Kosova nuk bën përjashtim nga sulmet terroriste

22 Nëntor 2015 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Ta lëndosh Parisin, në fakt ke lënduar edhe shumë qytete e shtete të tjera, shumë popuj dhe demokraci që shpresën për të tashmen dhe për të ardhmen e sigurt e mbështesin te kapacitetet e Francës dhe aleatëve të saj të mbledhur rreth dy organizatave të përbashkëta, NATO-s dhe BE-së.

Kërcënimi i ISIS-it, siç ka thënë kolumnisti i gazetës “New York Times”, Roger Cohen, nuk është më rajonal, ai është global. Sulmet terroriste, nga të cilat pësojnë njerëz të pafajshëm, tregojnë se urdhërdhënësit dhe autorët e tyre janë të pamëshirshëm. Dhe nuk ka asnjë argument që Kosova dhe qytetarët e saj të mos jenë cak i tyre. Nuk vlen as argumenti se terrorizmi ka burimin në një zonë gjeografikisht të largët dhe se është një e keqe që nuk prek hapësirat shqiptare.

Organizatat terroriste dhe pjesëtarët e saj që organizojnë dhe kryejnë sulme vrasëse janë duke bërë kërdi në vendet me popullsi të besimit islam - aty ku kanë mobilizimin më të madh të rekrutëve. E në vazhdimësi po kërcënojnë edhe vendet që janë me mijëra kilometra larg bazave të tyre, pa përjashtuar vendet e Ballkanit.

Andaj, nuk ishte i rastësishëm solidariteti me popullin e Francës pas masakrës së 13 nëntorit në Paris. Populli i Kosovës, si edhe të gjithë njerëzit humanë në botë kanë shfaqur hapur dhimbjen për njerëzit e pafajshëm, e paralelisht më të, neverinë për autorët e akteve çnjerëzore. Reagimi ndaj ngjarjeve në Paris, shkon përtej viktimave në kuptimin e numrave dhe të pafajësisë së tij. Shkon përtej animeve subjektive religjioze apo preferencave dhe orientimeve kulturore. Ngjarjet në Paris, janë edhe përtej dimensionit të një akti terrorist që për qëllim ka dëmin material dhe në njerëz.

Ta lëndosh Parisin, në fakt ke lënduar edhe shumë qytete e shtete të tjera, shumë popuj dhe demokraci që shpresën për të tashmen dhe për të ardhmen e sigurt e mbështesin te kapacitetet e Francës dhe aleatëve të saj të mbledhur rreth dy organizatave të përbashkëta, NATO-s dhe BE-së.

Reagimi i institucioneve dhe i qytetarëve të Kosovës kundër terrorizmit është i natyrshëm. Orientimi i popullit të Kosovës është perëndimor. Edhe aspekti i sigurisë është i garantuar po nga potenciali ushtarak i saj. Franca i takon grupit të shteteve ekonomikisht më të zhvilluara në botë. Konsiderohet qendra e kulturës botërore dhe e divergjencave të saj. Strehë dhe mundësi integrimi për miliona të huaj, kryesisht nga vendet arabe-afrikane, e strehë edhe për shumë të tjerë emigrantë, përfshirë shqiptarë, karvani i të cilëve s’do mend se nuk do të ndalet për shumë kohë.

Arsyet për sulme eventuale

Solidarizimi me viktimat e Parisit përfaqëson qëndrimin kundër terrorizmit, por njëkohësisht shfaq frikën për rrezikun se skena të ngjashme mund të ndodhin kudo në botë. Edhe në Kosovë, prej nga, qindra të rinj janë të përfshirë në frontin e luftës në Siri dhe Irak, nën urdhrat e organizatave, si ISIS e Al-Nusra. Numri i tyre bëhet më kritik, duke pasur parasysh se këto organizata kanë përkrahës “pasivë” në Kosovë, që nuk marrin pjesë direkt në front, por i bëjnë shërbim me propagandë agresive, mobilizim të të rinjve, joshje dhe shpërndarje të fondeve.

Arsyet e sulmeve eventuale janë nga më të ndryshmet, por në qendër të tyre është partneriteti institucional i Kosovës dhe i Shqipërisë me vendet e BE-së dhe SHBA-në, si dhe rreshtimi i tyre në frontin kundër ISIS-it.

Aspekti tjetër është i karakterit të sigurisë. Prania e KFOR-it dhe e përfaqësive të tjera ndërkombëtare, shihet si një mundësi e artë për të arritur efektet e dëshiruara.

Kosova mund të mos jetë “qendra e botës”, por duke qenë eksportues i vullnetarëve që luftojnë përkrah ISIS-it dhe organizatave të tjera, dhe për pasojë e ndjekjes së tyre nga organet e sigurisë, përbën një tjetër motiv. Në strategjinë e organizatave terroriste, tash po shfrytëzohen për aksione militantët lokalë, ata që mund të lëvizin, organizohen dhe të veprojnë lirshëm në vendin e tyre. Pra që janë vështirë të identifikueshëm. Ata, përveç njerëzve me prirje fanatike, të dëshpëruar e të manipuluar, mund të jenë edhe persona të integruar dhe të emancipuar (atentatorët me bomba në Aeroportin e Glasgowit në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2007 kishin të mbaruar fakultetet e mjekësisë dhe inxhinierisë).

Terroristët janë të prirë të sulmojnë metropolet e rëndësishme, qendrat e njohura tregtare, turistike, kulturore e sportive. Terroristët nuk kanë cak të drejtpërdrejtë vetëm institucionet qeveritare, as ato ushtarake dhe të sigurisë.

Duan që efekti i vrasjeve, kidnapimeve, kërcënimeve, të prekë masat e gjëra, të rritë pasigurinë te qytetarët, të krijojë çrregullime në funksionimin e shërbimeve publike, të ndikojë në pasigurinë e investimeve dhe të qarkullimit tregtar e financiar. Duan që veprimet e tyre të kenë jehonë të madhe.

Veprimet e tyre janë mjaft komplekse. Nga mënyra si janë realizuar shumica e akteve terroriste, ato janë shumë individuale. Kjo e bën të vështirë luftimin e këtij kërcënimi. Strategjitë e reja të terrorizmit kanë ndryshuar, me këtë edhe lufta kundër tij është vështirësuar.

Qëllimi (jo)fetar i sulmeve

Krimet që ndodhin në Siri, Irak dhe në vendet të tjera që i janë ekspozuar aktivitetit të organizatave terroriste, kanë dëshmuar se qëllimi i tyre nuk është fetar, se lufta kundër Perëndimit nuk është fetare, e për rrjedhojë as kundërpërgjigjja ndaj tyre nuk duhet të jetë e motivuar nga dallimet fetare.

Pra, terrorizmi nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me përkatësi kombëtare, fetare apo etnike. Terrorizmi ka për qëllim shkaktimin e dëmeve në njerëz (pavarësisht racës, gjinisë, moshës, etnisë, religjionit), provokimin e gjendjes së kaosit në masë, por edhe të ndikojë në politikëbërësit që të ndryshojnë kursin e tyre.

Terrorizmit zakonisht i paraprijnë radikalizmi dhe ekstremizmi, qoftë individual apo në grup.

E ndër kushtet që favorizojnë terrorizmin, të cilat njihen nga OKB-ja dhe OSBE-ja, përfshihen “konfliktet e zgjatura të pazgjidhura, zhveshja nga aspektet njerëzore e viktimave të terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij, mungesa e sundimit të ligjit, shkelja e të drejtave të njeriut, diskriminimi për shkak të përkatësisë etnike, kombëtare dhe fetare, përjashtimi politik, margjinalizimi shoqëror e ekonomik, si dhe keqqeverisja”.

Kjo listë faktorësh, që nuk është e plotë, shpërfaq arsyet e paraqitjes së formave të radikalizmit e në perspektivë të terrorizmit në shtetet dhe rajonet ku mungojnë instrumentet e duhura dhe të mjaftueshme parandaluese. Atje, ku emancipimi politik, ekonomik dhe kulturor është në stadin e ulët.

Në dokumentin e OSBE-së për parandalimin e terrorizmit dhe luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm përmenden edhe një grup shkaqesh që çojnë drejt terrorizmit, ose bashkimit me grupet që ushtrojnë këtë formë të dhunës për qëllime të caktuara.

Nuk ka ndonjë profil të vetëm që do të përshkruante një terrorist, sikundërse nuk ka asnjë rrugë të qartë që të çon drejt terrorizmit. Vështirë i identifikueshëm është bërë veprimi i individëve, apo i terroristëve vetëveprues, të shkëputur nga celulat e organizuara.

Përgjegjësia e shtetit të Kosovës

Secili shtet duhet të jetë garantues i respektimit dhe i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Duhet të garantojë jetën. Institucionet e Kosovës, tash së fundi janë shprehur të gatshme për t’u përballur me sulmet eventuale terroriste. Kanë hartuar strategjinë dhe një plan prej mbi 100 masash me qëllim që qytetarët e Kosovës që identifikohen si ekstremistë të dhunshëm apo radikalë, të pengohen për t’u avancuar në terroristë. Por, të gjitha këto masa janë futur në agjendë qeveritare, tek dy vite më parë, kur bilancet në terren ishin shumë negative.

Këto masa do të ishin më lehtë të zbatueshme sikur shteti ynë të kishte parandaluar me kohë organizimin e celulave dhe individëve që veprojnë në mbështetje të kauzës së organizatave terroriste, për gati 15 vite rresht. Të mos kishte lejuar predikues fetar dhe shoqata të ndryshme që me premtimin se do t’u ndihmojnë të rinjve në gjetjen e qetësisë shpirtërore në këtë botë, i kanë joshur me fonde financiare dhe i kanë këshilluar ata si ta bëjnë vendin e merituar në botën tjetër – duke kontribuuar me pjesëmarrjen në “Luftën e shenjtë”. Të rinjtë e painformuar për kontekstin e konflikteve në Lindje, kanë marrë me vete edhe anëtarë të familjes së tyre.

Shteti po ashtu ka toleruar për vite operimin e organizatave dhe fondeve të dyshimta, të propagandës mediale, promovimin e religjionit politik nëpërmjet shoqatave dhe partive të caktuara politike, ka dështuar të ofrojë edukim dhe arsimim cilësor në institucionet publike, ka dështuar të sigurojë mirëqenie ekonomike për qytetarët dhe perspektivë për të rinjtë. Nuk ka investuar në emancipimin kulturor të qytetarëve, e për pasojë ka kontribuar në dëshpërimin e tyre, deri në largimet masive nga vendi – një pjesë në drejtim të Lindjes.  

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...