S’ka UNESCO me Hashim Thaçin dhe me tjerët si ai

13 Nëntor 2015 - 08:26 - Halil Matoshi      

Përballë Serbisë dhe aleatëve rusë në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s nuk u përball ministri i Jashtëm kosovar HTH, por delegacioni i ShBA-së, me aleatët dhe Besiana Kadare nga delegacioni shqiptar. Prandaj krekosja e tij është farsë, ngase mbrojtja e tij qoftë edhe e ndonjë vlere të përbotshme, e bën atë vlerë të dyshimtë… Kjo agjenci e Kombeve të bashkuara ka të bëjë me arsimin, kulturën dhe shkencën, kurse ministri i Jashtëm aktual kosovar, me politikëbërjen e tij të keqe i ka degraduar, zvetënuar dhe kalbëzuar të tria këto atribute të shoqërisë kosovare

Të zënë ngushtë, kur 15 vende që e kanë njohur Kosovën abstenojnë, ose nuk votojnë fare, e ndër to edhe vende liberale si Japonia e Polonia, Ministria e Jashtme kosovare përpiqet dëshpërueshëm që disfatën e Kosovës ta shndërrojë në fitore personale.

I papërgatitur dhe pa koment për akuzat e Serbisë dhe aleatëve të saj rreth vërsuljeve barbare në kohë paqeje, mbi kishat e krishtera në Kosovë, më 2004, kur në servisin publik, RTK shfaqnin filma të epokës së Enver Hoxhës dhe hidhej benzinë në flakët që po e lëpinin të ardhmen e vendit, ekipi i HTH po mendohej se si të hynte në bela me vendin dhe njerëzit e tyre, për ta relativizuar paksa fajin për disfatën në Paris.

Të dështuar dhe të poshtëruar në Paris (në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s) edhe nga vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si akt të drejtë ndërkombëtar, ekipi i HTH përmes megafonit të tyre diskret, “poetit – hafije” I. Syla përpiqeshin që të gjenin sadopak prehje duke konstruktuar ndodhi e situata të paqena dhe fantazmagorike, për gazetarë e opinionistë që hedhin ndonjë fjalë kritike lidhur me këtë debakël të tyre.

Dhe HTH i kishte djegur tepër fort një fjali e vetme!
Ishte thjesht një pyetje legjitime, pa asnjë fyerje në rrafsh personal, që e bën secili gazetar në botë, e që e mbështet në faktet politike, nëse shihte përgjegjësi personale për këtë dështim dhe nëse duhej të jepte dorëheqjen!?
Dhe, në secilin vend normal, dorëheqja e ministrit të Jashtëm në këso situatash do të duhej të ndodhte që në avion, ende pa zbritur në aeroportin “Adem Jashari.”

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Jashtme, ndonëse po sillet si mrekullibërëse në Paris, e ka hisen e vet të përgjegjësisë.
HTH personalisht është fajtor pse p.sh. Japonia, Koreja Jugore, Polonia, abstenojnë!?

Ose së paku, ai me përulje duhej të sqaronte publikun në Prishtinë se si është e mundshme që të mos sensibilizohen dhe mobilizohen plot 15 shtete që e kanë njohur Kosovën, që të votojnë për anëtarësimin e saj në UNESCO?
Pra, ministri duhet të sqarojë kosovarët nëse këto kombe të mëdha e të lira, thjesht nuk i besojnë kësaj Qeverie, atij personalisht apo çfarë vërtet ndodhi në këtë realitet të zymtë!?
Por jo.

HTH i intereson tjetër gjë.
Krijimi i një realiteti virtual që s’ka lidhje me atë që ndodhi në Paris, ku ai është mbreti dhe polici, përgojuesi dhe denoncuesi, dyzash, që s’ka lidhje me atë që ndodhi në Paris, shfaq para kosovarëve një ministër të çekuilibruar dhe mujshor.
HTH i dhemb fort përse nuk po i “jepen pikët”, sipas tij, të merituara që 92 kombe ishin përkrah Kosovës. Sipas modelit standard: Operacioni ishte i suksesshëm – pacienti vdiq!
HTH është njeri i avanskenës dhe ai nuk e duron një kryeministër si Isa Mustafa, që ka dalë nga një pazar i tij në kurriz të mirëmbajtjes së shtetit, prandaj po kalon momente të turbullta.
Ai mësyn të luftojë ekstremizmin fetar, porse nënvetëdija e tij është e strukturuar si islami politik.

Sepse, më shumë merret me faktin se dikush paskësh pirë raki në Kuvend sesa për faktin se ai vet paraqet diabolikën në këtë storie.
Ky njeri, për pushtet personal, e ka bllokuar jetën institucionale tash e më shumë se një vit nga intenca për të qenë i pari!
Porse HTH ka përpara një mal me problem, të cilat ai i di, sepse ia ka krijuar vetes, përmes qeverisjes klienteliste dhe kakistrokratike (qeveri të përbërë nga qytetarët më të ligj të mundshëm.)
Në anën tjetër, ashiqare që në Paris është humbur beteja – porse lufta duhet të fitohet!

Ne këtë humbje, secili kosovar në pushtet ose në opozitë, por edhe “heronj lokalë” që sorollateshin nëpër Kosovë me pishë të ndezur në duar, më 2004, e kanë hisen e vet.
Përfundimisht kosovarët duhet të mësohen që ta pranojnë përgjegjësinë, sepse faji gjithmonë ka autorësi.
Mirëpo, Parisi kishte edhe anën e vet të shkëlqyer.
Secili kosovar i gjallë sot duhet të jetë krenar që përket në Perëndim dhe ka mbështetjen e botës së lirë, që ka në krah demokracitë e zhvilluara, por edhe shumë shtete liberale afro-aziatike dhe tejoqeanike, ndërkohë që Serbia, vazhdon të mbetet në shoqëri me Rusinë e Putinit, Kubën e Castros dhe Sirinë e Asadit!

Së këndejmi, kosovarët duhet që t’i falënderojnë ShBA-në dhe aleatët, që ia ruajtën jo vetëm shpinën nga thikat armiqësore të Serbisë, por edhe fytyrën…
Se shoqëria kosovare vazhdon të ketë ngërçe mentale e të sillet si një shoqëri paranojake, u pa kur shumë kosovarë në rrjetet sociale filluan të shajnë e të pështyjnë vendet arabe për dështimin në Paris, pa i verifikuar lajmet, që natyrisht se dolën të rreme, e që dikush mezi prêt t’i plasojë.

Dhe doli se të gjithë gabuan, ngase vendet kryesore arabe ose kishin votuar për Kosovën ose kishin abstenuar, natyrisht, pos Palestinës, Sirisë…
Pra, - ra ky mort e u pamë – prandaj kosovarët duhet ta ndryshojnë këtë ves të keq!
Duhet të verifikohen lajmet për të mos reaguar si njerëz zemërfyt!
Sidoqoftë, Kosova hyri fuqishëm në arenën e ligjit ndërkombëtar, kur duhej që të përballeshin rreth saj fuqitë e mëdha.
Por të rikthehemi tek Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, për të parë pozicionimin e shteteve veç e veç ndaj Kosovës.

Nga pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, Rumania e Greqia kanë abstenuar gjë që dëshmon një lëvizje nga pozicioni i tyre refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës.
Porse, në diplomacinë kosovare askush nuk është marrë me këso temash, e lërë më të ketë një përgjigje për votën kundër, të Gjeorgjisë dhe Ukrainës, shtete që kanë konflikt të hapur me Rusinë!?

Dhe që janë vende proamerikane…
A ka kërkuar HTH ose pararëndësit e tij të vizitojnë zyrtarisht këto vende ose të thërrasin zyrtarët shtetërorë nga dyja vendet për vizitë në Prishtinë?
Po vendet e arealit historik, kulturor dhe gjuhësor turk, si Turkmenia dhe Azerbajxhani?
A ka kërkuar diplomacia kosovare nga dikush në Ankara që të lobonte tek ato vende, përderisa zyrtarët e shtetit kosovar shtihaven se janë miq të mëdhenj me Recep Tayp Erdogan!?
Po shtetet Euro Azisë si Kazakistani, Kirgizia etj.?

Pse votoi kundër Kazakistani ku ky njeri i derdh miliona në investime, ndërkaq që në Kosovë investon në pijetore e hotele si dhe kështjella (rezidenca) personale?
E Behgjet Pacollin pareli, por të falimentuar politikisht, sërish po e mbante nën mëngë, si ‘jocker’ HTH!?
Ndërsa sa i përket Kinës, si vend që njihet për rigjiditet në Këshillin e Sigurimit, duket se e ka inat Kosovën e pavarur aq sa ta mbush inat shtetin e ri, që ta njoh me urgjencë Tajvanin e pavarur!

Së paku, ky inat të legjitimohet në përmasa planetare!
Qe vendet e Amerikës Latine, si Argjentina, Brazili, dhe ato të Amerikës Qendrore, si Meksika, etj. janë kundër, po ashtu është e metë e Qeverisë, sepse duket sheshit, ato s'kanë ndonjë lidhje me realitetin kosovar!
Diplomacia kosovare në këtë rrafsh duhet të jetë dinamike në lëvizjet e veta në këtë rajon, përmes vendeve të treta.
A i është drejtuar p.sh. ndonjëherë Portugalisë ndonjë zyrtar kosovar që ta bëjë çështjen e Kosovës të njohur në Brazil dhe gjetkë ku flitet portugalishtja!?

Në politikat e jashtme, Prishtina zyrtare duhet të punësojë shumë vullnetarë (ambasadorë të vullnetit të mirë) dhe shumë miq të Kosovës, nga të gjitha fushat, që nga bizneset e deri tek artet dhe Shaw-bizi.

Pos personaliteteve me origjinë shqiptare, Kosova duhet t’i mbajë afër në të gjitha situatat profesorët me famë botërore, përreth Marc Weller-it, që i kishin shkruar UNESCO-s në mbrojtje të Kosovës, si dhe ish-kryeadministratorët e UNMIK-ut.
Këto profile njerëzish janë dëshmuar luftëtarët e denjë të Kosovës dhe duhet që t’u jepet respekt institucional...
Roli i delegacionit të Republikës së Shqipërisë në betejën e Kosovës për UNESCO ishte dinjitoz dhe për këtë duhet t’i thuhet, bravo i qoftë!

Dhe faleminderit!
Mirëpo, Ministria e Jashtme kosovare duhet t’i koordinojë veprimet e veta me Tiranën zyrtare që të mos detyrohet Shqipëria të shpenzojë krejt energjitë dhe resurset, si e vetme!
Kosovarët duhet të fillojnë të mendojnë si njerëz të lirë, si qytetarë të edukuar e të përgjegjshëm.
E jo të sillen si mburravecë.

Në Gjakovë, këto ditë, u tha në media, erdhën disa serbë nga Serbia për t’i vizituar varrezat e të dashurve të tyre dhe askush nuk i nguci!?
E kjo nga politikanë lokalë dhe zyrtarë të lartë në Prishtinë si dhe në media - për turp - shitej si ngjarje madhështore në prag të përballjes në UNESCO!?
Pra, të mos sulmohen qytetarët serbë që ndezin nga një qiri tek varrezat, na dilka punë heroike!
Nëse kosovarët përkasin vërtet kulturalisht dhe gjeopolitikisht në Perëndim, siç kanë qejf të thonë, duhet të jeni liberatorë duke ndërtuar raporte të mira edhe me Lindjen.

Duhet t’u qëndrojnë pranë popujve të shtypur, që kërkojnë liri e pavarësi, pa kërkuar shpagim për këtë.
Atyre që e duan Kosovën dhe kosovarët duhet qasur me më shumë sinqeritet e dashuri.
E jo të sillen si lypsarë kur janë ngushtë dhe babaxhanë kur ndihen t’i kenë kapërcyer sfidat, siç u thoshte vite më përpara liderëve kosovarë, gjermania Doris Pack, që e ka mbrojtur fuqishëm kauzën e Kosovës: “Ju nuk na doni ne - i doni paratë tona!”

Kosova duke krijuar shtet të lirive civile, shtet të së drejtës në shtëpi, duke mëkambur shtëpinë e përbashkët të kosovarëve kulturalisht të emancipuar dhe qytetarisht të edukuar, vetëm kështu e fiton anëtarësimin në UNESCO.
Dhe, vetëm kështu UNESCO e fiton Kosovën.
Në një fjalim në Parlamentin Evropian, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, kur po e merrte çmimin “Sakharov” (1998) pati thënë sy botës: “Shtëpia mbahet me miq!”
Mirupafshim në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, më 2017!

Dhe së fundi, Qeveria e Kosovës zëshëm dhe me urgjencë duhet t’ia bëjë me dije Serbisë, se nëse zyrtarët e saj shfaqen armiqësorë dhe racistë ndaj Kosovës dhe popullit të saj, nëse ajo e pengon Kosovën për anëtarësim në organizatat botërore, atëherë e tërë Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve si dhe ajo për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe jo që mund të pezullohen (me moratorium) por edhe mund të prishen krejt!?

Qeveria e Kosovës, para deklaratës se HTH se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, thuajse asgjë
s’ka ndodhur ndërkohë, duhet t’ia adresojë një promemorie (memorandum) urgjent Brukselit

zyrtar dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, përmes të cilit, i bëhet me dije selisë së BE-së, se Kosova dhe populli i saj nuk munden që pakufishëm ta durojnë poshtërimin e Serbisë dhe racizmin e hapur të zyrtarëve të saj!
Nuk i leverdisin vetëm Kosovës marrëveshjet me Serbinë.
Ajo duhej të ishte e dyanshme.

BE-ja ka lejuar që t’i rrëshqasë situata nga duart duke mos i bërë fre Serbisë në racizmin e saj kundruall Kosovës.
Ndonëse në këtë etapë po krijohet përshtypja se BE-ja po i bën shumë koncesione shtetit serb, Qeveria e Kosovës këtë herë nuk guxon t’i mbyllë sytë dhe t’ia falë edhe këtë goditje shtetit fqinj!?
Duket se Serbia është në epokën e karotës, kurse Kosova po ha dajak, një ditë gjërat mund zhvendosen.
Kosova mund t’i bëhet gur mulliri Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...