Pse mungoi festa për MSA-në e Kosovës

4 Nëntor 2015 - 08:10 - Augustin Palokaj      

Bashkimi Evropian e ka bërë nënshkrimin e MSA-së me Kosovën qëllimisht pa ndonjë ceremoni të dukshme çfarë ka pasur për vendet e tjera. Nuk e ka bërë aq shumë publike, sikur të kishte frikë nga vendet që nuk e njohin Kosovën apo edhe nga Serbia. Kështu për nga përmbajtja, MSA-ja e Kosovës dallon nga të tjerat edhe për nga mënyra se si u nënshkrua ajo. Ndonëse ka tendenca të qarta që rëndësia e saj të ekzagjerohet nga përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë, megjithatë nuk duhet nënçmuar këtë dokument. Ai nuk e ndryshon shumë qasjen e BE-së ndaj Kosovës, por në rrethanat e një status quo-je të re, e cila do të zgjasë me vite, ku Kosova nuk do të mund të trajtohet si shtet, kjo Marrëveshje është maksimumi që ka qenë i mundur të arrihet

Do të duhej të ishte një ditë e veçantë jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian në tërësi. Atë ditë me vënien e nënshkrimeve mbi dokumentin e quajtur Marrëveshje e Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës u përmbyll një proces 15-vjeçar i nisur me samitin e Zagrebit në vjeshtën e vitit 2000. Tash të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit i kanë të nënshkruara MSA-të që ishin produkt i Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ky proces i nisur në fillim të shekullit ishte produkt i përpjekjes për të stabilizuar rajonin që sapo kishte dalë nga luftërat e përgjakshme dhe për ta asociuar me BE-në duke i bërë kështu të gatshme për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit të plotë. Pra ideja ishte që këto vende të stabilizohen, të asociohen dhe më vonë të integrohen në BE. Kështu lindi edhe kushtëzimi dhe qasja rajonale. Pra kusht për asociim dhe integrim ishte stabilizimi dhe bashkëpunimi rajonal. Dhe kur marrëveshjet u arritën ,zbatimi i tyre u bë kusht në procesin e anëtarësimit.

Pra kishte shumë arsye që të ketë festë, së paku një ceremoni dinjitoze dhe pse jo edhe konferenca të veçanta për ta shënuar këtë moment të rëndësishëm. Në vend të kësaj, pamë një ceremoni tepër modeste, për të mos thënë fjalë të tjera. Në vend të ndonjë salle solemne, me prani të shumë zyrtarëve të lartë të BE-së dhe shteteve anëtare, MSA-ja e Kosovës u nënshkrua në një dhomë të improvizuar, në një tavolinë me një mikrofon dhe me një flamur të BE-së në prapavijë. Pamja ishte madje edhe më modeste sesa një konferencë shtypi në një dhomë të një stadiumi të futbollit pas një loje. Fakti që Kosova atë ditë nënshkroi me BE-në MSA-në nuk u bë ndonjë lajm i madh në BE.

Bashkimi Evropian e ka bërë nënshkrimin e MSA-së me Kosovën qëllimisht pa ndonjë ceremoni të dukshme çfarë ka pasur për vendet e tjera. Nuk e ka bërë aq shumë publike, sikur të kishte frikë nga vendet që nuk e njohin Kosovën apo edhe nga Serbia. Kështu, pos nga përmbajtja, MSA-ja e Kosovës dallon nga të tjerat edhe për nga mënyra se si u nënshkrua ajo. Ndonëse ka tendenca të qarta që rëndësia e saj të ekzagjerohet nga përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë megjithatë nuk duhet nënçmuar këtë dokument. Ai nuk e ndryshon shumë qasjen e BE-së ndaj Kosovës, por në rrethanat e një status quo-je të re, e cila do të zgjasë me vite, ku Kosova nuk do të mund të trajtohet si shtet kjo Marrëveshje është maksimumi që ka qenë i mundur të arrihet.

Duhet pasur parasysh disa fakte rreth MSA-së për Kosovën, në mënyrë që të informohet drejt opinioni dhe të mos keqpërdoret për manipulime nga cilado anë.

E para është se ajo Marrëveshje ka një rëndësi të veçantë sepse rregullon raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një periudhë të ardhme, për fat të keq shumëvjeçare, derisa të mos anëtarësohet Kosova në BE. Si e tillë ajo jep mundësi të mëdha për bashkëpunim tregtar. Nuk është njëlloj sikur edhe preferencat tregtare që Kosova i pa pasur me vendim unilateral nga BE-ja edhe në të kaluarën. Përparësitë tregtare që dalin nga MSA-ja janë më të rëndësishme, sepse kanë bazë në Marrëveshje, paraqesin një parashikueshmëri për investitorët dhe ato nuk mund të hiqen sikur që do të mund të hiqeshin preferencat unilaterale të BE-së.

E dyta dobi është se përmes saj megjithatë do të ndihmohen reformat në Kosovë të cilat do të shkojnë drejt përputhjes me ligjet e Bashkimit Evropian. Rrjedhimisht Kosovën, përmes reformave të cilat do të ndihmohen edhe nga zbatimi i MSA-së, përmes përmbushjes së standardeve evropiane që nga niveli politik e juridik e deri te standardet e prodhimeve, do të përgatitë edhe për integrim në BE, një ditë.

Por duhet të përmenden edhe disa fakte të tjera që këtë MSA e dallojnë nga marrëveshjet, të cilat i kanë shtetet e tjera.

Ajo për nga forma juridike bazohet në Marrëveshjet të cilat BE-ja i ka me “entitete që nuk janë shtete sovrane” (ngjashëm sikur edhe marrëveshjet tregtare me Tajvanin, Hong-Kongun apo Autoritetet Palestineze) prandaj edhe kanë karakterin “EU only” (“Vetëm BE”). Vetëm kështu ka qenë e mundshme që shtetet anëtare t’i japin mandatin Përfaqësueses së lartë Mogherini dhe Komisionerit Hahn që në emër të BE-së të nënshkruajnë marrëveshjen e tillë. Dhe ajo nuk u nënshkrua nga shtetet anëtare dhe nuk do të ketë nevojë të ratifikohet nga to. Përndryshe, arritja e saj nuk do të ishte e mundur në rrethanat kur 5 shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet. E në politikën e jashtme dhe në atë të zgjerimit, vendimet në BE vazhdojnë të merren me konsensus të të gjitha shteteve anëtare.

Si pasojë kjo marrëveshje nuk mund të quhet formalisht si dokument i cili hap rrugën për integrimin e Kosovës në BE. Sikur të ishte e njëjtë sikur marrëveshjet e tjera qëllimi politik i kësaj marrëveshjeje do të definohej si ndihmë Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Fjala anëtarësim në BE dhe integrim në BE nuk gjendet në këtë dokument.

Thëniet se “Kosova po trajtohet sikur të gjitha shtetet e tjera me këtë marrëveshje”, thënë thjesht, nuk janë të sakta. Tentimi për të manipuluar me këtë është naiv dhe shkurtpamës nga ata përfaqësues të Qeverisë së Kosovës që përdorin një argument të tillë. Mjafton të lexohen vendimet rreth marrëveshjes dhe vetë ajo që të kuptohet se në asnjë mënyrë me të Kosova nuk trajtohet si shtet dhe nuk paragjykohen qëndrimet e shteteve anëtare të BE-së ndaj statusit të Kosovës.

Kur flasim për përmbylljen e Procesit të Stabilizim-Asociimit duhet përmendur edhe ambiciet që ekzistonin në vitin 2000. Në atë kohë edhe pesimistët e mëdhenj besonin se 15 vjet do të mjaftojnë që të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit do të bëhen anëtare të BE-së. Madje kjo dukej tepër larg. Në Kosovë madje lindi edhe “Forumi 2015” që i kritikua ashpër, sepse besohej se Kosova shumë më shpejt do të integrohej në BE dhe se ata të cilët mendojnë se Kosovës do t’i duhen 15 vjet nuk ia duan të mirën asaj. Vetëm Kroacia arriti ta përmbyllë ciklin nga MSA-ja deri tek anëtarësimi. Pos kësaj, edhe ambiciet e tjera siç është stabilizimi u arritën pjesërisht. Vërtet rajoni është më stabil sesa që ishte në vitin 2000, por optimizmi nuk është as në nivelin në të cilin ka qenë atëherë. Nuk janë zgjidhur as të gjitha problemet në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Serbia nuk njeh Kosovën dhe ka ndaj saj pretendime territoriale duke e trajtuar si pjesë të Serbisë. Qarqe në Serbi dhe Mal të Zi as shtetësinë e Malit të Zi nuk e konsiderojnë si diçka të qëndrueshme. Në Republika Srpska, entitet serb në Bosnjë e Hercegovinë, vazhdojnë tendencat e shkëputjes dhe kërcënimet me referendum.

BE-ja nuk ka arritur t’i zgjidhë këto dilema, madje i ka ushqyer me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë përmes të cilit i ka rritur iluzionet e Serbisë se Kosova nuk është shtet. Edhe në BE disa nëpunës, kur flasin për “të ardhmen evropiane” thonë se “rajoni i Kosovës, në atë apo këtë mënyrë, do të jetë në BE” dhe me ketë mendojnë “ose si shtet i pavarur ose ndryshe!”. Por nuk ekziston mënyra ndryshe, sepse vetëm shtetet mund të anëtarësohen në BE dhe ato si të tilla duhet të njihen nga të gjitha shtetet ekzistuese anëtare.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i nisur me motivin se Pakoja e Ahtisaarit nuk mund të zbatohet dhe se serbëve dhe Serbisë duhet t’u jepet diçka më shumë sesa që propozoi Ahtisaari, dhe madje duke i garantuar Serbisë se nuk do të kërkohet njohja e Kosovës, ka vënë edhe MSA-në në një pozitë jo të mirë. Në vend që dialogu të jetë në shërbim të Kosovës, Kosova u vu në shërbim të dialogut dhe gjithçka që bëhej në Kosovë duhej të ishte në shërbim të dialogut. Tash kur mendohet se “dialogu solli MSA-në” del që edhe MSA-ja do të jetë në shërbim të dialogut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...