishtinë.

“Një koncert ku piano kombinohet me instrumente frymore nuk ka qenë i parë më herët dhe ka qenë një program i vështirë për t’u performuar, por doli mirë”, ka thënë Haxhiu-Pula.

“E sa i përket faktit që ne e kemi hapur festivalin ka qenë krejt çështje e terminit”, ka shtuar ajo. Sipas saj, deri para një jave mbajtja e këtij edicioni ka qenë në prag të dështimit për shkak të sigurimit të orarit për sallën ku mbahet “Chopin...” e që gjendet në njërin nga hotelet luksoze në qendër të kryeqytetit.

E drejtoresha e përgjithshme e “Chopin...”, Besa Luzha, ka thënë se kërkesa e publikut ka qenë ajo që i ka shtyrë t’i thërrasin pianistët për së dyti herë.

“Por ka qenë edhe dëshirë e pianistëve që të vijnë dhe të performojnë përsëri para publikut”, ka thënë Luzha. Në përgjithësi programi i këtij viti, sipas Luzhës, ofron një “meny” të pasur artistike për publikun e Prishtinës. Ajo ka veçuar koncertin e 25 prillit që do t’i kushtohet 200-vjetorit të kompozitorit të njohur italian Giuseppe Verdi dhe Richard Vagner që do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, aty ku më 23 prill do të performojnë muzikantët e rinj dhe koncerti i 28 prillit, i Filarmonisë së Kosovës.

Sipas Luzhës, programi i koncertit kushtuar Verdit do të jetë i mbushur me vepra të mëdha në të cilin do të performojnë tenorët Armando Kllogjeri nga Shqipëria, kosovari Riad Ymeri, sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Lekë Salihu.

“Gjithashtu ne u japim rëndësi edhe muzikantëve të rinj, të cilët si gjithherë e kanë natën e tyre”, ka thënë Luzha. E “natën e tyre” do ta kenë si gjithmonë edhe disa instrumentistë konstantë në “Chopin...”. Shumica e tyre si pianistja Alberta Troni që vjet kishte performuar së bashku me Ramë Lahajn, këtë vit do të jetë në mbrëmje vokale pianistike me sopranon Dorothy Stone dhe mezosopranen kosovare, Sanije Matoshi, e cila nuk është e re në programin e festivalit. Troni është anëtare e Bordit të Festivalit, sikurse Lule Elezi që performon edhe këtë vit. “Trio Selebre” është trioja ku Elezi bën pjesë e që edhe vjet ka mbajtur koncert. Edhe emrat e tjerë si pianisti austriak Gotelb Wallisch që ka performuar para dy viteve në “Chopin...”. Megjithatë sipas Luzhës, publiku është i interesuar për festivalin dhe se ai po rritet.

“Ka interesim të publikut për koncertet e tjera pasi që në këtë të hapjes ka pasur më shumë mysafirë dhe plus ka qenë e shtunë”, ka thënë Luzha. Bileta për një koncertet të ‘Chopin” kushton 3 euro. Të ftuarit si ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, e kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, nuk kanë qenë në koncert, përkundër se organizatorët kanë thënë se ata kanë konfirmuar ardhjen. Ministria e Kulturës e ka mbështetur me 7 mijë euro këtë edicion të “Chopin Piano Festival”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...