Teori konspiracioni edhe për raportet e progresit

28 Tetor 2015 - 08:24 - Augustin Palokaj      

Në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit ekziston bindja se janë zhvillimet pikërisht në ato vende që kanë bërë të shtyhet Raporti i Progresit. Në Kosovë për shkak të krizën në Kuvend, në Mal të Zi për shkak të protestave, në Maqedoni për shkak të krizës në zbatimin e marrëveshjes mes partive politike, në Shqipëri për shkak të CEZ-it apo “dekriminalizimit”, në Serbi për shkak të “kapitullit 35”, në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të kërcënimit me referendum në entitetin Republika Sërpska. Por duket se e vërteta është se Raporti i Progresit është shtyrë për shkak të Turqisë, për të pritur zhvillimin e zgjedhjeve dhe për të zbutur pak gjuhën kritike ndaj Qeverisë turke, në kohën kur BE-ja tash pret ndihmë nga Ankaraja për ta ndalur valën e refugjatëve.

Nuk ka ndonjë zhvillim më të rëndësishëm në Bashkimin Evropian për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit - as për qeveritë, as për opozitën e as për opinionin - sesa paketa vjetore e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit për këto vende. Qeveritë e vendeve kandidate, apo kandidatët potencialë, i presin zakonisht me një dozë stresi këto raporte, duke e ditur se Komisioni Evropian do të kritikojë për mungesë të rezultateve konkrete në reforma.

Mundohen kështu fokusin ta vënë mbi pjesët pozitive të raportit, ndërsa ato negative dhe problemet e identifikuara i quajnë si “sfida me të cilat do të merren në të ardhmen”. Opozita i pret me padurim kritikat që t’i shfrytëzojë për të akuzuar edhe më shumë qeverinë.

Shoqëria civile dhe mediat, së paku ato që nuk mbajnë anë, raportojnë realitetin, duke u fokusuar më shumë në pikat më kritike të cilat më së shpeshti janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politizimi i gjyqësorit dhe i shërbimeve publike dhe problemet ekonomike. Këto janë edhe kriteret kryesore në bazë të të cilave edhe varet ecja e një vendi në procesin e zgjerimit drejt anëtarësimit në BE.

Kureshtja për raportet e progresit nuk ka munguar as këtë vit në vendet e rajonit. Ndërsa, sikur edhe vitin e shkuar, nga mediat e vendeve anëtare të BE-së nuk ka pasur ndonjë interes. Në Komisionin Evropian ishte paralajmëruar qëmoti se Strategjia e Zgjerimit dhe Raporti i Progresit do të miratohen më datën 14 tetor, dhe atë ditë edhe të publikohen.

Por kjo gjë nuk ndodhi.
Dhe, sapo u mor vesh se nuk do të nxirren raportet e progresit këtë ditë nisën spekulimet se pse ka ndodhur kjo gjë.
Nga Komisioni Evropian shtyrja e publikimit të Raportit të Progresit ishte arsyetuar me “interesin e fuqishëm të presidentit Jean Clauder Juncker dhe të kolegjit që paketa e zgjerimit të ketë vëmendjen e merituar të mediumeve dhe publikut”. Javën ku duhej të ishte miratuar Raporti i Progresit zhvillohej takimi i Këshillit Evropian, ku shefat e shteteve apo të qeverive të vendeve anëtare kanë pasur në fokus emigrimin, sfidën më të madhe me të cilën BE-ja po përballet në këtë moment, prandaj ishte preferuar që të shtyhej publikimi i Raportit të Progresit, së pari për një javë e më vonë për dy, tri, ndërsa tash nuk dihet a do të miratohet me 5 nëntor apo edhe më vonë. Kjo, sipas Komisionit Evropian, me qëllimin “për të siguruar që të ketë vëmendjen e duhur të mediave”.

Kjo do të jetë paketa e parë e zgjerimit në mandatin e Komisionit të ri të Jean Claude Junckerit. Presidenti Juncker, edhe para se të zgjidhej në këtë post e edhe pasi nisi mandatin, ka thënë qartë se nuk pret të ketë zgjerim të BE-së gjatë mandatit të tij pesëvjeçar. Kjo deklaratë e tij ishte kritikuar, por tashmë është e qartë se procesi i zgjerimit ka rënë në plan të dytë në agjendën e BE-së, e cila është e ngarkuar me sfida dhe prioritete të tjera.

Në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit ekziston bindja se zhvillimet pikërisht në ato vende kanë bërë që të shtyhet Raporti i Progresit. Në Kosovë për shkak të krizën në Kuvend, në Mal të Zi për shkak të protestave, në Maqedoni për shkak të krizës në zbatimin e marrëveshjes mes partive politike, në Shqipëri për shkak të CEZ-it apo “dekriminalizimit”, në Serbi për shkak të “kapitullit 35”, në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të kërcënimit me referendum në entitetin Republika Srpska.

Por duket se e vërteta është se Raporti i Progresit është shtyrë për shkak të Turqisë, për të pritur zhvillimin e zgjedhjeve dhe për të zbutur pak gjuhën kritike ndaj Qeverisë turke, në kohën kur BE-ja tash pret ndihmë nga Ankaraja për ta ndalur valën e refugjatëve.

Dhe kur BE-ja ka vërtet nevojë për dikë, sikur ka tash për Turqinë, atëherë edhe janë më të kujdesshëm dhe hezitojnë ta kritikojnë shumë. Kështu tash përnjëherë në Bruksel, pas gati dy vjetësh pauzë, ka vullnet për të “energjizuar” procesin e negociatave me Turqinë, që do të thotë hapja e kapitujve të rinj të negociatave. Turqia i kishte nisur negociatat para dhjetë vjetësh, së bashku me Kroacinë, e cila tashmë është anëtare e BE-së për më shumë se dy vjet, ndërsa Turqia ka hapur vetëm 14 nga 35 kapituj dhe ka mbyllur vetëm një.

Disa do të thoshin “pse atëherë nuk u miratuan raportet për vendet e Ballkanit?” dhe të vonohet vetëm ai për Turqinë. Kjo për shkak se krahas raporteve individuale të progresit miratohet edhe strategjia e zgjerimit, dhe kjo nuk mund të bëhet pa përfshirë Turqinë, vendin më të madh, i cili është edhe vendi me stazhin më të gjatë në profilin e zgjerimit të BE-së.

Arsyetimi i Komisionit Evropian se kinse vonesat e Raportit të Progresit nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet turke, por vetëm me agjendën e Komisionit, mund të jenë të besueshme një herë, ndoshta dy herë, por jo edhe tri a katër herë. Zakonisht Komisioni takohet çdo të mërkurë dhe atë ditë edhe miratohen dokumentet. Pse atëherë nuk u miratuan më 21 tetor. Një prej arsyetimeve ishte se atë ditë në Madrid zhvillohej samiti i Partisë Popullore Evropiane (EPP), pjesë e së cilës janë pothuajse gjysma e komisarëve të BE-së, përfshirë edhe presidentin Juncker, dhe ata ishin atje. Por edhe atë ditë u takua Kolegji i Komisionit në Bruksel dhe nuk ishin në agjendë këto raporte të progresit. Pse jo atëherë më datën 28 tetor. Për shkak se këtë ditë në agjendë janë disa tema të rëndësishme financiare.

Gjithsesi vonesat do të bëjnë që draftet e raporteve të cilat tashmë janë shkruar nga nëpunësit e Komisionit të kenë disa ndryshime. Ato tash duhet të reflektojnë zhvillimet që ndodhën në këto vende dhe ka pasur mjaft, kryesisht zhvillime negative, me përjashtim të një lajmi të mirë se është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. Kështu, tash në vend që të thuhet “së shpejti do të nënshkruhet MSA-ja me Kosovën”, në raport të përmendet se ”u nënshkrua MSA-ja me Kosovën”. Dhe kjo do të përmendet edhe si një dëshmi se “procesi po vazhdon dhe në të gradualisht po ka edhe progres”.

Kurdo që të vijnë raportet e progresit, ato nuk kanë për të sjellë shumë të mira. Kësaj radhe, siç paralajmërohet nga burimet në Bruksel, do të japin një pasqyrë reale se sa larg nga arritja e qëllimit të anëtarësimit në BE janë këto vende të përfshira në proces.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...