Sulm mbi jetën tënde

19 Nëntor 2015 - 08:09 - Enver Robelli      

Parisi është një festë për jetën, thoshte Ernest Hemingway. Ta mbrojmë këtë jetë – duke luftuar kundër fanatizmit dhe duke festuar për ardhmërinë

Të premten je sulmuar ti. Je sulmuar, sepse e do jetën. Je sulmuar, sepse të pëlqen muzika. Je sulmuar, sepse ke qejf të vishesh si do ti. Si të pëlqen vetja para pasqyrës. Dhe para njerëzve. Të njohur dhe të panjohur. Javën që iku ti po bëheshe gati të dilje rrugëve dhe restoranteve të Parisit për të parë dhe për të shijuar jetën.

Pse jo? Ishte e premte, një ditë e mirë jo veç për myslimanë që i falen zotit, por edhe për të tjerë që i falen dashurisë. Të premten ty të morën plumbat. Të mori zjarri i kallashnikovit. Ti ke rënë viktimë e fanatizmit. Viktimë e urrejtësve. Viktimë e humbësve. Viktimë e atyre që kurrë s’mund të jenë si ti. Meqë s’mund të jenë si ti, ata ta morën jetën. Ata e lënduan shpirtin e Republikës, por kurrë s’mund ta vrasin. Atë shpirt. Shpirtin e Francës.

Parisi. Po, është edhe qyteti i dashurisë. I shampanjës, siç e nënvizoi një karikaturist i “Charlie Hebdo”. Për neve shqiptarëve Parisi është qyteti ku Avni Rrustemi e vrau një bastard. Është qyteti ku një delegacion shqiptar shkoi më 1999 për të negociuar për mëvetësinë e Kosovës dhe nënshkroi një marrëveshje që ia hapi udhën NATO-s për të bombarduar Serbinë 78 ditë. Dhe net. Deri në çlirim. (Ah, që të mos harrohet: kur Avni Rrustemi s’kishte mundësi të hynte në Parlamentin e Shqipërisë si deputet, shpalli kandidaturën si deputet i Kosovës. Dhe u zgjodh).

Parisi. Qytet ku pejani Ehat Musa u bë kitarist me famë botërore. Ku Daut Berisha, pejani tjetër, i dhuroi botës piktura të bukura. Njëjtë bëri edhe kërçovari Omer Kaleshi. Parisi. Aty ku Jusuf Vrioni, ai burri që e fliste dhe e shkruante frëngjishten me aq përkushtim sa edhe gjuhën e ambël (ëmbël) shqipe, përktheu gati të gjitha romanet e Ismail Kadaresë. Dhe këtë punë fisnike e vazhdon Tedi Papavrami – violinist dhe përkthyes. Dhe djalë që i buzëqeshë botës. Parisi i Ali Podrimjes, ku poeti përjetoi dhimbjet më të mëdha në shtratin e vdekjes së Lumit, të birit të tij. Dhe ku shkroi mbase disa prej poezive më të bukura të letërsisë shqipe në shekullin e 20-të. Parisi i Angjelin Preljocajt, atij që luan balet mbi kreshtat e botës.

Parisi i Faik Konicës. Atij intelektualit fin e rebel, që me zë buçitës i demaskoi veset e shqiptarëve dhe shijoi pa asnjë tabu jetën mondane të Parisit. Konica i miqësuar me shkrimtarin e madh francez Guillaume Apollinaire. Në një roman marrëzisht erotik Apollinaire e përshkruan një shqiptar veshur me fustanellë që i shfaqet në portë. A ishte a nuk ishte Konica ky shqiptari me fustanellë në romanin e Apollinaire?

A ishte Konica homoseksual? Ç’na hyn në punë kjo tani. Punë e tij. Nëse ishte, kishte zgjedhur mbase qytetin më tolerant për të qenë i tillë. Ndonëse Andon Zako Çajupi shkruante: “Në Stamboll mos shkofsha kurrë / Bashkohet burri me burrë. / Thonë se është ves i shëmtuar / Mos vdeksha pa e provuar”.

Parisi i Ibrahim Rugovës dhe profesorit të tij Roland Barthes, i cili në kryeveprën e tij “Fragmente të një gjuhe të dashurisë” shkruante: “Çfarë mund të dhuroj është zemra ime. Sa herë që kjo dhuratë refuzohet, nuk mjafton të thuash (si Wertheri) se zemra është ajo çfarë mbetet nga unë, nëse përjashtojmë njëherë krejt mendjen, të cilën ma vendosin pranë dhe të cilën e refuzoj: është zemra që më mbetet, dhe kjo zemër që më qëndron mbi zemër, është zemra e rëndë: e rëndë nga derdhja e përkundërt e një zbatice, e cila e ka mbushur veten me vetveten (vetëm për të dashuruarin dhe fëmijën zemra është e rëndë)”.

Parisi i banditit gjirokastrit Enver Hoxha. Kur shkoi në këtë qytet dhe iu lut socialdemokratit Ali Bej Këlcyra të bëhej pjesë e organizatës së tij majtiste për të rrëzuar nga froni Mbretin Zog, Ali Bej Këlcyra e refuzoi. Dhe i tha të kthehej në Shqipëri me vrap e të punonte si mësues, sepse kishte marrë bursë nga qeveria e Zogut dhe ishte obliguar t’i shërbente atdheut – si mësues, jo si diktator dhe vrasës. Tani paramendojeni shokun Enver si mësues në Pukë, pas vdekje së Migjenit. Shqipëria sot do të ishte vend (më) i mirë.

Të premten Parisin, këtë kryeqytet të kulturës shqiptare pas Tiranës dhe Prishtinës, e sulmuan fanatikët. Ata që fenë e keqpërdorin për qëllime gjakatare e politike. U godit Franca e të drejtave të njeriut. Parisi i bukës së bardhë, siç e përshkruante poeti turk Nazim Hikmet: “Në cilin qytet ke ngrënë bukën më të bardhë? / Në Paris, / dhe pashtetat para së gjithash, / ato kanë mundur të jenë edhe nga Şehzadebaşı. / Çka ke dashur më së shumti në Paris? / Parisin!”.

Në fund të na lejohet një citat i gjatë nga një koment i gazetës së famshme gjermane “Süddeutsche Zeitung” të Munihut, aty ku prej javësh mbërrijnë dhe mirëpriten mijëra refugjatë sirianë – çdo ditë: “Të gjithë miqtë e francezëve vetëm mund të shpresojnë se Franca do të menaxhojë në mënyrë bravuroze këtë sfidë si në janar (pas sulmeve kundër revistës satirike “Charlie Hebdo”, v.j.).

Në këso situatash të jashtëzakonshme presidenti François Hollande duket i matur dhe i vendosur. Të tjerët – gjë që është njerëzisht e kuptueshme – duket se po i humbin nervat. Për shembull ish-presidenti Nicolas Sarkozy, i cili ka shpallur ‘luftën totale’ kundër terrorizmit, gjë që shpie te një gjurmë e rrezikshme. Apo filozofi Pascal Bruckner, i cili kërkon që vendi i të drejtave të njeriut në të ardhmen të dyshuarit t’i trajtojë si fajtorë. Ky do të ishte fundi i shtetit juridik.

Sulmet e 13 nëntorit 2015 do ta shkundin politikën franceze. Ndoshta Fronti Nacional nacionalo-populist nën Marine Le Pen do të përfitojë nga kjo. Franca do të pranojë dhe më pak refugjatë se kohëve të fundit, dhe myslimanët do të vuajnë edhe më shumë nga paragjykimet.

Por, rreziku që Marine Le Pen të bëhet presidente franceze është i vogël. Nga njëra anë për shkak se francezët – ky përgjithësim le të na lejohet – janë një popull i arsyes. Nga ana tjetër, për shkak se vlen sistemi mazhoritar i zgjedhjes. Kjo domethënë: në rast balotazhi, i cili do të ndodhë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2017, shumë zgjedhës të majtë, liberalë dhe të djathtë do të përkrahin kundërkandidatin e Marine Le Pen.

Terrori mund t’i bëjë përshtypje Francës, por s’mund t’ia rrëmbejë shpirtin. E Parisi? Parisi përherë mbetet Paris”.
Ashtu qoftë! Sepse ti që je qëlluar të premten duhet të ringjallesh. Parisi është një festë për jetën, thoshte Ernest Hemingway. Ta mbrojmë këtë jetë – duke luftuar kundër fanatizmit dhe duke festuar për ardhmërinë.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...