Dialogu nuk ka alternativë

25 Nëntor 2015 - 08:19 - Augustin Palokaj      

“Është vështirë të kuptojmë se si liderët e Serbisë dhe të Kosovës, të cilët edhe kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, bëjnë dialog dhe bashkëpunojnë mes vete dhe këtë nuk mund ta bëjnë politikanët në Shqipëri mes vete”, thoshte një zyrtar i lartë i BE-së para disa vjetësh. Tash kjo fjali mund të përdoret edhe në rastin e Kosovës; si mund të dialogojnë pjesëtarët e Qeverisë pa problem me Beogradin, por jo me opozitën. Pse dialogu me Beogradin është më i rëndësishëm sesa stabiliteti politik dhe institucional i Kosovës. Gjithnjë e më shumë po dëshmohet se ka qenë qasje e gabuar pse në Kosovë nuk ka pasur një dialog të brendshëm rreth dialogut me Beogradin. Kështu dialogu në Bruksel nuk i ka normalizuar raportet me Beogradin e ndërkohë ka shkaktuar kaos të brendshëm në Kosovë

“Dialogu nuk ka alternativë” është me siguri përgjigjja, të cilën e kemi dëgjuar më së shumti në katër vjetët e fundit nga zyrtarët dhe diplomatët e Bashkimit Evropian kaherë që kemi bërë vërejtje për disa zhvillime në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, apo për të respektuar fjalorin zyrtar të BE-së “dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”. Zakonisht përgjigje të tillë japin kur ndeshen me ndonjë vërejtje konkrete si ajo për elementet diskriminuese të marrëveshjeve të Brukselit, për legalizimin e segregacionit etnik në Kosovë me to dhe të tjerat. Madje shpesh zyrtarët e BE-së bëhen edhe arrogantë duke i akuzuar ata të cilët japin ndonjë vërejtje ndaj ecjes së dialogut se ata janë për konflikt. “Cila është alternativa; konflikti a? Ka kaluar koha e konfliktit dhe duhet të shikoni nga e ardhmja”, thjeshtëzojnë sqarimin e tyre këta zyrtarë, duke dëshmuar qartë se nuk u intereson shumë dialogu dhe pasojat që do të lënë për Kosovën përderisa në BE do të mund ta përmendin si njërin prej sukseseve të tyre më të mëdha.

Nuk ka dyshim se nuk ka alternativë dialogu. Duhet të jetë dikush i krisur, ekstremist apo radikal që të jetë kundër dialogut. Fjala është për dialogun si parim i zgjidhjes së konflikteve dhe mospajtimeve. Por për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës problemi nuk është në vetë atë dialog sa në mënyrën se si është nisur, si ka vazhduar, cilat rezultate i ka prodhuar dhe si po zbatohen ato.

Tashmë është thënë disa herë se qëllimi i dialogut ka qenë devijimi i debatit për Kosovën nga statusi dhe njohja, që mendohej se do të merrte hov pas mendimit super pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në dialog me Beogradin, për të lënë anash njohjet dhe për të adresuar çështjet të cilat do të mundësonin një lloj “normalizimi” pa pasur nevojë njohjen e Kosovës.

Po ashtu qëllimi i dialogut ishte që serbëve të Kosovës dhe Serbisë t’u jepet “diçka më shumë sesa ofroi Ahtisaari”. Dhe duke pranuar të hynte në dialog, i cili kishte këtë qëllim të shprehej privatisht nga vetë “lehtësuesit e dialogut”, Kosova diskreditoi edhe punën e ish-presidentit të Finlandës dhe propozimin e tij në bazë të së cilit shpalli pavarësinë.

Nisja e dialogut erdhi në kohën më të papërshtatshme për Kosovën, edhe pse para dialogut Kosova mendohej se kishte një epërsi të madhe pikërisht për shkak se Beogradi dhe të gjithë kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës humbën argumentin juridik dhe nuk mund të thoshin më se “pavarësia shkel të drejtën ndërkombëtare”, sepse institucioni më kompetent në botë për të dhënë mendim për këtë gjë tha ndryshe. Dialogu nisi në kohën kur lideri kryesor i Kosovës, pa marrë parasysh se në cilin post ndodhet, Hashim Thaçi, u përmend në Raportin famëkeq të Dick Martyt, dhe liderët botërorë e kishin vështirë të takoheshin me të. Në të njëjtën kohë edhe zgjedhjet në Kosovë ishin quajtur nga shumë vëzhgues si proces ku pati “vjedhje industriale” dhe mashtrime. Problematikë ishte edhe zgjedhja e Behxhet Pacollit si president dhe pastaj edhe e Atifete Jahjagës, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Pacollin. Të hysh në dialog, i cili do të determinojë aq shumë të ardhmen e vendit, duke marrë përgjegjësi të mëdha në emër të shtetit për të ardhmen, në rrethana të tilla, pa një konsensus të brendshëm, ishte një gabim.

Gabimi tjetër ishte dhe vazhdon të jetë se asnjëherë liderët e Kosovës nuk e thanë të vërtetën e plotë rreth qëllimeve, temave dhe formatit të dialogut. Sa për ilustrim të përmendim vetëm disa nga margaritarët e zëvendëskryeministres për dialog, Edita Tahiri, kryeministrit të mëhershëm, Hashim Thaçi, dhe presidentes Atifete Jahjaga; “Dialogu është vetëm teknik dhe nuk do të lejojmë të flitet për çështje politike”, thoshin në fillim, edhe pse edhe analfabetët e dinë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të kishte asnjë problem “teknik” po të mos ishin ato pasojë e mospajtimeve politike rreth statusit. Pastaj thoshin se “asnjëherë nuk do të diskutojmë për çështjet e brendshme të Kosovës”, edhe pse askush nuk pa që të jetë diskutuar në dialog për ndonjë gjë lidhur me rregullimin e brendshëm të Serbisë, por vetëm të Kosovës. Dhe kulmi ishte kur në Bruksel, pikërisht në kohën kur ish-përfaqësuesja e lartë, Ashton, paralajmëronte se do të kalohet në “fazën më të vështirë të dialogut, atë rreth veriut”, presidentja Jahjaga pa i lëvizur fare qerpiku i syrit thoshte se “nuk ekziston çështja e veriut të Kosovës”. Të mos flasim më rreth “fjollës së borës” apo thënieve se “Serbia në dialog e ka njohur Kosovën si shtet” apo se “në dialog palët janë të barabarta” sepse jemi bërë bajat edhe ne duke i rikujtuar këto fakte.

Qasje e gabuar ishte edhe e BE-së, sepse menduan se është e mundshme që të vazhdohet dialogu duke pretenduar se respektohen edhe Kushtetua e Serbisë, edhe ajo e Kosovës. E Kushtetuta e Serbisë thotë se Kosova është pjesë e saj, ndërsa ajo e Kosovës e rregullon atë si shtet sovran dhe të pavarur. Kjo qasje e ka bërë edhe BE-në të jetë në pozicion që të mos e thotë të vërtetën e plotë rreth dialogut duke u lënë palëve që secila opinionin e vet ta gënjejë në interes të tyre me interpretime të veta. Dhe kjo i la qytetarët të painformuar apo të keqinformuar për diçka që në fillim thuhej se ka për qëllim pikërisht përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Të painformuar mbeten edhe parlamentarët, edhe pse sot vazhdojnë të gjithë të “bëjnë be” se ai është një vend i shenjtë ku duhet të vendoset fati i Kosovës. Vetë zyrtarët e BE-së, që sot bëjnë thirrje që “gjithçka të debatohet dhe të vendoset në Kuvend”, preferonin që Kuvendi të mos ketë nevojë t’i miratojë marrëveshjet me Serbinë para se ato të arriheshin në Bruksel, por pasi të ishin nënshkruar dhe të paraqiteshin si akt i kryer. Dhe duke kërcënuar se ata që do të kundërshtojnë do të jenë “armiq të paqes, të Evropës dhe të Amerikës” siguronin mbështetje.

Kosova pa ndonjë vizion të prerë dhe të qartë se çfarë dëshiron të nxjerrë nga dialogu, tash për tash siguroi një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi, e cila ishte dashur të kishte ardhur shumë më herët. Nga ana tjetër, pranoi që tash e në të ardhmen Beogradi të ketë rol në çështje të brendshme të Kosovës. Me Beogradin është arritur marrëveshja rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Beogradit i është dhënë edhe rol në punët e jashtme të Kosovës. Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, një diplomat me përvojë edhe në rajon, edhe në BE, haptas thotë se “Kosova para se të kërkojë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare duhet për këtë të merret vesh me Serbinë dhe kërkesën ta bëjnë së bashku”. Kështu ai e sqaron arsyen pse vendi i tij votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Kosova mund të jetë ndoshta edhe i vetmi vend në botë ku një nënkryetar apo anëtar i Qeverisë, kur thotë qeveria jonë” mendon në atë të një shteti tjetër, në këtë rast të Serbisë. Apo politikanë që janë në koalicionin qeverisës të Kosovës thonë se “ne jemi unik sa i përket UNESCO-s” duke menduar në unitetin mbarëserb kundër kësaj.

Pra dialogu është dashur të ishte përgatitur më mirë dhe kritikat ndaj tij nuk duhet kuptuar si kundërshtim ndaj dialogut si parim apo për të adresuar kritika ndaj kritikëve të dialogut se na qenkan për luftë. Madje sa për të rikujtuar, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, asnjë subjekt relevant politik i Kosovës nuk ishte kundër dialogut. Por i tërë legjitimiteti që nga fillimi e deri më sot u kërkua më shumë nga mbështetja ndërkombëtare sesa nga opinioni i Kosovës.

“Është vështirë të kuptojmë se si liderët e Serbisë dhe të Kosovës, të cilët edhe kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, bëjnë dialog dhe bashkëpunojnë mes vete dhe këtë nuk mund ta bëjnë politikanët në Shqipëri mes vete”, thoshte një zyrtar i lartë i BE-së para disa vjetësh. Tash kjo fjali mund të përdoret edhe në rastin e Kosovës; si mund të dialogojnë pjesëtarët e Qeverisë pa problem me Beogradin, por jo me opozitën. Pse dialogu me Beogradin është më i rëndësishëm sesa stabiliteti politik dhe institucional i Kosovës. Gjithnjë e më shumë po dëshmohet se ka qenë qasje e gabuar pse në Kosovë nuk ka pasur një dialog të brendshëm rreth dialogut me Beogradin. Kështu dialogu në Bruksel nuk i ka normalizuar raportet me Beogradin e ndërkohë ka shkaktuar kaos të brendshëm në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës apo një pjesë e mirë e tyre, sepse askush nuk ka të drejtë të thirret në të
gjithë qytetarët, tash janë gjetur në një situatë të paqartë dhe dilemë se si të mbështeten ndoshta disa kërkesa të opozitës e në të njëjtën kohë të shprehet mospajtim dhe dënim i metodave të tyre të dhunshme vandale. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të mendojnë me kokat e tyre se a janë të mira apo jo disa marrëveshje, të cilat edhe në emër të tyre në Bruksel i kanë arritur kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij formal dhe shefi i tij real, Thaçi, e jo doemos të lejojnë që për ta të mendojë dhe të japë vlerësime dikush në Bruksel, i cili pas disa vjetësh do të jetë diku tjetër e nuk do t’i interesojë Kosova. Sepse ata zyrtarë dhe diplomatë të BE-së do të gëzojnë pensionet e tyre ose të kenë një punë tjetër, ndërsa qytetarët e Kosovës do të duhej të jetonin në atë Kosovë të cilën nga brenda marrëveshjet e dialogut do të mund ta bëjnë edhe më disfunksionale sesa që është. Ku janë sot baronesha Ashton, Robert Cooperi, Fernando Gjentilini dhe të tjerët që hartuan marrëveshjet e deritashme dhe diktuan ecjen e dialogut. Apo ish-ambasadori amerikan Crhistopher Dell. Ku mund t’i gjejmë dhe t’i pyesim për garancitë e tyre.

Nëse dikush mendon se vërtet janë normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë, le të lexoj vetëm prononcimet e udhëheqësve të Serbisë rreth Kosovës në prag të votave në UNESCO. Nuk e di se a mund të quhen normale raportet kur Serbia Kosovën e krahason me ISIS-in, të keqën më të madhe të njerëzimit kundër së cilës sot është bashkuar i tërë globi, nga Perëndimi e Rusia deri tek Kina e Turqia. Por zyrtarët e Qeverisë së Kosovës duket se nuk e kanë problem që edhe pas akuzave dhe fyerjeve të tilla të takohen me ta në mënyrë që të marrin lëvdata për “ lidership dhe guxim të madh politik” nga zyrtarët ndërkombëtarë.

Një prej të pavërtetave të tjera që Qeveria e Kosovës e kishte thënë për dialogun ishte se në të Serbia ka marrë përgjegjësi që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. E vërtetë ka qenë qëllimi të jetë ashtu, por nuk u bë. Kosova në dialog ndoshta me nxitimin që pjesëmarrësit në të të fitojnë çmimin “Nobel” për paqe pranoi që pika ku duhej të thuhej se “palët nuk do të pengojnë e as të nxisin të tjerët të pengojnë anëtarësimin e njëra-tjetrës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare” të ndryshohet në atë masë saqë të thotë që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në “”rrugën e tyre përkatëse evropiane”.

Është bërë tepër vonë që të mund të përmirësohen disa gabime të bëra në dialog. Marrëveshjet nuk mund të tërhiqen pa pasoja. Por nuk është bërë vonë të ketë një dialog të brendshëm në Kosovë për të ndalur këtë konflikt politik, i cili i tejkalon ato konflikte për të cilat aq ashpër ishte kritikuar me vite Shqipëria. Thënia se “dialogu nuk ka alternativë” duhet të vlejë edhe në këtë rast.  

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...