Kah po shkojmë

6 Tetor 2015 - 07:56 - Flaka Surroi      

Jemi nisur për shtetndërtim, dhe e thyem shtetin hala pa u ngritur si duhet në këmbë. Jemi nisur për ndryshimin e jetës dhe të politikës, dhe në vend se të krijojmë front të gjerë opozitar me fuqi dhe dije teknokratike, kemi një grumbull partish me probleme të mëdha egosh. Jemi nisur për një jetë më të mirë, e kemi mbetur më të varfrit, më të papunësuarit dhe me rrugën e humbur në oborr

Hiq delegacionin kinez që shkoi në New York, ishin një lajm dhe një ngjarje me epilog të pritur, ato që e shënuan javën.

Përderisa nuk e morëm vesh se sa njerëz shkuan në New York, dhe për më tepër nuk e kuptuam as çfarë bënë atje gjatë qëndrimit gati njëjavor, kuptuam se kryetarja jonë shkoi në Amerikë për t’u takuar kryesisht me ca organizata joqeveritare dhe me kongresistët amerikanë, për të marrë përkrahje, me gjasë, për disa mjete që do të destinohen për disa projekte për t’u realizuar në Kosovë. Shkoi mbase edhe për ta mbajtur rejtingun e lartë që e gëzon te amerikanët – shumë më të lartë seç e gëzon në shtëpi, edhe për një shans që t’i përkrahet kandidatura eventuale për rizgjedhje në postin e kryetares që do t’i skadojë në prillin e ardhshëm.

Dhe përderisa për çdo ditë na vinin një mori fotografish prej atje, të politikanëve kosovarë duke u takuar me figura të caktuara politike, në Kosovë Mimoza Kusari-Lila po e bënte publike që prej gati dy muajsh ishte vendosur nën përcjelljen e afërt të policisë, kurse të enjten mblidhej Kuvendi për ta vazhduar bllokimin.

Të jetosh në Kosovë

Nga fillimi i javës dhe pas heshtjes dymujore me qëllim që të mos i pengonte hetimet, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, doli për të bërë publike se ishte vënë nën mbrojtjen e afërt të Policisë. Arsyeja: Dikush e kishte porositur një vrasës recidivist në Shqipëri që ta vriste.

Se kush është porositësi, e cili do të mund të ishte motivi -- këtë askush nuk e bëri publike, sepse hetimet vazhdojnë. Porse është shumë vështirë e kuptueshme se pse duhet të kalojnë më shumë se dy muaj që të zgjidhet nyja e rastit Kusari-Lila, kur informata për kërcënimin e saj me jetën ka qenë aq e besueshme sa është dashur të vendoset nën mbrojtje të veçantë. Athua kemi të bëjmë me rrjet të krimit aq të organizuar sa që Policia jonë nuk mund t’i bjerë në fije, apo është se dikush është i interesuar që ta mbajë Gjakovën nën tension, e Kusari-Lilën sikur të ishte në burg shtëpiak, e që mos mund ta zhvillojë jetën normalisht, sepse duhet t’i frikësohet ndonjë plumbi që mund të vijë prej ndokund.

Shtrohet pyetja se sa i madh mund të jetë objekti i interesit që e “meriton” një plumb për udhëheqësen e një komune. Çka është ajo që e vlen më shumë se jeta e një njeriu? Prej asaj që na e ka mësuar Kosova e 16 vjetëve të fundit, përgjigjja mund të gjendet te prona, paraja apo pushteti. Gjithashtu mund të gjendet te fakti se pozicionimi shoqëror i gjeneratës së pasanikëve të pasluftës, kryesisht të skamur para saj, është arritur me dhunë, me kërcënim, e me dallavere. E jo rrallë, edhe me gjak.

Mbase do të jetë shumë indikativ fakti, se pas publikimit të lajmit, nuk reagoi askush pos kryetares së grave të PDK-së, grave deputete dhe kryetarit të Kuvendit, i cili në kuadër të fushatës së tij për pastrimin e imazhit të keq që e bart që nga koha kur ka qenë shef i SHIK-ut, me këtë reagim thuajse donte të na përçonte edhe porosinë se SHIK-u i tij nuk kishte asgjë të bënte me këtë kërcënim dhe se porositësin duhej kërkuar në drejtim tjetër.

Sido që të jetë, rasti i Kusari-Lilës tregon se me çfarë lehtësie mund të të rrezikohet jeta në Kosovë dhe se objekt krimi mund të jetë gjithkush, përderisa dikujt ia prish hesapet, qoftë materialisht, qoftë politikisht. Dhe këtu fare nuk çojnë peshë as gjinia, as mosha, as prejardhja regjionale.

Uroj që rasti të zgjidhet sa më shpejt. Sa për të mirën e Kusari-Lilës, aq edhe për të mirën tonë: që të çlirohemi nga ndjenja se jetojmë në kafaz, të vetmuar, pa përkrahje dhe pa pasur kujt t’i kthehemi për ndihmë.

Kungulli i PDK-së

E në kafaz të madh duket se është shndërruar Kosova prej disa javësh. Pas nënshkrimit të “marrëveshjes historike”, pa kurrfarë dyshimi, të keqe për Kosovën, i erdhi radha bllokadës së Kuvendit dhe pat pozicionit ku askush nuk e ka ndër mend të lëvizë prej qëndrimeve të veta, natyrisht krejt të kundërta.

Opozita me ngulm po e kërkon tërheqjen e nënshkrimit që e ka vënë kryeministri në Bruksel, përderisa ky me ngulm thotë “nuk e kam ndërmend ta bëj, për shkak se kam marrë përkrahje të madhe në Amerikë për të”. Opozita thotë se nëse nuk tërhiqet nënshkrimi, do të ketë protesta. Koalicioni qeveritar thotë se krejt kjo është lojë e opozitës për ta marrë pushtetin me dhunë. Opozita refuzon të shkojë në takim te kryetarja për t’u ulur dhe për të diskutuar si të dilet nga kriza, ndërsa koalicioni qeveritar thotë se është i hapur për dialog – por që është njëkahor: ata flasin, dhe të tjerët dëgjojnë.

Shkaqet e bllokadës janë të moçme, dhe na çojnë në mars të 2011-s kur ka nisur dialogu në Bruksel pa pëlqimin e Kuvendit. Na çon në kohën kur Thaçi e ka nënshkruar marrëveshjen në prill të 2013-s dhe kur me zor e me shumë presion u votua Ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që sërish duhet përsëritur, kaloi falë votave të AAK-së, vetëm për shkak se Haradinaj e besonte se do të zgjidhej kryeministër. Dhe, tash na çon te marrëveshja e gushtit, sipas së cilës Qeveria ka marrë për obligim t’i fuqizojë ato me dekret, ani që ky dekret do të ishte thellësisht kundërkushtetues, për shkak se e ndërron rendin kushtetues të Kosovës.

Dhe në vend se qeveritarët të pranojnë se kanë bërë gabim të thellë me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, dhe të përpiqen që së bashku me opozitën t’ia gjejnë rrugëdaljen qorrsokakut në të cilin na kanë futur politikanët injorantë, na sjellin në situatë ku do ta polarizojnë situatën aq sa mund të shpërthejnë trazira që do të na kushtojnë që të gjithëve shumë. Opozita, nga ana tjetër, duhet ta kuptojë se me bllokimin e legjislativit, vetëm sa do ta thellojë krizën politike prej së cilës nuk kemi dalë që nga zgjedhjet e 2014-s. Sepse nuk e kanë fuqinë e as përkrahjen e mjaftueshme për të bërë ndonjë ndryshim më të madh. Kjo, nëse duhet mbështetur në numrin e nënshkrimeve të peticionit që i kanë mbledhur, e që nuk e mbërrijnë për nja 70 mijë numrin e përbashkët të votuesve që i kanë pasur këto tri parti gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare. E nëse mendojnë se në Kosovë do të ndodhë Ukraina e re, e besoj se do të duhej të ishin më pak naivë se kaq – sepse ata nuk e kanë përkrahjen as politike e as financiare që mund të kenë anti-Janukoviçasit të ish-shtetit sovjetik.

Dalja nga kriza mund të ndodhë vetëm nëpërmjet dialogut të të gjitha forcave politike, për t’iu qasur zgjidhjes së problemit që ka krijuar Marrëveshja për Zajednicën. Opsion tjetër do të jenë zgjedhjet e parakohshme dhe hapja e terrenit për fitoren e re të PDK-së, së cilës kungulli po i ecën mbi ujë dhe do të vazhdojë t’i ecë përderisa krejt preokupimi i parlamentarëve do të jetë si të hidhen vezët apo si t’i merret kryesuesit mikrofoni. Sepse, ndërkohë, krimi në Kosovë lulëzon. Gjykatat nuk funksionojnë, dhe luftimi i krimit barazohet me kapjen e hajnave të pulave.

Mr. Kty në ngritje

Në gjithë këtë tollovi, është një njeri, i cili po e luan lojën në formë të përkryer. Duke u dëshmuar tepër parlamentar dhe demokratik, kryetari i Kuvendit nuk po i qaset as sigurimit e as gjuhës ofenduese për t’i larguar opozitarët sa herë që i afrohen te tavolina e kryesisë.

Njeriu, i cili prej të gjitha partive politike, duke përfshirë edhe LDK-në, ishte cilësuar si shefi i një organizate kriminale – tash përnjëherë na del e paraqitet si njeriu i dialogut, njeriu i paqësimit, si lideri, i cili do që t’ia sigurojë vetes një pozitë të padiskutueshme politike në spektrin kosovar. Do të bëhet njeriu pa të cilin asnjë proces nuk mund të lëvizë përpara. Mbase ka qenë i tillë edhe më herët, porse tash ka dalë nga nëntoka dhe me petk prej doktoranti të ardhshëm, do që të dëshmojë se pushteti duhet t’i takojë atij.

Pavarësisht epilogut, ashtu edhe do të mund të jetë. Nëse zhbllokohet Kuvendi, fitorja do t’i përshkruhet atij – edhe nëse vjen sigurimi t’i largojë deputetët bllokues. Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, me gjasë ai do të na bëhet kryeministri i ardhshëm. Matematika është e thjeshtë: PDK-ja së bashku me minoritetet do t’i bëjnë 60 votat e mjaftueshme që Thaçi të fitojë garën për kryetar, kur të largohet Jahjaga. Për pasojë, vendi i kryeministrit do të mbetet vakant, dhe logjikisht do t’i shkojë nënkryetarit të partisë, që do të bëhet kryetar, për shkak se Thaçi nuk do të mund ta mbante më atë pozitë. Dhe krejt kjo për shkak se Gjykata Speciale do të marrë kohë derisa të fillojë me punë, dhe me shumë gjasë që të mos merret me “të mëdhenjtë” që në fillim.

Kjo, natyrisht nëse dikush nuk është i interesuar për ta mbajtur Jahjagën në post. E po qe se kjo ndodh, atëherë do të kemi një zhvillim interesant brenda PDK-së, ku mbase Mr. Kty do të tregohet më i fortë: për shkak se ai i di të gjitha sekretet e bashkëpartiakëve të tij, sepse këtë e ka pasur punë për një kohë shumë të gjatë.

* * *
Vështirë se do të gjendet dikush racional për të na treguar kah po shkojmë. Jemi nisur për shtetndërtim, dhe e thyem shtetin hala pa u ngritur si duhet në këmbë. Jemi nisur për ndryshimin e jetës dhe të politikës, dhe në vend se të krijojmë front të gjerë opozitar me fuqi dhe dije teknokratike, kemi një grumbull partish me probleme të mëdha egosh dhe me një gatishmëri latente për ta thyer bllokun posa t’i ofrohet ndonjërit posti i kryeministrit, a pjesëmarrja në Qeveri. Jemi nisur për një jetë më të mirë, e kemi mbetur më të varfrit, më të papunësuarit dhe me rrugën e humbur në oborr.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...