Kthjelluni sa s’është bërë vonë!

3 Nëntor 2015 - 07:48 - Flaka Surroi      

As me MSA, as me UNESCO e as me liberalizim të vizave nuk do të zgjidhet problemi në të cilin është futur Kosova ka mbi një vit e fiu, e posaçërisht në dy muajt e fundit

Lajmi që e shënoi javën qe që nuk pati lotsjellës në Kuvend. Nuk pati nevojë për të, sepse Kuvendi vendosi të mos mbante seancë plenare tjetër, pos solemnes, ku do të dëgjohej adresimi i kryetarit austriak. Zotëria erdhi, foli, dhe u tregoi deputetëve se duhet respektuar Kushtetutën. Tamam si profesori i nderuar që u jep udhëzime për jetën nxënësve të vet para se të dalin në provimin e maturës. Tamam si prindi që u flet fëmijëve, të cilëve u ka hyrë vetja në qejf dhe mendojnë se e mirë është vetëm ajo që e bëjnë apo e thonë ata. Për ata që kishin veshë, ishte kritikë e drejtuar të gjitha palëve të përfshira në bllokadën, të cilën e jetojnë institucionet e Kosovës ka një kohë tashmë.

Lajmi tjetër, pa dyshim, ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit – dhe u bë lajm jo vetëm se u nënshkrua, por edhe për shkak se sikurse e gjithë Kosova, edhe kjo marrëveshje është sui generis. E para, Kosovës iu deshën madje 10 vjet për ta qitur nënshkrimin në këtë dokument, sepse përpjekjet e para kishin nisur në qeverinë Rexhepi, në një zyrë të vockël që e ka pasur emrin me fjalë më shumë seç ka pasur personel në të (udhëhequr nga Venera Hajrullahu, të cilën, natyrisht, askush s’e përmendi gjatë javës që shkoi). E dyta, sepse këtë marrëveshje, në emër të BE-së, do ta miratojë Parlamenti Evropian, e jo parlamentet e shteteve anëtare – për shkak të pesëshes që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Se të gjithë u pajtuan që ky ishte lajm i mirë, ngase paraqiste herën e parë që BE-ja hynte në marrëdhënie kontraktuale me Kosovën dhe se kështu hapej rruga e gjatë drejt fitimit të statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE, nuk mbeti dyshim. Porse jo të gjithë u pajtuan me përmbajtjen e tekstit, i cili u nënshkrua në Strasburg, në një sallë, siç do ta përshkruante korrespondenti ynë, pothuajse të improvizuar dhe pa ceremoni a pompozitet.

Sillemi në rreth

Për t’ia nisur javës mbarë u përkujdes kryeparlamentari që doli para mediave për të thënë se si për faj të opozitës, kryetari austriak nuk do t’i drejtohej Kuvendit me fjalë. Asisoj e paraqiti punën, thuajse burri i botës kishte vendosur ta bojkotonte seancën nga frika se do ta “hante” ndonjë vezë për koke, apo edhe në rastin më të keq, pas goditjes me shishe plastike uji, do të duhej të priste se do t’i ndërpritej fjala për shkak se dikush do ta gjuante një kanaçe me gaz lotsjellës, sa për të vazhduar me traditën. Të nesërmen doli informata se ai megjithatë do të paraqitej me fjalim para kuvendarëve, porse nuk e dëgjuam Veselin tek kërkonte falje për dezinformatën që e kishte servuar një ditë më parë. Lufta speciale vazhdon.

Nga ana tjetër, opozitarët dolën me deklaratë me shkrim, madje edhe e çuan përfaqësuesen e vet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të treguar se e mirëprisnin adresimin e kryetarit austriak, dhe se nuk do ta kundërshtonin ratifikimin e MSA-së. Te kjo e fundit, fillimisht thanë se do të merrnin pjesë në mbledhje, kurse pasi që e kishin analizuar tekstin, kishin vendosur të mos e pengonin mbledhjen me mosardhjen e tyre në bllok.
Esenca vazhdon të mbetet e njëjta: janë qëndrime diametralisht të kundërta në lidhje me Zajednicën dhe me demarkacionin me Malin e Zi. Aty ku koalicioni qeverisës thotë se duhet ecur përpara me obligimet ndërkombëtare, dhe aty ku opozita thotë se ose tërhiqen nënshkrimet, ose organizohet referendumi, ose shkohet në zgjedhje të parakohshme. Dhe e gjithë kjo, kur ende nuk është bërë as viti nga formimi i këtij koalicioni qeverisës dhe ku indikatorët si ekonomikë ashtu edhe të tjerë tregojnë se Kosova po ngec. Edhe më shumë seç është paramenduar ndonjëherë.

Pulsi publik

E indikatorët të cilët i ka nxjerrë në pah studimi i përbashkët i UNDP-së dhe USAID-it, tregojnë se gjërat po shkojnë shumë keq për koalicionin qeverisës. Natyrisht, ata do të thonë se ky është perceptim, pra s’ka të bëjë me realitetin, porse nuk janë në situatë që me lehtësi të tmerrshme, qysh e kanë zakon, ta hedhin poshtë një studim të tillë. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak se në të është përfshirë një agjenci e themeluar nga Qeveria amerikane. Tre indikatorë do të duhej të ishin alarmantë për udhëheqjen kosovare: një, që vetëm 15% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e kryeministrit; dy, se 42% të të anketuarve e shohin protestën si mjet për të bërë presion politik dhe tre, se madje 85% të respondentëve konsiderojnë se proceset demokratike nuk shkojnë si duhet në Kosovë.

E se proceset demokratike nuk shkojnë kurrqysh në Kosovë e dëshmojnë prej kohësh spektri politik kosovar dhe përfaqësuesi i sovranit, Kuvendi. Pra e gjithë historia me nisjen e negociatave në Bruksel; me anashkalimin e Kuvendit; me imponimin e votimit; me shkuarjen në zgjedhje të parakohshme; me manipulimin e Kushtetueses dhe imponimin e formimit të një koalicioni që tashmë njëherë ishte treguar i keq, për ta përfunduar procesin e Brukselit – e ka sjellë situatën këtu ku jemi sot.

Në një mungesë absolute të komunikimit, edhe parlamentar por edhe njerëzor, Kosova është duke iu futur një qorrsokaku për kot, për shkak se ajo nuk po ka fuqi e as intelekt për t’i bërë bashkë të gjithë, me propozime konkrete se si duhet qasur problemit. Apo thënë më mirë, si duhet gjetur zgjidhjen për problemin e krijuar mu për shkak të arrogancës me të cilën u anashkalua Kuvendi në gjithë këtë proces.

Në pritje edhe të një interpretimi sui generis

Ajo që ka dëshmuar edhe mungesë intelekti e edhe fuqie politike praktike për të dalë me modus konkret zgjidhjeje problemi është Jahjaga, me gjithë përkrahjen e 30% të të anketuarve nga raporti i mësipërm. Pra, siç e kemi thënë edhe më parë, Jahjaga i mbajti tri takime të ndara, sa për sy e faqe (me koalicionin qeverisës; me opozitën e bashkuar dhe me minoritetet joserbe) – kinse për ta hapur dialogun ndërmjet palëve. Nuk u bë kurrë e ditur nëse pati tentativë që të bëheshin të gjithë bashkë dhe që kjo në fakt ta merrte rolin e ndërmjetëses, e jo më të lehtësueses, dhe t’i rrihnin çështjet deri në gjetjen e një kompromisi. Ajo që u pa qe cirku i së premtes së shkuar dhe mbajtja e një mbledhjeje absurde në orën 1:30 të mëngjesit, ku ligjet miratoheshin thuajse po kalohej nëpër miratimin e listës së nxënësve sipas emrit në ditar.

Dhe nuk ka dyshim se këtë veprim Jahjaga e bëri për të fituar kohë. Dhe natyrisht, për të marrë këshilla nga miqtë ndërkombëtarë, prej të cilëve me gjasë ka ardhur udhëzimi që t’i qasej Gjykatës Kushtetuese për përgjigje në lidhje me natyrën e Marrëveshjes së dytë të Brukselit. Nuk duhet harruar se qe po Jahjaga ajo që e komplikoi gjithë situatën vjet në verë, kur iu drejtua Kushtetueses me, pak a shumë, pyetje që në gjyqësi njihen si sugjestive, e janë të ndaluara në procedurë. Atëbotë, letra që ia kishin shkruar këshilltarët dhe ekspertët e saj, pothuajse e kishin skicuar zgjidhjen që në atë çast i nevojitej një krahu politik. Duke harruar, në të njëjtën kohë, se vendimi i kësaj natyre që del nga Kushtetuesja shndërrohet në normë. Dhe se tash e mbas, nëse përsëritet një situatë e ngjashme, duhet vepruar njësoj sikurse u veprua vjet.

Një zot e di se çfarë do të thotë Kushtetuesja. Porse është vështirë e besueshme se vendimi do të jetë në favor të opozitës dhe se do të konstatohet, nëse asgjë tjetër, diskriminimi në baza etnike të cilin e përmban në vete vetë Marrëveshja për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. E edhe më e vështirë e besueshme se Kushtetuesja do të vendosë se këto marrëveshje në fakt nuk janë ndërkombëtare, siç e thotë juristi Dren Doli, për shkak se Serbia nuk i sheh të tilla, dhe se për këtë arsye nuk i ka ratifikuar në Kuvendin e vet. Ajo e cila me gjasë do të ndodhë, është se do të dalë një vendim i stilit të Kushtetueses, që nuk do të thotë asgjë dhe që do ta ndezë dritën e gjelbër që të shkohet tutje me ratifikimin e marrëveshjes së dytë. Do të doja shumë që ta kisha gabim.

Pauzë maksimum 60-ditëshe

Rezultati i drejtpërdrejtë i situatës së krijuar në Kuvend dhe i veprimit të Jahjagës, është një pauzë mbase 60-ditëshe, aq sa është përcaktuar maksimumi ligjor për Kushtetuesen të japë përgjigje. Është veprim i bërë për të fituar kohë dhe për marrjen mbase edhe të ndonjë lajmi tjetër të shumëpritur (liberalizimi i vizave) e që më pas të interpretohet si fitore e politikës së mençur të koalicionit qeveritar.

Fakti është se, me gjithë paralajmërimet që u shqiptuan nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë se MSA-ja e miratuar në prill të sivjetmë do të nënshkruhej në verë, kjo nuk ndodhi deri në fund të tetorit. Për më tepër, teksti i miratuar në prill, sipas deputetëve kosovarë, nuk ishte i njëjti me këtë që u nënshkrua. E në këtë që u nënshkrua thuhet se Kosova e merr obligimin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe nëse s’e bën këtë, BE-ja mund të tërhiqet nga kjo marrëveshje. Se pse u nënshkrua midis bllokadës, e nuk u nënshkrua në verë apo edhe në dimër, këtë më së miri e dinë ata që kanë vendosur të nënshkruhet tash. Porse përfundimisht, MSA-ja u shndërrua në karotën me të cilën mëtohet të dëshmohet se përpjekjet për “normalizimin” me Serbinë shpaguhen. Dhe e njëjta gjë, natyrisht, mund të thuhet edhe për UNESCO-n – pavarësisht dëmit që do ta pësojë Kosova po qe se formalizohet autonomia politike dhe territoriale e serbëve.

Esenca mbetet se as me MSA, as me UNESCO e as me liberalizim të vizave nuk do të zgjidhet problemi në të cilin është futur Kosova ka mbi një vjet e fiu, e posaçërisht në dy muajt e fundit. Çështja e asociacionit dhe çështja e demarkacionit nuk do të zgjidhen me veprime unilaterale të asnjërës palë. E nuk do të zgjidhen as problemi i korrupsionit, e as i papunësisë e as i varfërisë – tri nga problemet kyç që i identifikon raporti i UNDP-së dhe i USAID-it. Sepse sa më shumë energji të humbet në luftën e inateve, aq më pëlleshëm bëhet terreni për dallavere, shkelje ligji e mosndëshkim. Për vazhdimin e kësaj që e jetojmë nën udhëheqje kaq të papërgjegjshme, arrogante dhe të padijshme.

Kthjelluni sa s’është bërë vonë!

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...