Ekstremistët po e cenojnë pavarësinë kombëtare

30 Tetor 2015 - 08:16 - Halil Matoshi      

Historia po rizgjohet, ajo po ulërin. Ideologjitë absolutiste të shekullit 20 dhe liderët profetikë mendohej se kishin dalë nga historia. Njërën nga këto, maoizmin, duket se po përpiqet t’ua rikthejë kosovarëve Albin Kurti, lideri shpirtëror i lëvizjes VV. Aktivizmi i tij i frikshëm është legjitimuar së këndejmi nga keqqeverisja, krimi dhe korrupsioni qeveritar që nga paslufta e këtej. Pishtarët e revolucionit janë ndezur, kërcënimet “me gjyqin e popullit” kanë nisur. Armët luftarake (gazi lotsjellës) po sprovohen brenda institucionit kryesor të një demokracie përfaqësuese

Opozita kosovare fillimisht e hetoi se në vend ishte krijuar një masë kritike kundër kësaj Qeverie dhe iu turr asaj duke u mbështetur në këtë ndjesi qytetare.
Mirëpo opozita ndërtoi një kauzë të paqëndrueshme, joreale, në thelb kundër paqes dhe stabilitetit në rajon, e më këtë zmbrapsi qytetarët, duke i shndërruar ata në vëzhgues pasivë të përplasjes në institucionet e shtetit.

Qytetarët, pra, ndonëse mbetën ithtarë të rrëzimit të Qeverisë, ia kthyen shpinën opozitës, ngase në “menynë” e përmbysjeve përfshihej edhe rrëzimi i shtetit!?.
Dhe këtë qytetarët nuk e miratojnë dhe besohet se nuk do ta lejojnë!

Një “demokracie qeverisëse” e shndërruar fillimisht në kleptokraci, e pastaj në një kakistokraci (qeverisje nga qytetarët më të ligj në një shoqëri) në Kosovë, po i kundërvihet “demokracia e demonstratave” e prirë nga lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit, e cila trumbeton dalje nga mjerimi social dhe emancipimin shoqëror, politik dhe kombëtar, porse synim të vetëm e ka të shtie në dorë pushtetin politik.
Kjo intencë duhej të ishte legjitime po të përdorte VV-ja mjete legale dhe demokratike.

Porse organizata e Kurtit ka rrëshqitur thellë në dhunë dhe në pashpresë.
Në favor të kësaj teze flet katërcipërisht vetëm fakti se lëvizja e Kurtit nuk po zgjedh as “shokë të idealit” as mjete, ajo është bashkuar me ata që dje i cilësonte si “hajna të ligës së dytë”, madje partinë e Ramush Haradinajt e quante “parti të zhvatjes dhe të haraçit.”

Një bllok interesash pushtetare dhe jo bllok i “ideve shpëtimtare” për Kosovën e zaptuar nga parapolitika e SHIK-ut dhe tashti e konservuar nga koalicioni qeverisës PDK me LDK-në plus Lista Srpska i është vërsulur Qeverisë së ligjshme (legale) që e ka shumicën në Kuvend, pra po mësyn ta rrënojë parimin e shumicës në demokraci, për t’u ngjitur në pushtet vetë, si forcë e shëndoshë dhe profetike: Për të mos lënë mundësi – siç thonë profetët e rinj të VV-së - për një luftë të re mes serbëve dhe shqiptarëve!

Por, jo.

Nuk është kjo ideja.

Ideja është më globale, në thelb më antiglobalizimit!

Madje, ndonëse serbët në Kosovë nuk kanë një autonomi territoriale, opozita (shqiptare) kosovare me këtë hov po ua vizaton edhe atë, (një hartë e bërë grafikisht në stilin e ISIS-it!?) në projektin e Asociacionit, edhe pse aty nuk flitet për një territor kompakt e të pavarur nga Prishtina, por vetëm për autonomi kulturore/arsimore/shëndetësore dhe personale.

Dhe kur u thua “komisarëve” të Lëvizjes së Kurtit se ata po i humbin votuesit dhe simpatizantët, të thonë se nuk janë në luftë për imazh dhe për vota, ngase fare nuk u mërzitkan për këtë, përderisa duan zgjedhje të jashtëzakonshme dhe duan pushtet politik, kinse për ta ndrequr Republikën!?

Dhe kur ua përmend kundërshtimin e Republikës që nga Rambouillet, procesi i Vjenës, Pakoja e Ahtisaarit, Kushtetuta, e deri tek procesi negociator i Brukselit dhe sidomos rendi simbolik i Republikës, që kinse po e mbrojtkan, ata të thonë se Republika nuk është bërë, se flamuri kosovar është një leckë pa histori!?
Se nuk ekziston shteti kosovar.

E kur i pyet se çfarë do të bëjnë nëse Qeveria bie dhe shpallen zgjedhjet e lira, dhe në ato zgjedhje Lëvizja e Kurtit sërish mbetet pakicë jorelevante në Kuvend, kurse PDK-ja e LDK-ja eventualisht i fitojnë zgjedhjet, ata të thonë se sërish do të kryengriten dhe do ta rrëzojnë pushtetin!?

Precedent i tmerrshëm.

Mos u bëftë normë, ligj…ngase tek shqiptarët përgjithësisht e tek kosovarët në veçanti asnjëherë nuk është etabluar ideja themeltare e demokracisë, se rotacioni i pushtetit duhet të ndodhë pa dhimbje përmes zgjedhjeve të lira.

Janë sprovuar tashmë edhe modele të përmbysjeve të dhunshme.

Ata që kanë kujtesë ende tmerrohen nga pamjet e bandave të armatosura rrugëve të Shqipërisë më 1997.

Ata që nuk kanë respekt për luftën njëshekullore për Republikën e Kosovës dhe dhembje për qytetarët e lodhur e të pashpresë, ata njerëzit i shohin vetëm si numra ose edhe më thjesht si vegla në duart e tyre, e për qëllime “të larta” sociale dhe kombëtare, të cilat në Kosovë mund të kenë një kosto shkatërrimtare.

Duket ashiqare se në “punëtoritë teorike” të organizatës që veten po e identifikon si VeVe (“Revolucioni i vezëve”), ideja e revolucionit permanent trockist po rikthehet.

Po ashtu, pa pyetur për çmimin që do ta paguajnë qytetarët.
E qytetarët askush nuk po i pyet për asgjë.

Derisa në Mal të Zi opozita po fshihet prapa kauzës së “pensionimit” të Milo Gjukanoviqit dhe klanit të tij, shumëkush në rajon dhe më gjerë po e shohin këtë “kryengritje” si lëvizje proserbe dhe kundër forcave pro pavarësisë.

Mirëpo nëse shprush pak më thellë nxjerrin krye edhe ide ataviste kundër NATO-s, shkurt e shqip idetë proruse karshi Ballkanit.

Në Kosovë së këndejmi bllokimi i institucioneve nga opozita teknikisht e ka emrin e Asociacionit dhe demarkacionit, mirëpo në sfond mund të vërehen thonjtë në vetë idenë e një Republike të pavarur të Kosovës, si projekt perëndimor.

E kjo intencë ka nisur me refuzimin e parimit të shtetit shumetnik, (VV-ja angazhohet për bashkim me Shqipërinë) pa e vërejtur faktin se kjo ide e ndan Kosovën dhe e legjitimon kërkesën e serbëve kosovarë për t’iu bashkëngjitur Serbisë me gjithë një pjesë të territorit të Kosovës.

Lëvizja “Vetëvendosje” në planin ideologjik (në vazhdën e metarrëfimeve të shekullit 20) po e mësyn edhe hapjen e frontit ogurzi të kundërvënies globalizimit, “imperializmit amerikan.”

Qe pra përse qytetarët e Kosovës janë neutralë!?

Dhe kjo është ok.

Dhe kur i thonë të nisë debat demokratik madje edhe negociata, ai irritohet: Kurrë!
Pra, Kurti ka nisur realizimin e “fazës së fundit të Revolucionit”.

Përmbysjen.

Lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti, ka kryer vepër penale të dënueshme sipas ligjeve të Kosovës dhe për këtë duhet të përgjigjet. Dhe nëse ai nuk përgjigjet, do t’i shkruhet edhe kjo në biografinë e tij politike si intencë e forcimit të gjyqësisë selektive dhe kthim nga kultura e mosndëshkimit të krimit, me gjithë faktin se ai deklarativisht angazhohet për vendosjen e shtetit ligjor.

Po cilit shtet se?

Nëse tashmë është vonë për debat parlamentar dhe tryezë politike mes liderëve të subjekteve parlamentare dhe shoqërisë civile, dërgimi “i lëndës” për një interpretim këshillues në Komisionin e Venedikut dhe moratorium i përkohshëm në Marrëveshjen për Asociacionin, ose edhe marrëveshja për zgjedhje të jashtëzakonshme, pa rënie të Qeverisë, pas shtatë-tetë muajve (sa u duhet partive dhe shoqërisë për t’u përgatitur) do të ishin “zgjidhje” para secilës formë të përplasjes civile në vend.

Ndoshta tërheqja e Isa Mustafës është hapi i parë shtensionues (për ikjen e tij ka konsensus të gjerë shoqëror) do t’i jepte hapësirë opozitës për reflektim.

Nga kjo ikje e Mustafës besohet se do të përfitojë edhe vetë partia e tij, LDK, e cila është në target nga të gjitha palët, që përfundimisht të nxirret nga historia politike e Kosovës, dhe madje sa më palavdishëm!

Vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme vitin e ardhshëm, me marrëveshje, mund të jenë dalje me faqe të bardhë nga qorrsokaku ku e ka futur Kosovën kjo klasë politike gjatë dhe pas krizës institucionale të vitit të kaluar, “tradhtia” e Isa Mustafës ndaj bllokut V-LAN dhe koalicioni i panatyrshëm PDK me LDK + Lista Srpska.

Dhuna është e papranueshme në secilën pamje të saj, edhe kur dikujt i bëhet se regjimi e meriton dhe sidomos dhuna është e papranueshme nëse dikush e akcepton si hakmarrje dhe goditje të të gjithëve që e kanë mbështetur atë regjim.
Me këto veprime opozita ka humbur simpatinë e qytetarëve.

Qytetarët kosovarë për habinë e Kurtit dhe revolucionarëve rreth tij janë neutralë, nuk po e mbështesin opozitën, por as nuk po e mbrojnë pushtetin.

Opozita po bën propagandë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke nxitur pasione ndëretnike për ta paraqitur imazhin e kosovarit tipik para ndërkombëtarëve si antiserb!?

Dhe në këtë mesele fle djalli.

Nocioni “Zajednica” po përdoret dendur nga opozita për t’i yshtur pasionet antiserbe të shumë shqiptarëve, që sa më shumë qytetarë joserbë ta nënshkruajnë peticionin, që është kundër diçkaje, por jo për diçka më të mirë, së paku jo për jetën më të mirë të tyre dhe familjeve!?

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli vazhdoi lojën e tij të dyfishtë, duke qenë se vjen në politikë nga spiunazhi, e presidentja e vendit tashmë është jashtë loje, sepse hamendet duke mos ditur se cilën anë ta mbajë.

I pari baravatet t’i krijojë vetes kredi para faktorit ndërkombëtar, që nëse vjen puna deri te përplasja do të angazhohej për ta rikthyer paqen dhe stabilitetin në Kosovë si këmbim që eventualisht t’i hiqet aktakuza nga Gjykata Speciale (nëse mund të jetë i akuzuar) dhe përbrenda të luajë lojën e heroit të sapodalë në dritë, duke qenë se “ishte në hijen” e abuzuesit me pushtetin Hashim Thaçi & Friends!

Kurse e dyta, presidentja pa presidencë, ajo s’ka zë, s’ka autoritet dhe s’e dëgjon më kush.

Por edhe parapëlqen oportunitetin që, eventualisht, si e papërzier në “rrahje masive” të kandidojë sërish për ta marrë edhe një mandat në atë post nga i cili as s’të lyp punë, as mendim kush!???

E sipas nenit 84 të Kushtetutës, pika 2, ajo do të duhej që të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve.

E aty ku përdoren armë kimike (gaz lotsjellës) aty përfundon demokracia dhe nis diktati.

Asaj gruaje i është thënë nga bosët e politikës kosovare që të heshtë dhe ajo është e dëgjueshme, po hesht!

Presidentja së voni e nisi edhe një përballje pingpongu me Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar nga ajo interpretimin e të painterpretueshmes, sipas një vendimi të vitit 2013, me kërkesën e Visar Ymerit dhe 11 deputetëve të tjerë, kur Kushtetuesja e pati dhënë përgjigjen se nuk ka juridiksion mbi këtë materie.

E çfarë dreqin kërkon tash presidentja e shtetit?

Humbjen e dy muajve kot apo thjesht bela mes qytetarëve dhe opozitës, nga e cila ajo mëton të dalë më e fortë!?

Loja në Kuvend është e dyfishtë.

Ndërsa diplomatët ende hapur janë në anën e shumicës qeverisëse.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, pas një takimi me presidenten Atifete Jahjaga, lidhur me krizën politike në vend, në një deklarim për media, ka kritikuar ashpër veprimet e opozitës, duke thënë se kjo situatë e dërgon vendin drejt izolimit.

Kështu thanë edhe gjermanët, britanikët, shtetet e Quintit.

Së fundi amerikani Delawie madje u lumturua me mbajtjen e një seance në një sallë të improvizuar të Kuvendit, pas mesnatës dhe me një agjendë “të shëmtuar” – miratimin e Ligjit për shëndetin mental!?

Ngase amerikanëve po u sosej durimi me lojën e dyfishtë të PDK-së dhe thirrja e seancës në aso kushtesh duket të jetë sfidim dhe testim i besnikërisë së Thaçit & Veselit, sikur atyre po u bëhej pyetja themeltare: “Jeni me ne apo me Vetëvendosjen!”?

Kosovarët duhet të dinë si ta mbrojnë Republikën e tyre, përndryshe, ata sërish, me qindra e mijëra do ta kenë fatin që të jetojnë nën tendat e UNHCR-it në të gjithë rajonin, që nga Mali i Zi e Maqedonia deri thellë në jugun shqiptar…

Sepse as në Shqipërinë e varfër askush nuk është aq entuziast sa t’i presë me lule sivëllezërit kosovarë, të cilët i priti dhe ushqeu njëherë, kur u dëbuan nga atdheu i tyre - pa fajin e tyre.

Jo më, sepse e kanë (patën?) mundësinë për një jetë normale në shtetin e tyre sovran –Projekt ndërkombëtar dhe i (mirë)mbajtur nga trupat e NATO-s!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...