Eichmanni serb në Prishtinë

26 Nëntor 2015 - 08:07 - Enver Robelli      

Lubisha Dikoviqi është gjeneral i Armatës së Republikës së Serbisë. Por për shqiptarët ai është një lloj Adolf Eichmanni serb, që dyshohet se ka kryer krime të mëdha ndaj popullsisë civile në Drenicë. Një figurë të tillë KFOR-i e ftoi në Prishtinë për të nënshkruar një marrëveshje që heq zonën e ndalim-fluturimit në kufi me Kosovën

Në të ardhmen avionët e ushtrisë serbe mund t’i afrohen kufirit të Kosovës. Që nga viti 1999 ata e kishin të ndaluar të hynin në zonën e sigurisë prej 25 kilometrash, e cila shtrihej nga kufiri i Kosovës në brendi të Serbisë. NATO-ja ka ardhur në përfundim se ky relaksim i raporteve me Serbinë është i mundshëm. Me siguri gjeneralët e NATO-s kanë bërë vlerësimet e tyre dhe kanë konstatuar se Kosovës nuk i kanoset ndonjë rrezik nga fqinji i saj verior. Nënshkrimin e marrëveshjes e kishte paralajmëruar javën që shkoi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Beograd. Pas aterrimit në kryeqytetin e Serbisë, Stoltenberg deklaroi se «gëzohet shumë» për vizitën e tij të parë në Beograd në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Stoltenberg përkujtoi se Beogradi është qyteti i fëmijërisë së tij. I ati i tij, Thorvald Stoltenberg, i njohur si ndërmjetësues i OKB-së për ish-Jugosllavinë, në vitet 60-të kishte shërbyer si sekretar i parë i Ambasadës së Norvegjisë në Beograd, atëherë kryeqytet i Jugosllavisë. Në vitin 2012, kur Jens Stoltenberg kishte vizituar Beogradin si kryeministër i Norvegjisë, kishte deklaruar: «Si fëmijë kam pasur privilegjin të jetoj tre vjet në Beograd dhe ende e kujtoj Kalemegdanin. Ky është qytet magjepsës dhe tepër i bukur dhe kam pasur një fëmijëri të lumtur në kryeqytetin serb».

Të dielën gjeneralmajori dhe komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, e nënshkroi në Prishtinë marrëveshjen e paralajmëruar nga Jens Stoltenbergu. Nga pala serbe në dokument e vendosi firmën shefi i armatës serbe, gjenerali Lubisha Dikoviq. Lejimi i gjeneralit Dikoviq të vijë në Prishtinë është tallje me viktimat e luftës. Ka mjaft dëshmi që Dikoviq ka qenë i përfshirë në masakra kundër popullsisë civile në Kosovë. Vendimi i KFOR-it është - thënë më së buti - skandaloz. Gjeneralë të KFOR-it, ju keni ardhur në Kosovë të garantoni paqen dhe të mbroni viktimat. Nëse në të njëjtën kohë e sillni në Prishtinë një të dyshuar për krime lufte, atëherë, përveç fyerjes së viktimave, ju e diskreditoni edhe misionin tuaj. Pas këtij skandali nuk duhet të befasohet askush në Bruksel se këto politika e bankrotojnë krejt idenë për sigurimin e një ambienti paqësor në Kosovë. Askush, as në pushtet, as në opozitë, as në shoqërinë civile, as në mediume nuk duhet ta durojë këtë poshtërim.

Lubisha Dikoviqi për shqiptarët është një lloj Adolf Eichmanni serb që dyshohet se ka kryer krime të mëdha ndaj popullsisë civile në Drenicë. Këtë e ka dokumentuar në një raport të gjerë Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndonëse Fondi ka kërkuar nga drejtësia serbe të nisë hetimet kundër Dikoviqit dhe ta nxjerrë atë para gjyqit, politika serbe ka vepruar ndryshe: presidenti Tomislav Nikoliq në fillim të këtij viti e ka dekoruar atë me “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”. Dikoviq ishte pjesë e nomenklaturës ushtarake serbe që organizoi vrasjen masive të popullsisë shqiptare në Kosovë në vitet 1998-99. Kuptohet, krimet naziste për nga përmasat nuk mund të krahasohen me ato serbe të kryera në Kosovë. Por mund të krahasohet ideologjia: ishte e njëjtë! Një ideologji raciste që synonte shfarosjen e një populli, shkatërrimin e vendbanimeve dhe të bazës ekonomike, shndërrimin e Kosovës në një ambient ferri, ku jeta do të ishte e pamundshme për shqiptarët. Sa i përket simbolikës me nazizmin ja edhe një shembull: kur regjimi serb, të cilit i shërbeu gjenerali Dikoviq, dëboi nga Kosova rreth një milion shqiptarë, ata që mbetën duhej të regjistroheshin dhe të pajiseshin me një karton të gjelbër – njëjtë si hebrenjtë me yllin e Davidit. Shteti i gjeneral Dikoviqit gëzonte monopolin e krimit.

Që nga çlirimi i Kosovës, për ç’gjë NATO-ja ka dhënë kontribut vendimtar, trupat e KFOR-it kanë gëzuar respekt të madh në mesin e popullsisë shqiptare në Kosovë, por edhe nga shumica e pakicave. Këtë e tregojnë të gjitha anketat. Me ftesën dërguar Dikoviqit, komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, ka treguar mungesë të sensit për respektimin e viktimave. Skandali bëhet edhe më i madh kur dihet se kjo nuk ishte vizita e vetme e Dikoviqit në komandën e KFOR-it në Prishtinë. Kjo është, pak a shumë, e ngjashme sikur gjenerali Miglietta të kishte ftuar pas Luftës së Dytë Botërore një asistent të diktatorit Benito Mussolini për të nënshkruar një marrëveshje mbi sigurimin e paqes në Itali.

Çfarë do të thoshte të dielën gjenerali Miglietta nëse një njësit agjentësh kosovarë do ta kidnaponte gjeneralin serb Dikoviq njëjtë siç e kidnapoi Adolf Eichmannin në Argjentinë shërbimi sekret izraelit Mosad për ta nxjerrë para gjyqit në Jerusalem? Çfarë do të thoshte komandanti i KFOR-it nëse do të kishte Kosova një prokuror të guximshëm, i cili do të lëshonte urdhërarrest kundër Dikoviqit? Këtij vendi i duhet drejtësia, jo vetëm kujtimi për të kaluarën, zoti gjeneral Miglietta. “Kujtesa kapet pas ndodhive që përmbajnë simbolikë, një imazh i së kaluarës është i ngulitur brenda nesh. Kujtesa mund të jetë e fuqishme dhe prapëseprapë e pasaktë, ajo na mban të zgjuar, por ajo çon vetëm deri te pragu i kuptimit të historisë. Kujtesa nuk është rekonstruktim hulumtues i së kaluarës. Mund të bëjë vaki që e kaluara vetëm e kujtuar si zëvendësim i së kaluarës ta mbajë peng një epokë ahistorike”. Këto fjalë të historianit hebraiko-gjerman, Fritz Stern, na kujtojnë se për t’u ballafaquar me të kaluarën nuk mjafton vetëm e kaluara e kujtuar. Duhet drejtësi, gjeneral. Për këtë duket se ju nuk jeni i vetëdijshëm fare. Andaj, shame on you, turp, gjeneral Miglietta.

robelli@bluwin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...