D-e-m-o-k-r-a-c-i-a

1 Nëntor 2015 - 08:12 - Agron Bajrami      

Në botën perëndimore sot demokracia nuk kuptohet thjesht vetëm si një akt i shprehjes së vullnetit politik përmes votimit, por më shumë si një proces i vazhdueshëm ku pushteti ka mandat të limituar dhe llogaridhënës. Prandaj pyetja që shtrohet është nëse kemi këtë lloj demokracie në Kosovë? Përgjigjja e shkurtër është jo!

A është Kosova shtet demokratik?

Një pyetje e rëndomtë kjo, së cilës një numër i konsiderueshëm i shtetasve kosovarë edhe mund t’i përgjigjet me një “Po” të shpejtë e të prerë, përgjigje kjo me të cilën një pjesë tjetër, po aq e konsiderueshme e shtetasve kosovarë, nuk do të pajtohej fare.

Grupi i parë do të theksojë se në Kosovë pushteti buron nga vota e lirë e qytetarëve, dhe Kushtetuta e definon shtetin si një demokraci parlamentare, ku pushtetet janë të ndara dhe llogaridhënia është e garantuar me ligj.

Grupi i dytë do të kundërshtojë duke thënë se ligjet s’janë asgjë pos fjalë të shkruara në letër që nuk kanë efekt, sepse nuk zbatohen nga pushtetmbajtësit, gjë që krijon, në fakt, një sistem hibrid, të përzier, në të cilin demokracia ekziston vetëm si formalitet, ndërsa në esencë pushteti është diktatorial, që përfundimisht e bën Kosovën të jetë e sunduar nga një - demokraturë.

Demokraci në ndërtim, thonë të parët. Demokraturë në veprim, thonë të dytët.

Dhe, si të vendosim, kush ka të drejtë? A është, pra, Kosova shtet demokratik?

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Dallimi mes demokracisë dhe diktaturës është se në demokraci njeriu së pari voton dhe më pas i merr urdhrat, ndërsa në diktaturë nuk ka nevojë të humbasë kohë duke votuar” - Charles Bukowski.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Përgjigjja në këtë pyetje sigurisht se varet nga pika e kundrimit subjektiv.

Për ata që janë në pushtet apo nën tutelën e tij gota gjithnjë do të jetë gjysmë e mbushur, dhe kjo që jetojmë sigurisht se është moment më i mirë i historisë sonë.

Por, në anën tjetër, ata që janë jashtë qarkut të privilegjeve që krijon pushteti, gotën e shohin gjithnjë gjysmë të zbrazët, dhe si dëshmi citojnë raportet ndërkombëtare si ai i publikuar këtë verë nga “Freedom House”, ku Kosova cilësohet të jetë një shtet me sistem autoritar gjysmë të konsoliduar.

Në këtë pikë edhe përfundon debati, dhe, meqë nuk ka pajtim rreth diagnozës, nuk mund të kërkohet as terapia!

Pyetja (dhe problem) mbetet: A është Kosova shtet demokratik?

Ndoshta gjërat mund të shihen ndryshe nëse ndërrojmë pyetjen.

Andaj, të pyesim kështu: Për çka flasim, kur flasim për demokracinë?

Apo: çka nënkuptojmë kur themi demokraci?

Nëse e përdorim në kuptimin e ngushtë të termit, demokracia nuk është asgjë më shumë sesa një procedurë e lirë votimi, që duhet të prodhojë një pushtet legjitim, i cili përmes votimit të një pjese të qytetarëve fiton mandatin për t’i përfaqësuar të gjithë, zakonisht përmes pjesëmarrjes në Kuvend dhe në Qeveri.

Apo, siç definohet shpesh, “një qeveri e popullit, nga populli, për popullin”.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha të tjerave që tashmë janë provuar” – Winston Churchill

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Por, a mjafton kjo?

Për një pjesë të madhe të asaj që quajmë botë demokratike jo, sepse sistemi modern demokratik shkon përtej procedurës së votimit dhe përfaqësimit politik, i cili, në të kaluarën, ka krijuar atë që në terminologjinë politike njihet si tirani e shumicës.

Demokracia sot ka të bëjë shumë më shumë me raportet që ndërtohen mes pushtetit, opozitës dhe shoqërisë në periudhën mes zgjedhjeve, sesa në vetë zgjedhjet. Demokracia liberale, që dominon te shtetet perëndimore, në fakt, e kufizon mandatin e pushtetarëve me sundimin e ligjit dhe garantimin e të drejtave dhe lirive për individë dhe grupe, posaçërisht ato minoritare, duke e pamundësuar tiraninë e shumicës dhe keqpërdorimin e mandatit.

Kështu, demokracia nuk kuptohet thjesht vetëm si një akt i shprehjes së vullnetit politik përmes votimit, por më shumë si një proces i vazhdueshëm ku pushteti ka mandat të limituar dhe llogaridhënës.

Dhe, tani, të pyesim: Kemi këtë lloj demokracie në Kosovë?

Fatkeqësisht, përgjigjja, bazuar në faktet që janë në dispozicion publik, është negative.

Sepse, në Kosovë edhe më tej në vend të llogaridhënies politikanët në pushtet mbështeten në mandatin e fituar me vota, duke lënë të kuptohet se për pushtetarët dhe politikanët kosovarë koncepti i demokracisë është i një gare që ndodh një herë në katër vjet. Llogaridhënia, madje edhe ajo penale, pothuajse nuk ekziston.

Për këtë arsye, në Kosovë është e mundur që komunat të udhëhiqen nga kryetarë të dënuar për vepra penale, që në Kuvend popullin ta përfaqësojnë persona të dënuar dhe me aktakuza për krime të rënda, që në Qeveri të qeverisin njerëz me aktakuza dhe nën hetime, që shkollat e universitetet të drejtohen nga njerëz të paedukuar e të paarsimuar, që institucionet publike të zaptohen nga politika, dhe që buxheti shtetëror të shpenzohet në qarqe shokësh, familjarësh e bashkëpartiakësh.

Në kësi konteksti, së fundi, kemi parë edhe si deputetët, në emër të përfaqësimit demokratik të popullit, kanë nisur të hedhin edhe gaz lotsjellës brenda institucionit të Kuvendit, derisa pushtetarët, duke u bazuar me arrogancë në mandatin e pakufizuar, instalojnë pushtete partiake në të gjitha sferat e jetës publike, duke ia nënshtruar tërë vendin mediokritetit dhe paaftësisë.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Demokracia është një mekanizëm që siguron se do të qeverisemi jo më mirë se që e meritojmë” - George Bernard Shaw

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Sigurisht, përgjegjësia nuk është veç te uzurpatorët e demokracisë, që investuan aq shumë që krijimin e këtij sistemi, kësaj demokrature, me të cilën ata ia sigurojnë vetes beneficionet e pushtetit, madje edhe kur janë në opozitë.

Përgjegjësia është edhe e qytetarëve, pa pjesëmarrjen e të cilëve nuk mund të ketë demokraci.

Por, kur them pjesëmarrje, nuk mendoj në aktivizëm përmes pjesëmarrjes politike, aq më pak përmes krijimit të një subjekti të ri politik.

Besimi se Kosova do të shpëtohet nga një forcë e re politike, e paprekur dhe e pakorruptuar, e cila do të vijë si rrufe për t’i fshirë prej skenës politike aktorët e tanishëm që kontrollojnë gjithçka, sa është idealist është edhe utopik dhe më shumë i takon domenit të bindjeve religjioze, sikur që është ajo për zbritjen e Mesisë nga qielli, sesa sferës së debatit pragmatik për nevojën e ndryshimeve politike.

Por, nëse sistemi politik nuk është demokratik dhe ai njëkohësisht nuk mund të zhbëhet, do të thotë kjo që demokracia nuk ka të ardhme në Kosovë?

Edhe këtu përgjigjja është jo!

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Demokracia është arti dhe shkenca e menaxhimit të cirkut nga kafazi i majmunit” – H.L. Mencken

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Ndryshimet janë të mundshme dhe demokracia nuk është shans i humbur për Kosovën, sepse atë nuk e bëjnë partitë dhe politika, por qytetarët.

Pra, lufta për të vendosur në Kosovë demokracinë e vërtetë, liberale, varet më shumë nga aktivizmi qytetar në fushat publike, sesa nga përplasjet dhe polemikat politike. Kështu, nëse shoqëria si tërësi arrin t’ia shkëpusë nga kontrolli politikës institucionet publike të arsimit, drejtësisë, shëndetësisë, medias dhe sindikatat, beteja për të vendosur demokracinë në vend të demokraturës nuk do të jetë pa gjasa.

Për ngritjen e demokracisë sot më me rëndësi është beteja për depolitizimin e UP-së sesa beteja politike në Kuvend. Për mposhtjen e sistemit të korruptuar dhe të kriminalizuar politiko-ekonomik më me rëndësi është depolitizimi dhe faktorizimi i sindikatave, sesa rrëzimi i një ministri apo një qeverie. Për instalimin e rendit demokratik më me rëndësi është pavarësimi dhe pastrimi i gjyqësorit, sesa zgjatja e mandatit të EULEX-it apo reforma formale e ligjeve. Për demokracinë më shumë ka rëndësi liria e shprehjes në median publike, sesa liria e fyerjeve publike mes politikanëve.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Qysh thirret sistemi ku njerzit s'guxojnë me thanë atë që po menojnë?” - Troja

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Do të jetë një përpjekje e mundimshme dhe e gjatë, por tjetër rrugë për qytetarët e Kosovës nuk ka.

Nëse duan demokraci të vërtetë, natyrisht!

agronb@kohaditore.com 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...