Rrenat e neveritshme të Arbër Zaimit

9 Tetor 2015 - 08:41 - Halil Matoshi      

Krejt energjitë humane të lëvizjes “Vetëvendosje” po shterojnë në betejat e saj të përditshme për ta monopolizuar të kaluarën, për ta uzurpuar të sotmen dhe për ta mjegulluar të ardhmen e kosovarëve. Këto energji po shterojnë duke akuzuar pushtet e opozitë (dikur Albin Kurti fliste për ‘hajna të ligës së dytë” dhe “parti të haraçit”), duke akuzuar shoqërinë civile e gazetarët për rebelim antiopozitë, për t’u ngulur në hurin që vetes ia kanë bërë pritë: Tek analistët!

 Për Albert Camus, kërkesa për revoltë është një nga "dimensionet themelore" të natyrës njerëzore, që manifestohet në luftën e përjetshme të njeriut promethean (që bart atë pishtarin leninist) kundër kushteve të ekzistencës së tij.

Në këtë kontekst do të merremi me fjalinë bazë të Arbër Zaimit, njërit nga politikëbërësit e “Vetëvendosjes!”, “Klubi i analistëve të rebeluar”.

Zaimi sulmon analistët kosovarë për rreshtim me pushtetin – një rreshtim ky fantazmagorik - dhe i shpifur nga imagjinata e tij paranojake që do të mund të shprehej me kundërtezën: “Klubi i analistëve kosovarë ndjekin Zaimin”, pa e kuptuar në thelb revoltën dhe revoltimin e tyre kundër klasës aktuale politike dhe angazhimin për një mendësi të re politike, jorevolucionare por të “punëve të vogla” e të mira!?

E megjithatë, me një sy drejt Revolucionit Francez dhe pasojave të tij mbretëvarsëse dhe zotvrasëse, njeriu i revoltuar tregon se si në mënyrë të pashmangshme kursi i revolucionit të çon në tirani. Këtë nuk e kupton Zaimi kur i cilëson analistët kosovarë si “të revoltuar” – ngase revolta e tyre është e arsyeshme, kundër zjarrvënies, përmbysjes, politikave izolacioniste (enveriste) dhe, mbi të gjitha, kundër politikave etnonacionaliste (antiserbe) dhe kundër “komplotit botëror” që ia kanë gatuar Kosovës “imperialistët” amerikanë dhe europerëndimorë!

Njeriu i revoltuar, së këndejmi, me racionalitet siperan rezonon si një zë i zjarrtë ndaj regjimeve të vjetra, por edhe ndaj revolucioneve “të reja” (Revolucionit permanent – Trocky) që ‘hanë fëmijët e vet”.

Ndërsa, në epokën tonë, në dekadën e dytë të shekullit të 21-të, disa gra e burra, kryesisht të reja e të rinj në moshë, po mësyjnë emancipimin revolucionar të një populli pasiv (kosovarëve! Sic!) që, sipas tyre, vegjeton duke u përplasur përgjatë historisë herë tek një fuqi botërore, herë tek tjetra, herë tek një ideologji, herë tek tjetra, por që këta ideologët e rinj të ardhur nga Republika e Shqipërisë si përforcim të taborit të vajzave e djemve që i bashkon në një organizatë panshqiptarizmi (etnonacionalizmi i “pajtuar” me ekstremin e majtë), për misionin e “shenjtë” të ngritjes ideopolitike të kosovarëve kokëbosh që, sipas tyre, s’marrin vesh nga politika, që janë kryesisht injorantë dhe që raporti i tyre ndaj Serbisë si armike historike e shqiptarëve është frikë joracionale, së këndejmi dhe këshilltari më i keq.

Vite të tëra, organizata politike e Albin Kurtit ka shpenzuar energji për t’i pikëtakuar dhe pajtuar të majtën revolucionare me nacionalizmin shqiptar, që në thelb është produkt i modernizimit dhe industrializimit, pra ideologji e së djathtës kundërrrevolucionare me intencën e marrjes në dorë të pushtetit politik, pa zgjedhur mjete, por duke ruajtur kursin e rreshtimeve gjeopolitike (ShBA-ja dhe vendet e fuqishme evropiane) sipas ideologut Zaimi.

Në këtë vazhdë të iluminizmit të kosovarëve “kokëtrashë”, Arbër Zaimi, ky patriot me profesion së fundi, po e zhvillon betejën e tij prej dragoi kundër “Klubit të analistëve të revoltuar” – siç i cilëson ai disa nga liderët e opinionbërjes në Kosovë - të cilët, nuk ia bëkan qejfin atij dhe organizatës së tij, për ta mbështetur etnonacionalizmin e VV-së dhe idenë antiserbe (kundër serbëve kosovarë, në rend të parë) prapa së cilës po kamuflohet i famshmi peticion kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Dhe ideja bazë e Zaimit ashiqare është që analistët kosovarë u dashka domosdo të jenë proqeveritarë, pasi që ai nuk arriti dot t’i rreshtojë me “Batalionin e VV-së për moral” – rolin e komisarit të të cilit e ka ai vetë - nëse nuk janë për revolucionin (përmbysjen) dhe nëse ata nuk duan të bien viktima të etnonacionalizmit deklarativ shqiptar, ata janë “me armikun”, pra tradhtarë e çka mos tjetër!?

Sepse ata, kosovarët, pra, nuk paskan raport të drejtë e të duhur ndaj Serbisë, nuk e njohkan lirinë dhe se ky raport na qenkësh diabolik, duke u dhënë kosovarëve leksione se si përjetohet liria dhe si ecet drejt saj “nga ankthi i nënshtrimit drejt ankthit të lirisë.” (Boiken Abazi).

Dhe Abazi, Zaimi & Co ata u dashka t’u mbajnë leksion këtyre analistëve kosovarë që i kanë nxjerrë mendjet dhe penat e tyre kundër Serbisë fashiste, që kur ajo ishte në majat e fuqisë së saj ushtarake, nën ‘vozhdin’ Milosheviq, e dikur edhe gjoksin, ndër protesta deri në konfliktin e armatosur. Dhe shumë nga ta, për shkak të rezistencës kundër pushtimit serb, janë persekutuar e rrahur, kanë vuajtur në burgje e kampe përqendrimi!

Prandaj, të thuash se analistët kosovarë mbajnë qëndrim frikacak ndaj Serbisë është thjesht një rrenë dhe ajo ka vetëm një emër, nëse duam që fjalët t’i përdorim në burimin e tyre etimologjik.
Lexoni varganin e rrenave që i shqipton Zaimi kundër “analistëve të rebeluar”…

Rrena nr. 1 e Zaimit: “Aleanca e pushtetarëve të PDK-së dhe LDK-së për të krijuar qeverisjen aktuale të Kosovës ka krijuar si efekt të drejtpërdrejtë edhe një aleancë mes disa analistëve “të pavarur”.

Shumica nga “analistët e rebeluar”, sipas Zaimit, po që është e vërtetë se kanë qenë dhe ishin të rebeluar ndaj keqqeverisjes së PDK-së me satelitët për dy mandate dhe janë rebeluar po ashtu kundër koalicionit PDK - LDK, duke e njëjtësuar në të gjitha primesat pushtetin aktual me atë pararendës.

Rrena nr. 2: “Me akrobaci të tilla këta tipa “të përkushtuar” për sterilitetin e diskursit politik janë në gjendje të justifikojnë dhe therjen e aktivistëve prej duarve kriminale të politikës, duke nxitur madje ofrimin e asaj “çka këta aktivistë e kanë lypë”. Këta marifetçinj fitojnë kredi në pushtet, duke provokuar emocionalisht viktimat e pushtetit në momentet menjëherë pas krimit, e më pas, vetëparaqiten si të vetmet viktima të vërteta, për shkak se shokët e familjarët e të therurve reaguan duke sharë ndaj provokimit të tyre “demokratik” që justifikonte therjen.”

Asnjë nga analistët seriozë kosovarë kurrë dhe asnjëherë nuk e kanë “rehabilituar” krimin, nga kushdo dhe kurdo të jetë kryer, aq më pak therjen me thika, porse, sharja e zyrtarëve të shtetit nga radhët e “Vetëvendosje!”, që ia bëjnë një bashkëpartiaku të tyre, deputet në Kuvendin e Republikës, sipas modelit më kreteno-idiotik “me qenë e me nanë” është aq e pështirë sa që nuk meriton asnjë vëmendje.

Rrena nr. 3: “Shkrimet e tyre kryesisht janë një kolazh statusesh dhe komentesh prej profileve të Facebook-ut të atyre vetë dhe thëniesh historike të shqiptuara prej tyre në emisionet e përditshme prej nga i flasin në mënyrë paternalizuese popullit të Kosovës, të cilin kur e shohin duke nënshkruar masivisht peticione, e quajnë “të painformuar”.

Ja që analistët e rebeluar kosovarë reagojnë përditë (qoftë edhe përmes statusesh në rrjetet sociale) ndaj stërkeqjes së pushtetit dhe asaj që fatkeqësisht i ka ndodhur Kosovës, me një opozitë henez më të keqe se vetë pushteti dhe ato janë “copa leximi” autoriale dhe mund t’i përdorin qysh të duan, sepse nuk u binden urdhrave të “Batalioneve për moral dhe inteligjencë” të VV-së.

Ndërsa sa u përket turmave që nënshkruajnë peticionin, analistët e rebeluar njëmend nuk rezonojnë në asnjë rast sipas zemërimit të turmave, ndonëse në këtë “veprim qytetar” ka keqinformim të tyre, propagandë të egër, inerci dhe intencë me qenë kundër (serbëve në këtë rast!)

Rrena nr. 3: “Pra, opinionet e të famshmëve dhe të ndershmëve analistë nuk u drejtohen ndërkombëtarëve dhe nuk përfillen prej tyre. Kur këta opinionistë thonë se opozita është ekstremiste dhe dëshiron të na prishë me ndërkombëtarët, ata janë thjesht duke u përpjekur të shpërndajnë sa më shumë këtë “tezë” nëpër popullin e Kosovës, për ta trembur atë e për ta bërë të distancohet prej aksioneve të opozitës. Asnjë ndërkombëtar, deri tani, nuk ka përmendur ndonjëherë se opozita na qenka ekstremiste, apo se opozita është e papranueshme për ndërkombëtarët.”
Për të dëshmuar të kundërtën e kësaj që e thotë Zaimi po ia rikujtoj disa argumente.

Argument nr. 1: Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, pati postuar foto në Twitter, e veshur me një fustan bojëgjaku të errët, ku ajo tregonte dorën e mavijosur.
“Po e përshtat lëndimin tim me fustanin”, kishte shkruar Jacobson.
Fill pas ngjarjes me ambasadoren amerikane, deputeti Glauk Konjufca në emisionin “Info magazine” të Klan Kosovës, kishte kërkuar falje për ambasadoren nëse është lënduar nga protestuesit.
“Pikërisht ka qenë rasti i ambasadores amerikane, por edhe ndonjë ambasadori tjetër të cilët nëse kanë përjetuar ndonjë situatë të pakëndshme, ne u kërkojmë falje. Por, duke e analizuar dëmin e marrëveshjes, na është dukur e arsyeshme të veprojmë në atë mënyrë dhe nuk po them se nuk ka pasur edhe ndonjë gabim.”

Argumenti nr 2: “Asgjë nuk është UNMIK-u, çka është KIPRED-i”, është një koment i “Vetëvendosjes” i botuar më 9 shkurt të viti 2009 në traktin e tyre politik.

Në raportin e saj për vitin 2008, sa i përket Kosovës, Freedom House shfaqte urrejtje patologjike për “Vetëvendosjen!”, dhe i ngarkuar me paragjykime të poshtra, akuza të paqëndrueshme dhe shpifje të padurueshme, të cilat shkojnë shumë më larg se po t'i marrim së bashku akuzat e UNMIK-ut, Tina Kaidanowit dhe qeverisë së Ulpiana Lamës…”, thuhej në këtë koment të lëvizjes.
Argumenti nr. 3: Derisa ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, në asnjë rast asnjëherë nuk e vizitoi lëvizjen “Vetëvendosje”, as pasuesja e tij, Tracy Ann Jacobson, nuk ka takuar lidershipin e kësaj organizate, ndërsa të vetmit të paftuar nga subjektet politike në vend më 201, për të marrë pjesë në takimin me sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, dhe baroneshën Catherine Ashton, ishin përfaqësuesit e kësaj organizate.

Argumenti nr. 4: Në një intervistë për VOA-n, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, më 29.01.2015, pyetjes: “Organizatori kryesor është lëvizja “Vetëvendosje” dhe zoti Albin Kurti, pse nuk takoheni me të, të bisedoni me të dhe t’i bëni edhe atij të njëjtat kërkesa?’ i ishte përgjigjur: “Nuk jam takuar me zotin Kurti për arsyet e njëjta që i kam shpjeguar shumë herë dhe kjo për shkak së po pres që “Vetëvendosje” të heqë dorë nga dhuna si taktikë.(…)

Porse, nëse “Vetëvendosje!”, nuk do të cilësohej si ekstremiste për çfarë vlente letra e Albin Kurtit për ambasadoren Tracey Ann Jacobson, ku ai bënte apologji shfajësuese?
“Deklaratat tuaja të fundit për lëvizjen “Vetëvendosje!”, na kanë befasuar. (…) Deklaratat tuaja kanë qenë shqetësuese për shkak se ato bazohen në keqinformim. Tërë kundërshtimin ndaj lëvizjes “Vetëvendosje!”, e bazoni në dhunën e supozuar nga ju, që po e ushtruaka lëvizja “Vetëvendosje!” dhe të cilën e paskemi promovuar si mjet politik. (…)

A nuk qenka trajtuar “Vetëvendosje!” si ekstremiste Komisar Zaimi!?
Pasi që betohet se në aspektin gjeopolitik dhe të aleancave të sigurisë, “Vetëvendosje!”, cok, nuk synon ndryshimin e prirjes tradicionale tashmë për shqiptarët, Zaimi shqipton rrenën e katërt:
Pra, kjo është rrena nr 4: “Lëvizja ‘Vetëvendosje!’, është për integrimin e Kosovës në NATO e në BE dhe kjo është e shkruar në programin e saj.”

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një bisedë me KTV-në, në emisionin e popullarizuar “Rubikon” të Adriatik Kelmendit, ka ripërsëritur se kjo Lëvizje ka synim në programin e saj bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. (http://www.albeu.com/kosove/referendum-per-bashkimin-e-kosoves-me-shqiperine-/25663/Shtuar më 19/11/2010.)
Përderisa kjo Lëvizje i jep zë bashkimit të Kosovës me Republikën e Shqipërisë në një shtet unik, (dhe një shumësi votash e ka fituar pikërisht mbi këtë paradigmë), si është e mundshme që Kosova e bashkuar me Shqipërinë të jetë edhe në NATO dhe BE!?

Nëse do ta kapësh rrencin nisu nga shtegu i kundërthënies së tij!
Derisa i madh e i vogël nga kjo organizatë janë çuar peshë në kontinuitet kundër Republikës, që nga Rambouillet, Pakoja Ahtisaari, Kushtetuta, ligjet e deri te rendi simbolik i Republikës, zërat e liderëve të VV-së, që thërrasin popullin në mbrojtje të saj ngjajnë në krrokamë!?
“Flamuri i Kosovës, si çdo flamur shtetëror, nuk është thjesht një dizajn apo një copë lecke.

Ai është shumë më shumë se kaq. Është simboli i triumfit të imponimit ndërkombëtar kundër vullnetit të shumicës në Kosovë, simbol i politikanëve të kamur dhe të kalbur të Kosovës, simbol i nënshtrimit të tyre, simbol dhunues për lirinë, simbol shenjues i rrugës që po e çon Kosovën tatëpjetë. Me ndryshimin e kësaj rruge, me heqjen e matrapazëve nga pushteti, do t'i hiqet Kosovës shpejt edhe ky shenjues nënshtrimi ...” – komentonte në rrjetet sociale, Boiken Abazi, eksperti tjetër nga importi i VV-së, kujtoj vetëm dy ditë para festimit të 17 shkurtit 2015.
Dhe në fund natyrisht që Zaimi i “tregimeve të mëdha” (metarrëfimeve) si anëtar i një pakice profetike dhe agresive, që i di të gjitha të vërtetat përfundimtare dhe që pretendon monopolizimin e kategorisë “popull” (flet në emër të popullit) dhe të historisë, e di se kjo punë u krye – pushteti do të përmbyset, e bashkë me ta edhe klubi i analistëve!

Vafshin në Burrel ose Spaç – veç sa nuk klith komisari!!!
Dua ta përmbyll këtë shkrim me një fjali-çekan të opinionistit sarkastik Edison Ypi, i cili do t’u drejtojë shigjeta të mprehta “rreckamanëve shqiptarë”, në një shkrim të këtyre ditëve, me titullin emblematik: “Ju, shqiptarë të trashë e shkërdhata”, ku ai ua përmend kuazinacionalistëve shqiptarë disa fakte të dhimbshme: “Juve Kosovën jua çliroi NATO-ja, por ua zaptoi mafia.

Juve Maqedoninë Perëndimore nuk ua preku kush, por po ua bëjnë çorapë politikanët llafazanë dhe hajdutë të zgjedhur prej jush të cilët çirren për Liri dhe Shqiptari derisa e kthejnë në çast pllakën sapo ulen në një kolltuk dhe nisin të heshtin si peshq.”
Mua nuk më intereson performatizimi me idetë maoiste i Slavoj Zizekut, i kontekstualizuar me rrethanat kosovare nga “Vetëvendosje!”, mua më interesojnë paqja dhe demokracia për të gjithë në atdheun e kosovarëve.
Nuk më interesojnë “tregimet e mëdha” të Zaimit & Co.
Më intereson Republika e Kosovës!
Liria e saj.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...