Komedia kosovare “një shfaqje teatri me 4 aktorë...” do të shfaqet në Bern

14 Janar 2017 - 13:40      

Komedia e suksseshme kosovare “një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” do të shfaqet para publikut në Bern të Zvicrës, në teatrin Schlachthaus, me datat 20, 21 dhe 22 janar.

Për shfaqjen në të cilën luajnë aktorët Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shpetim Selmani, si dhe dy muzicientët Art Lokaj e Drin Tashi, tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj, kurse regjinë e ka bërë Blerta Neziraj. Shfaqja është realizuar nga Qendra Multimedia, e cila në teatrin Schlachthaus të Bernit ka shfaqur para dy vitesh edhe komedinë “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”.

Komedia “një shfaqje teatri me 4 aktorë...” është dhënë me shumë sukses në Kosovë si dhe ka pasur edhe një prezentim në Zagreb, në teatrin ZKM. Në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Ferizaj, ajo është shpërblyer me cmimet kryesore; për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë si dhe për aktorët më të mirë.

“Ky është një rast i mirë për publikun në Zvicër të shohin një komedi fantastike”, thuhet në njoftimin për media të prodhuesit të shfaqjes.

Në sinopsisin e kësaj shfaqje thuhet se “mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet”.

“Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia. Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane”, thuhet në përshkrim.

“Thertorja Tony Blair në Prishtinë, nga tash e tutje, duhet të fillojë të shesë mish me cilësi dhe prejardhje të kontrolluar. Në përpjekjen e tyre për të plotësuar këtë kusht, pronarët e thertores bëjnë një udhëtim kafkian nëpër administratën qeveritare, duke pasur të bëjnë me burokratë e zyrtarë halabakë e të korruptuar. Madje, në kopshtin zoologjik të Shkupit, atyre u duhet të vjedhin edhe një gjirafë për Kryeministrin e Kosovës, të cilin ai e ha për ditëlindjen e tij. Dhe derisa njerëzit e shtetit të ri angazhohen me naivitet në këtë sfidë të re, bota orvelliane e kafshëve mobilizohet dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë momentum politik për të adresuar e artikuluar kërkesat e tyre për therje më të dinjitetshme”, thuhet më tej aty.

E shkruar nga një cinik vendas, siç thuhet më tej aty, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian.
“Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’”.

Muzikën e shfaqjes e ka komponuar Gabriele Marangoni, koreografinë Adrienne Hart, skenografinë Petra Veber, klostumet Vesa Kraja, dizajnin e dritave Radomir Stamenkovic, ass. Regjisore Enkeleda Simitxhiu Arifi, menaxhere skene Lendita Idrizi, ass. e produksionit Sophia Sinani, udhëheqës teknik Denis Berisha, dritat Mursel Bekteshi e Denis Berisha, fjalët Jeton Neziraj.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...