Shteti i lotsjellësit

24 Nëntor 2015 - 07:56 - Flaka Surroi      

Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, duke u mbështetur mbi mandatin e fituar me vota dhe në fuqinë që ua jep ulësja në Kuvend, kanë dalë me një propozim të arsyeshëm dhe autokton. Është hera e parë mbas shumë e shumë kohësh, që zgjidhjen e mundshme të një problemi nuk e imponon zarfi, e as qortimi në Dragodan. Është hera e parë mbas shumë kohësh, ku gjenden dy njerëz që mund të flasin për problemin dhe zgjidhjen eventuale të tij, pa e ofenduar askënd, pa përdorur fjalë të rënda, pa imponuar asnjë gjë

Dje me t’u zgjuar mendoja se çfarë do të shkruaja në zgafellen e radhës – ngjarjet që e kishin shënuar javën nuk ndryshonin shumë nga ajo që kishte ndodhur javën paraprake dhe në dy muajt e fundit. Për më keq, kishin shënuar përsëritjen e skenave të dhunës dhe tashmë shtimin në masë të pakontrolluar të hedhjes së gazit lotsjellës në secilën skutë të qendrës së qytetit. Qysh kemi nisur, shpejt do të bëhemi imunë ndaj këtij gazi, ashtu siç jemi bërë imunë ndaj pluhurit të Obiliqit.

1.

Java nisi me një lajm nga kultura, përkatësisht kronika e zezë. Tyrbja e Xhylfatynit, që gjendet ngjitas me xhaminë me të njëjtin emër në Pejë, u dogj dhe u dëmtua aq rëndë sa është shkatërruar gati në tërësi. Objekti 300-vjeçar i mbijetoi luftërat, por nuk e mbijetoi jetën në Republikën e Kosovës, që po u nis me këtë ritëm, në UNESCO do të çojë lista më të gjata të monumenteve me vlerë që janë shkatërruar, sesa të atyre që ende u qëndrojnë barbarisë bashkëkohore.

2.

Vijoi me cirkun e quajtur Kuvend të martën. U thirr plenarja në orën 9 të mëngjesit, kur dihej që po të njëjtën ditë do të vinte në vizitë mbreti i Jordanisë. Dihej se do të kishte telashe përsëri, se të mos ishte planifikuar ashtu, nuk do të ishin përgatitur sallat rezervë në Kuvendin e Kosovës, me nga dy pano të mëdha që duhej të shërbenin si skenografi për Kuvendin. Ajo që u pa ishte e qartë: Kryesia e Kuvendit dhe Kabineti qeveritar mbroheshin nga një kordon i trashë policor (në tesha civile), kurse opozita kundërshtuese insistonte t’i ndalte punimet me ngulm. Para se të dilte në pah produkti më në modë që ka Kosova, pra gazi lotsjellës, në skenë u paraqit një produkt i ri: spreji me piper në dorën e Albin Kurtit. Mbledhja u ndërpre, dhe më pas nisi ngarendja nëpër korridoret e shkallët e Kuvendit që u tymosën me gazin e famshëm deri në ekstrem.

Dhe? Kurrgjë për opozitën që mbeti jashtë seancës. Kalimi në leximin e parë të Ligjit për buxhetin, për pushtetin plus minoritetet, pa e kuptuar mirë se çfarë në fakt po votohej – se debat gati që nuk pati. Pati vetëm kërcënime nga kryeministri dhe zëvendësi i tij nominal – që pa dyshim shërbyen si sinjal që forcat e rendit t’i hynin zbatimit të urdhërarrestimeve për katër deputetët opozitarë.

3.

E mërkura gdhiu me lëvizje të forcave speciale nëpër lagjet ku banojnë deputetët opozitarë në kërkim nga policia. Pas thyerjes së derës së banesës së Kurtit dhe ndërrimit të bravës së derës së Haxhiut (apo mbase simultanisht), ia dolën ta marrin Donika Kadaj-Bujupin dhe me procedurë brendaditore, gjykata ia shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Pa e paragjykuar fare fajësinë ose jo të deputetes, megjithatë në këtë rast do të pajtohesha me avokatin e saj mbrojtës që ka deklaruar se masa e shqiptuar është disproporcionale. Ajo gjatë gjithë kohës ka qëndruar në Prishtinë, ka thënë se nuk do të ikte, dhe fakt është se e gjetën herët në shtëpi për ta marrë me vete. Pa asnjë ekspertizë të paraqitur nëse vërtet ka përdorur lotsjellës ose jo në Kuvend, është mbyllur në burg për 30 ditë, përderisa, për shembull, fëmijët e një ish-komandanti, pasi i kanë plagosur dy të rinj me armë të ftohta, kaluan me masën e arrestit shtëpiak.

Më shumë bastisja e shtëpive të Kurtit dhe Haxhiut sesa vetë arrestimi i Kadaj-Bujupit nxitën reagimin e menjëhershëm të rreth 150 a 200 vetave që u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit dhe nisën betejën me policinë e armatosur deri në dhëmbë dhe me një sasi të pashtershme të gazit lotsjellës. Vandalizmi që pasoi ishte gjithashtu disproporcional – thyerja e xhamave të veturave zyrtare dhe djegia e tyre në fund, krahas hedhjes së gjithçkaje që u dilte përpara nuk dukej se kishte ndonjë kuptim. Dhe nëse intenca e tyre ka qenë që të mbledhin sa më shumë përkrahës në betejën e tyre, është evidente se përfundimi i protestës nga ora 6 e mbrëmjes tregoi se u kishte dështuar.

Se çfarë deshi të arrinte ai grup, i cili në mëngjes udhëhiqej nga krerët partiakë, nuk e kam të qartë. Por atë që e ka arritur është, përfundimisht, humbja e përkrahjes edhe nga ata që mbase ua kanë dhënë votën, duke shpresuar për ndryshim. Për shkak se alternativa që e ofrojnë është dhuna. Për më tepër, çdo sjellje e këtillë çon ujë në mullirin e partive në pushtet, që përherë do të fshihen pas policisë për veprimet e dhunshme kundër protestuesve, por edhe përherë do të bazohen në të drejtën që e ka pushteti për ta përdorur mekanizmin e dhunës “në mbrojtje të shtetit”. Dhe ajo që do ta humbë edhe më shumë simpatinë eventuale ndaj opozitës, e më konkretisht Vetëvendosjes, është edhe paraqitja e Shpend Ahmetit në rendin e parë të protestuesve. Arsyetimi që e jep se ai vepron në cilësinë e qytetarit, kur reagon ndaj Zajednicës dhe demarkacionit, do të pinte ujë po qe se protesta do të mbahej diku tjetër e jo në Prishtinë. Për shkak se ai është “qytetari i parë” i Prishtinës, dhe si i tillë do të duhej të përkujdesej që të mos jepte asnjë hapësirë për shkatërrimin e pronës publike, të cilën duhet ta menaxhojë dhe zhvillojë me paratë që i paguajmë ne qytetarët.

Protesta e së mërkurës në fakt doli të jetë debakël i vërtetë i gjithë atyre që e udhëhoqën dhe realizuan – që për pasojë do të ketë humbje masive të votave po qe se zgjedhjet mbahen para kohe. E këtë detaj duket se nuk janë duke e kuptuar. Opozita është duke e humbur terrenin për shkak të kalkulimeve që nuk kanë ndonjë logjikë shumë të qartë: nëse kanë qenë në gjendje t’i mbledhin 200 mijë nënshkrime kundër Zajednicës dhe demarkacionit, pse e mbajnë peticionin në zyrat e veta? Do të duhej të ishte indikative për ta se 200 mijë nënshkrime janë mbledhur, për shkak se ai ka qenë veprim të cilin njerëzit e kanë bërë me vullnet dhe jo në kushte të dhunës. Pra, në formën më të padhunshme të mundshme e kanë shprehur mospajtimin me këto dy probleme politike, duke besuar se veprimi në bazë të tijin do të zhvillohet në Kuvend, me debat, a dialog. Dhe në vend të kësaj, atë që e shohin është që lotsjellësit, inatit dhe kokëfortësisë së opozitës, pushteti i përgjigjet me lotsjellës, inat, arrogancë dhe arrestime.

Edhe? Kurrgjë për Kosovën. Lodhje kronike e popullit edhe me pushtetin arrogant, edhe me opozitën kokëfortë. Qorrsokak politik dhe fushë e lirë për lulëzimin e krimit në të gjitha dimensionet, sepse s’ka kush merret me të. Sepse të gjithë janë të zënë duke u marrë me lotsjellës.

4.

Një dritë të vogël, por shumë përmbajtjesore na e ndezën dy deputetë që në këta muajt e hallakamës politike kanë shpërfaqur maturi dhe racionalitet unikal. Vjosa Osmani (LDK) dhe Ilir Deda (VV) e hartuan një propozim-marrëveshje për daljen nga bllokada politike, të cilën ua dërguan shefave të pesë partive politike (edhe partive të tyre, nënkuptohet). Në të kanë propozuar që të themelohet një komision hetues i Kuvendit për çështje të demarkacionit që do të duhej të dilte me konkludimet e veta para Kuvendit, para se të ndërmerrej çfarëdo veprimi shtesë në lidhje me të. Komisionin do ta udhëhiqte opozita, dhe komisioni do të ndihmohej edhe nga shoqëria civile (kjo e fundit pa të drejtë vote); kanë propozuar që Kuvendi t’i zgjedhë me konsensus dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (e cila ka kohë është e pakompletuar), ashtu që çfarëdo vendimi, e posaçërisht ai për Marrëveshjen e Brukselit, të merret nga Gjykata e plotë nëntanëtarëshe; kanë sugjeruar se nëse Kushtetuesja nuk ia del t’i sqarojë dilemat për Zajednicën, atëherë që Kuvendi t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Dëshmitarja e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të ishte kryetarja, si simbol i unitetit të shtetit. Gazi lotsjellës nuk hyn në këtë pako propozimesh.

Pra, ajo që kërkohet është vullnet i dy palëve kokëfortë që nuk heqin dorën nga pozicionet e veta, që të ulen e të bisedojnë e ta zgjidhin problemin vetë. Dhe sugjerimi për ta zgjidhur problemin është rruga ligjore e trasuar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Pra, duke i respektuar aktet e Republikës së Kosovës.

Dhe më e bukura në gjithë këtë ndërmarrje, pavarësisht fatit të saj, është se nisma ka ardhur nga dy njerëz të rinj, që duke u mbështetur mbi mandatin e fituar me vota dhe në fuqinë që ua jep ulësja në Kuvend, kanë dalë me një propozim autokton. Është hera e parë mbas shumë e shumë kohësh, që zgjidhjen e mundshme nuk e imponon zarfi, e as qortimi në Dragodan. Është hera e parë, mbas shumë kohësh, kur gjenden dy njerëz që mund të flasin për problemin dhe zgjidhjen eventuale të tij, pa e ofenduar askënd, pa përdorur fjalë të rënda, pa imponuar asnjë gjë.

Shefat e partive politike nuk kanë çfarë të humbin nëse ulen të bisedojnë e ta shqyrtojnë këtë dokument. Mbase nuk është më i miri në këtë botë, porse është shumë i thjeshtë dhe i arsyeshëm. Dhe është propozim, që mund të përshtatet e ndryshohet, ashtu që problemet të zgjidhen institucionalisht. E nëse këta nuk ulen, e nuk bisedojnë, Kosova i ka të gjitha për t’i humbur. Hiç pallavrat që na i thonë për investime të jashtme, e zhvillim ekonomik, e punësim – sepse ato nuk do të vijnë me këtë nivel korrupsioni edhe po të mos kishim bllokadë në Kuvend – mund të humbë shumë jetë, e shumë pronë dhe krejt paratë t’i shpenzojë në kallashat kinezë që do t’na i kontrabandojnë nga Shqipëria, vetëm pse pesë shefa partish, nuk mund të ulen rreth një tryeze e të merren vesh si t’ia bëjnë.

Krejt çka i ka ndodhur Kosovës që nga çlirimi, ia ka shterur gjithë energjinë pozitive që e ka pasur ndonjëherë. Duket se ky është treni i fundit të cilin Kosova mund ta zërë për një jetë më të mirë. Mbase ky është çasti kur qytetarët do të duhej të bëjnë trysni të fuqishme që t’i detyrojnë të gjithë të bëhen bashkë për të dalë nga kriza politike. Trysni që do t’ua bënte të qartë se si pushteti, ashtu edhe opozita na kanë lodhur deri në palcë.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...