Mospërfillja e rrezikshme

13 Tetor 2015 - 08:15 - Flaka Surroi      

Dy rryma inatesh do të na çojnë edhe më thellë në humnerë seç kemi ra. Bëhuni bashkë, uluni e bisedoni, e gjejani çarenë kësaj pune - se viktima e arrogancës së pushtetit dhe kokëfortësisë së opozitës është, në fund, populli

Javë e dëshpërimeve do të ketë qenë kjo – dhe jo se nuk jemi mësuar me to. Sipas reagimeve që mundëm t’i përcillnim, me gjasë më shumë dëshpëruese qe humbja e Shqipërisë ndaj Serbisë në Elbasan seç është katrahura në të cilën na janë shndërruar institucionet, jeta politike dhe e ardhmja e jonë.

Nga aspekti i një tifozeje të futbollit, përfundimi të cilin e nxora nga ndeshja e cila shkaktoi angazhimin e gjithë policisë shtetërore dhe private të Shqipërisë, vetëm për të evituar përsëritjen e skandalit të rrahjes së lojtarëve nga kush kishte mbërritur në ndeshjen e parë në Beograd, ishte e thjeshtë: sikurse edhe në diplomaci, serbët i mundën shqiptarët sepse u ndihmoi përvoja e tyre më e madhe, shkathtësia dhe mençuria. Shqiptarët ua ndihmuan, për shkak se gjërat nuk mund të shtyhen përherë me gjoks e bajraktarizëm, dhe për shkak se u mungoi strategjia.

Natyrisht, është lehtë të bësh komente post-festum, porse, sinqerisht, atë që do ta prisja nga nikoqirja, (e ndihmuar nga portugezët që i mundën danezët), do të ishte të sulmohej fuqishëm ashtu që kundërshtari të thyhej në 15-20 minutat e para të lojës. Dhe për mua, ishte e pakuptueshme hyrja e Cikalleshit 20 minutat e fundit të ndeshjes dhe mungesa e Shkëlzen Gashit në lojë. Dhe për shkak faktit se ne nuk kemi një Messi, nuk na mjafton mbajtja e topit të mesfushë.

E me gjithë dëshpërimet që shkaktuan dy ndeshjet e fundit që u humbën në kohën shtesë, Shqipërisë i ka mbetur edhe një rast në Armeni – ku patjetër duhet të fitojë, që t’i shmanget barazhit ku mund të ketë edhe më pak shans të kalojë, sepse mund të përballet me ekipe shumë më të forta.

Sido që të jetë, megjithatë këto kualifikime i kanë dhënë një shije krejt tjetër kënaqësisë së futbollit ndër shqiptarë: kualifikimi i mundshëm do të jetë realizim jo vetëm i një ëndrre, por edhe shenjë se kemi avancuar aty ku askush nuk na ka bërë hesap.

Kaosi në Kuvend

Për fat të keq, dhe për t’iu kthyer realitetit të përditshëm, janë politikanët e Kosovës ata që nuk na bëjnë hesap. Hiç. Bllokada e Kuvendit që po zgjat tashmë disa javë, ka ardhur në pikën e absurdit që do të na kushtojë shumë.

Skenat e filikaqave dhe të gazit lotsjellës që na i la e enjtja e shkuar u bënë lajm ndërkombëtar. Dhe jo se rrahje, thyerje, hedhje uji, e gjëra të tjera të ngjashme nuk ndodhin nëpër parlamentet e tjera nëpër botë (mbani në mend sa herë keni shikuar në lajme se si janë rrahur në Japoni, apo në Ukrainë, apo edhe në SHBA), por problemi është se përshkallëzimi i situatës deri te hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës është duke na fundosur në krizë shumë të thellë prej nga një zot e di se si do të dalim.

Tashmë po e dimë se i kemi dy qëndrime plotësisht të kundërta: një i koalicionit në pushtet që me arrogancën më të madhe të mundshme, e përjashton opozitën nga çfarëdo konsultimi a këmbimi idesh për dy veprime të dëmshme të cilat i ka bërë dhe prej të cilave nuk do që të tërhiqet. Dhe arsyetimi i vetëm për këtë qëndrim është se Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar dhe se kryeministri ka marrë përkrahje për to në SHBA. Nga ana tjetër, është opozita, tashmë e bashkuar, e cila thotë se do t’i bllokojë Zajednicën dhe demarkacionin me Malin e Zi, duke e bllokuar edhe Kuvendin derisa nuk të tërhiqen nënshkrimet. Derisa te Zajednica, kjo është praktikisht e pamundur, te Mali i Zi, ekziston mundësia e bllokimit për shkak se ky veprim duhet të ratifikohet me ligj. Dhe, thotë opozita, nuk do të zgjedhë mënyra për ta realizuar këtë bllokim.

Por pse u desh të vihej deri te kjo pikë e vlimit, ku një deputet, i cili me vite të tëra kishte qenë vetë viktimë e gazrave lotsjellës në secilën protestë që kishte marrë pjesë, të përdorë një mjet, i cili, megjithatë, përkufizohet “si armë” nga ligji përkatës. Pa hyrë në analizën apo edhe spekulimin e arsyeve që e kanë shtyrë Kurtin të veprojë kështu, një gjë është më se e qartë: injorimi që po ia bën Qeveria, me të dy kryeministrat, jo vetëm opozitës, por edhe një mase të gjerë të popullit që e kundërshton Zajednicën, dhe vendosmëria e saj që ta kalojë atë edhe me kontrabandë, edhe me zor, edhe pa u ndalur të mendojë për seriozitetin e dëmit që ia shkakton funksionalitetit të shtetit, është gjeneratori i një sjelljeje të tillë.

Përderisa qëndrimi i Qeverisë është dhunim edhe i demokracisë, kurse arsyetimet e saj në lidhje me marrëveshjet “historike” janë fyerje për inteligjencën e popullatës, të vetmen gjë që po e shkaktojnë është dhuna, përkatësisht dhunimi i asaj demokracie në letër që e kemi, si dhe kërcënim që tashmë e ka mbërritur një pikë sa neveritëse, aq edhe frikësuese, nëpërmjet këmbimeve të porosive në FB.

Ajo që u pa lehtë të enjten e shkuar qe se deputetët e koalicionit qeveritar kanë marrë instruksione të qarta që të mos u përgjigjen provokimeve të atyre të opozitës. Pra, hiq gotën që e kishte hedhur Armend Zemaj në seancën e vezëve, të enjten, nuk pati asnjë reagim të vetëm, pos qortimit që Muhamet Mustafa ia bënte Albin Kurtit. Kryetari i Kuvendit përfundimisht po e fiton lojën e ndërtimit të imazhit prej parlamentari dhe demokrati në sytë e të huajve, duke refuzuar ta fusë në sallë sigurimin, ndërkohë që për t’i hutuar opozitarët, ia bart përgjegjësinë e mbajtjes së mbledhjes Xhavit Halitit nga ulëset e deputetëve, e jo nga tavolina e kryesisë. Kështu, në kushtet e fishkëllimave dhe piskamave, deputetët e shumicës edhe ia dolën t’i votojnë gjashtë projektligje në parim, dhe kjo, ligje të një interesi jo të vogël.

Shkaktarët e krizës: Thaçi e Mustafa

Rezultati i gjithë kësaj është se tash Qeveria, në veçanti nënshkruesit e marrëveshjeve “historike”, Thaçi dhe Mustafa, dalin të pasqyrohen si viktima të një opozite të dhunshme që, sipas tyre, krejt çka do ajo është rrëzimi i një pushteti të zgjedhur demokratisht. Dhe përderisa ambiciet politike të liderëve të opozitës barazohen me ardhjen në pushtet, se kështu logjikisht duhej të ishte, megjithatë gjëja kryesore e kontestit po mbetet në ajër: Zajednica, e me të edhe defunksionalizimi i shtetit të Kosovës dhe ndarja e saj në baza etnike. Me nënshkrim dhe amin të Thaçit dhe Mustafës, përkatësisht.

Dhe kështu, me shtyrje ndërmjet njërës palë që është inatçore dhe arrogante dhe tjetrës që është kokëforte në rrugë për t’u bërë edhe më e dhunshme, pasojat i vuan populli, të cilin askush nuk e pyet për asgjë. Për fat të keq, Kosova nuk ka ligj për referendumin, sepse ky kishte me qenë një opsion për të dalë nga kriza. Opsioni i dytë, do të duhej të ishte tryeza e bisedimeve e të gjithë spektrit politik, nën udhëheqjen e kryetares së shtetit. Dhe jo kaq shumë për shkak të kapacitetit të saj për ta bërë një gjë të tillë (për shkak se këtë kapacitet nuk e ka), por për shkak të faktit se ajo është simboli i unitetit të shtetit dhe duhet të veprojë. Edhe në qoftë se duhet mbledhur rreth vetes këshilltarë të përgatitur që mund ta udhëzojnë. Opsioni i tretë, do të ishte këndellja e politikanëve të të dyja anëve dhe ulja në odën e burrave (sepse krejt këta vetëcilësohen të tillë) dhe gjetja e një konsensusi që duhet të shpjerë te ajo që është më e mira për Kosovën. Opsioni i fundit, dhe me gjasë më i realizueshmi, do të jetë ndërhyrja e të huajve që do të organizojnë takime sa të fshehta e sa të hapura, ku do t’i bëjnë të gjithë bashkë dhe do t’ia lidhin kokën kësaj pune. Dhe përderisa gjithsesi do të pritet kundërshtimi i ndonjërit lider nga imponimi i të huajve, ai megjithatë do të ndodhë. Kjo, për shkak se përshkallëzimi i situatës mund të çojë edhe te plasaritja brenda partive dhe mbase identifikimi i figurave të tjera politike (që aktualisht janë në hije për arsye të ndryshme), dhe që do të jenë çelësi për dalje nga kriza, paj qoftë ajo edhe me zgjedhje të parakohshme. E zgjedhjet e parakohshme nuk do të mjaftojnë për organizimin e mirëfilltë të një lëvizjeje të re politike, po qe se ende kanë mbetur njerëz që besojnë se mund ta sjellin ndryshimin që aq shumë na nevojitet.

Parajsë për krimin

Pos që kjo situatë e bën nervoz pjesën më të madhe të popullsisë, është duke krijuar edhe rritjen e animozitetit ndërmjet subjekteve politike që mund të përfundojë me viktima. Dhe jo vetëm politike. Nga ana tjetër, përqendrimi i vëmendjes në punën e Kuvendit, i jep hapësirë të mrekullueshme manovrimi krimit dhe imponimit të interesave politike.

E nëse kjo ende nuk është bërë shumë e qartë, mbase duhet përmendur rastin e lirimit të përkohshëm të Sabit Gecit nga burgu për t’u shëruar jashtë vendit, me vendim të Qeverisë. Pra, njeriu i dënuar për krime lufte, me propozim të konsiliumit mjekësor (nuk merret vesh se për çfarë sëmundje bëhet fjalë) lejohet të shkojë në shërim jashtë vendit (nuk është çudi nëse edhe përfiton nga skema e shërimit jashtë vendit) me “garancinë e dhënë” se do të kthehet. Mbase edhe kthehet, porse nuk është fare larg mendsh se mund të veprojë si Xhabir Zharku a Leme Xhema. Gjithashtu nuk do të duhej harruar edhe rastin e një biznesmeni që kishte qenë i akuzuar për mitëdhënie e që i kishte fituar madje 12 kontrata në Gjilan. Apo edhe vetminë e një njeriu që po përpiqet ta fus në rend Universitetin e Prishtinës (e që mori përkrahje simbolike nga shoqëria civile, ani që fejsbuku po vlon me shifrën përkrahëse #merektorin) me të vetmet mjete që i ka: Statutin dhe Ligjin për Arsimin e Lartë dhe me vendosmërinë që të mos dorëzohet..., e kush e di edhe sa gjëra të tjera që gjithmonë ndodhin, por që ne nuk mbërrijmë t’i shohim.

* * *

Këtë që jemi duke ia bërë vetes është gjëja e fundit që ka mundur t’i shkonte ndër mend kujtdo me mendje të shëndoshë, që e kishte ëndërruar jetën në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Degradimi në kufi të shkatërrimit të krejt mundit të të gjitha brezave, përfshirë edhe timin, për t’u bërë shtet i mbarë me jetë normale që do të të bënte të krenoheshe me të është i tillë, sa të vetmen gjë që po e prodhon është pikëllimi i thellë i të jetuarit në kohë dhe vend të gabuar.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...