Pushtet për rrënuesit e shtetit

25 Tetor 2015 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Perceptimi i përgjithshëm është se lidershipi i Kosovës është ndier i pafuqishëm përballë Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar. Ka nga ta që thonë se njerëzit që janë përzgjedhur për negociata janë nën presionin e “dosjeve” dhe kjo është arsyeja e lëshimeve të rrezikshme. Por, kjo më duket më pak e besueshme.

Qeveria e Kosovës përpiqet t’i bindë qytetarët, sidomos opozitën e “rebeluar”, se marrëveshjet e Brukselit garantojnë sovranitetin dhe janë të rëndësishme për proceset integruese të Kosovës. E, është vetë ajo që para disa javësh është ankuar në BE se Serbia nuk po i zbaton ato dhe po pengon integrimin e serbëve në institucione. Në një raport shumëfaqësh e ka quajtur paradoksal funksionin e autoriteteve të zgjedhura komunale serbe, që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në interes të shtetit të Serbisë.

Këto konstatime të Qeverisë janë të vona. Zgjedhjet komunale janë mbajtur më 2013, përfshirë edhe qytetet e veriut. Qeveria e ka ditur para se të firmoste marrëveshjet e fundit se në çfarë niveli është komunikimi me autoritetet komunale serbe. E ka ditur edhe sa shpërfillës janë ata ndaj institucioneve qendrore të Kosovës. Andaj, veprimet destruktive të autoriteteve në veri nuk më duken më paradoksale sesa gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të nënshkruar marrëveshjen që këtyre rrënuesve të shtetit ua rrit edhe për një shkallë të drejtën e vendimmarrjes.

Kjo qeveri, që ankohet për ndërhyrjen e Serbisë, me dorën e vet i ka fuqizuar autoritetet që raportojnë në Beograd, duke lejuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky veprim e bën më të lehtë jo integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ngase ata nuk e duan atë, por komunikimin me regjimin e Serbisë. Në vend se Beogradi të lexojë raportet e 10 kryetarëve të komunave, ai tash ka vetëm një adresë – pushtetin qendror të serbëve të Kosovës, Asociacionin.

Pse ky vullnet i palës kosovare për të mbyllur me shpejtësi kapitujt e hapur me Serbinë.

Kërkesat e buta, racionale, më lehtë të pranueshme nga ndërkombëtarët, e me shpresë edhe nga Serbia, e kanë përcjellë në vazhdimësi qasjen e lidershipit shqiptar të Kosovës në bisedime. Pra, është tentuar të bëhet politikë brenda politikës, me të vetmin qëllim – largimin e Serbisë nga Kosova, de facto e de jure.

Në të gjitha fazat e negociatave me ndërmjetësim ndërkombëtar, pala kosovare i konsideronte suksese të gjitha marrëveshjet që e rrisnin distancën e pushtetit të Beogradit ndaj Kosovës. Pak vëmendje u kushtohej efekteve që ato marrëveshje do të prodhonin brenda. Apo nëse po fshihej diçka e dëmshme nga “tërheqja taktike” e Serbisë nga Kosova.

Politika kosovare, para së gjithash, insistonte në atë që ishte domosdoshmëri e ekzistimit të shtetit - njohja ndërkombëtare dhe shtrirja e sovranitetit në gjithë hapësirën e saj gjeografike.

Perceptimi i përgjithshëm është se lidershipi i Kosovës është ndier i pafuqishëm përballë Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar. Ka nga ta që thonë se njerëzit që janë përzgjedhur për negociata janë nën presionin e “dosjeve” dhe kjo është arsyeja e lëshimeve të rrezikshme. Por, kjo më duket më pak e besueshme.

E vërteta është se Kosova në bisedime nuk ka shkuar me pozicionet e veta të forta. Ajo ka shpresuar shumë në të drejtën e saj ndërkombëtare, sidomos në mbështetjen e fuqive të mëdha - përkrahëse të Pavarësisë, SHBA-së dhe disa vendeve të BE-së. Për pasojë ka pasur disa (d)efekte. E para, se ka ulur përgjegjësinë e ekipit dhe nivelin profesional të përfaqësimit të tij, dhe e dyta, nuk janë shqetësuar shumë për përmbajtjen e marrëveshjeve, meqë çfarëdo epilogu që mund të kenë pasur negociatat – vulën e suksesit apo mossuksesit e kanë vënë ndërkombëtarët (garantuesit).

Kjo cilësi e përfaqësimit dhe e përgjegjësisë së palës kosovare ia ka bërë më të lehtë BE-së ndërmjetësimin, ndërsa Serbisë arritjen e caqeve finale në bisedime. BE-ja qëllim final ka pasur afrimin e Serbisë në familjen e saj. Kurse Serbia, jo mbajtjen me çdo kusht të Kosovës, por hapin e madh drejt Bashkimit Evropian dhe faktorizimin e serbëve lokalë deri në shkallën sa ata të jenë përfaqësues legjitimë të shtetit të Serbisë brenda Kosovës.

Ky kurth i Serbisë duket se nuk ia ka prishur palës kosovare humorin. Çdo ndryshim i vogël nga gjendja ekzistuese është konsideruar nga ta sukses në raport me Serbinë. Sipas tyre, çështjet e hapura brenda, si rasti me veriun e vendit dhe integrimin e komunitetit serb në institucione, mund të zgjidhen hap pas hapi. Nuk do të bëhej kiameti edhe nëse ky proces i integrimit të brendshëm zgjat në pakufi. E rëndësishme, sipas tyre, është të kesh shtet, qoftë edhe jofunksional.

Por ky jofunksionalitet, që duket se është funksional vetëm për njerëzit e pushtetit, nuk tolerohet më nga qytetarët. Ata që 25 vjet më parë kanë ëndërruar lirinë dhe shtetin çfarëdo qoftë ai, tash kanë tjetër ideal. Llogaritë i bëjnë ndryshe. Ata duan shtet funksional, me institucione të qëndrueshme dhe mirëqenie. Duan zhvillim dhe integrim të shpejtë. Duan qeveri me duar të pastra, sundim të ligjit dhe liri të shprehjes e të lëvizjes. Duan shëndetësi dhe arsim cilësor, duan pensione të dinjitetshme.

Nuk duan që e ardhmja e tyre të jetë peng i problemeve të krijuara edhe me fajin e drejtuesve të shtetit. Ata nuk duan të jetojnë në një vend, ku përveç shumë defekteve, sfidohen nga paaftësia e institucioneve për të vënë rend dhe rregull. Nuk duan të përjetojnë më kriza politike dhe të sigurisë. Nuk i amnistojnë lëshimet “në emër të stabilitetit rajonal dhe kthimit të mirëbesimit te të gjithë qytetarët”, të cilat krijojnë vatra konflikti.

Ata nuk e ndiejnë lezetin e lirisë, për sa kohë që pushtetarët nuk arrijnë t’i bindin se këtu jeta është e garantuar, e po aq edhe shteti. Nuk janë rehat duke ditur se marrëveshjet e firmosura me Serbinë në Bruksel kanë gjetur shumë pak zbatim, dhe si të tilla nuk premtojnë perspektivë zhvillimore e as integruese. Nuk e përballojnë assesi kompromisin që bëhet me Serbinë, e cila Kosovën e konsideron pjesë të saj, e as me serbët lokalë, që Qeverinë në Beograd e konsiderojnë majën e piramidës institucionale për ta.

Qytetarët shumicë do të ishin zemërgjerë ndaj cilësdo pakicë në Kosovë, sikur të ishin të sigurt se ata do të kishin të njëjtin qëndrim dhe vizion për shtetin. Që ata do të merrnin edhe pjesën e tyre të përgjegjësisë për zhvillimin, emancipimin dhe integrimin e saj. Por, nuk e përballojnë assesi një strukturë politike të legjitimuar në pushtete komunale dhe në ombrellën e quajtur Asociacion, që shpërfill gjithçka që buron nga shtetësia e Kosovës, që pengon shtrirjen e institucioneve, që zbaton politikat e një shteti tjetër, dhe krejt në fund, që këtë vend e quan Serbi. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...