Buxheti i vendnumërimit

8 Nëntor 2015 - 08:04 - Valbona Mehmeti      

Projektbuxheti për vitin 2016 nuk ka risi dhe nuk shpreh aspirata as për përmirësim të ekonomisë, as rritje të punësimit e as nxitje të investimeve. Ai është vetëm edhe një dëshmi se Kosova do të vazhdojë rrugën e vendnumërimit jo vetëm vitin e ardhshëm, por ndoshta edhe më gjatë

Gjendjen ekonomike dhe vizionin e një qeverie për ta çuar përpara ose për ta degraduar atë e dëshmon planifikimi vjetor i buxhetit. Projektbuxheti i vitit 2016, që e miratoi Qeveria në fund të javës së shkuar, vërteton se gjendja e rënduar ekonomike dhe sociale e vendit do të vazhdojë të mbetet e tillë çfarë është edhe në vitin e ardhshëm. Ky projektbuxhet që nuk është e sigurt nëse do të miratohet në Kuvend, edhe shkaku i paralajmërimeve të opozitës se do të vazhdojë bllokimin e seancave, nuk hap ndonjë rrugë prosperiteti për qytetarin.

Buxheti nuk është vetëm mbledhje e numrave, por edhe shprehje e vlerave dhe aspiratave të një shteti. Sikurse viteve të shkuara, edhe buxheti për 2016-n nuk shpreh aspirata as për përmirësim të ekonomisë, as rritje të punësimit e as nxitje të investimeve. Është një buxhet pa risi. Si duket edhe shumë vjet do t’i ndiejmë pasojat e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të parasë publike të dy mandateve qeverisëse nga PDK-ja dhe Thaçi. Keqmenaxhimin nuk e kanë konstatuar vetëm raportimet e shumta të mediave, por edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për vitin 2014, ku i jepet vlerësim negativ Raportit vjetor financiar të buxhetit të Kosovës.

Sipas projektbuxhetit 2016, edhe mot paratë e taksapaguesve kosovarë do të shkojnë për projekte të nisura para dy apo tre vjetësh, kryesisht projekte të premtimeve të vjetra elektorale të Thaçit. Investime të mëdha kapitale nuk pritet të ketë. Pjesa më e madhe e projekteve të reja kapitale do të jenë në riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja.

Vendimi i 2014-s për rritjen e pagave të shërbyesve civilë, rritja e pensioneve, skemat e reja sociale (pagesa për veteranët) e kanë rritur presionin shumë në buxhet dhe kjo është dashur të reflektohet në zvogëlim të planifikimit të investimeve kapitale, thonë zyrtarët e Qeverisë.

Në mandatin e kaluar është kontraktuar edhe pjesa më e madhe e investimeve kapitale. Vetëm autostrada për Shkup në tre vjetët e ardhshëm do të shpenzojë rreth 25 për qind të shpenzimeve kapitale.

Mësimdhënësit, mjekët e punëtorët e administratës publike kanë të drejtë në rritje pagash, por rritja e pagave ka ndikuar në rënie të investimeve kapitale. Derisa në vitin 2015 rreth 27 për qind e buxhetit shkon në investime kapitale, në vitin 2012 ato ishin sa 37 për qind e buxhetit (pjesa më e madhe e shpenzuar për autostradën “Ibrahim Rugova”).

Rritja e pagave të rreth 90 mijë shërbyesve civilë nuk është bërë si rezultat i një planifikimi të kujdesshëm ekonomik, por si përmbushje e një premtimi elektoral të Thaçit për të fashitur pakënaqësitë sociale dhe për t’ia zgjatur pushtetin vetes.

Kryeministri Mustafa tash po i paguan pasojat e bërjes koalicion me Thaçin. Megjithëse gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare kishte premtuar se do të rriste buxhetin duke e luftuar ekonominë joformale, tani që është bërë pjesë e strukturave që e ndihmojnë krimin ekonomik, Mustafa i ka duart e lidhura që të veprojë kundër tyre.

“Nuk guxon askush të hyjë dhe t’i luftojë këto deformime që janë duke ndodhur, sepse duhet të prishet koalicioni, sepse ato ndodhin brenda strukturave qeverisëse. Këto janë struktura të larta shtetërore që lidhen me krimin e organizuar, evazionin fiskal në kufi, shmangien e tatimeve brenda. Dhe nëse kupola është lart dhe ATK-ja tenton t’i mbyllë ato, atëherë dikush reagon dhe duhet me u prish në tavolinë. E kam përshtypjen që ka një marrëveshje në kuadër të marrëveshjes për Qeverinë që të mos kthehen mbrapa për të shikuar se çka e qysh ka ndodhur, por të ecin përpara”, ka vlerësuar në intervistën dhënë gazetës ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri.

Kjo ngecje në trajtimin e problemeve që kryesisht lidhen me sundimin e ligjit ka ndikuar edhe në mosndarjen e parave të buxhetit për sektorët që më së shumti e prekin qytetarin.

Projektbuxheti 2016 nuk përmban projekte të reja as për sistemin arsimor, as atë të shëndetësisë, e as në bujqësi, si një fushë me potencial të shtytjes së zhvillimit ekonomik, ndonëse të dy partnerët e koalicionit kishin premtuar se do të angazhohen fuqishëm në përmirësimin e këtyre sektorëve.

Përderisa pjesë e Qeverisë mbesin njerëzit që e keqpërdorin buxhetin e shtetit në kombinim me të tillët që për ta mbajtur veten në pushtet nuk janë të gatshëm ta luftojnë krimin brendapërbrenda, nuk mund të pritet që paratë e taksapaguesve të shfrytëzohen për projekte që u mundësojnë atyre një jetë më të mirë.

I tillë si është planifikuar, buxheti i 2016-s dëshmon se Kosova do të vazhdojë rrugën e vendnumërimit jo vetëm vitin e ardhshëm, por ndoshta edhe më gjatë.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...