“Dielli” dje mbushi 108 vjet

16 Shkurt 2017 - 09:41      

Tirane, 16 shkurt - Sot është Ditëlindja e Gazetës “Dielli”, gazeta e vetme që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në SHBA. Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, nisi të botohej Dielli i shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar me 6 janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-kryetar. Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program gazetë, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 shkurt 1909 dhe mbajtur ndezur deri më sot. 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.

Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri dielli5gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.

Prej 8 vitesh Dielli drejtohet nga Kryeredaktori Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në Online, ndërkohë që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.
dielli3Gazeta”Dielli” është regjistri më i vjetër i Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtezakonshëm në historinë e shtypit shqiptar.
Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e pashkolluar të Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombit Shqiptar.

Dielli është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50, shkruan Dalip Greca ndër të tjera sot në një artikull kushtuar këtij përvjetori .

Dielli ka merita të mëdha edhe në fushën e Letërsisë dhe Kritikës Letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta”Dielli” mbetet zëdhënësja dhe misionarja më e respektuar dhe më e çmuar e shqiptarizmit në SHBA.

Dielli u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt Atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj Atdheut.
dielli4Vatra dhe Gazeta e saj “Dielli” përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja Kombëtare. Kanë thënë shpesh se Dielli dhe Vatra do të shuheshin, por jo, ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekullin e dytë. Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë, duke ju referuar shkrimit të Grecës botuar në ditëlindjen e Gazetës “Dielli”.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...