Sonte në Prishtinë nis Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, “Polip”

22 Maj 2015 - 12:14      

Prishtinë, 22 maj - “Hajde t’flasim për lirinë” është motoja e edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Sebep për përzgjedhjen e kësaj teme janë sulmet e fundit në revistën satirike parisiene “Charlie Hebdo”, ku u vranë 12 persona.

Kjo ngjarje shënoi një epokë të re të kërcënimit të lirisë së fjalës dhe mbi të gjitha të mendimit kritik, satirës dhe humorit. Pas sulmit u mbajtën debate të ndryshme për kufizimin e lirisë së shprehjes. Takime të tilla rezultuan edhe me shkëmbime zjarri. Debate do të mbahen edhe në Kosovë në edicionin e pestë të këtij festivali, i cili nis të premten (sonte). Ashtu sikur edhe viteve të kaluara, festivali do të nisë me lexime nga shkrimtarët pjesëmarrës.

Emra të njohur të shkrimtarësh e kritikësh gjatë tri ditëve do të diskutojnë për tri tema që lidhen me lirinë e shprehjes. “Si ta mbrojmë lirinë e medieve”, “Liria dhe shtypja në shtetet e Ballkanit: Krijimi i alternative kulturore dhe politike si platformë për të ardhme të përbashkët”, “Liria, letërsia dhe censura: Çka na lejohet të shkruajmë në këto kohë? Si ndikojnë tregu, e kaluara, politika dhe religjioni në letërsi?”, janë temat që do të hapen në këtë edicion, i pesti me radhë. Në panel diskutimi do të jenë shkrimtarë, kritikë e studiues. Fatos Kongoli, Biljana Srbljanoviq, Veton Surroi, Tanja Sljivar, Elfriede Czurda, Alida Bremer, Arian Leka, Ervina Halili...janë disa prej tyre. “Polip” organizohet nga “RK LINKS / Beton International” në Beograd në bashkëpunim me qendrën “Multimedia” të Prishtinës.

“Nuk ka botë tjetër, përveç kësaj të cilën ne e bëjmë me pjesëmarrjen tonë. Letërsia është pjesë përbërëse e saj dhe liria është zemra e ekzistencës së saj. Na duhet po ashtu liria e letërsisë që festivali ndërkombëtar i letërsisë ‘Polip’ e promovon më shumë se kurrë. Hajde t’flasim për lirinë”, është thirrja që tashmë ka lansuar “Polipi”.

Jeton Neziraj, drejtor i qendrës “Multimedia”, ka thënë se ky festival në çdo edicion ka një fokus tematik. Tema për lirinë apo kufizimin e saj ka qenë e pashmangshme.

“Sivjet ne kemi dashur të fokusohemi në cenimin e lirisë së shprehjes, sepse mbas ngjarjeve të Parisit në fillim të këtij viti ky nocion u aktualizua edhe më shumë dhe doli si një pyetje esenciale. Në të vërtetë pyetja që ngre festivali është: sa jemi të lirë të jemi kritikë?“, ka thënë Neziraj. Sipas tij, debate dhe tema të tilla janë shumë të nevojshme për shoqërinë kosovare. Debatet dhe diskutimet që organizohen këtë vit ai konsideron se janë në interes të publikut.

“Kosova nuk është ndonjë 'oazë e lirisë së shprehjes'. Përkundrazi”, ka thënë Neziraj. Rast për të dëshmuar këtë është djegia e librit të Veton Surroit, vitin e kaluar, në disa qytete të Kosovës. Ky shembull, sipas Nezirajt, tregon se deri ku mund të arrijë padija dhe dhuna ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë artistike.

“Sulme të kësaj natyre ka pasur edhe më herët. Një rast tjetër po aq skandaloz ka qenë ai i Qeverisë së Kosovës që pati bërë përpjekje për të censuruar premierën në Kosovë të shfaqjes ‘Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës’. Pra, shembuj të cenimit të fjalës së lirë dhe lirisë artistike në Kosovë ka”, ka thënë Neziraj.

Festivali “Polip” për pesë vjet me radhë tashmë mbledh shkrimtarë të ndryshëm serbë në Kosovë, dhe qëllimi i tij është thyerja e barrierave mes dy popujve përmes kulturës. Neziraj është i bindur se festivali ka arritur që të krijojë rezultate të mira në këtë drejtim.

“Pesë vjet më parë, kur ne organizuam edicionin e parë, ishte absolutisht hera e parë që poetë e shkrimtarë serbë po lexonin publikisht në Prishtinë mbas luftës. Tani shkrimtarët serbë vijnë rregullisht dhe nuk ka kurrfarë barrierash”, ka thënë Neziraj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...