Një elegji për Mihane Gashani-Deliu, gruan që s’e përkujtoi askush

1 Tetor 2015 - 08:28 - Enver Robelli      

U mbushën 17 vjet prejse forcat e regjimit kriminal të Beogradit masakruan në Drenicë, mes shumë të tjerëve, edhe Mihane Gashanin-Deliu – bashkë me djalin e saj 18-muajsh, Valmir Deliu. Asnjë politikan, asnjë gazetar, asnjë zë publik nuk e përkujtoi këtë grua, sepse në këtë shoqëri edhe përkujtimi bëhet me paramendim përfitimi e kalkulimi politik

Lumnije, Adem, Mihane, Hava, Jeton, Valmir, Hamide. Janë disa emra që do t’i hasni kudo në Kosovë. Kur këtyre emrave u shtohet mbiemri Deliu, secili njeri në këtë shoqëri do të duhej të ndalte frymën për pak çaste për të përkujtuar viktimat e njërës prej masakrave më të mëdha të regjimit serb në Kosovë. Në këto çaste do të na kujtohet Valmir Deliu, foshnjë 18-muajshe, që vdiq në gji të nënës së tij, Mihane Gashani-Deliu. Do të na kujtohet ballina e “Kohës Ditore” e datës 30 shtator 1998, me pamjen e trishtueshme të Valmirit të masakruar. Do na kujtohen gra shtatzëna të vrara, pleq të sëmurë e plaka të kërrusura nga barra e jetës. Sot po të ishte gjallë, po t’i kishte shpëtuar masakrës, Valmir Deliu ndoshta do të ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe do ta recitonte a këndonte poezinë e Else Lasker-Schüler “Nanë”:“O nanë, sikur t’ishe gjallë, / Kisha dashtë me lujt n’prehnin tand. // Jam i trembun dhe zemra më dhemb / Prej aq shumë vuajtjesh. / Gjithkun’ çel gjethnajë gjaku. // Kah t’ia mbajë fëmija im? / Asnjë shteg me gëzim s’jam tu e ndërtue, / Krejt toka asht e rrëmihun. // E dashtuna, e dashtuna nanë”.

Gjallë s’janë as Valmiri, as nëna e tij, Mihane Gashani-Deliu. Kur e vranë Mihania ishte sall 28-vjeçare, një moshë kur fillon jeta e vërtetë. Ajo iku, siç shkruan vëllai i saj Blerimi në një postim në “Facebook”, “pa lamtumirë ... pasi kishte bërë një jetë të qetë, shumë të qetë për këtë botë të trazuar”. 28 vjet! 18 muaj! Këto janë shifra të jetëve të këputura si trëndafilat me vesën e mëngjesit që i përlau përpara kosa e pamëshirshme e krimit.

Në 17-vjetorin e vrasjes së tyre mizore nuk u organizua asnjë ceremoni.

Nuk u mbajt asnjë akademi përkujtimore.

Nuk u shkrua asnjë rresht nga mediumet e shumta kosovare.

Nuk u vendos asnjë lule e freskët mbi varret e tyre. As mbi vendin ku gjaku i tyre njomi tokën e një fshati në Drenicë.

Kryeministri që s’lë rast pa u shprehur kot nëpër “Facebook” për bëmat heroike të bijve të tij – heshti.

Heshti edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme që s’lë rast pa përshkruar në “Facebook”, kur i hyn në punë imazhit të tij. Ky që përkujton edhe njerëz privatë kur vdesin, madje edhe të tillë që vijnë nga familje që denbabaden kanë qenë hafije të regjimeve serbe, hesht për Mihane Gashani-Deliu dhe për fëmijën e saj, Valmirin.

Heshtën edhe ata zëra publikë që flasin e shkruajnë për çdo temë.

Heshtën historianë. Heshtën parti. Heshtën baballarë të vetëshpallur të kombit. Heshti një shoqëri e tërë, foli sall vëllai i Mihanes, Blerimi.

Heshti edhe lëvizja “Vetëvendosje”, e cila është kujdestare për të akuzuar të tjerët për dembelizëm patriotik. Kujtimi i Valmir Deliut është akt patriotik.

Në kulturën shqiptare të kujtimit, për fat të keq, gjejnë vend vetëm burrat që “ranë heroikisht për atdheun”, “burrat me mustaqe”, “burrat që ranë në betejë duke kënduar për Azem Bejtën”, “burrat që s’u dorëzuan kurrë”. Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për burra që u vranë pasi u tradhtuan nga shokët, pasi u braktisën bash si Adem Jashari me familjen e tij. Tash ai përkujtohet për kalkulime politike. Madje edhe Aeroporti i Prishtinës bart emrin e tij vetëm për shkak të kalkulimeve dhe shpresës për përfitime politike. Kjo kulturë kujtimi ka pretendime hegjemoniste, sepse injoron viktimat e pambrojtura, sidomos gratë dhe fëmijët.

Mund të diskutohet shumë në këtë shoqëri se kush e çliroi Kosovën: NATO? Ushtria Çlirimtare e Kosovës? Rezistenca paqësore? Por, ndoshta duhet të diskutohet edhe për civilët e vrarë, që e detyruan bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë për t’i dhënë fund një ploje që mund të merrte përmasat e gjenocidit. Pjesë e narrativit për çlirimin e Kosovës duhet të jenë edhe këta njerëz, që janë shumica e viktimave të luftës. “Njeriu është i bërë prej drurit aq të shtrembër, saqë prej tij s’mund të bëhet diçka e drejtë”, shkruan filozofi i madh gjerman Immanuel Kant. Kur politika dominohet prej drurëve të shtrembër, orientimi nuk mund të jetë i drejtë.

Në këtë situatë epilogu është ky: asnjë nga vrasësit e familjes Deliu ende nuk është akuzuar dhe dënuar, me përjashtim të liderëve të lartë serbë, të cilët janë dënuar për të gjitha krimet në Kosovë. Edhe në vitin 2015 në krye të Armatës së Republikës së Serbisë gjendet një oficer që ka komanduar gjatë luftës në Drenicë dhe sipas dëshmive të Fondit për të Drejtën Humanitare ka marrë pjesë edhe në krime kundër civilëve. Po ky person dekorohet nga presidenti i Serbisë, një çetnik që shkathtësinë e vetme intelektuale e ka në pjekjen e rakisë.

Nuk ka qeveri të përsosura, madje as në vende me traditë demokratike. Por, edhe nga qeveritë e deritanishme të Kosovës, jo vetëm nga kjo, është dashur dhe duhet të presim shumë më tepër angazhim e përkushtim që drejtësia të vihet në vend. Atëherë nuk i afrohemi, por së paku nisemi drejt shtetit ideal, i cili u shërben qytetarëve – të gjallëve. Dhe lufton që pajtimi me çdo agresor të deridjeshëm të mos jetë qorrsokak. Tash ndodhemi në qorrsokak, sepse Kosova pranon e lëshon pe në shumë çështje me shpresën se do të shpërblehet nga Brukseli – ndërkohë që shpërblimet e vërteta i merr Serbia dhe qeveria e saj, që drejtohet nga njerëz që në vitet ‘90 shkruanin elaborate për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Metohisë”. Dhe njëri propozim atëbotë ishte që Serbia, me program shtetëror, t’i infektojë shqiptarët me aids.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...