Mbi polarizimin e shoqërisë

28 Shtator 2015 - 08:27 - Lumir Abdixhiku      

E gjitha çfarë ky rend diskutues mund të prodhojë është polarizimi i shoqërisë. Në këtë polarizim palët do të shihen me thjerrëza partiake, edhe madje dyngjyrëshe, bardhë e zi. Ose je me pushtetin, ose je me opozitën. Ky polarizim nuk lë tjetër alternativë; nuk lë më një mes

-1-

Ngjarjet e fundit në Kuvendin e Republikës hapin përfundimisht një derë të re të sjelljeve politike këndej; gjithsesi të rënda e të paparashikueshme për muajt në vijim. Ato shpërfaqin sërish rëndesën e ndarjeve të taborëve politikë në vend, e të cilat, thënë të drejtën, nuk kanë nisur sot. Ato veçse janë vijimësi e një përplasjeje që nisi të burojë nga çarja e parakoalicionit opozitar në fillim-mandatin e kësaj qeverie. Tensionet e sotshme pra kanë zanafillë një hidhërim personal të aktorëve politikë që kishte nisur dje. Ky hidhërim është ushqyer ndërkohë bollshëm nga një sjellje arrogante e pushtetit, e cila ka dështuar të dëshmojë minimalisht konsideratë e përgjegjësi ndaj një pakice politike; dhe është ushqyer bollshëm nga nevoja e kësaj pakice për të ndryshuar gjendjen e tyre të pafuqishme me çdo kusht; pa zgjedhur mjet. Si përfundim, Kosova merr një absurditet parlamentar, ku forca e jo rezoni bëjnë kuptim.

Është fare e lehtë për të marrë anë pro apo kundër bllokadës parlamentare këndej. Është e pakuptimtë moslejimi i diskutimit. Në asnjë rrethanë madje nuk merr kuptim. Mbetet pra e pakuptimtë zgjedhja opozitare për të shtruar argumente. Nëse forca dhe ndërprerja e fjalës së lirë janë argumente më të fuqishme opozitare, atëherë këtë opozitë – rrjedhimisht këtë vend – e ka marrë e zeza. Sepse nuk ka asnjë lajm më të keq e më të rëndë sesa rrënimi opozitar. Humbja e alternativës zgjat jetën e kapësve. Kjo jetë është zgjatur tashmë.

Dhe opozita sot është e rrënuar. Nuk ka ide se çfarë bën. Gjuan vezë. Natyrisht se gjetja e precedentit për gjuajtje të vezëve, shpërthim të gomave, heqje të grilave e bllokim të Parlamentit – si qëllim më vete – është e lehtë. Një rast në Japoni, tjetri në Suedi, tjetri në Britani e i fundit në dreq të mallkuar, mund të përbëjnë një komplot precedentësh. Por ngjarja e tyre në një vend të vetëm është e rrallë.

Është tërësisht i rrallë vendimi për mosrespektim të asnjë institucioni të Republikës dhe thirrja në të vërtetën absolute partiake. Pra, opozita vendos të injorojë zërin e shumicës qytetare që reflektohet në Parlament, refuzon vendimet e Kushtetueses e secilit institucion tjetër republikan, dhe si në përfundim, refuzon edhe mungesën e trysnisë qytetare e publike që nuk shfaqet askund. Ajo provon të thotë se vetëm ajo ka të drejtë. Kjo logjikë se partia e partitë opozitare kanë të drejtë – dhe në mesin e kësaj të drejte hajnat e kriminelët më të mëdhenj të gjashtëmbëdhjetë vjetëve të fundit na dalin të jenë – pra kjo logjikë e monopolizimit të së drejtës është anarkiste dhe përfundimisht zgjedhje e pakicës.

-2-

E sepse është anarkiste, përbën edhe devijimin e opozitës nga gjithçka opozitare këndej. Për ta bërë të qartë, opozita partiake nuk është forma e vetme e artikulimit të pakënaqësive qytetare në Kosovë. Në të vërtetë, për shkak të votave të pakta që këto grupime politike kanë marrë tash e sa kohë rresht, kjo opozitë partiake është më e vogla në Kosovë. Kjo vogëlsi e tyre nuk i bën të tjerat alternativa të mëdha – veç e veç – por i bën më të mëdha si grup.

Devijimi i opozitës partiake nga opozita intelektuale, mediatike e shoqërore në Kosovë – qoftë edhe në formën më individuale të mundshme – përbën fuqizim të pozitës. E fuqizimi i pozitës, i kësaj forme të pushtetbërjes, mbetet në secilën rrethanë skenari më i rëndë i mundshëm për Kosovën.

Opozita, me platformën e muajve të fundit, ka vendosur të ecë vetë. Ajo ka vendosur të injorojë të gjitha thirrjet ndërkombëtare, të gjithë disponimin qytetar (të shprehur me votë apo me mosaktivizim), ka vendosur të injorojë miq e aleatë, e shpejt shumë do të injorojë dhe ato pak mendje të ftohta e të mençura që i ka në vete. Opozita ka vendosur të ecë tërësisht vetë. Dhe e vetme do të mbesë.

Ajo natyrisht se do të mobilizojë disa militantë, herë të zyrave e herë ata “facebook-ianë”, por nuk ka për të ngjallë as për së afërmi ndonjë nismë mbarëqytetare që do të mbështesë çfarëdo alternative joinstitucionale. Kjo, për disa arsye.

E para, sepse brengat që mundohet t’i ngjizë opozita, qoftë këto me demarkacion e qoftë ato me Asociacion, nuk janë brenga të qytetarëve të Kosovës. Ato janë platforma të partive politike – rrjedhimisht të votuesve të tyre (e që janë pakicë) – por nuk janë platforma të interesit për qytetarët kosovarë. Puna, mirëqenia e zhvillimi janë brengat e kosovarëve. Mirë ose keq, çështje tjetër.

E dyta, sepse forca opozitare e bashkuar është po aq e kalbur sa edhe forca e pushtetit të bashkuar. Për secilin profil kriminal në pushtet, njeriu e gjen një kundërprofil në opozitë. Për secilin hajn në pushtet e gjen një tjetër në opozitë. Për secilin servil në pushtet ka një tjetër në opozitë. Kosovarët megjithatë nuk harrojnë shpejt.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishme, kosovarët në asnjë rrethanë nuk kanë për të nisur një revolucion që mendjet neokomuniste, kryesisht të “Vetëvendosjes”, mund ta kenë projektuar diku. Nuk e bëjnë; s’do ta bëjnë. Janë të frikësuar nga secila formë e dhunës. E refuzojnë. Siç edhe e kishin refuzuar atë në protestat e fundit; ku sërish, për shkak të opozitës, një protestë perfekte qytetare u transformua në dhunë e qëllim për pushtet – për të përfunduar në fund pa përkrahje.

-3-

Opozita do të kuptojë gabimin e formës për të kundërshtuar argumente (ndoshta edhe legjitime) tek në zgjedhje. Në zgjedhje, dhe këtu merr hov fati ynë i keq, kapësit e shtetit, ndihmësit e kapësve, e gjithë tregtarët e pushtetit do të fuqizohen shumë.

I gjithë lëmshi opozitar, pra, shpërfaq kapësit e sotshëm si alternativa më e sigurt e mundshme në një skenë të pasigurt politike. I shfaq si të tillë ndaj ndërkombëtarëve, ndaj qytetarëve votues e veçanërisht atyre jovotues që me injorim të opozitës do të forcojnë pozitën. E koha më e rëndë për këtë vend do të nisë pas zgjedhjeve. Kur do të na duhen vite të tëra për të formësuar një ide të re politike – qoftë si ide brenda partive opozitare (deri atëherë) të rrënuara, qoftë si parti më vete.

Thënë të drejtën, nuk pres që disa nga aktorët e sotshëm të brengosen se çfarë ndodh pas zgjedhjeve. Për pjesën më të madhe të tyre zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit. Dhe pikërisht gjasa e ndodhjes së këtij skenari përbën motivin kryesor të agresivitetit të tyre sot. Ata duan të ndryshojnë këtë përfundim të sigurt të tyre.

Të njëjtit pra kanë kuptuar se vazhdimi i një qetësie politike këndej përbën një ecje të qetë të tyre drejt fundit. Sepse, siç edhe e dinë vetë, nuk kanë as kapacitete, as njerëz, as energji – e natyrisht as para – për të kundërshtuar për katër vjet rresht një pushtet të madh si ky. Lëmshi eventual, rebelimi, kërcënimi e eventualisht rrënimi i çfarëdo qoftë që është përballë tyre, pushtet apo shtet, prodhon skenar të paparashikueshëm. Në këtë paparashikueshmëri, ata gjejnë edhe shpresën se mund të mbesin diku. E vërteta e vetme megjithatë mbetet se të njëjtit do të përfundojnë edhe jashtë, por edhe faqezinj.

-4-

E gjithë kjo platformë e opozitës natyrisht se nuk shpëlan pozitën. Nëse do të kishte një kandar të matjes së mëkateve në mes palëve, kjo e pozitës mbetet më e rëndë. Mbetet e rëndë për shkak se nëpërmjet politikave makiaveliste ka zgjatur jetën e një strukture kriminale të instaluar në pushtet; nëpërmjet politikave të inatit e hidhërimit, ka prishur secilin relacion me mendimet e kundërta – madje edhe për gjërat më minore të mundshme; dhe nëpërmjet arrogancës ka indinjuar secilin individ e grupim politik e jopolitik këndej, që, megjithatë, ia do të mirën vendit.

Aq shumë anomali politike e logjike ka prodhuar kjo pozitë saqë kundërshtimi i tyre më ka humbur vlerën. E kur kundërshtimi humb vlerën, oponenca argumentuese ftohet. Merr hov ajo e dhunës. Në këtë përballje i njëjti pushtet – edhe po pati të drejtë – mbetet po aq i vetëm; siç ka mbetur edhe tani.

Një pushtet i tillë natyrisht se meriton kundërshtim. Mbi të gjitha, meriton dhe fundin. Por merita e fundit nuk mund të vijë nëpërmjet rrugës; së paku jo pa u shterur të gjitha format institucionale. Nëse Kosova ka një Parlament, atëherë gjërat e këtij vendi vendosen aty; me votë. Nëse Parlamenti nuk reflekton disponimin kushtetues, atëherë provohet Gjykata Kushtetuese. Nëse kjo Gjykatë nuk reflekton sens, por interesa të kapjes, atëherë legjitimohet bojkotimi institucional e nisja e protestave – madje edhe paqësore. Nëse protesta ka në konsistencë përkrahje qytetare, atëherë legjitimohet kërkesa e opozitës. Nëse jo, është e thjeshtë, opozita ka keqinterpretuar me të madhe gjithë disponimin qytetar. Dhe të gjitha indikacionet politike këndej, së paku të provuara për aktivizim qytetar, dëshmojnë mu këtë huqje. Në fund të fundit, mobilizimi qytetar, po pati shkas njëmend, nuk ka nevojë fare për fascilitim partiak.

Për më tepër, opozita nuk dëshiron të kalojë asnjë formë institucionale e legjitimuese. As në Parlament, as në Kushtetuese e as në rrugë. Nuk po e bën asnjërën, sepse – siç edhe mund ta kenë kuptuar – nuk gjejnë disponim. Atëherë çfarë kërkojnë?

-5-

Çfarëdo që të kërkojnë, nuk kanë për të gjetur. E gjitha çfarë ky rend diskutues mund të prodhojë është polarizimi i shoqërisë. Në këtë polarizim palët do të shihen me thjerrëza partiake, edhe madje dyngjyrëshe, bardhë e zi. Ose je me pushtetin, ose je me opozitën. Ky polarizim nuk lë tjetër alternativë; nuk lë më një mes.

Polarizimi shoqëror rrezikon të shpërndahet gjithandej. Në secilin diskutim miqësor, familjar e profesional. Është ushqyer aq shumë urrejtje nga të dyja palët saqë taborët e ushtrive fyese, sharëse e urrejtëse kanë marrë municion mjaft. Ky polarizim do të zgjerohet edhe në Parlament, më pas në korridoret e tij – me siguri edhe me dhunë – do të kalojë në rrugë gjithsesi, në relacione individuale, për të mos ndryshuar e prodhuar asgjë prej gjëje.

Pra, në fund të ditës, ky polarizim do ta mbajë Kosovën në vendin e njëjtë. Pushtetin e njëjtë në rend të njëjtë, e opozitën e njëjtë në lëmsh të njëjtë. Përfundimisht, qytetarët e njëjtë në halle të njëjta. Nuk do të zgjidhet asnjëri prej tyre. Gjërat do të shihen për muaj të tërë me qëndrime nxitëse. Madje, edhe derisa ky shkrim lexohet, e secili mendim i juaji që do të thuhet në vijimësi, do të ngjyroset me domosdoshmërinë e përkatësisë partiake. Herë nga njëra e herë nga pala tjetër – gjithsesi asnjëra palë e kënaqur. Je me ta, ose me ne.

Po ja që ka një mes. Ky mes nuk mbështet as opozitën me format e saj e as pozitën me argumentet e saj; i refuzon të dyja pra. Ky mes nuk e sheh të denjë asnjërën palë për të përfaqësuar interesat republikane të këtij vendi. Ky mes as nuk legjitimon vazhdimësinë e sjelljes së pushtetit, por as edhe formën e kundërshtimit të opozitës. I sheh Kosovën, pushtetin dhe opozitën si bashkëfajtore në ngecje.

Pushtetin kryefajtor, sepse ka secilin mekanizëm për të ecur mbarë e mirë, por vazhdon të qëndrojë indiferent ndaj kapjes – madje dhe në rrethana të dhëna e vazhdon kapjen më shumë; dhe e gjen bashkëfajtore opozitën që nuk arrin të artikulojë argumente e zëra qytetarë që nesër do të bëheshin alternativë qeverisëse këndej.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...