Vorbulla

20 Tetor 2015 - 09:06 - Flaka Surroi      

Kjo që po i ndodh Kosovës tash e ka kaluar kufirin e një episodi inatesh të ndërsjella. Është një gjë që i ka nxjerrë në ajër helikopterët e KFOR-it për herë të parë pas 11 vjetësh dhe një gjë që do të duhej t’i nevrikoste edhe “miqtë ndërkombëtarë” – të cilët duhet të kuptojnë se kundërshtimi i autonomisë territoriale serbe është legjitim dhe se ka një mori argumentesh që e mbështesin këtë qëndrim

Shkrimin nuk do t’ia nis me përshkrimin e dëshpërimit që na e shkakton kriza politike në të cilën jemi futur qe disa javë. Në mesin e gazrave lotsjellës, koktejeve molotov, gurëve dhe thyerjeve, e në fund edhe hetimeve dhe arrestimeve, gjatë javës u përvodh një lajm i vogël – dhe i mirë, pa dyshim. Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme (së paku hëpërhë) për ta shkarkuar nga posti rektorin Zejnullahu. Nënshkrimet e senatorëve që sollën te thirrja e mbledhjes dhe shqyrtimit të kësaj pike nuk mjaftuan, ngase kësaj radhe ishin përfaqësuesit e MASHT-it në këtë trup të Universitetit, që kishin vendosur t’ua shkurtonin përkrahjen.

Se sa ka ndikuar te ky vendim vizita që Rektorit ia bëri ambasadori amerikan, pak para mbledhjes, mundemi vetëm ta paramendojmë. Porse ajo që është bërë evidente është se ditëve të fundit janë shtuar përkrahjet për rektorin edhe nga ana e institucioneve relevante, që do të mund të ishte lajmi i mirë për të, ngase mbase në këtë formë do t’i lejohet ta përfundojë mandatin, dhe brenda të njëjtit, të arrijë t’i fuqizojë kriteret të cilat po i kërkon për stafin akademik.

E se kërcënime do të vazhdojë të ketë, e dëshmojnë studentët protestues me tendenca ngelcanësh, që kërkojnë afate shtesë për t’i dhënë provimet. Që në fakt, mund të jetë vetëm një arsyetim pas të cilit e fshehin konspiracionin e krijuar nga profesorët që as titujt e vet zyrtarë nuk dinë t’i shkruajnë pa gabime gjuhësore, e të cilët e kanë mizën nën kapuç: janë plagjiatorë dhe “akademikë” që kanë botuar punime të stilit të Filan Fistekut.

Është mëkat se në çfarë derexhe ka rënë Universiteti i Prishtinës. Me siguri se nuk ka qenë institucioni më i mirë në botë, dhe se prej kohës kur është themeluar, ka pasur edhe dobësi e edhe ndërhyrje politike të llojit të sistemit të shkuar. Porse, ka qenë Universitet që ka prodhuar jo pak breza profesionistësh shumë të mirë, larg analfabetëve funksionalë që prodhon tash. Nuk ka prodhuar magjistra e doktora me kile, siç i prodhon tash, dhe kriteret megjithatë i ka pasur më të ashpra për avancime në tituj.

Jo, nuk ka qenë universiteti më i mirë në botë, porse ka qenë universiteti ynë, që Kosovës, si shoqëri, ia ka mundësuar një zhvillim, të cilin nuk e kemi pasur deri në themelimin e tij. Pas gjithë këtyre vjetëve të privatizimit dhe të politizimit të tij të skajshëm, më në fund doli në pah një njeri që do të vërë rend, e që sërish të mbërrijmë te pika ku do të mund të themi se krenohemi me të. Do të doja të besoja se do të ketë fuqi dhe përkrahje të mjaftueshme për të ecur tutje në realizimin e qëllimit që ka për t’ia kthyer dinjitetin Universitetit të Prishtinës. Prandaj, këtë pjesë mund ta përfundoj me një të vetmin slogan: #merektorin.

Kriza e orkestruar

Lajmi i keq, natyrisht, është kriza politike nëpër të cilën është duke kaluar Kosova. Tashmë e elaboruar me dhjetëra herë, miopia, injoranca dhe, mbi të gjitha, kalkulimi, në rend të parë të kryeministrit të Jashtëm Thaçi, kur kishte vendosur ta nënshkruante marrëveshjen “historike” të Brukselit, na solli te kjo çka kemi sot. Polarizimi i skajshëm i partive politike të përfaqësuara në Kuvend, që me lehtësi shumë të madhe mund të bartet edhe në rrugë, na e ka shndërruar Kuvendin në një teatër tragjikomik, ku rolin kryesor në dy seancat e fundit e pati gazi lotsjellës. Dhe ky do të ngrejë me vete edhe pasoja penalo-juridike, po qe se Qeveria është vendosur që të gjithë sundimin e ligjit ta dëshmojë te katër deputetët që janë nën hetime.

E hëna dëshmoi se sa e brishtë është situata. Në një veprim të pamatur të policisë së Kosovës, Albin Kurti u ndal në Çagllavicë (pasi e kishte kaluar Hanin e Elezit dhe të gjitha vendbanimet e tjera që çojnë në Prishtinë nga ai drejtim) dhe ishte shpënë në polici. Përderisa bisedonte me policin (në xhirimin që qarkulloi në internet me shpejtësi të dritës), ndihet qartë se si ky i thotë se po ndalohej me urdhër të prokurorit. Nuk u desh shumë kohë që të mblidheshin rreth 200 veta që ia dolën t’i gjuajnë mbase krejt gurët që i gjetën në rrugë, dhe ta dëmtojnë ndërtesën e 92-it.

Po them i pamatur, për shkak se arrestimi i Kurtit, i cili thotë si edhe ishte prangosur, ishte bërë pa urdhër me shkrim nga prokurori. Kjo është shkelje e ligjit. Dhe këtë nuk diti ta mbronte të nesërmen drejtori i përgjithshëm i Policisë, të cilit (po këtë javë e kuptuam) i ishte zgjatur mandati pa vendim (pra edhe një shkelje e ligjit): atë që e tha tekstualisht qe, “për ne urdhri është urdhër, gojor a me shkrim”. Hmmm..., dhe më bën të mendoj, se kush pra e paska shqiptuar urdhrin me gojë. Nëse jo prokurori, atëherë me gjasë ndonjë shef i kryepolicit, që mund të jetë kushdo, duke filluar nga shefi nominal, ministri, e deri te shefat që e kanë vendosur në atë pozitë, e besa edhe që ia kanë zgjatur mandatin.

Pra, nëse një veprim i këtillë i nxitur i policisë ka pasur për qëllim që të shkaktonte trazira – ia ka dalë deri diku. Dhe përderisa në mesin e të mbledhurve para policisë kemi mundur të identifikonim një numër të caktuar fytyrash publike, a ka kush që do të mund të garantonte se në mesin e gurëhedhësve nuk ka pasur njerëz të infiltruar nga policia, apo edhe nga urdhërdhënësit e arrestit të Kurtit. Për më keq, kush nuk e di se kush ua vuri flakën veturave të prokurorisë – e këta kanë mundur të jenë njësoj si aktivistët e ftuar nga partitë opozitare, ashtu si dhe të infiltruarit e apostrofuar, me qëllimin që përgjegjësinë t’ia bartin opozitës.

Çfarëdo që të jetë versioni “përfundimtar” i ngjarjeve të asaj nate, një gjë është e sigurt: ngjarja qe shumë e pakëndshme dhe i kujtonte kohët e këqija të dhunës së përjetuar në Prishtinë edhe para luftës. Çfarëdo që të jetë ai version, ajo që mund të konkludohet është se ky ka qenë incident i kurdisur. Dhe shtrohet pyetja, pse dhe nga kush?

Kuvendi, prova e dytë

Në interes të kujt është që të shkohet tutje në thellimin e krizës? I vetmi shpjegim i logjikshëm që po më shkon në mendje është Gjykata Speciale dhe pasojat që ajo do të mund t’i shkaktonte renditjes në spektrin politik të Kosovës. Pra, sa më shumë që të zvarritet çështja e Speciales (dhe pavarësisht faktit se ka indikacione se themelimi i saj është duke u bërë larg syve të publikut), për aq do të vazhdojë edhe ndikimi politik i atyre njerëzve emrat e të cilëve apostrofohen në Raportin Marty, e që mund të jenë subjekt ndjekjeje nga kjo gjykatë. Dhe përderisa thellohen tensionet ndërmjet koalicionit qeveritar dhe partive opozitare, janë njerëzit e fortë të pushtetit ata të cilët me çdo kusht duan të paraqiten si ruajtësit e stabilitetit dhe të paqes në Kosovë dhe njëkohësisht që krejt barrën e përgjegjësisë për ndonjë përshkallëzim me pasoja të rënda t’ia veshin opozitës.

Do të kujtojmë se futja në dialogun e pakushtëzuar u vendos krye më vete dhe pa pëlqimin Kuvendit nga atëherë kryeministri Thaçi, njeriu të cilit i përmendet emri madje nja dy duzina herë në Raportin Marty. Pra, atëbotë, ai u paraqit para të huajve si njeriu që do të ishte i gatshëm edhe të negocionte me Serbinë dhe të qëndronte pas nënshkrimit; si njeri i fjalës, i vetmi që mund të garantojë zbatimin e saj. Natyrisht, pa e pyetur askënd, aq më pak Kuvendin, të cilin e obligoi t’ia ratifikonte marrëveshjen që Kosovës ia imponon autonominë territoriale serbe. Nënshkrimi i Mustafës në marrëveshjen e dytë do të ketë qenë gabimi më i madhi i tij politik: kilën që ia kishte lënë Thaçi, e mori dhe e nënshkroi një dokument, të cilin po të mos e kishte nënshkruar mbase do t’ia humbte postin e kryeministrit. Kurrgjë, krahasuar me atë që do të humbë Kosova me të.

Një tjetër njeri, që do të mund të ishte subjekt ndjekjeje i kësaj gjykate, është kryeparlamentari. Tashmë e kemi cekur se në përpjekje për ta pastruar imazhin e tij, po paraqitet si njeriu më parlamentar që ka Kosova, dhe po e lejon kaosin në Kuvend. Me gjasë, duke shpresuar se aktivistët e opozitës do t’i futen ndërtesës së Kuvendit me zor, që tek atëherë të autorizojë përdorimin e forcës policore që do të mund të përfundojë keq. Për më tepër, ka ditë që përsërit se problemi me marrëveshjet nuk është i Kuvendit, por i Qeverisë. Porse po i harron dy gjëra: një, që Kuvendi është përfaqësuesi i sovranit, pra, duhet të veprojë në favor të interesave të popullit, dhe dy, që Kuvendi e mbikëqyr Qeverinë.

Pra, në pritje të një shpërthimi më të madh, që të dy këta aktorë luajnë me kartën e stabilitetit: “Shihni, ne jemi të mirët, të vetmit kooperativë dhe të gatshëm për kompromise. Në anën tjetër shiheni opozitën – ata që përpiqen të shkatërrojnë atë që e kemi ndërtuar ne. Ne jemi partnerët e bashkësisë ndërkombëtare. Pa ne nuk ka gjë”.

Dialog ndërshqiptar

Këtij problemi duhet t’i gjendet zgjidhja sa më parë që është e mundur. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është nëse shqiptarët, pozitë-opozitë, ulen e flasin. Sepse, siç jo pak njerëz tashmë e kanë thënë, është absurde deri në skaj që shqiptarët të mund të flasin, madje edhe si miq, me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë që sa nuk na shkatërroi në luftë, e të mos jenë në gjendje të ulen e të bisedojnë ndërmjet vete.

Kjo që po i ndodh Kosovës tash e ka kaluar kufirin e një episodi inatesh të ndërsjella. Është një gjë që i ka nxjerrë në ajër helikopterët e KFOR-it për herë të parë pas 11 vjetësh dhe një gjë që do të duhej t’i nevrikoste edhe “miqtë ndërkombëtarë” – të cilët duhet të kuptojnë se kundërshtimi i autonomisë territoriale serbe është legjitim dhe se ka një mori argumentesh që e mbështesin këtë qëndrim.

Ata do të duhej t’i bënte bashkë kryetarja, me gjithë krejt mangësitë që i tregon si shefe e shtetit, sepse këtë obligim ia përcakton Kushtetuta. Kurse ne e dimë se ajo, pa udhëzimin nga “miqtë ndërkombëtarë”, nuk do të jetë në gjendje ta bëjë. Edhe nëse zgjidhja e akorduar mes shqiptarëve do të jetë referendumi, atëherë do të duhej të bëheshin dy gjëra: një, të shpallet moratoriumi mbi temën e Zajednicës në të gjitha institucionet, deri pas mbajtjes së referendumit dhe, dy, që të ftohet një “kokë e mençur juridike” (natyrisht nga jashtë) për ta hartuar një ligj që do të mund të votohej në Kuvend. Nëse vendimi do të jetë se duhet marrë me Statutin e Asociacionit serb, dhe për ta zhveshur nga kompetencat që ia njeh marrëveshja ndërkombëtare (që nuk e di a është gjë që bëhet), le të jetë edhe kjo. Po le të ulen, le të bisedojnë dhe le të merren vesh – sepse gjithçka është më mirë sesa konfrontimi ndërshqiptar që mund të jetë shumë i dhunshëm dhe me viktima, veç pse dikush është arrogant, inatçi, kokëfortë, agresiv dhe kalkulant.

Pushtet e opozitë; më së lehti e keni të na e kallni shtëpinë. Edhe, çka mandej?

flaka@koha.net
 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...