Foto: Koha

“Polip” mbyllet me shkrimet e të burgosurave politike të viteve ‘80

16 Maj 2016 - 13:30      

Prishtinë, 16 maj - Trokitjet në tavolinë ishin mënyrë komunikimi. Me atë lloj melodie të krijuar me duar, Shukrije Gashi, Dije Neziri-Lohaj dhe Shemsije Elshani kishin komunikuar gjatë kohës kur po mbaheshin të burgosura nga regjimi serb në vitet ’80.

Pas 30 vjetësh, të tria u bënë bashkë përsëri. Por kësaj radhe me një tjetër mision. Në vitet ’80, të burgosurit politikë shqiptarë përbënin 80 për qind të të burgosurve në ish-Jugosllavi, shkruan sot “Koha Ditore”. Shumica e të burgosurve ishin pjesë e lëvizjes, që ndryshe njihej si “Ilegalja”.

Kjo lëvizje përbëhej nga grupe të ndryshme të grave dhe burrave, të cilët që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore përshtatën programe të ndryshme në bazë të rrethanave politike të asaj kohe. Aktivistët e lëvizjes “Ilegalja” prej momentit që burgoseshin përballeshin me tortura sistematike. Asokohe aktivizimi i grave ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm për çështje kombëtare, por edhe për luftën për të drejtat e tyre. Letërsia ishte një prej mënyrave se si ishte shprehur ky aktivizim bashkë me idealet për liri, jetë dhe barazi.

Për disa, shkrimi ishte mekanizëm i mbijetesës brenda burgut, po ashtu edhe gjatë kohëve të vështira aty. Letërsia e shkruar nga gratë aktiviste të Lëvizjes dhe atyre që ishin të burgosur politikisht ka peshë të madhe. Në mesin e tyre janë edhe Gashi, Neziraj – Lohaj dhe Elshani. Në burg ndryshe ato njiheshin edhe me nofkat, “Beteja”, “Besa” dhe “Flaka”. Një copë e përjetimit të tyre u shpalos në kuadër të ditës së fundit të edicionit të gjashtë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Ato u bënë pjesë e panelit “Shkrime nga ‘politikisht të papërshtatshmet’ e viteve ‘80”, apo siç njihen edhe sot me nofkën “Ilegalet”.

Krahas rëndësisë së këtij zhanri apo siç e kanë quajtur “art i rezistencës”, paneli diskutoi se si kjo lloj letërsie i rezistoi amnezisë politike kolektive në shoqërinë kosovare patriarkale. “Ilegalet” para publikut shpalosën poezi dhe proza të cilat lidhen me atë pjesë të hidhur të jetës së tyre. Po ashtu, shpalosën edhe këngët të cilat do t’i këndonin sa ishin të mbyllura në qeli. Të tria kishin nisur të merreshin me shkrime para se të futeshin në burg, pasion të cilin e kultivojnë edhe sot.

Poezitë e tyre flasin për frikën, krenarinë, idealin, atdheun, por edhe për dashurinë në atë kohë. Të tria qenë burgosur pas demonstratave të vitit 1981 dhe kanë përjetuar ankthe të vërteta. E historitë e tyre janë të dhimbshme, por në të njëjtën kohë shpalosin krenarinë dhe forcën e tyre.

“Në Burgun e Mitrovicës ne nuk kemi pasur laps e as letër për të shkruar poezitë tona”, ka thënë Elshani, e cila do të burgosej pas demonstratave. Shumica e shkrimeve të saj janë në formë memoaresh të pabotuara ende. “Disa prej tyre janë të shkruara para e disa pas asaj kohe. Unë i kam memorizuar poezitë e më pas i kam shkruar. Kështu kanë bërë edhe të tjerat. Më kujtohet njëherë kur i patëm bërë disa shkrime dhe i kishim fshehur mbi një bojler. Kisha edhe disa shkrime që si skelet ua dërgoja shoqeve të mia në letrat që i shkruaja”, ka rrëfyer ajo.

“Por ato letra janë djegur gjatë luftës dhe nuk më ka mbetur asnjë. Por këto që i prezantova sot dhe ato që i kam janë të shkruara më pas nga kujtimet që kam nga ajo kohë”, ka shtuar ajo, tek ka kujtuar edhe formën e komunikimit me shoqet e burgu.

“Mënyra dhe koha e vetme kur ne kishim letër dhe laps ishte kur u shkruanim familjeve. Madje edhe gjatë asaj kohe gardiania rrinte tek dera dhe menjëherë na i merrte. Prandaj ne i kemi memorizuar poezitë. Ia kemi thënë njëra-tjetrës që mos t’i harrojmë dhe kur kemi dalë i kemi shkruar”, ka thënë Gashi, e cila në vitin 1983 do të dënohej me 2 vjet burgim. Ajo ka të botuar një libër me poezi.

Ndërsa Neziri-Lohaj qysh në shkollën e mesme do të angazhohej në grupin ilegal “Shote Galica”, e cila kishte për qëllim luftimin e diskriminimit ndaj qytetarëve nga regjimi i atëhershëm. Në vitin 1983 u dënua me 5 vjet heqje lirie. Ka botuar tri vëllime me poezi.

Krejt këto detaje u shpalosën në panelin e orës 18:00, të cilit i parapriu debati me temën “Theatre of the newcomers”, në panelin e të cilit diskutuan Sabine Kock, Martin Bieri, Stefan Schletter , Senem Cevher dhe Ralph Hamerthaler. Konkludimi i diskutimeve të këtij paneli doli se refugjatët trajtohen vetëm si refugjatë e jo si njerëz me të kaluar e të arritura akademike e profesionale. Në bazë të asaj që të pranishmit sqaruan, u tha se ata trajtohen si subjekte në shfaqje pa estetikë ku teatri shndërrohet më shumë në qendër sociale. Pas këtyre dy paneleve edicioni i gjashtë i “Polip” u përmbyll me lexime e më pas me muzikë. Gjatë tri ditëve të festivalit, i cili këtë vit kishte temë emigrimin, mirëpriti shkrimtarë e poetë nga vende të ndryshme; si Xhevdet Bajraj, Luljeta Lleshanaku, Mehmet Yashin, Peter Ahorner, Rumena Buzarovska, Flutura Açka, Donika Dabishevci, Viveka Sjögren, Rosa Pock, Bojan Babiq. Ky festival organizohet nga Qendra Multimedia.

Drejtori i kësaj qendre, dramaturgu Jeton Neziraj, ka thënë se është ndarë i kënaqur se si ka përfunduar ky edicion.

“Ky edicion ka shkuar ashtu për mrekulli. Hapja ka qenë vërtet e shkëlqyeshme me numër të madh të vizitorëve, po ashtu edhe nata e dytë. Të dy panelet kanë pasur vizitorë dhe kureshtje prej atyre që kanë ardhur dhe i kanë përcjellë panelet”, ka thënë Neziraj.

“Gjithçka mund të them se ka funksionuar mirë dhe pres që festivali ka me u mbajt me këtë entuziazëm, i cili na ka përcjellë këtë vit”, ka shtuar ai. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...