Republika private e vezëve

29 Shtator 2015 - 08:27 - Flaka Surroi      

Gjithçka është privatizuar në Kosovë dhe e gjithë pasuria është përqendruar në një rreth njerëzish të fuqishëm që me dhunë e kërcënime ia kanë dalë edhe të uzurpojnë, e edhe të blejnë për pak para toka e ndërtesa me vlerë. Të blejnë madje edhe njerëz

Natyrisht se ngjarja e javës qe cirku i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së të martës. Interpelanca e kryeministrit Mustafa u ndërpre falë desantit të pulave. Nja dhjetë deputetë të opozitës ushtruan gjuajtjen në cak me vezë, besoj, të freskëta – dhe kryesisht ia dolën t’i qëllonin shkallët e podiumit dhe foltoren. E besoj se problemi se përse nuk e qëlluan kryeministrin do të ketë qenë këndi prej nga gjuajtën.

Sidoqoftë, hiç aksionin, për mua të pashije dhe përfundimisht të pakuptimtë, një detaj ma vrau syrin shumë – dhe kjo ishte hyrja me shpejtësi e madje tetë truprojave, që logjikisht do të duhej të ishin të armatosur, për ta mbrojtur Mustafën nga “bombardimi me vezë”. E se ata tashmë do ta kanë ditur se një gjë e tillë po përgatitej nga opozita, do të mund ta dëshmonte ombrella gjigante që përnjëherë u paraqit për ta ndalur fluturimin e vezëve. Nuk e di sesa besëtytë janë deputetët, porse qëmoti qarkullon thënia se ombrellën nuk bën ta hapësh brenda, sepse sjell fat të keq. Unë nuk besoj në besëtytni. S’kam nevojë, sepse fat më të keq se të kemi këso udhëheqje nuk di a ka.

Qëllimi i bllokadës

Shija e keqe e intervenimit të truprojave është e shumëfishtë. E para, është shumë e pahijshme të hyhet në sallën e përfaqësuesve të sovranit me armë, ani që jo të ekspozuara. E dyta, fakti se madje tetë veta duhet ta mbrojnë kryeministrin, përçon porosinë te populli se Kosova nuk është vend i sigurt. E treta, fakti se kryeministri qarkullon me përcjellje policore dhe gjithë ato truproja tregon se ky i frikësohet popullit të vet (e kjo vlen për gjithë të tjerët që enden po në të njëjtën formë) - kjo në rast se dikush nuk i është kërcënuar direkt me jetën (e për këtë nuk kemi informata). E katërta, pse kanë nevojë politikanët tanë të hyjnë në ndërtesa zyrtare ku janë vetë Zotë me truproja. A iu frikësohen hijeve të tyre, apo çka është puna? E pesta, qysh u bë që asnjëri nga 87 anëtarët e koalicionit qeveritar në Kuvend nuk u çua për ta mbrojtur fizikisht Mustafën, dhe pse e gjithë komedia tragjike e hedhjes së vezëve u përcoll me qeshje të pandërprerë të zëvendësve të Mustafës, kryeministrit të Jashtëm dhe ministrit të Kulturës.

Ndodhi çka ndodhi dhe seanca u ndërpre. U bënë tri pauza dhe Kuvendi nuk mundi t’i vazhdonte punimet, për shkak se opozita ka vendosur t’i bllokojë punimet përderisa Mustafa mos ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja për Zajednicën. Problemi me këtë qasje të opozitës është fakti se nënshkrimi nga kjo Marrëveshje nuk mund të tërhiqet, e fajin për këtë e ka një pjesë e opozitës që e votoi Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së 2013-s. Por, nëse opozita ka për qëllim që ta shtyjë Mustafën që ta marrë më seriozisht, duke e krijuar një trup që do të përpiqej të gjente rrugëdalje nga problemi të cilin fillimisht Thaçi, e më pas Mustafa, e krijuan me nënshkrimin e marrëveshjeve për themelimin e Zajednicës, atëherë kjo bllokadë do të kishte kuptim. E fundit, po qe se qëllimi i bllokadës është që të pamundësohet veprimi i trupit legjislativ, e me të edhe të bllokohen të gjitha institucionet e tjera që varen nga buxheti shtetëror, që kështu të shkohet në zgjedhje të parakohshme, atëherë mbase duhet rikujtuar opozitës se fituesi i vetëm këtu do të dalë Thaçi.

Ai është përgjegjësi kryesor për përgjegjësitë e marra me marrëveshjet e këqija për Kosovën në të cilat e ka vënë nënshkrimin e vet. Ai ishte përgjegjësi kryesor për krizën politike, të cilën e përjetoi Kosova vjet në verë, dhe përfundimisht, është përgjegjësi kryesor për formimin e koalicionit që e kemi tash në pushtet. Patatet e nxehta që të gjitha ia qiti në duar Mustafës, përderisa ai zgjodhi të shëtitej nëpër botë, kurse Mustafa me shumë pak takt, me shumë inate dhe shumë përçmim ndaj opozitës, po përpiqet ta udhëheqë qeverinë harmonikë. Me gjasë, me idenë se “posa t’i heqim qafësh këto punë politike, do të kapemi me problemet ekonomike”. Problemi është se punët politike nuk kryhen kurrë dhe që për planin e tij mund të mos ketë kohë.

Ai është përgjegjësi kryesor se pse Kosova ka rënë në pikën ku është. E megjithatë, Thaçi është i vetmi që karshi të huajve mund të paraqitet si “faktor stabiliteti”, dhe këtë e ka eksploatuar në maksimum në sa vjetët e shkuar. Është i vetmi që ka strukturë të mirë partiake, që i ka shpërndarë njerëzit e vet nëpër të gjitha nivelet dhe të gjitha organizatat që mund t’i sjellin vota, dhe, është i vetmi që ka shumë para në arkë të partisë. Opozita, paksa e çakorduar, me probleme serioze kredibiliteti për shkak të veprimit në të kaluarën të AAK-së dhe një ish-pjese të PDK-së, tash në NISMA, vështirë se mund t’i fitonte zgjedhjet e parakohshme. LDK-ja, me kredibilitetin e dërrmuar pas humbjes së Prishtinës dhe posaçërisht pas lidhjes së koalicionit të fundit, me gjasë do të jetë humbësja më e madhe. Pa alternativë tjetër, fitues do të jetë ai. Sërish.

Më të fortë se ligji

Dhe në këtë atmosferë, kur nuk dihet se qysh do të zhvillohen ngjarjet në ditët në vijim dhe se cila do të jetë rrugëdalja nga qorrsokaku, përderisa vazhdohej me nënshkrimin e peticionit kundër Zajednicës dhe demarkacionit me Malin e Zi, në Prishtinë u mbajt takimi i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja. Nga ajo që dëgjuam në televizion, fjalimet nuk dolën nga korniza e bajatizmit dhe e rutinës. Broçkullat si: “tash ka ardhur koha për ta luftuar korrupsionin”; “duhet të ndiqen edhe peshqit e vegjël, e jo veç të mëdhenjtë” dhe “heronjtë që i duhen sot Kosovës janë ata që denoncojnë dhe luftojnë korrupsionin” – tregojnë se te ne korrupsioni dhe krimi janë endemike dhe njëkohësisht tema për t’u tallur me popullin, ngase është vështirë të pritet luftimi i korrupsionit nga ata që janë të përfshirë në të.

E vetmja mënyrë si mund të luftohet korrupsioni është me një gjyqësi e polici të pandikuar politikisht dhe me fuqi absolute të veprojë sipas ligjit. Dhe, atëherë kur të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit.

E se Kosova nuk është shtet i të barabartëve dhe se ligji nuk vlen njësoj për të gjithë e dëshmoi rasti i Sami Lushtakut, i cili sërish u iku gardianëve, ashtu siç kishte bërë muaj më parë, kur i kishte detyruar institucionet e drejtësisë, që në kundërshtim me ligjin, të negocionin kthimin e tij në burg.

Lushtaku, prejse është akuzuar, dënuar dhe futur në burg, më shumë kohë ka kaluar nominalisht në QKUK sesa në ndonjërin nga burgjet e Kosovës. Janë të panumërta rastet kur është transferuar në QKUK për arsye të përcjelljes së shëndetit të tij në lidhje me problemet e pretenduara me zemrën. Dhe po aq të panumërta raportimet se në ato kohë është parë shpesh nëpër kafenetë që gjenden në oborr të spitalit e madje edhe në ndeshje futbolli. Ikja e tij e fundit ka qenë kapak, por edhe rast i shkëlqyer për EULEX-in për të dëshmuar se është duke bërë diçka në Kosovë në lidhje me luftimin e krimit. Me seancë urgjente, u vendos që Lushtaku të transferohej në Burgun e Sigurisë së Lartë, prej nga nuk ka garanci se nuk mund të dalë sërish, për t’u vendosur në ndonjërin nga apartamentet VIP në QKUK, që “vizitohen” nga “Sulltan” Selimi (i cili sa ishte në paraburgim, mbajti edhe postin e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri), një nga truprojat e Thaçit, e kush e di edhe kush tjetër që nuk na ka rënë të dëgjojmë.

E se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë, e patën dëshmuar fëmijët e Adem Grabovcit, që kaluan me dënim me para, pasi që e patën rrahur një polic, apo edhe fëmijët e Sabit Gecit, që u përfshinë në një konflikt me veprimtarë të “Vetëvendosjes”, të cilët u therën me thikë: atyre nuk pati kush t’ua vinte prangat në duar, por i morën me të mirë, disi i bindën të hipnin në veturën e policisë. Dhe se ligji është selektiv, shërbejnë si dëshmi të gjitha rastet e personave që dyshohen për krime, e të cilëve u caktohet masa e arrestit shtëpiak.

E se korrupsioni nuk ka sesi të ndalet e dëshmon edhe dënimi minimal i shqiptuar ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Njeriu, i cili e ka 12-fishuar kontratën (prej 144 mijë në 1,7 milionë), u dënua me dy vjet e dy muaj burgim. Dhe, deri në plotfuqishmërinë e vendimit, mbetet në liri.

Gjithçka është privatizuar në Kosovë dhe e gjithë pasuria është përqendruar në një rreth njerëzish të fuqishëm që me dhunë e kërcënime ia kanë dalë edhe të uzurpojnë, e edhe të blejnë për pak para toka e ndërtesa me vlerë. Të blejnë madje edhe njerëz.

Si shkon puna te ne, do t’i rekomandoja opozitës që për të ardhmen të mendojë për një mjet tjetër proteste që s’është veza: se çfarë janë këta, do t’i privatizojnë të gjitha pulat dhe do t’ua ngrenë çmimin vezëve.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...