Katër sekuencat

20 Nëntor 2015 - 13:39 - Flaka Surroi      

Ka gati njëzet vjet e ende e barti një duks të kaltër, me shkronja të bardha dhe me figurën e nënës dhe fëmijës. Ani që gati e ka humbur formën dhe kryesisht më rri si ta kisha veshur një thes, megjithatë, e paraqet njërën nga copat e gardërobës, të cilën nuk do ta heq nga dollapi kurrë.

Kjo për shkak se UNICEF-i dhe puna ime në të, kanë shënuar një periudhë shumë të rëndësishme në jetën time.
UNICEF-i në Kosovë nisi zyrtarisht më 1 nëntor 1995; me zyre te i ashtuquajturi Enti Higjienik, me një pick-up të vjetruar, një telefon fiks dhe një kompjuter pa modem...
...dhe, me një NOA, që ishte titulli im zyrtar, e humbur në gjithësi, që po e niste shtegtimin e një rruge që nuk dihej sa do të ishte e gjatë.

Kosova e të ’90-e ishte e ajo e aparteidit; e mbylljes së institucioneve shëndetësore, kulturore dhe shkollore për shqiptarët; e jetës në një sistem paralel sui generis, në një gjendje varfërie të skajshme që shpinte drejt luftës. Me 400 mijë nxënës jashtë sistemit shkollor; me 40 mijë studentë jashtë universitetit; me gra që detyroheshin të lindnin nëpër shtëpitë e tyre; me rreth 1 milion njerëz pa të ardhura e të nënshtruar represionit të ashpër policor e shtetëror: ky ishte ambienti në të cilin duhej punuar.
Mbase për shkak se sfidat e bëjnë njeriun më të qëndrueshëm, është se periudha e kaluar në UNICEF për mua ka qenë ndër më frytdhënëset në jetë. Dhe do të më lejoni që ato t’i kondensoj në katër sekuenca:

1. Kur më 1996 nisëm fushatën për vaksinimin e fëmijëve kundër Polios, në Kosovë çdo vit lindnin rreth 52 mijë fëmijë të gjallë. Por Kosova dispononte me emrat e 176 mijë fëmijëve të moshës 0-5 vjeç – pra, logjikisht, mungonin diku rreth 65 mijë. Ishim me fat që në atë kohë, një njeri i madh, miku im Dr. Gani Demolli, e udhëhiqte shërbimin shëndetësor të Nënës Tereze.

Ai me autoritetin e tij, i animoi 7 mijë aktivistë të shoqatës Nëna Tereze, të cilët nën ombrellën e UNICEF-it, i evidencuan fëmijët të kësaj moshe derë më derë, ndërkohë që punëtorët shëndetësorë të shoqatës u bënë pjesë të ekipeve të vaksinimit.
Rezultati final: u vaksinuan 234 mijë fëmijë, dhe Kosova u lirua nga Polio disa vjet më vonë.

2. Deri nga fundi i ’97-s, kur erdhi shefja e zyrës Yukie Mokuo, UNICEF-i në Prishtinë ishte pak a shumë “a one woman show”, porse tash zyra ishte pajisur edhe me modem e edhe me një Land Rover Discovery. Gazmend Bunjaku qe i pari që m’u bashkua. E pastaj Genc Xhemajli, dikur më vonë Fatmir Kasabaqi, mandej Lulzim Çela e Blerim Sokoli, dhe në fund Diana Mahmuti. Nga fundi i 1998-s, na u bashkua edhe Cecile Desmoulins.

Ekipi i vogël, gjithmonë në bashkëpunim me mjekët dhe motrat e “Nënës Tereze”, e kaloi një vit të plotë të luftës në terren. Dalja e përditshme me ekipet mobile, kryesisht në katër komuna: Gllogovc, Malishevë, Suharekë e Rahovec, por edhe në shumë fshatra anekënd Kosovës, na ishte shndërruar në të vetmen jetë që kishim.

U shërbenim së paku 200 pacientëve në ditë, por mbi të gjitha, vetë prezenca jonë, pa kurrfarë mbrojtje tjetër pos bexhave që i mbanim varur në qafë, ishte ndihma më e madhe psikologjike që mund t’ua ofronim njerëzve nëpër fshatra dhe nëpër male ku ishin zhvendosur nga lufta.

E besoj se secili prej nesh ende e kujton overdozën e byrekave dhe të jogurtave që i konsumonim para çdo nisjeje në terren, së bashku me cigaret që të gjithë i tymosnim pa kurrfarë kontrolli.
S’ka dyshim se të gjithë ne kemi përjetuar ngjarje të paharrueshme e mbresëlënëse nga terreni.

Unë do ta veçoj vetëm një: shpëtimin e Mirishahes nga mali dhe sjelljen e saj nëpër shumë postblloqe deri në Prishtinë, për t’iu dhënë jetë binjakëve, të cilët këto ditë do të bëhen 17 vjeç. Vëllezërve Bytyçi, që sot jetojnë në Arllatin e tyre, dhe që, në shenjë falënderimi dhe mos-harrese, i mbajnë emrat e Gazmendit dhe Gencit .

Njerëzve në terren u kemi shpërndarë barna, veshmbathje, pako higjienike, dru për ngrohje, banka e karrige, çanta shkollore e besa edhe bateri për radio transistorë e ndonjëherë edhe gazeta. Por, më e vlefshmja, e besoj ishte se, pavarësisht të gjitha rreziqeve, ne ishim aty për ta.

3. Në prill të ’99-s, thuajse në mënyrë të koordinuar, gati të gjithëve na dëbuan në Maqedoni. U vetëquajtëm “UNICEF Prishtina in exile” dhe punuam nëpër kampet e refugjatëve rreth dy muaj e gjysmë. Bëmë shumë punë për përkrahje psikosociale të fëmijëve; u përkujdesëm për shëndetin e tyre dhe mbi të gjitha, i hapëm shkollat nëpër kampe. Në kushtet ku askush nuk donte të jetonte në truall të huaj, ishte vështirë t’i bindësh njerëzit se këto shkolla ishin vetëm transitore dhe se shpejt do të ktheheshim në shtëpi.

Shkollën e parë jetëshkurtër e hapëm tre ditë pasi kishim arritur në Maqedoni, në Stenkovec, e më pas, në ditët në vijim, në Neproshten, Radushë e Bojanë. Në Senokos, fëmijët i integruam në shkollën fillore të fshatit, kurse shkollën më të madhe e hapëm në Çegran. Prej rreth 12 mijë fëmijëve të ciklit të ulët që i kishim përfshirë në shkollat nëpër kampe, 5000 ishin në Çegran, të cilët e vijonin mësimin në 5 ndërresa, në 32 tenda dhe nën udhëheqjen e 143 arsimtarëve që jetonin në kamp. Në fund, u dhamë certifikata, të cilat më vonë autoritetet e UNMIK-ut do t’i pranonin si të vlefshme, për t’ua njohur fëmijëve vitin shkollor.

E di, sepse ashtu e kemi ndier të gjithë, se njëra nga ditët më të lumtura që kemi përjetuar në jetë ka qenë 13 qershori i 1999-s. Atë ditë më në fund u kthyem në shtëpi dhe atë me një shërbim luksoz: shoferët e veturave të UNICEF-it, që të gjithë ishin staf i lartë ndërkombëtar.

4. Lufta kishte lënë 12 mijë të vrarë, 100 mijë shtëpi të djegura dhe rreth 45% të objekteve shkollore të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë. UNICEF-i e koordinoi punën pesëjavore të dhjetë organizatave ndërkombëtare që i vizituan 784 objekte shkollore për ta përcaktuar gjendjen në terren. Pas përpilimit të raportit, e filloi koordinimin e 70 organizatave ndërkombëtare që do t’i realizonin punët e rindërtimit të shkollave.

Aty ku shkollat nuk mund të rindërtoheshin për shkak të afatit së shkurtër, vendosëm tenda me dysheme druri, stufa për ngrohje dhe banka e karrige. Refuzuam t’i mbulonim kulmet dhe dritaret me najlon – sepse donim që punët në rindërtimin e shkollave të kryheshin sa më shpejt. Sepse kishim ndërmend ta nisnim mësimin në tetor.
UNICEF-i e koordinoi punën e angazhimit të stafit mësimor dhe botimit të librave shkollorë në mënyrë aq të efektshme, sa mësimi nisi me 1 tetor 1999, kurse krejt shkollat u rindërtuan dhe riparuan deri nga fundi i vitit 2000.

Dhe s’po vazhdoj më tej, për shkak se brezi që e trashëgoi ekipin e parë ka edhe më shumë për të rrëfyer për punën e UNICEF-it në 15 vjetët e shkuar. Për sukseset dhe për vështirësitë. Por me siguri edhe për peshën që nënkupton puna në UNICEF. Për mua, ka qenë ndër etapat më të vlefshme, ku pos kontaktit ditor me njerëzit e përvuajtur dhe në nevojë, ma ka shtuar edhe më shumë dashurinë për vendin tim. Dhe mbi të gjitha, ma ka dhënë mundësinë që të jem me popullin tim atëherë kur kjo ka qenë më e nevojshme.

UNICEF-in nuk ka shans ta harroj. Jo përderisa ende e ruaj me xhelozi duksin tim të kaltër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...