Një dramë dhe shumë manipulues

29 Tetor 2015 - 08:23 - Enver Robelli      

“Në Kosovë po krijohet ‘Republika Srpska’”, “Kosova po ndahet”, “Kosova po copëtohet” – rreth Bashkësisë së komunave serbe po manipulohet në mënyra të ndryshme. Rrugëdalja e vetme nga ky tmerr është dialogu ndërshqiptar mes Vërmicës dhe Mitrovicës.

Gjuha përherë të tradhton. Mënyra si flasin politikanët dhe si e arsyetojnë një çështje të caktuar tregon edhe nivelin e tyre. Skenat që i kemi parë javëve të fundit në Kuvendin e Kosovës, prej se Albin Kurti me shokët e tij e zbuloi gazin lotsjellës si mjet të garës politike, po ashtu tregojnë për një krizë të thellë të besimit që ekziston jo vetëm mes protagonistëve të politikës në pushtet dhe në opozitë.

Kriza e besimit ka ndarë, përçarë dhe polarizuar shoqërinë në një çështje tejet delikate: bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, për kompetencat e tyre në komunë dhe për mundësitë e koordinimit politik që do të kenë në nivel të Bashkësisë së komunave serbe brenda Kosovës.

Me këtë temë populistët e politikës shqiptare shpresojnë se mund t’i ndezin emocionet turbopatriotike pa shumë mundim. Dhe në këtë drejtim – sërish duhet thënë – gjuha i tradhton populistët. Lëvizja “Vetëvendosje”, për shembull, për të ngjallur ndjenja negative nuk flet për Bashkësi komunash serbe, por në mënyrë konsekuente për “Zajednicë”.

Me këtë fjalë në gjuhën serbe synohet të ndizet alarmi se “Kosova po ndahet”, se “Serbia hyri në Kosovë”, se “Republika e Kosovës u zhbë...”, se “Republika Srpska po duket në horizont”. Madje “Zajednicë” kanë nisur ta quajnë Bashkësinë e komunave serbe edhe boshkobuhat e Tiranës, që janë shumë të zellshëm të japin kurse e leksione për patriotizëm në Prishtinë dhe të njollosin secilin që nuk u duartroket britmave të tyre.

Të paktë janë ata që e kanë lexuar Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe. Edhe më të paktë janë ata që e kanë lexuar me qëllim që atë t’ua shpjegojnë qytetarëve të Kosovës – pa paragjykime dhe pa idealizim të saj. Lëvizja “Vetëvendosje” është kapur për fjalën “Zajednicë” dhe ka shpërndarë harta të zeza të Kosovës, ku komunat serbe dallohen me ngjyrë të bardhë.

Me këtë mashtrim optik krijohet përshtypja se Kosovën tonë të dashur e mori djalli, sepse është bërë lëkurë leopardi, ku në çdo cep është futur një pykë serbe dhe herët a vonë ky shtet do të fundoset. Kjo logjikë fataliste mund të shërbejë për momentin si fitil për të acaruar situatën në Kosovë, por ardhmëri nuk ka, as gjasa të mobilizojë popullin.

Është fatale që lëvizja “Vetëvendosje” më këmbëngulëse, më e zhurmshme, më agresive tregohet kur bëhet fjalë për minoritetin serb – shih rastin Jablanoviq. Deklarata e tij për banorët e Gjakovës ishte e papranueshme dhe ai duhej larguar nga Qeveria, por deklarata po ashtu skandaloze kundër serbëve në tërësi kanë dhënë edhe politikanë kosovarë dhe askush nuk është tërhequr nga posti.

Hajde tash të shohim si duket gjendja në terren sa i përket pakicës serbe. Fshatrat serbe në rrethinë të Prishtinës dalëngadalë po albanizohen, sepse bujqit serbë prej vitesh po i shesin pronat e tyre. Brenda natës prej varfanjakëve me opinga ata po shndërrohen në milionerë dhe po ikin në Serbi.

Si dukej Çagllavica më 1999, 2000 dhe 2001, dhe si duket në vitin 2015? Dikur ishte zonë e ndaluar për shqiptarët, sot meraklinjtë e rakisë dhe djathit të mirë shkojnë nga Prishtina në lokalet që i drejtojnë serbët dhe partnerët e tyre shqiptarë në Çagllavicë. Të mos flasim këtu për dhjetëra ndërmarrje dhe shtëpi private që kanë blerë shqiptarët në këtë fshat.

Në vitin 1999 kush vinte nga Gjilani në Prishtinë duhej të merrte rrugën nga Mramori ose të kalonte nën mbrojtje të trupave të KFOR-it nëpër Graçanicë. Në vitin 2015 qejflinjtë e Prishtinës shkojnë për të notuar në pishinën e një hoteli modern në Graçanicë, të cilin e ka projektuar një arkitekt shqiptar nga Zvicra. Pronar i kësaj bujtine është një zviceran dhe pijet e ushqimin i shërbejnë edhe kamerierët romë. Fshatrat serbe duken si pika uji në detin e madh shqiptar. Kosova nuk është Bosnjë-Hercegovinë sa i përket përbërjes së ndryshme etnike.

A keni dëgjuar ndonjë lajm viteve të fundit për tensione mes serbëve dhe shqiptarëve në Rahovec? Apo në rrethinën e Pejës? Në Shtërpcë mund të ketë pak zhurmë nga serbët lokalë në lidhje me projektet për Brezovicën, por viteve të fundit grindja më e madhe mes serbëve dhe shqiptarëve në Shtërpcë dhe fshatrat përreth është zhvilluar rreth cilësisë së rakisë, mishit të derrit të egër dhe mjaltit. Pak a shumë njëjtë është situata edhe në Anamoravë, ku pakica serbe banon në fshatra relativisht të mëdha. Por, edhe atje ka shembuj të tjerë: një biznesmen shqiptar ka aq fuqi financiare, saqë shkon dhe e blen një mëhallë të tërë të serbëve, të cilët shohin perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre në Serbi.

Të gjitha këto kanë ndodhur brenda 15 vjetësh. Sa për krahasim: Muri i Berlinit ka qëndruar gati 40 vjet. Para disa vjetësh tingëllonte absurde kur një gazetar gjerman shkruante se brenda 50 vjetësh numri i serbëve në Kosovë do të bjerë në mënyrë drastike, sot kjo duket realiste. Para disa vjetësh nuk mund të imagjinohej se ata që qëndronin pas kriminelëve serbë që gjoja ruanin urën e Mitrovicës do të hynin në Kuvendin e Kosovës, i cili punon sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kjo është pak a shumë ngjashëm me Bundestagun gjerman: edhe aty ka deputetë komunistë që kanë miratuar ekzistimin e Murit të Berlinit. A mund ta rrezikojnë Kosovën 50 mijë serbë të veriut? Ndoshta. Por kjo mbetet për t’u parë, veçanërisht pas sinjaleve nga Brukseli dhe Berlini se gjatë negociatave për kapitullin 35 për anëtarësim në BE, Serbia duhet ta pranojë se pas Rashkës fillon Republika e Kosovës.

Thirrjet për të rrëzuar Bashkësinë e komunave serbe duke organizuar referendum vetëm sa mund ta ndërlikojnë situatën. Njerëzit nuk do të votojnë për apo kundër Bashkësisë së komunave serbe, por me bark do të “votojnë” kundër Serbisë – dhe përse të përbuzeshin për këtë, kur dihet sa krimin e ka kryer Serbia në Kosovë që nga viti 1912. Kosova është demokraci reprezentative dhe jo direkte, andaj klasa politike e Kosovës duhet të jetë në gjendje që përmes dialogut ndërshqiptar të marrë qëndrim për këtë çështje. Fundja, edhe një demokraci direkte aq e përsosur si ajo e Zvicrës nuk funksionon pa probleme.

Nganjëherë edhe populli gabon. Populli, përkundër bindjes së kundërt të Albin Kurtit, nuk është i pagabueshëm. Popullin mund ta manipulojnë populistët. Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ka ngjallur aq shumë shpresa ndër qytetarët e Kosovës si forcë e re politike, duhet të distancohet nga ky lloj i bërjes së politikës. Dhimbjet e adoleshencës VV do të duhej t’i ketë kaluar. Fushata me gënjeshtra kundër kryeministrit Isa Mustafa se ky “po e shet Kosovën”, kur rrugën deri te marrëveshja për Bashkësinë e komunave serbe e ka shtruar Hashim Thaçi me mbështetjen e përzemërt të pronë-partisë së Ramush Haradinajt, flet më shumë për stilin politik të Kurtit, i cili para një viti dëshironte të krijonte qeveri pikërisht me Mustafën.

Ky tash u bë “ministër i Rrahman Morinës” pa qenë kurrë i tillë. Kjo propagandë nuk bëhet vetëm nga vogëlushët e “Vetëvendosjes”, por edhe nga disa pleq senilë dhe baballarë të rrejshëm të kombit që jo vetëm në rini, por edhe tani glorifikojnë figurën e vrasësit të madh të kombit shqiptar, Enver Hoxhës. Që të dihet: ky ka vrarë e burgosur po aq shqiptarë sa regjimet serbe. Është e pandershme, e pamoralshme, kriminale që figura e tij të lartësohet, është absurde që ish-të burgosur politikë sakrificën e tyre ta mbështjellin me propagandë staliniste.

Isa Mustafa meriton të kritikohet rreptë. Madje edhe të përbuzet për qeverisjen e keqe, për sjelljet prej grindaveci ndaj çdo kritiku, për dështimet e tij në menaxhimin e problemeve të Prishtinës, për mosluftimin dhe me gjasë edhe lejimin e korrupsionit në Komunë, për mosrealizimin e premtimit për reformim të LDK-së, për mashtrimin e opinionit se nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në. Por ata që e kanë mendjen e kthjellët dhe nuk janë verbuar e dinë se plani për përzënien e Hashim Thaçit në opozitë dështoi edhe për shkak të ambicieve prej elefanti të Ramush Haradinajt, i cili duke qenë në krye të partisë së katërt në vend me çdo kusht dëshironte të bëhej kryeministër. Kjo ka ndodhur njëherë, kur Ibrahim Rugova për të ndalur vrasjet në Dukagjin mes klanit Haradinaj dhe strukturave të FARK-ut bëri “një marrëveshje për paqe” me AAK-në dhe pronarin e saj.

Që nga ajo kohë Haradinaj ka kaluar nëpër periudha të vështira personale, për shkak të dyshimeve se ka kryer krime lufte. Është liruar në mungesë provash. Gjatë kohës së kaluar në burg ai do të duhej të ishte pjekur jo vetëm politikisht, por edhe si njeri. Skenat që ia ofroi ai Kosovës të premten e kaluar, ku me gjasë i gostiste me raki miqtë e tij në Parlament, tregojnë shumë për antimodelin kulturor dhe politik, të cilin e përfaqëson ai. Me politikanë të tillë Kosova nuk ka ardhmëri të mirë.

Sa konsekuent është Haradinaj në qëndrimet e tij politike tregon edhe ky fakt: sapo u bë kryeministër ai ia dha një intervistë gazetës austriake “Der Standard” dhe tha se edhe shqiptarët duhet t’i kërkojnë falje Serbisë për krime. Atëbotë pothuaj asnjë ish-lider serb nuk ishte dënuar për krimet e kryera në Kosovë.

Kjo ndodhi tek disa vjet më vonë. Përse e bënte këtë deklaratë Haradinaj atëbotë? Sepse si të gjithë politikanët e të ashtuquajturit “krah i luftës” përpiqej të dëshmohej para bashkësisë ndërkombëtare si primadonë e moderuar, si njeri i tolerancës, paqes, bashkëpunimit. Vjen një moment kur maskat bien publikisht dhe në skenë mbetet komandanti sypatrembur me një shishe raki të kontrabanduar në Kuvend.

Një rol të mjerë në procesin e negociatave me Serbinë e ka luajtur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. I ka miratuar të gjitha marrëveshjet qorrazi dhe duke besuar se Hashim Thaçi do të digjet prej tyre dhe do të jetë i detyruar të ballafaqohet me opozitën. Kjo është tipike për LDK-në: nuk merr përgjegjësi gati për asgjë, nuk ka kuadro për t’iu dalë zot punëve të vështira, por me qejf shet mend si “parti intelektualësh”. Kjo parti e mençur s’arrin të menaxhojë madje as profilin në “Facebook” të kryetarit të saj. Janë të paaftë, por nuk janë njerëz të Serbisë, as projugosllavë, siç po lehin poshtë e lartë nxënësit faqezinj të xhelatit Enver Hoxha në Prishtinë.

LDK-ja ka bërë shumë gabime, por LDK-ja pas luftës e ka shpëtuar vendin nga lufta civile, vëllavrasëse. Kësaj partie i janë vrarë dhjetëra aktivistë dhe nuk ka kundërgoditur – ndonëse e kishte shumicën e popullit pas vetes dhe fitonte rreth 60 për qind të votave. Do të ishte e ndershme që lëvizja “Vetëvendosje” me vendosmëri të kërkonte zbardhjen e këtyre vrasjeve. E keni dëgjuar Albin Kurtin duke kërkuar eksplicit gjetjen e vrasësve të Xhemail Mustafës? Apo të Smajl Hajdarajt, i cili ishte funksionar i LDK-së, por edhe komandant rajonal i UÇK-së? Jo. Albin Kurti ka punë më të mëdha, ka ideale hyjnore, ta zëmë si ta bashkojë Llapin me Leskovik – ndërkohë mijëra kosovarë u shkrinë nga lezeti duke shkuar çdo fundjavë herë në Durrës, herë në Tiranë, herë në Fishtë për të ngrënë mirë dhe për t’u argëtuar. Shqiptarët janë bashkuar, sepse nuk ka më asnjë barrierë për të njohur njëri-tjetrin, për të zhvilluar tregti, për t’u dashuruar, nëse doni, për të realizuar projekte të përbashkëta aty ku përputhen interesat.

Të gjithë këta që u përmenden në këtë tekst – Kurti, Mustafa, Haradinaj – bartin përgjegjësi për këtë situatë të rëndë të krijuar në Kosovë. Por kryefajtori e ka një emër: Hashim Thaçi. Kam shkruar gati një dekadë kundër deformimeve të pushtetit dhe kulturës pseudopolitike që përfaqëson Thaçi, dhe këtu s’dua t’i përsëris ato që i kam thënë, shpeshherë me gjuhë meritueshëm të ashpër. Vetëm një politikan i papërgjegjshëm si Thaçi, i cili për të mbetur në pushtet është i gatshëm ta bëjë president të Kosovës edhe emisarin e Moskës dhe të dërguarin e vozhdit serb, mund të zhvillojë bisedime me Serbinë pa arritur një pajtim të tërë spektrit politik shqiptar. E kemi parë që edhe lëvizja “Vetëvendosje”, e cila di t’ua plasë zemrat edhe mbështetësve më të sinqertë, nuk i ka përjashtuar bisedimet me Serbinë.

Thaçi i hyri vetë kësaj aventure për të fituar poenë te ndërkombëtarët dhe për të shpëtuar lëkurën e vet, sidomos pas publikimit të raportit të rrezikshëm të Dick Martytit. Këtë lojë bixhozi me fatin e Kosovës ai dëshiron ta vazhdojë, madje tash edhe me shpresa se do të bëhet president i Kosovës. Me një parti qesharake si LDK edhe mund të bëhet.

Po të ishin të interesuar për t’i mbrojtur interesat e Kosovës siç janë të interesuar t’i mbushin xhepat e vet nga arka e shtetit, politikanët sundues të Kosovës do të angazhonin ekspertët më të mirë të administrimit lokal dhe do të shikonin modelin kroat: edhe Kroacia ka lejuar, pas luftës dhe nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, që komunat serbe në kufi me Serbinë të kenë një këshill konsultativ. Nga ky këshill nuk është fundosur Kroacia. Tani fatalistët shqiptarë mund të thonë: “Ne nuk jemi Kroaci”. Bëhuni Kroaci, sepse keni kërkuar shtet.

Dhe shteti nuk është vetëm tender i KEK-ut dhe policë e sigurimit në kufi. (Qe një ide për ‘Vetëvendosjen’: në dhjetor, kur diaspora të vijë në Kosovë, dilni në kufi dhe hiqni barakat për plaçkitje, të cilat menaxhohen nga familjet Thaçi dhe Pacolli: shqiptarët e diasporës, që për çdo vit dërgojnë në këtë vend rreth një miliard euro, nuk duhet të plaçkiten më). Ka edhe tema të tjera: për shembull korrupsioni. Krimi i organizuar. Administrata e dobët. Përfundimisht kauzë e VV-së nuk është çlirimi i Çamërisë nga Prishtina.

Është detyrë e qytetarëve të Kosovës dhe e politikanëve që e duan këtë shtet të gjejnë rrugëdalje të padhunshme nga kjo situatë e rëndë dhe të ndalin trendin negativ. Tregu politik është i hapur. Madje edhe për një parti të re për të gjithë ata që kanë ambicie politike të hapura apo të fshehura.

Bashkësia e komunave serbe është një sfidë për Kosovën, por jo më e vështira. Më e vështira është të ndërtosh një shtet funksional që lufton krimin dhe korrupsionin, si dhe zhvillon ekonominë. Për ta bërë këtë duhet të kemi politikanë me mendje të shëndoshë. Tash që Ligji për shëndetin mental u miratua, mbetet të shpresojmë.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...