Gabo e kalon edhe një kufi

21 Prill 2014 - 09:21 - Veton Surroi      

Ai kishte harruar se të gjitha kujtimet e tij tashmë ishin në romane, të shoqëruara nga gjenialiteti i përdorimit të gjuhës, të një baroku të papërsëritshëm. Se ishte duke e kaluar kufirin, aty ku nuk ka më kujtime

In Memoriam: Gabriel Garcia Marquez

1.
Në mesditën e një pranvere si kjo, para tridhjetë vjetësh, mbërriti në emrin tim, me adresë: “Rilindja, Pallati i Shtypit, Prishtinë”, një paketë tubulare nga shtëpia botuese kolumbiane “Oveja negra”.
Isha gazetar i ri, i panjohur për opinionin publik kosovar e lëre më tutje, dhe nuk kishte arsye që dikush të çonte letër në adresë timen aty, as nga ndonjë vend më afër, e lëre më nga Kolumbia. Aq më pak të më dërgonte një dhuratë.

Kur e hapa tubin e kartuçit doli një poster i Gabriel Garcia Marquezit.
Qe një befasi e këndshme - me kaq mendova ta përfundoj marrëdhënien time me këtë dhuratë promovuese të shtëpisë botuese - dhe fillova ta skajoj në dollapin tim të punës. Para se ta palosja sërish në tubin e kartuçit vërejta se dhurata kishte një veçanti që nuk e kisha hetuar më herët: portreti i fotografuar i Garcia Marquezit i kishte marrë konturat e së zezës nga shkronjat. Shkronjat u përkisnin fjalëve të lexueshme e fjalët e lexueshme romanit “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”.
E rilexova, aty për aty, në poster, romanin që e kisha lexuar disa vjet më herët, si student.

Dhe e palosa në tub, tubin në dollap, e befasinë time nga dhurata në një befasi më të madhe, atë të zbuluarit të kufirit të prekshëm, në këtë poster, mes fytyrës së autorit dhe fjalëve të tij. Apo thënë më mirë: atyre që nuk janë më të tijat, janë të romanit që ka për autor një person që quhet, si ai, Gabriel Garcia Marquez, apo siç do të njihet fillimisht për miqtë e pastaj për të gjithë të tjerët, Gabo.

2.
Pakoja nuk kishte mister aq të madh. Kishte ardhur, sepse Ali Podrimja, nga botimet “Rilindja” më kishte detyruar (kërkuar, lutur, propozuar - nuk janë fjalë të përshtatshme, e as sinonime) ta përktheja romanin e ri të Gabos “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar”. Shtëpia botuese kolumbiane do të ketë dëgjuar për këtë këmbëngulje të Ali Podrimjes dhe do të më ketë shpërblyer për durim e dëgjueshmëri.
“Kronika…” ishte një kufi tjetër i prekshëm i Gabos, ai që e merr saktësinë e narracionit të gazetarisë dhe i jep atij brusha ngjyrë vjollce dhe portokalli të kuq e tinguj marimbash dhe dueti kitarash. Dhe erë bajamesh.

Për një gazetar të ri, si puna ime, ishte një fillimstërvitje e mirë (e të lexuarit të përkthimit më të mirë se imi, ai i Aurel Plasarit, vite më vonë - një kënaqësi e rizbuluar).
“Kronika…” ishte, do të zbuloja, jo përjashtim, por rregull i atyre viteve të fundit të viteve shtatëdhjetë dhe fillimit të viteve tetëdhjetë. “Kronika e një anijembyturi”, qe një shembull se si gazetari i mirë dhe i vëmendshëm, Garcia Marquez, takon rrëfimtarin e rryer, e të vetsigurt, Garcia Marquez. Të njëjtin rrëfimtar që ia di për borxh zanatin gazetarisë dhe që do të paraqitej me kolumne politike në “El Pais” me tituj që mbajnë vulën e tij. Si, për shembull, artikulli mbi juntistët uruguaianë: ”Gjeneralët që besuan në rrëfimin vetjak”.

3.
Gabo besoi në rrëfimin vetjak, se do të bëhet shkrimtar, kur e botoi tregimin e tij të parë, në vitet pesëdhjetë, si gazetar i ri dhe qau duke e lexuar tashmë të shtypur në letër.
Dhe pastaj tjetrin dhe tjetrin derisa arriti te kufiri i prekshëm, ai i realizmit magjik, me të cilin do të bëhej sinonim në botë, duke botuar “Njëqind vjet vetmi”, më 1967, që për romanin botëror nga shumëkush u konsiderua si vepra më e rëndësishme ç’prej “Don Kishotit” të Cervantesit.
Vit pas viti kisha lexuar dhe dëgjuar rrëfime të ndryshme për këtë kryevepër të rangut të trashëgimisë botërore.

E rikujtova njërin prej rrëfimeve edhe vetë, në rrugën prej Acapulcos për në qytetin e Meksikës. Sipas rrëfimit, në vitet gjashtëdhjetë, atëherë kur shkruante skenarë filmash (së bashku me mikun e tij, shkrimtarin brilant meksikan Carlos Fuentes) u nis me veturë nga Acapulco mbrapa për në banesë në qytetin e Meksikës dhe aty i ra në mend fjalia e parë, ajo për Aureliano Buendian që do të kujtonte prekjen e parë të akullit ditën kur do të gjendej përpara togës së pushkatimit. Se gjatë asaj rruge, thotë rrëfimi, e kishte tërë romanin në kokë, të gjitha fjalët e tij, dhe se me të arritur në Meksikë do të ulej në tavolinë e do të shkruante gjatë 18 muajve pandërprerë.
Dhe para disa vjetësh, duke kaluar pa ndonjë plan kah lagjja ku dikur kishte banuar, u mendova se ku do të mund të kishte qenë zyra e Postës ku kishin shkuar Mercedes, gruaja e Gabos, dhe ai, për të dorëzuar dorëshkrimin që do të duhej të udhëtonte tek botuesi në Buenos-Aires, vetëm për të kuptuar se nuk do të mund ta dërgonin tërë dorëshkrimin, se nuk u kishin mbetur aq para sa peshonte dërgesa.

Se duhej dërguar një gjysmë, e pastaj, në të arritur paradhënia, edhe gjysma tjetër e asaj që do të shndërrohej në librin kult të shumë gjeneratave.
Rrëfimet qenë përsëritur aq herë saqë gjithnjë linin hapur pyetjen se a ishin të vërteta apo pjesë të mitit që tashmë qe ndërtuar për shkrimtarin. Madje, do të mbesin me sharmin e vet të kufirit mes realitetit dhe magjisë edhe atëherë kur do të shpërfaqen në biografinë e autorizuar, dhe të shkëlqyeshme, të Gerald Martinit.

4.
Biografia e Martinit nxjerr edhe ca kufij të ri të Gabos.
Njëri, se botimi i “Njëqind vjet vetmi”, dhe botimet që do të vinin më vonë, qenë për librin në botë ajo që ndodhi me “Beatles” në muzikë - një revolucion jo vetëm në interpretim, por edhe në marketing.
Dy, se ky botim dhe figura e Gabos po e transformonin, gjithashtu, tërë perceptimin e Amerikës Latine - të njohur për puçe, diktatura dhe eksploatim - në një hapësirë krijuese, vibrante madje.
Tre, se botimi “Njëqind vjet vetmi” ishte ndarje e Gabos nga varfëria, jo vetëm nga borxhi i akumuluar për ushqim e qira gjatë shkrimit të romanit, por edhe nga obligimi i mëtutjeshëm që të punojë për të jetuar.

Ai tani e tutje do të shkruante, me përpikërinë që e kishte karakterizuar - çdo ditë, nga katër orë - për nevojë bazike shpirtërore, atë që e kishte shtyrë që në fillim, atëherë si gazetar i ri, që kur mbyllej gazeta në orën 01:00 të mëngjesit, të ulej e të shkruante tregime deri në orën tre e pastaj të pinte birra në bordellon komshi.
Do të prodhonte, përkundër ankthit se nuk mund të përsëriste cilësinë e “Njëqind vjet vetmi”, vepër pas vepre, që do të mund të jetonte me meritat e veta, të pahuazara nga kryevepra paraprake.

5.
Dikur, në një moment, që nuk arriti ta saktësojë, Gabriel Garcia Marquezit filluan të mos i kujtohen ngjarjet, fytyrat, emrat, datat.
Dhe, vite më vonë, u ul të shkruante për to, për ngjarjet, fytyrat, emrat, në një ngarendje për të mos harruar, e duke vulosur në titullin e memoareve kredon krijuese “Të rrosh për të rrëfyer”, kredon që thotë: “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që mban mend dhe të tillë çfarë e mban mend për ta rrëfyer”.
I kujdesur gjatë tërë jetës që të mos tregojë hollësitë e zanatit - madje duke shqyer, së bashku me dashurinë e jetës, Mercedes, edhe shënimet më të parëndësishme, edhe versionet e dorëshkrimeve të shkarravitura me laps të kuq - në librin e kujtimeve do të zhveshë shkrimtarin deri te fëmija që gjendet brenda tij dhe që e inspiron me ato që janë thellë në mbamendje, kujtimet e atij që ende nuk di të shkruajë.

Aty, në Memoare, do ta bëjë udhëtimin për në Aracatacan e fëmijërisë, Makondon e shkrimtarit. Aty do të dalin edhe gjyshja që kishte rrëfimet e veta për shpirtrat, edhe gjyshi që kishte luftuar luftën njëmijëditëshe dhe që priste pensionin e vet ushtarak, edhe babai i tij telegrafist që një ditë ikën nga shtëpia, por jo nga dashuria, edhe “erërat e zbrazëtisë”.
Gabo, në Memoare, kishte harruar tashmë se dikur, dikund, kishte shpjeguar se duke lexuar mjeshtrit si Faulkner dhe Joyce, kishte mësuar se “nuk është e rëndësishme të dëshmosh vërtetësinë e fakteve”. “Që diçka të jetë e vërtetë, autorit i mjafton vetëm të shkruajë, pa kurrfarë dëshmie tjetër pos fuqisë së talentit të tij dhe autoritetit të zërit vetjak”.
Gabo kishte harruar se të gjitha kujtimet e tij tashmë ishin në romane, të shoqëruara nga gjenialiteti i përdorimit të gjuhës, të një baroku të papërsëritshëm.

Se ishte duke e kaluar kufirin, aty ku nuk ka më kujtime, aty ku, prej mbrëmë kujtimet e tij - të vërtetat e tij për shiun e pandërprerë të luleve, kufomat që nuk zhbëhen dhe gjeneralët që rrojnë aq sa nuk mban mend kush periudhën para tyre - jetojnë pa të.

Folegjenda: Gabo besoi në rrëfimin vetjak, se do të bëhet shkrimtar, kur e botoi tregimin e tij të parë, në vitet pesëdhjetë, si gazetar i ri dhe qau duke e lexuar tashmë të shtypur në letër. Dhe pastaj tjetrin dhe tjetrin derisa arriti te kufiri i prekshëm, ai i realizmit magjik

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...