Theqafja

23 Nëntor 2015 - 08:20 - Lumir Abdixhiku      

Mbi parandalimin e një rruge të nisur keq

-1-

Para se të nis me këtë shkrim, dua t’i bëj të qarta disa shtylla mbi të cilat ndërtohet tutje argumentimi im këtu. Shtyllat nuk pres të përpihen nga militantë partiakë e idhnakë shpërthyes nga të dyja palët, por, ç’është e vërteta, më së paku mërzitem për ta. Shtyllat pres t’u shërbejnë diskutimeve të tjera, të kokave të ftohta, tek të cilat kam njëmend shpresë se mund të kapërcejnë këtë moment të rëndë për vendin. Të njëjtat shtylla, natyrisht, do të duhej të shërbenin në secilin diskutim tjetër publik që bëhet sot rreth krizës e përplasjeve të fundit politike në vend.

Dhe shtylla e parë, më e rëndësishmja, është se vlerësimi e kritika ndaj njërës palë, nuk nënkupton domosdo rreshtimin me palën tjetër. Shtylla e dytë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj të dyja palëve, nuk nënkupton neutralitet, nënkupton refuzim të të dyja palëve. Shtylla e tretë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj njërës apo të dyja palëve, mban fuqi sipas argumentit të shtuar e jo sipas paragjykimeve mbi motivet e kritikëdhënësit.

Thënë kështu, kritika ndaj opozitës nuk është rreshtim ndaj pozitës, siç dhe s’është rreshtim ndaj opozitës kritika e dhënë ndaj pozitës. Gjithashtu, mund të jetë normale, shumë normale madje, se të dy rrugët e zgjedhura nga pozita e opozita janë të gabuara, rrjedhimisht si të gabuara që janë duhet të refuzohen, jo për të bërë një referim mesi, por për të kërkuar një rrugë të tretë. Dhe, po aq e rëndësishme, se një argument i mirë mund të shtrohet edhe nga një individ puro partiak, nga një gazetar, intelektual apo mendimtar – rrjedhimisht, ai duhet të trajtohet vetëm si argument i mirë pavarësisht se kush e jep. Deri më tani më shumë janë marrë me argumentdhënësit sesa me vetë argumentin.

-2-

Mbi shtyllat diskutuese më lart dua të ndërtoj dhe disa bindje të mia, që vijojnë pak a shumë diskutimet e deritanishme që i kam bërë mu në këto kolumne.

E para, dhe më e rëndësishmja, se Asociacioni i Komunave Serbe, përbën një autonomi të gjerë për minoritetin serb në Kosovë, autonomi që mund të përdoret për të parandaluar zhvillimin politik e ekonomik të Republikës. Kjo për faktin se minoriteti serb këtu, i përfaqësuar nga struktura e tanishme politike – e që në thelb është Qeveria e Beogradit – nuk ka intencë të pranimit, trajtimit e kontributit ndaj Republikës (as pas marrjes së kësaj autonomie), por ka intencë të zhbërjes së saj. Mbi të gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike, që derivon nga Marrëveshja e prillit, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së vlerave evropiane, rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë evropiane po u drejtua si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike është përjashtuese për një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë kemi të bëjmë me trajtim racist e antievropian. Precedenti është krijuar tashmë në rastin e Bosnjës, saktësisht në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnjë e Hercegovinës”, trajtuar në Dhomën e Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Për trajtim të mëtutjeshëm të asociacionit dhe relacioneve minoritare me Kosovën, kam shkruar – së fundmi – në dy kulumnat e muajit gusht, përkatësisht në temat “Mbi serbët dhe Republikën” dhe “Mbi Asociacionin dhe postasociacionin”.

E dyta, dhe po aq e rëndësishme, se i gjithë procesi dialogues i Kosovës, në formatin e bërë deri më tani, nuk ka sjellë produkte që fuqizojnë Republikën, as si shtrirje territoriale e juridike brenda territorit, por as në subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Çfarë procesi i deritanishëm ka bërë, është se ka shtyrë për një afat të pacaktuar adresimin e problemeve etnike e integruese në vend – veçanërisht ato të veriut – si kompensim i një Asociacioni autonom që në esencë mbetet me qëllime kundër-Republikane. Dhe se, njëkohësisht, nuk ka avancuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Stagnimi i vet Serbisë përballë Kosovës, dhe stagnimi i Kosovës përballë institucioneve ndërkombëtare, është tregues i mjaftueshëm për dobësitë e gjithë këtij formati. Ngjarjet e fundit dhe zërat evropianë madje që kërkojnë rishqyrtim, i kanë hapur një derë të riformatizimit të dialogut për Qeverinë e Kosovës, mosshfrytëzim, i cili për mua mbetet me plot habi. Për dialogun, natyrën dhe rezultatet e tij, kam shkruar shumë tash e katër-pesë vjet.

E treta, se identifikimi i problemit, nuk nënkupton me automatizëm dhe përshtatjen e secilës zgjidhje ndaj tij. Sepse, ka zgjidhje që jo që nuk zhbën problemin, por përkundrazi fuqizon burimet e tij. Në këtë frymë, për mendimin tim, bien dhe të gjitha aktet e dhunshme, jodemokratike e të pamatura të opozitës që po zhvillohen në Parlament e rrugë në të njëjtën kohë. Bllokimi i Parlamentit, sulmet ndaj deputetëve, dhunimi i policisë, kërcënimi me komandantë – e në fund dhe mobilizimi i huliganëve për të sulmuar të gjithë, përfshirë dhe qytetarë në rrugë e në punë, jo që nuk ka për të bërë zgjidhje, por ka për të fuqizuar dhe më shumë klasën politike që ka sjellë Kosovën në këtë momentum. Opozitarët vazhdojnë të na shpërfaqin dhunën e tyre si alternativë më pak të dëmshme ndaj marrëveshjeve, por, ç’është e vërteta, efektet e saj janë parë vetëm në largimin e frikësimin e qytetarëve dhe në konsolidimin e klasës aktuale që formalisht ose joformalisht ka dërguar vendin në rrugën për në theqafje. Pra, në fund të ditës, dhuna veçse ka legjitimuar reagimin e pozitës, ka legjitimuar insistimin për Asociacion, dhe me gjithë refuzimin qytetar, ka ringritur në numra të pabesueshëm më parë të njëjtët njerëz përgjegjës për shumëçka këndej. Sot, fitues në gjithë këtë ballafaqim, mbetet ish-kryeministri Thaçi. Përfundimisht, po u vazhdua kështu, dhe kur e gjithë kjo përballje të përfundojë, sido që të përfundojë, nuk do të ketë as ndryshim të marrëveshjes, as ndryshim të aktorëve politikë, e për më keq fuqizim të fajtorëve kryesorë që kanë shkaktuar gjithë këtë hallakamë.

E katërta, se zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të bëhet duke respektuar dy parime të panegociueshme. Parimi i parë, duke respektuar gjithë rrugën institucionale që të njëjtat parti kanë ndërtuar tash e sa vjet; pa kalimin e kësaj rruge, asnjë formë tjetër nuk merr legjitimim. Nëse tash pas sa viteve bashkëparlamentarizëm na dalin na thonë se asnjë institucion publik nuk ka vlerë, se secila votë e tyre për të bërë ligje e trupa publikë është e papeshë – atëherë i bie se për gjithë kohën ata kanë zhvilluar një farsë parlamentarizmi, një lojë të kushtueshme shumë. I kuptoj sinqerisht të gjithë kur shpërfaqin hezitim mbi kapjen e institucioneve. Jam avokues vetë i një kapjeje të tillë, madje, siç dhe kam argumentuar më parë, vetëm pak muaj më parë të njëjtat institucione shërbyen në sjelljen e vendimit më jodemokratik të mundshëm; të suprimimit të shumicës nga pakica – në rastin PDK versu VLAN. Por them gjithashtu, se për shkak të një rasti në të shkuar, nuk mund të refuzojmë secilin institucion në të ardhmen. Kështu nuk do të kishte më asgjë kuptim, asgjë prej shteti natyrisht. Parimi i dytë, ndërsa, se vendimet këndej, në një shtet të lirë e demokratik – dhe kjo ka shumë rëndësi për ata që qëllimisht ose jo e krahasojnë kohën e Republikës me kohërat e regjimeve serbe në Kosovë – pra, një shtet i tillë, vendimet i merr me shumicë. Veç me shumicë. Dhe shumica ka shumë kuptime. Nuk po flas vetëm për shumicën parlamentare, që pozita ka qejf ta theksojë shpesh. Shumica mund të jetë e parlamentarëve, vendimmarrësve në Kushtetuese apo dhe qytetarëve. Ka mekanizma mjaftueshëm për të matur këtë shumicë. Nga vota në Parlament e deri tek përkrahja në një protestë – deri tek vota në fund, si mjet përfundimtar.

-3-

Mbi shtyllat dhe bindjet e dhëna do të nxjerr disa përfundime.

Të gjithë ata që shohin Asociacionin si të dëmshëm dhe dhunën – e secilin mjet tjetër të mundshëm – si mjet të vetëm, madje dhe habiten sesi të tjerët nuk ndjekin një rrjedhë të tillë konkludimi, janë rrënuesit më të mëdhenj të kauzës. Të tillë, euforikë, përjashtues të secilës formë tjetër janë njëkohësisht dhe bartësit e kësaj rënieje opozitare, largues të gjithë përkrahjes qytetare, dhe në fund, mbështetës të pavetëdije të vet Asociacionit. Se si nuk i shohin këto, të tjera koka të ftohta aty, është përtej aftësisë shpjeguese të mia. Pra, dhuna ka alternativë, dhe dërgimi i procesit deri në fund, deri në matjen e pajtueshmërisë mbi Asociacionin ose jo, ka gjithashtu alternativë. Sepse ky duhet të jetë dhe qëllimi, matja e pajtueshmërisë qytetare mbi këtë problem. Në fund të ditës, vetëm mendimi qytetar ka për të bërë verdiktin final. Arritja deri te kjo matje është e mundur, do të flas më vonë për këtë.

Të gjithë ata që e shohin Asociacionin si jo të dëmshëm, por që numrat parlamentarë si zgjidhje të trajtimit të kësaj problematike, sërish e kanë gabim. Në shoqëritë demokratike, momentumet e reja, të rëndësisë kushtetuese pra, kërkojnë pajtueshmëri nacionale, e cila sigurohet me votë të re ose me mendim referendumi. Dhe mos të harrojmë, vetëm vota e re mund të legjitimojë edhe një vendim për Asociacionin. Nëse pas të gjitha argumentimeve, qytetarët e këtij vendi vullnetarisht, pra me mendim të lirë, konsiderojnë Asociacionin si të përballueshëm, atëherë insistimi për refuzim nga opozita mbetet i pakuptimtë, e insistimi për vazhdim nga pozita bëhet plotësisht legjitim. Ndërkohë, pa këtë votë, dhe me këtë momentum të ri postnënshkrues, veçanërisht me një pakënaqësi opozitare që duhet megjithatë të ketë trajtim, insistimi për refuzim dialogimi dhe vazhdimi i përballjes deri në fund, është shkatërrues për Republikën. Në fund, pasi të ketë përfunduar gjithçka, mund të mos ketë opozitë, por do të mbetet më së paku Republikë.

Të gjithë ata që mendojnë se përkrahja ndërkombëtare e Kosovës është e parëndësishme për vendin, sikurse të gjithë ata që mendojnë se mendimi ndërkombëtar është i ngurtësuar përjetësisht, kanë ide minimalisht të relacioneve e rrjedhave politike. Pra ka një mes në sjelljet me ndërkombëtarët, përfshirë dhe kërkesat e tyre të “shkopit e karotës”, por të cilat mund të maksimizohen vetëm me një unitet nacional. Përderisa përballë tyre, në gjithë këtë proces shtetformues, mbesim të ndarë, do të marrim më së paku.

-4-

Dhe zgjidhja nis nga refuzimi i të dyja rrugëve, zgjidhja nis në rrugën e tretë. Në momentin e parë që Presidentja ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, dhe për më tepër, në momentin që po kjo Gjykatë ka pezulluar marrëveshjen mbi Asociacionin, opozita do të duhej ta kishte kuptuar arritjen e fitores së parë, jashtëzakonisht të madhe madje. Mbi këtë fitore, kjo opozitë do të duhej të kishte ndërprerë dhunën, do të kishte konsoliduar percepcionin publik, e mbi të gjitha, do të kishte hapur derë për një rrugë të re debati me palën tjetër për parandalimin e ndonjë konfrontimi eventual në të ardhmen. E gjitha do të bëhej në kohën që Asociacioni do të mbetej i pezulluar, pa humbur asgjë. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie, i kësaj rruge të tretë, nga gjithë atë që vetëm dhunën shohin si alternativë, mbetet i pashpjegueshëm.

Sërish, kredibiliteti i një Gjykate që vetëm një vit më parë kishte parandaluar shumicën të bënte Qeverinë, mbetet i ulët, por së paku shterja e gjithë rrugëve institucionale forcon argumentin opozitar. E forcimi i argumentit ka shumë rëndësi, sepse, siç dhe shihet tashmë, pa një të tillë opozita mbetet në rrugë me një grusht militantësh, pa qytetarë e pa përkrahës të tjerë që megjithatë kanë të njëjtat brenga.

Në po këtë moment, pozita gjithashtu do ta kishte parë një mundësi të re rishqyrtimi edhe të zgjidhjes së problemit, por, pse jo, pas gjithë rrjedhave ndërkombëtare e refuzuese për anëtarësimet e Kosovën, të ndërtojë një konsensus nacional që do të shërbente si mjet i ri negociues me ndërkombëtarët fillimisht, e më pas dhe me Serbinë. Natyrisht se në rast të verdiktit refuzues, pozita do të merrte një goditje të rëndë publike, por kjo është brenga më e vogël që vendimmarrësit duhet të kenë aty.

Por çfarë ndodh sikur refuzimi i Asociacionit – siç është tani – të mos ndodhë nga Kushtetuesja? Çka nëse Kushtetuesja, për shkak të kapjes, apo thjesht për shkak të një argumentimi që kundërshton bindjet refuzuese, përfshirë dhe ato që i provova t’i shtroj këtu, konsideron të trajtojë Asociacionin si kushtetues.

Këtu ka tri alternativa. E para, që pozita të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, për t’u ikur përplasjeve të mëtutjeshme, dhe për të shfrytëzuar refuzimin qytetar ndaj mjeteve të opozitës. Këtu, veçse, do të krijohej një precedent i ri, ku dhuna parlamentare e pakicës, përkundër një teme që merr legjitimitet të organeve më të larta kushtetuese, dëshmohet mjet i suksesshëm, alternativë e mirë për secilin rast tjetër.

E dyta, që opozita të vazhdojë me dhunë – me të gjitha mjetet. Në këtë pikë, të gjithë përkrahësit ndërkombëtarë, ata diplomatikë nëpërmjet ambasadave dhe ata ushtarakë nëpërmjet KFOR-it, do të shtyjnë përfaqësuesit e Republikës në arrestimin e ndalimin e secilit dhunues të institucioneve. Me këtë do të testohet edhe aftësia e institucioneve në ekzekutimin e vendimeve ndaj njerëzve të fuqishëm në vend. I gjithë ky proces natyrisht se do të shtojë përplasjet deri në rënien e viktimës së parë. Pjesa tjetër nuk ka më rëndësi. Do të jetë lëmsh.

E treta, që opozita, përkundër refuzimit të Kushtetueses, të argumentojë mbi motivet e kapjes e të kërkojë përkrahje qytetare. Kjo përkrahje duhet të bëhet jo me dhunë, por duke bërë pikërisht të kundërtën e dhunës, me shumë qetësi. Tubimet e qeta dhe të pandërprera, refuzimet e pjesëmarrjeve parlamentare, pra bojkotimet e jo bllokimet, konsolidimi i refuzuesve e shfaqja e një fytyre krejt tjetër, më të sigurt për qytetarët, më bindëse për votuesit, mund të nxisë përkrahje – nëse përkrahjen kanë ndonjëherë qëllim këta. E nëse përkrahja nuk vjen as atëherë, dhe kjo ka shumë rëndësi, atëherë kauza mbetet e humbur përkohësisht, por mund të adresohet sërish, kur kjo opozitë të vijë në pushtet. Atëherë të angazhohet për ndërtimin e alternativës politike, që përbën edhe rishikimin e marrëveshjes gjithsesi, të angazhohet për zgjedhje të reja, që janë vetëm dy vjet larg.

Por pikënisja e tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga Kushtetuesja nga të dyja palët dhe ulja për një konsensus nacional sesi të vazhdohet më tutje, pas vendimit të saj.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...