Një lëshim i denjë për harresë

7 Nëntor 2015 - 10:05 - Adriatik Kelmendi      

Liderët e AAK-së dhe Të Nismës duhet të përveshin mëngët dhe t’ua bëjnë të qartë të gjithëve, brenda dhe jashtë vendit se janë parti në të cilat duhet ruajtur besimin. Se në fakt, besoj fuqishëm, që edhe vetë liderët e këtyre partive mendojnë se është gabim që nuk është votuar MSA-ja, pavarësisht mungesave që i ka, në emër të konsensusit çerekshekullor të ndërtuar nga shqiptarët ndaj temave që kanë të bëjnë me BE-në dhe Perëndimin përgjithësisht

A ËSHTË Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e BE-së me Kosovën më e mira? 

Jo!

A do të mund të negociohej më mirë?

Ndoshta!

A duhet të miratohet?

Absolutisht dhe definitivisht, PO!

Anash inatet politike, anash edhe kritikat e merituara shpeshherë për partitë e koalicionit qeverisës, duhet përshëndetur dhe gëzuar faktit që Kuvendi i Kosovës ia doli që të mblidhte votat e 86 deputetëve për ta ratifikuar këtë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, të parën në hapërimin e gjatë dhe jo të lehtë që edhe ky vend një ditë të jetë pjesë e familjes së zhvilluar evropiane.

Mirëpo, është për keqardhje që për shkak të inateve politike, dhe kritikave të merituara shpeshherë, tri subjektet opozitare, LVV, AAK e Nisma, prishën konsensusin shqiptar të ndërtuar për këto tema së paku tash e 25 vjet.

PO E NËNVIZOJ pa nevojë, meqë, ndonëse është për t’u përshëndetur vendimi që të mos e pengojnë mbajtjen e seancës dhe duke e ditur se pushteti i ka votat, as nuk kanë ndikuar që ky tekst i MSA-së të jetë më i favorshëm, e as nuk përfitojnë asgjë për vete politikisht. Për më tepër, ia kanë servuar një penallti të paqenë PDK-së e LDK-së, të cilën këta pa dyshim që s’do të hezitojnë ta shutojnë, si dhe rrezikojnë që shtetet anëtare t’i shohin me sy skeptikë (gjë që nuk qëndron, meqë që të tria këto subjekte kanë qartë në programet e tyre orientimin properëndimor dhe integrues në strukturat euroatlantike). Njëjtë, edhe qytetarët tash e tutje do të mund të kenë njëfarë lloj rezerve, kur bëhet fjalë për këto tri subjekte, meqë – për dallim nga ç’kemi parë deri më sot – ato e lanë të kuptohet se, me rrethana, mund edhe mos të jenë aq konsistente në hapat e domosdoshëm që duhet marrë dhe kompromiset që nganjëherë duhet bërë, në mënyrë që të lëvizet nga një stacion progresi në tjetrin.

Në këtë frymë, vlerësoj se - hiq LVV-në, e cila ka pasur qëndrim kritik edhe ndaj seancës së shpalljes së pavarësisë, por edhe proceset pararendëse – liderët e AAK-së dhe Nismës duhet të përveshin mëngët dhe t’ua bëjnë të qartë të gjithëve, brenda dhe jashtë vendit, se janë parti në të cilat duhet ruajtur besimin. Se në fakt, besoj fuqishëm (dhe nuk do të dëshiroja të isha i gabuar në këtë drejtim) që edhe vetë liderët e këtyre partive mendojnë se është gabim që nuk është votuar MSA-ja, pavarësisht mungesave që i ka.

PSE E THEM KËTË?

Thjesht, për faktin se liderët e këtyre partive, siç janë vëllezërit Haradinaj, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, kanë qenë po ashtu në pozita lidere edhe në proceset e tjera, në të cilat gjithashtu ka pasur vërejte edhe shumë më të mëdha se ç’ndoshta duhet pasur për MSA-në, por kanë luftuar për konsensusin shoqëror që do t’i pranonte ato, si një hap gjysmak që hap rrugë për hapin tjetër të plotë.
Njësoj, do të mund të thuhej se nuk do të duhej nënshkruar dokumentin e Rambouillet-së, meqë ai nuk parashihte pavarësinë e Kosovës.

Njësoj, do të mund të thuhej se nuk do të duhej të ndërhynte NATO-ja, meqë shtetet zakonisht çlirohen vetë.

Njësoj, do të mund të thuhej se nuk do duhej pasur prani të KFOR-it, meqë UÇK-ja duhet të ishte ushtri e Kosovës.

Njësoj, do të mund të thuhej se nuk do duhej të ketë biseda për statusin të ndërmjetësuara nga emisari i OKB-së, Ahtisaari, meqë bota dhe Serbia duhej ta njihnin menjëherë shtetësinë e Kosovës.

Njësoj, do të mund të thuhej se nuk duhej votuar për në seancën e 17 shkurtit 2008, meqë kjo pavarësi nuk po bëhej me bekimin e OKB-së.

A s’i bie kjo e ngjashme edhe me mosvotimin e MSA-së, vetëm për shkak se nuk është e ngjashme si me shtetet e tjera, por duke harruar se me këtë hap avancohet edhe vetë shtetësia e Kosovës?

ASNJËRI NGA këto procese, që tash e dimë se kanë pasur efektin pozitiv domino në çlirimin dhe shtetësinë e Kosovës, ndoshta nuk do të ndodhte, pa pasur edhe angazhimin dhe mbështetjen e liderëve si Haradinajt, Limaj e Krasniqi. Ose, nëse e shikojmë nga ana tjetër, as vetë Haradinajt, Limaj e Krasniqi, nuk do të ishin liderë siç që janë sot, po të mos rridhnin këto procese në mënyrën që kanë rrjedhur.

Përjashtimi nga kjo rrjedhë që këta liderë zgjodhën t’ia bëjnë vetvetes, as pritet ta avancojë Kosovën në ndonjë aspekt, e as t’i avancojë ata politikisht.

Përkundrazi!

Atëherë, MSA-ja do të duhej parë si një episod i izoluar dhe, troç, një lajthitje benine e tyre, në dëm të konsensusit çerekshekullor për temat që ndërlidhen me BE-në e Perëndimin përgjithësisht. Dhe si i tillë, ky episod, për shkak se fatmirësisht nuk solli pasoja për Kosovën, do duhej me konsensus lënë në njëfarëlloj margjine politike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...