Kina mund të zërë shpejt vendin e parë në botë për transplant organesh

11 Shkurt 2017 - 23:34      

Sa vlen një njeri? Ose më mirë, duke folur ekonomikisht, sa para mund të nxirren duke shitur një njeri ose pjesët e tij? Këto fjalë mund të duken si çmenduri, por janë pyetje të shtruara në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në lidhje me trafikun ilegal të organeve njerëzore, e cila të sjell drithërima të forta.

Sipas ekspertëve të OBSH-së, çdo vit, në botë kryhen 21 mijë transplante të mëlçisë, 66 mijë transplante veshkash dhe 6 mijë transplante zemrash. Duhet thënë se sipas një studimi të 2007-s, rreth 5% e organeve të përdoruara, vijnë nga tregu i zi, të cilat sjellin të ardhura që shkojnë nga 600 milionë deri në 1.2 miliardë dollarë. Ky është aspekti më dramatik dhe sipas Global Finance Integrity, një organizatë joqeveritare e specializuar në gjurmimin e flukseve financiare ilegale, numrat e kësaj tregtie makabre janë në një rritje konstante. Por ata të cilët vuajnë pasojat janë shtetasit më të varfër të botës, që për një shumë të vogël parash janë të gatshëm që të shesin një veshkë, një copë mëlçi, një pjesë zorre, apo beben e syrit.

Të gjitha këto janë organe apo pjesë organesh pa të cilat mund të bëhet, edhe pse pasojat mund të jenë të rënda ose dramatike.

Kina qëndron në krye

Falë zhvillimit të saj teknologjik, Kina mund të zërë shumë shpejt vendin e parë në botë për transplant organesh.

“Vitin e kaluar patëm 13 mijë operacione të tilla. Ne kemi sot një teknologji të transplantit të organeve që mund të bëjë atë çfarë bëjnë e çfarë nuk bëjnë dot vendet e tjera. Jemi të bindur se brenda pak vitesh do të jemi të parët në të gjithë globin për të tilla transplante”, tha Dr. Huang Jiefu, ekspert.

Huang, ish-ministër dhe aktualisht drejtues i Komitetit Kombëtar përgjegjës për transplantet dhe donacionin e organeve, i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë të ndërmarrë nismën e ngritjes së një komisioni të posaçëm, i cili të monitorojë ecurinë e metodës mjekësore te të gjithë vendet anëtare.

Kolegu i Huangut, Dr. Wang Haibo propozon që ekzekutivi të gjejë rrugën e tij në përmbushjen e standardeve të komunitetit ndërkombëtar.

“Frerët duhet t’i marrë qeveria. Pavarësisht nëse zgjedh të monitorojë proceset e transplantimit, të godasë trafikun e organeve, apo të provomojë dhurimin e tyre, përgjegjësia është e saj, ndaj dhe duhet të marrë pozicion drejtues”, tha Dr. Wang Haibo.

Qeveria kineze ka nisur kohët e fundit një përpjekje të re për reformimin e sistemit të transplantit të organeve, duke nisur me një program dhurimi vullnetar, por përgjigjja e publikut ndaj këtij të fundit ka qenë mjaft e vakët.

Në Kinë, organet u merren të burgosurve të dënuar me vdekje. Kështu në vitin 2005 u mblodhën 12 mijë veshka dhe 900 mëlçi, por që më pas u shitën me çmim të lartë qytetarëve të tjerë kinezë të pasur, si dhe pacientëve të gatshëm për të paguar, vetëm për të mos pritur një dhurim sipas rregullave.

I kthyer në një biznes

Në Kinë një veshkë mund ta blesh për 60 mijë dollarë, por edhe një pankreas, një zemër apo një mushkëri për rreth 150 mijë dollarë.

Në 2012, qeveria në përpjekje për ta ndaluar këtë treg, vendosi që për 5 vite të mos të merren organet nga të burgosurit.

Tregtia e organeve ndalohet në të gjitha vendet e botës ligjërisht, me përjashtim të Iranit. Në bazë të ligjeve, rreth 1400 persona çdo vit ofrojnë ligjërisht në treg veshkën e tyre për një shumë prej 10 mijë dollarësh./Shqip

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...