Një shtet - peng i komandantëve

21 Nëntor 2015 - 09:05 - Adriatik Kelmendi      

Nëse sot nuk ua tregojmë vendin sojit të këtyre, nesër do të fitojnë guximin të na hyjnë edhe nëpër shtëpitë tona, të na shtypin, të na terrorizojnë, të na poshtërojnë e lëndojnë për nevoja e ego të tyre

KOSOVA SOT është kthyer në një shtet peng të komandantëve të luftës, pavarësisht që kanë kaluar 16 vjet pas luftës. Një pjesë e tyre të pasuruar e në pushtet, një pjesë e tyre të pasuruar e në opozitë.

Komandantë, të cilët ndoshta kanë ditur ta udhëheqin ose ta ndihmojnë luftën, por tash me deficitin e tyre moral, po e dështojnë Kosovën.
E populli - ka mbetur si një dele e zezë në mes.

METAFORËN MË TË saktë të popullit, qytetarëve të Kosovës në këto kohë, e shoh të mishëruar te djemtë e vajzat që mbajnë uniformën e policisë së Republikës së Kosovës.
Këta policë janë të kësaj Republike. E duan këtë Republikë. Janë për mbrojtjen e saj, pavarësisht se me paga drastikisht më të vogla sesa qytetarët që ulen në Kuvend.
Këta policë janë edhe votues. Kanë votuar për AAK-në, LDK-në, Nismën, PDK-në, Vetëvendosjen!, ose s’kanë votuar fare.
Këta policë janë vëllezër e motra, baballarë e nëna, shokë e shoqe të anëtarëve të Vetëvendosjes!, PDK-së, Nismës, LDK-së, AAK-së, ose asnjërit prej tyre.
Këta policë janë sinonim i gjithë popullatës së kësaj Republike.
Dhe siç po i shohim këta policë të shtypen, të terrorizohen, të poshtërohen e të lëndojnë për nevoja e ego të këtyre komandantëve, kështu po i shohim edhe qytetarët e Kosovës.

MIRËPO, SHPRESA më e madhe e kësaj Kosove mbetet te qytetarët e saj, në cilindo funksion që i ka qëlluar të jenë sot, ashtu siç ka qenë edhe gjithmonë në ditët më të rënda që ka përjetuar ky vend.
Një komandant lufte që dëshiron të sillet si komandant edhe 16 vjet pas luftës, na del të jetë sot ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, i cili nga foltorja e improvizuar e Kuvendit thërret për luftë të pakompromis ndaj kolegëve të tij në opozitë, duke i quajtur kriminelë. Ky “komandant” i pasluftës e urdhëron policinë që t’i maltretojë deputetët opozitarë, siç ndodhi edhe pas daljes nga Kuvendi.
Një “wannabe” komandant lufte që dëshiron të sillet si komandant edhe 16 vjet pas luftës, kryeministri Isa Mustafa, kërcënon e ofendon pa kandar ish-kolegët e tij të deridjeshëm të bllokut opozitar. Ky “wannabe komandant” i pasluftës ndërsyn policinë që t’i qërojë hesapet një herë e mirë me opozitën.
Një komandant lufte që dëshiron të sillet si komandant edhe 16 vjet pas luftës, na del të jetë sot deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, i cili e shfrytëzon mandatin që i ka dhënë populli për ta përfaqësuar në Kuvend, në mënyrë që ta bëjë të pamundur përfaqësimin e kujtdo në atë Kuvend. Ky “komandant” i pasluftës përpiqet t’ia heqë maskën nga fytyra policit të Republikës, në shenjë kërcënimi, që i bie kërcënim ndaj uniformës që përfaqëson sigurinë e shtetit.
Një “wannabe” komandant lufte që dëshiron të sillet si komandant edhe 16 vjet pas luftës, individi që nuk ka mandat për ta përfaqësuar asnjë qytetar të këtij vendi, meqë asnjëherë nuk është votuar prej tyre, Dardan Molliqaj, vendos ta marrë drejtësinë në duar të veta. Ky “wannabe komandant” i pasluftës e nxjerr me zor nga vetura një nëpunës të thjeshtë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pastaj lejon pasuesit e tij që ta demolojnë veturën e po kësaj Republike.

NJERËZIT E KOSOVËS nuk kanë pse t’ua kenë frikën e këtyre “komandantëve”.
Qytetarët e kësaj Republike duhet t’ua bëjnë të qartë, ashtu siç ua kanë bërë të qartë shumë të tjerëve para tyre, se ata nuk janë mbi ligjin, nuk janë padronë të fateve të tyre, nuk do të mund ta mbajnë peng shtetin.
Në fund të fundit, Hashimi, Isa, Lahiu e Dardani, janë vetëm katër qytetarë të kësaj Republike. Si ata mund të jenë edhe 44, edhe 444, edhe 4.444 qytetarë të tjerë, por nuk janë këta që mund të lejohen t’i dështojnë jetët e 2 milionë qytetarëve, ta dështojnë shtetin e Kosovës.
Nëse sot nuk ua tregojmë vendin sojit të këtyre, nesër do të fitojnë guximin të na hyjnë edhe nëpër shtëpitë tona, të na shtypin, të na terrorizojnë, të na poshtërojnë e lëndojnë për nevoja e ego të tyre.
Dhe Kosova nuk do të ishte e para në historinë e shteteve që do ta kishte këtë fat.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...