Dëshpërim pas dëshpërimi

17 Nëntor 2015 - 08:12 - Flaka Surroi      

Raporti i Progresit erdhi pas dështimit në Paris, dhe askush nuk e mori me siklet, sepse tashmë nuk pritej diçka më e mirë. Zyrtarët thanë: “Ky është një raport real”. Valla bre, shtatë a tetë vjet me radhë me e dëgju të njëjtën gjë do të duhej t’iu bëhej bajat edhe atyre që e thonë, e lëre më neve që nuk ka nevojë të na tregohet se sa real është. Sepse ne e jetojmë këtë realitet dita më ditë

Katër ishin ngjarjet që e shënuan javën që shkoi, dy nga to tepër dëshpëruese. E treta, një ngjarje e bukur që la shumëçka për të folur e analizuar, kurse e fundit solli një qetësi dymuajshe politike.
As moti i bukur, dhe pabesueshëm i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, nuk është se ndikoi për të na e rregulluar disponimin. As përpjekja për t’i ikur realitetit për disa orë, që do të duhej të na e kishte siguruar një ndeshje me kosovarë shumë, nuk ia doli ta hiqte shijen e keqe që na e lanë dy ngjarjet politike, dhe sërish politike, që na e shënuan fillimjavën.

UNESCO

Dëshpërues, pa dyshim, ishte mospranimi i Kosovës në UNESCO, për shkak se i munguan tri vota, të cilat Kosovës nuk ia dhanë, e kanë mundur t’ia jepnin bile gjashtë shtete që e ia kanë njohur pavarësinë, si për shembull: Peruja, Koreja e Jugut, Kolumbia, Japonia, Polonia, Ishujt Marshall... Edhe më dëshpëruese kur dëgjon nga kryeministri i Jashtëm dhe zëvendësi i tij se si vota në UNESCO është një fitore shumë e madhe për Kosovën, sepse i kemi fituar votat e shteteve më të fuqishme të botës.

Sa marre ta dëgjosh një deklaratë të këtillë: po të mos ishin këto shtete më të fuqishme në botë, ne as nuk do të çliroheshim e as nuk do të pavarësoheshim. Paramendoni edhe nëse këto shtete do të na e kthenin shpinën – ani që do t’ia hiqnin vetes një therrë nga këmba, porse kështu do të pranonin se kanë dështuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës, edhe për shkak të faktit se me vite e kanë përkrahur Thaçin të mbeste në pushtet, “sepse ai e garantonte stabilitetin”.

Përpjekja për t’ia hedhur fajin opozitës për këtë dështim diplomatik ka qenë, natyrisht, e pritur. Sepse është më se lehti të paraqitesh i mirë në një situatë të keqe që e ke krijuar vetë, për shkak se refuzon të pranosh, fillimisht, se e ke shkaktuar një problem; më pas sepse refuzon të dëgjosh argumente të kundërta dhe, tre, sepse ke nevojë që gjithmonë ta kesh dikë që mund ta fajësosh për debaklet tua.

Po të ishim shtet normal, e këtu shihet se nuk jemi, i pari që do të duhej të jepte dorëheqjen do të duhej të ishte Thaçi. Jo vetëm për shkak të dështimit në Paris. Por shkak se ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë i diplomacisë së dobët kosovare, ngase shtatë vjet qe kryeministër dhe shef i shefave të diplomacisë që duket se më shumë janë shëtitur duke krijuar kaos në Ministrinë e Jashtme sesa që e kanë ndërtuar një institucion të mirëfilltë që do të dinte ta përfaqësonte Kosovën jashtë. Arsye më se e mjaftueshme që dikush që është i paaftë për të bërë politikë të shkojë.

Postimet bajate në FB dhe fotografitë superekskluzive dhe profesionale (thuajse janë porositur për ndonjë revistë me nam ndërkombëtar) – UNESCO e dëshmoi – paskan qenë pjesa më e rëndësishme e punës së Thaçit për këtë çështje. Një zot e di sa para të buxhetit na kanë shkuar për këtë promovim që ia bëri vetes. Sepse Kosovës i bëri promovim të keq – të një shteti që nuk mund t’i bindë as shtetet që e kanë njohur për t’ia përkrahur një kauzë. Sepse s’di ndryshe.

Raporti i Progresit 2015

E ndryshe s’di as Evropa kur merr të na vlerësojë.

Tetori u zëvendësua me nëntorin sa u përket raporteve të progresit. Edhe ky që na erdhi, nuk pati ndonjë dallim përmbajtjesor nga ai parapraku e as plot të tjerë që janë shkruar vit pas viti, për shkak se i mbajnë konstatimet e njëjta: Kosova nuk shënon progres, ose ka progres të kufizuar, pothuajse në të gjitha fushat. Ka ndikim politik në gjyqësor, nuk ka rezultate në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, nuk ka progres në lirinë e shprehjes, ka rritje të papunësisë, ka zvogëlim rekord të rritjes ekonomike, vazhdon të jetë burim dhe vend transiti i trafikimit të qenieve njerëzore. Hiç dy lëvdata që na i bënë për marrëveshjet “historike” (po si ndryshe, kur BE-ja ndërmjetësoi) dhe MSA-në që kushtëzohet me zbatimin e këtyre “historikeve”, krejt të tjerat janë qashtu qysh kanë qenë me vite. Keq. E kësaj së keqes duhet shtuar edhe dështimin e misionit të EULEX-it, i cili në vend se të merret me luftimin e krimit në nivelet më të larta, merret me hetimin e ish-prokurores Bamieh, sepse ua kishte prishur tripin, ngase i kishte denoncuar dy kolegë për pengimin e hetimeve.

Sido që të jetë, Raporti erdhi pas dështimit në Paris, dhe askush nuk e mori me siklet, sepse tashmë nuk pritej diçka më e mirë. Dhe, natyrisht, pritej reagimi i njëjtë sikurse ka qenë viteve të shkuara, kur zyrtarët dilnin për të na thënë se “ky është një raport real”. Valla bre, shtatë a tetë vjet me radhë me e dëgju të njëjtin “argumentim”, pra se është raport real, do të duhej t’iu bëhej bajat edhe atyre që e thonë, e lëre më neve që nuk ka nevojë të na tregohet se sa real është. Sepse ne e jetojmë këtë realitet dita më ditë.

Dhe nuk është dëshpërues Raporti, por është dëshpëruese situata jonë. Se sa keq i kemi punët dëshmon një postim i shkurtër, por shumë i qartë i mikut tim nga FB, Agron Demi: “Në vitin 2010, kur filloi procesi i privatizimit të PTK-së, Qeveria ia vuri çmimin prej 500 milionë eurosh. Dy vjet më vonë, në buxhet u buxhetua shifra prej 300 milionë eurosh. Në fund, oferta që u mor për PTK-në ishte 258 milionë euro. Sot rrezikojmë që të humbim miliona euro në Gjyqin e Arbitrazhit nga një proces i keqmenaxhuar privatizimi.

Shumë kohë para se të jepej tenderi për Brezovicën, atëherë kryeministri Thaçi deklaroi se me projektin e Brezovicës do të hapen 4000 vende të reja të punës. Disa ditë më vonë deklaroi se do të hapen 3000 vende të reja pune. Për pak ditë, u avulluan 1000 vende. E edhe pas dy vjetëve nga këto deklarime, nuk është hapur asnjë vend pune.

Në dhjetor të 2014-s, ende pa u hapur oferta financiare për "Kosovën e Re", tani ministri i MPJ-së, Hashim Thaçi, u ngut për të deklaruar në FB se priten 2 miliardë euro investime. Disa ditë më parë, Qeveria u pajtua me 300 milionë euro investime. Për 11 muaj u avulluan 1.7 miliardë euro...”

Këtyre, për fund, duhet shtuar edhe dy gjëra: një, parashikimin e FMN-së për rritjen ekonomike për vitin 2015, që do të jetë rreth 2,7% (Qeveria ka parashikuar 3,5%), kurse për vitin 2016 rreth 3,3% (ku Qeveria parasheh 4,1%) dhe dy, faljen e borxheve që po u bëhen atyre që e kanë vjedhur shtetin. E mandej mos thoni më 2016-n se Raporti i Progresit është real, kur të dalë edhe një herë konstatimi se Kosova vetëm miraton ligje, por ato i zbaton në mënyrë selektive.

Ndeshja Kosovë-Shqipëri

Selektive ka qenë edhe Federata e Futbollit e Kosovës, për mua dëshpërimi më i madh me rastin e organizimit të kësaj ndeshjeje. Të drejtat e organizimit ia kaloi, apo ia shiti, një firme private, e cila televizioneve kombëtare u vuri kusht që, po qe se e duan transmetimin, do të duhej të paguanin disa dhjetëra mijëra euro. Iu vuri kusht se edhe nëse do të donin të kishin intervista me lojtarët në fushë, do të duhej ta reklamonin ndeshjen në të gjitha blloqet e reklamave për pesë ditë me radhë; e krahas saj, në rastin tonë, edhe pesë ditë reklama në gazetë e në portal.

Të drejtat për rrjetin kabllor iu dhanë SuperSport Kosovës, dhe kështu e gjithë popullata tjetër që s’e ka këtë pako mbeti pa e shikuar ndeshjen. Që i bie nja 80 për qind e popullsisë.

Për një Federatë që merr para nga buxheti i Kosovës për aktivitete të veta, posaçërisht në këtë rast, është e papranueshme që t’ua ketë mohuar kosovarëve të drejtën që ta shikonin ndeshjen. Dhe kjo, veç pse ka vendosur që “t’ia shiste lojën” një firme private, që do të ketë nxjerrë mjaft para nga shitja e biletave të shtrenjta edhe atyre, siç e pamë në televizor, nuk mundën të hynin në stadium. Ka qenë një rast i rrallë të shihej ballafaqimi ndërmjet Përfaqësueses kosovare me perspektivë dhe Përfaqësueses së Shqipërisë, për të cilën desh na lëshoi zemra gjatë kualifikimeve për Evropian – dhe kjo është dashur të ishte dhuratë për shikuesit, e jo biznes për dikë, kushdo qoftë ai.

Përfaqësuesja është e Kosovës, buxheti gjithashtu, e edhe shikuesit i bëjnë banorët e Kosovës. Asnjë biznes nuk e ka arsyetuar privatizimin e futbollit dje.

“Armëpushimi”

Po privatizimi i gjithçkaje në Kosovë është modus vivendi, i cili na ka futur në qorrsokak. Tashmë tepër i elaboruari problem me marrëveshjet “historike” ka pasur një lëvizje të vockël në drejtim të së paku arritjes së një “armëpushimi”, ku tema e Zajednicës nuk do të paraqitet në Kuvend deri në janar të vitit që vjen.

Kryetarja ia shkroi një letër Kushtetueses (të cilën e gjeni sot në gazetë) dhe kjo mori masën e përkohshme: d.m.th. s’ka veprim nga askush deri në aktgjykim. Njëra nga gjërat më të rëndësishme që veçohen nga kjo letër është fakti se Jahjaga vlerëson se marrëveshja e dytë nuk është marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk është derivat i marrëveshjes së parë, prandaj edhe Kushtetuesja duhet të merret me të.

Se çka do të vendosë Kushtetuesja me kredibilitet të reduktuar mbetet të shihet. Porse lëvizja tjetër e ndërlidhur me këtë ishte deklarata e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Lunacek, që ishte zyrtarja e parë evropiane që i tha dy gjëra: një që Komisioni i Venecias do të mund ta thoshte mendimin për këtë çështje, dhe dy, se ajo vetë gjente se marrëveshja mund të kishte elemente diskriminuese në të. Pra, mbase, ka të tillë që kanë filluar të vetëdijesohen se atë që e thoshim për Marrëveshjen e Brukselit qëndron, dhe se duhet gjendur zgjidhja për eliminimin e problemit të bllokadës.

Në këtë kontekst, i pabesueshëm qe reagimi i kryeministrit, i cili diku kalimthi komentoi se çështja e referimit në Kushtetuese ishte paraparë me marrëveshje dhe se kjo s’do të duhej çuditur askënd. Po qe se vërtet paska qenë kështu, pse atëherë nuk e referoi vetë rastin në Kushtetuese, e do të na kishte kursyer nga kaosi në Kuvend. Pavarësisht bindjes së tij se nuk kishte bërë gabim me vënien e nënshkrimit në dokument, paska mundur para gati tre muajsh t’i referohej Gjykatës e të kërkonte sqarimin. Dhe ta parandalonte këtë luftë të marrë inatesh që po na fundos thellë e më thellë në telashe.

Jemi lodhur së përsërituri se kjo garniturë politikanësh, posaçërisht të këtyre në pushtet, duhet të shkojë, ashtu që Kosova të nisë të shohë pak dritë në fund të tunelit. Ajo që do ta lehtësonte procesin shumë, do të ishte gjyqësia funksionale. Italisë i mjaftuan gjashtë gjykatës për ta luftuar mafinë fuqishëm; Rumanisë po i mjafton një prokurore për ta rrëzuar Qeverinë. Do të duhej të gjendeshin bile nja pesë veta në këtë Kosovë të vogël për ta sjellë ndryshimin..., me një grimë ndihmë nga Gjykata Speciale, ani që me të i dhamë vetes autogol.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...