Sportistët na përfaqësojnë më mirë se politikanët

14 Tetor 2015 - 08:11 - Augustin Palokaj      

Është e kuptueshme pse politikanët shqiptarë, në të gjitha trojet etnike, të cilët kanë pak suksese për t’u krenuar, janë marrë aq shumë këto ditë me sukseset e kombëtares së Shqipërisë në futboll. Por ajo që nuk kuptohet është pse mediat, sidomos portalet, u kanë dhënë aq shumë hapësirë mendimeve, postimeve, analizave dhe porosive të politikanëve rreth ndeshjeve të futbollit. Nëse analizohen shkrimet rreth dy ndeshjeve më historike të Shqipërisë, del se mediat kanë raportuar më shumë rreth porosive të Edi Ramës, analizave të Sali Berishës, shkuarjes apo mosshkuarjes së Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit në Elbasan, ku e ka parë ndeshjen Kadri Veseli, sesa për formën e futbollistëve apo përbërjen e skuadrave

Nëse do t’i pyesni ekspertët evropianë pse Kosova dhe Shqipëria, sikur edhe vendet e tjera të rajonit, i kanë aq të dobëta strukturat e gjyqësorit dhe administratën publike, përgjigjja e parë në të cilën do të hasni do të jetë se ato janë të politizuara. Sa herë që politika përzihet aty ku nuk e ka vendin, pasojat janë të rënda. Dhe politika e politikanët gjithmonë bëjnë përpjekje që të depërtojnë kudo që të kenë mundësi dhe kudo që u lejohet. Sikur ndonjë virus, aty ku futen, vështirë se dalin pa ndonjë ilaç. Por sikurse edhe viruset që më lehtë futen në sistemin i cili është më pak rezistues e më shumë i ndjeshëm, ashtu edhe politika më lehtë përfshihet në fushat ku nuk e ka vendin në shoqëritë që nuk i rezistojnë shumë një përfshirjeje të tillë.

Sporti është një fushë ku politika gjithmonë synon të përfshihet. Ajo mund të përfshihet në krijimin e kushteve dhe rrethanave të zhvillimit të sportit. Por jo edhe në drejtimin e tij, pos nëse nuk flasim për vendet diktatoriale, ku edhe sporti është pjesë përbërëse e pushtetit, ku me dekret zhvillohen ngjarjet sportive dhe caktohet se kush mund t’i shikojë e kush jo. Sporti kënaq dhe zhgënjen masat, nxit pasione sikur asgjë tjetër. Prandaj është një fushë ku doemos politikanët duhet të përfshihen në ndonjë mënyrë për të mos mbetur në hije të atyre ngjarjeve. Kur ndodh ndonjë ngjarje sportive e madhe, ajo i lë në hije të gjitha zhvillimet e tjera. Kur krijohen heronj në sport, ata i lënë në hije të gjithë të tjerët. Dhe kjo bën që politikanët në raste të tilla të identifikohen me sportin, sidomos me sukseset dhe me heronjtë. Përgëzojnë, japin këshilla, dërgojnë porosi, bëjnë analiza. Në këtë mënyrë lënë përshtypjen se edhe ata janë pjesë e masës. Si individë, kanë të drejtë sikur të gjithë të tjerët. Por duhet të këtë kufi këtu, sepse ata nuk janë zgjedhur nga populli për të qenë këshilltarë sporti, por për të udhëhequr.

Një politizim të jashtëzakonshëm pamë para dhe pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë. Para ndeshjes ishin temat politike që dominonin rreth kësaj ndeshjeje. Pak kishte analiza se si do të luhet, me çfarë formacioni, cilat janë përparësitë, e cilat mangësitë e skuadrave.

Është e kuptueshme pse politikanët shqiptarë, në të gjitha trojet etnike, të cilët kanë pak suksese për t’u krenuar, janë marrë aq shumë këto ditë me sukseset e kombëtares së Shqipërisë në futboll. Por ajo që nuk kuptohet është pse mediat, sidomos portalet, u kanë dhënë aq shumë hapësirë mendimeve, postimeve, analizave dhe porosive të politikanëve rreth ndeshjeve të futbollit. Nëse analizohen shkrimet rreth dy ndeshjeve më historike të Shqipërisë, del se mediat kanë raportuar më shumë rreth porosive të Edi Ramës, analizave të Sali Berishës, shuarjes apo mosshkuarjes së Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit në Elbasan, ku e ka parë ndeshjen Kadri Veseli, sesa për formën e futbollistëve apo përbërjen e skuadrave.

Sapo përfundoi ndeshja në Elbasan, portalet në gjuhën shqipe nxituan të na jepnin analizat e Sali Berishës se ku janë arsyet e humbjes. Për fat të mirë kësaj radhe fajin nuk ia hodhi Edi Ramës. Pastaj na njoftuan se çfarë ka thënë Rama pas ndeshjes e çfarë tha kolegu i tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq. Morëm vesh edhe ku e ka shikuar ndeshjen kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Siç ka shkruar disa herë kolegu im në këtë gazetë Enver Robelli, sillen sikur këta politikanë të kishin ndonjë meritë për krijimin e këtyre futbollistëve, të cilët janë zhvilluar në sistemin e Zvicrës, Gjermanisë apo të ndonjë shteti tjetër evropian. Mendimet e tyre prandaj nuk do të duhej të dilnin në plan të parë, sepse nganjëherë harrohej se kush është selektor i kombëtares e kush kryeministër. Roli i shtetit është për të krijuar kushte normale për zhvillimin e ndeshjeve sportive, dhe me kaq përfundon.

Shumë pak, apo aspak, pati tekste rreth ndeshjes edhe më të rëndësishme sesa ajo me Serbinë. Për sportdashësit e vërtetë ndeshja me Armeninë ishte më e rëndësishme sesa ajo me Serbinë, sepse në këtë ndeshje në Jerevan dihej se do të vendosej nëse Shqipëria, për herë të parë në historinë e sajë, do të kualifikohet për një evropian apo jo. Me gjithë dëshpërimin e madh pas disfatës nga Serbia, më shumë shkruhej për të sesa për ndeshjen që ishte para nesh.

Në mediat shqipe mungon një qasje profesionale rreth sportit. Pak ka analiza rreth asaj që ka ndodhur në futbollin evropian, ku sot nuk ka më skuadra të dobëta, që dëshmon edhe suksesi i Shqipërisë. Sot Islanda ka dalë e para në grup me të tretin nga botërori, Holandën, një superfuqi futbolli e cila sipas gjasave nuk do të jetë në evropian. Sot Ishujt Faro janë në grup para dikur kampionit evropian, Greqisë. Sot Irlanda mposht Gjermaninë, Wellsi pas 5o vjetësh përsëri kualifikohet për një kampionat, ndërsa Irlanda e Veriut po ashtu. Kurrë futbolli nuk ka qenë më i barabartë sesa sot, prandaj askush nuk mund të dominojë më ndaj dikujt sikur më herët.

Ajo që ishte po ashtu joprofesionale ishte doza e tepruar e asaj se çfarë shkruajnë mediat në Serbi. Ato sot janë në gjendje edhe më të mjerë sesa në kohën e Milosheviqit, me gjuhë të urrejtjes patetike sidomos ndaj kroatëve dhe shqiptarëve. Para se të nisej skuadra e Serbisë për në Shqipëri gjenin konspiracione: herë thoshin se “një amerikan do të jetë në katin e hotelit të lojtarëve serbë”, herë se i kanë provokuar duke u dhënë kësula të bardha. Ndërsa një gur të hedhur ndaj autobusit e pasqyruan sikur ndonjë raketë tomahawk. Pas ndeshjes shpërthyen me fyerje ndaj skuadrës shqiptare, kinse duke festuar fitoren që për ta nuk pati ndonjë rëndësi sportive. Edhe kur Shqipëria, me meritë, siguroi kualifikimin me fitoren e madhe në Armeni, në Serbi nuk ishin në gjendje të pranonin fundosjen e kombëtares së tyre, saqë shkruan se “droni ia siguroi Shqipërisë evropianin”. Por duhet shikuar realisht. Serbia humbi dy ndeshje ndaj Danimarkës, ndërsa Shqipëria asnjërën, Serbia humbi dy ndeshjet me Portugalinë, ndërsa Shqipëria njërën e fitoi.. Shqipëria mposhti dy herë Armeninë, ndërsa Serbia jo. Pse Serbia pati fat në Elbasan, në minutat shtesë, nuk e ndryshon realitetin. Edhe ata që thonë se loja me Serbinë ishte më e rëndësishme sesa vetë kualifikimi, nuk janë tifozë të sinqertë. Ata serbë që ngacmonin se “fitorja midis Shqipërisë është e pakrahasueshme”, tash le të shohin në TV Shqipërinë, e ndoshta edhe Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnjën, duke luajtur në Francë.

Lojtarët shqiptarë, ngado që vijnë e luajnë për kombëtaren e Shqipërisë, duhet uruar dhe duhet t’i falënderojmë për profesionalizimin e treguar. Nuk lejuan që humbja nga Serbia t’i dërrmojë, dhe ajo madje u dha edhe më shumë kurajë për të fituar në Armeni. Madje mund të thuhet se humbja nga Serbia ka mundur të ketë edhe efekt pozitiv, sepse e dinin se duhej vetëm fitore në Armeni dhe për të u nisën nga minuta e parë e edhe fituan. Me Portugalinë dhe Serbinë nuk ishte fati në anën e shqiptarëve, por në Armeni nuk u bazuan më në fat dhe fituan bindshëm. Ata sportistë na përfaqësojnë më mirë se politikanët. Politikanët kanë krijuar aq shumë mosbesim në kombin tonë, saqë edhe pas humbjes shumë shqiptarë menduan se është shitur ndeshja. Sepse mendojnë se edhe sportistët e shesin lojën ashtu sikur politikanët e shesin nganjëherë shpirtin vetëm për të përfituar. Sportistët shqiptarë janë sot të barabartë me të tjerët, ndërsa vazhdojmë të kemi politikanë inferiorë për shkak të të cilëve ende njerëzit nga Kosova dhe Shqipëria duan të largohen. Sporti ka ndikim pozitiv nganjëherë edhe në vetëdijen e një shoqërie. Sidomos për shoqëritë të cilat kanë pak arsye për të qenë krenare dhe për të pasur shpresë. Le të jetë ky sukses një kthesë e shpresës, para së gjithash për sportdashësit e pastaj edhe për të tjerët. E, politikanët mund të jenë tifozë dhe asgjë më shumë. Ata le t’i kryejnë detyrat e tyre, me paratë e taksapaguesve le të krijojnë kushte për zhvillimin e sportit, ndërsa politikën le ta mbajnë larg sportit. E mediat të mos na lodhim me njoftime se çfarë ka postuar për lojën ndonjë politikan në faqet e tij të “Faceboookut” apo “Twiterit”. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...