“ReMusica” në mungesë financash “rrudh” programin, por vazhdon

8 Maj 2015 - 12:42      

Edicioni XIV i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ReMusica, i cili do të mbahet nga 16-30 maj, vazhdon të mbetet besnike e postulateve të saja kryesore: promovimi i muzikës së re dhe afirmimi i krijimtarisë se kompozitorëve shqiptarë, të ngërthyer me muzikën edhe të epokave tjera stilistike - barokiene, klasike etj.

Përkundër situatës së rënduar me zvogëlimin drastik të mjeteve nga ana e Ministrisë së Kulturës, ReMusica është përpjekur që kjo rrethanë e re për të, të mos ndikojë në cilësinë artistike /profesionale/ të festivalit. Jemi detyruar t’i anulojmë disa programe dhe disa kontrata të planifikuara (muaj më parë). Sivjet në program do të jenë gjithsej 8 koncerte, për dallim nga vitet e fundit që Festivali ynë kishte 12-14 koncerte.

Siç dihet, Festivali ReMusica, programin e realizon në bashkëpunim me ansamble dhe artistë nga jashtë, që rëndomë janë shumë të kushtueshëm. Në këto programe të bashkëpunimit, që financiarisht janë dhe gjithmonë kanë qenë të paarritshëm për buxhetin tonë, pjesëmarrja në këto projekte mjetet tona është minimale, përndryshe nuk do të ishte e mundur të realizoheshin. Vetëm në dy mbrëmjet e para, në Prishtinë do të jenë rreth 90 pjesëmarrës nga Japonia, SHBA-ja dhe Bullgaria. Kostoja e vetëm këtyre koncerteve për dy ditë qëndrimi të tyre do të jetë më së paku pesë herë më i madh se buxheti total i festivalit (!). Reperkusionet direkte negative në situatën e krijuar financiare do të jenë në programet që kanë qenë plotësisht në ngarkesë të Festivalit.

Përfshirja e veprave dhe artistëve shqiptarë nga Kosova e Shqipëria edhe sivjet është i madh. Do të realizohen rreth 30 vepra të autorëve tanë, një pjesë e tyre janë premiale.

Ajo që e dallon këtë edicion nga vitet e kaluara është fakti se 4 koncerte nga gjithsej tetë, sa janë, u takojnë ansambleve të mëdha, me ç’rast në skenën e festivalit, vetëm në këto mbrëmje, do të performojnë madje 150 instrumentistë e koristë nga Japonia, SHBA-ja, Bullgaria, Shqipëria, Italia dhe Kosova.

Pjesëmarrës në edicioni e sivjetshëm janë: kori “ Kansai Koyuaki“ nën udhëheqjen e kompozitorit të famshëm japonez, emër botëror i muzikës korale – Ko Matsushita, kori amerikan nga SHBA, çelisti nga Italia Roberto Trainini në bashkëpunim me pianisten e njohur tiranase Merita Rexha – Tërshana, virtuozi violinistik shqiptar, Jonian Kadesha. Në kuadër të edicionit të sivjetshëm do të jetë edhe koncerti tradicional i muzikës akusmatike si dhe koncerti me emërtim sinjifikativ “Nata shqiptare”, me pjesëmarrjen e një mori artistësh nga Tirana dhe nga Prishtinë, si violinisti Kristian Gusho, pianistja Rudina Ciko, saksofonisti Dardan Gjinolli me kuartetin e tij të saksofonëve, Trio me Adorel Haxhiun, Artemida Qarri dhe fizarmonikisti i njohur Elton Balla etj.

Si gjithmonë në ReMusica, do të jetë edhe Tribuna muzikologjike, që sivjet i kushtohet debatit rreth temës “Krijimtaria e muzikës së re shqiptare në momentin e tanishëm”. Në të do të të flitet për përfshirjen e muzikës të autorëve tanë në jetën koncertore, në radio dhe televizion, në programet e festivaleve, në diskografi dhe në botime. Në këtë debat do të marrin pjesë emra të njohur nga Tirana dhe Kosova: Zhani Ciko, Eriona Rushiti, Nestor Kraja, Eno Koço, Zeqirja Ballata etj.

Në Tribunën promovuese sivjet do të bëhet promocioni i dy librave: “Udhëtimi i isos vokale”, të autorit Eno Koço, dhe “Tefta Tashko- Koço” i muzikologut Pandi Bello.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...