Opozitë ndryshe

27 Shtator 2015 - 08:07 - Elmaz Isufi      

Bllokut opozitar nuk i duhen njerëz që veprimet e dhunshme i kombinojnë edhe me gjuhë të papranueshme. Qytetarët nuk duan që ndryshimi i një ekstremi të bëhet me ekstremin tjetër - ata sa i entuziazmon këmbëngulësia e opozitës, po aq edhe i frikëson diskursi i tyre. Pra, nuk duhet të ndryshojë vetëm Qeveria, duhet të ndryshojë edhe opozita

Kosovës i duhet alternativë e re qeverisëse. Koalicioni i tashëm i bërë për të garantuar fuqinë e vendimmarrjes për çështje të hapura me Serbinë nuk garanton ndryshimin e “melodisë” që jemi mësuar ta dëgjojmë që nga paslufta. Kanë ndryshuar herë-herë anëtarët e orkestrës, por dirigjentët kanë mbetur të njëjtë.

Qytetarët nuk do të binden të ndërrohet kjo trupë e “instrumentalizuar” politike me një tjetër, për sa kohë që nuk dinë se cila vepër e re do të ekzekutohet dhe kush mund të jenë autorët e saj. Disa tashmë janë mësuar me të njëjtën “muzikë” dhe trurit të tyre u duhet më shumë kohë për t’u bindur se ka shumëllojshmëri krijimtarie, edhe politike. Madje, shumë qytetarë mendojnë se nuk i ka fajet “muzika”, por veshi i tyre.

Partitë në opozitë që duan të veprojnë si një orkestër e vetme, para se të nisin projektin e përbashkët, duhet të shmangin problemet organizative dhe të komunikimit me qytetarët. Ata momentalisht i mban në lojë vetëm vullneti për të sfiduar pushtetin, me shpresë se edhe mund ta rrëzojnë.

Struktura e njerëzve në to është heterogjene dhe me pak shanse që të nxjerrë projekt të avancuar politik. Në secilën prej tyre ka mungesë të kuadrit cilësor, e edhe demokraci të brendshme, pavarësisht se të gjitha e mohojnë këtë. Janë bërë edhe strehë e atyre që janë dëbuar nga partitë në pushtet – disa drejtpërdrejt nëpërmjet proceseve të brendshme zgjedhore e disa edhe duke i shpërfillur si personalitete.

Marshimi drejt pushtetit nëpërmjet një procesi zgjedhor me këtë (jo)strategji dhe me këtë bazë të kuadrit është goxha i vështirë.

Diferencat janë edhe në qasjen programore.

Njëra parti në opozitë thotë se kemi platformën për ndryshime dhe për qeverisje – sipas orientimit të majtë, e tjetra nuk e heq nga goja orientimin e djathtë. E majta dhe e djathta mund të bëhen bashkë për çështje që dalin përtej dimensionit partiak – për çështje nacionale siç edhe ka ndodhur së fundi, kur janë bashkuar në kauzën për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Por në perspektivë orientimet programore të partive në bllok nuk garantojnë bashkëjetesë të gjatë (“...vetëm për pika të veçanta mund të bashkëpunojmë me VV-në”, ka thënë Anton Berisha i AAK-së). E kjo e bën të pamundur edhe idenë e garës në zgjedhjet e ardhshme me një listë të përbashkët.

Opozita e tashme “e bashkuar” ka edhe një tjetër defekt - i mungon një zë.

“Vetëvendosje” duke qenë më aktive, më kreative dhe më mirë e strukturuar i mban në hije dy partitë e tjera, AAK-në dhe Nismën. Derisa lideri i Nismës, Fatmir Limaj, nuk e ndien presionin e të qenit i pari në bllok, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, përpiqet të mbahet lart, edhe kur niveli i komunikimit e nxjerr atë jodinjitoz për një udhëheqës partie, tash, e edhe më pak udhëheqës shteti, në të ardhmen.

“Vetëvendosje” dallon nga të dyja edhe për nga “origjina”. Është produkt i pakënaqësisë ndaj qeverisjeve të mëparshme. Elektorati i saj është refuzues ndaj të gjithëve që ishin në pushtet dhe që u vjen era korrupsion e krim i organizuar, përfshirë edhe ata që tash janë në opozitë. Nuk ia ka bërë “rrafsh” as ndërkombëtarëve, qofshin ata miq të Kosovës. Ajo shquhet për këmbëngulësi, dinamikë, aksion dhe për veprime të guximshme.

AAK-ja si konstruksion i disa partive të vogla me sfond patriotik dhe iniciativës së disa komandantëve të UÇK-së, për qëllim kishte politikëbërjen dhe ardhjen në pushtet me kartën e kontributit në ilegale dhe në periudhën e luftës. Janë shprehur të hapur për të gjitha kombinimet paszgjedhore dhe me cilindo, me kushtin që të plotësohen dëshirat e liderit për hise në Qeveri. Elektorati i saj viteve të fundit ka humbur shtrirjen nëpër komuna, madje me pak shanse që të ruajë dominimin edhe tek baza e saj, në Dukagjin.

Nisma për Kosovën doli si fraksion i të pakënaqurve në PDK, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Kjo parti për kohë të shkurtër nuk arriti të strukturohet mjaft me arsyetimin se u zu në kurthin e zgjedhjeve, por në ndërkohë ajo nuk shfaqi asnjë ambicie për t’u rritur. Ajo shihej si një LDD e re që ishte shkëputur nga LDK-ja, që për efekt mund të rrënonte fuqinë e PDK-së. Nëse jo shumë, të paktën të pengonte fitoren e saj në zgjedhjet e 2014. Ajo mori aq sa të përfaqësohet në Parlament, por PDK-së nuk i bëri shumë dëm. Madje, ka pasur vlerësime që largimi i Limajt i ka bërë më shumë hair partisë së Hashim Thaçit, meqë për shkak të akuzave për korrupsion ai konsiderohej e keqja e partisë në kuptimin e imazhit publik.

Si mund të vijë në pushtet opozita e tashme?

Tri partitë në bllok ka shumë shanse të dalin të humbura nëse insistojnë në rrëzimin e shpejtë të Qeverisë së tashme dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kërkesa për rishikimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Vjenë mund të përdoret për shtimin e presionit ndaj partive në pozitë, dhe kësaj mund t’i shtohet doza me të tjera probleme që nuk u janë dhënë përgjigje për një vit qeverisjeje. Paralelisht me këtë presion, që përkthehet edhe si mobilizim, partitë duhet të shtrojnë në tavolinë projektin e veprimit për zgjedhjet e ardhshme. Ato duhet të mendojnë para së gjithash për një lidership të zotin që drejton projektin e ardhjes në pushtet. U duhet një apo më shumë personalitete që udhëhiqen nga parimet e menaxhimit në grup dhe që nuk udhëhiqen nga ideja e përjashtimit të atyre që mendojnë ndryshe. Që gëzojnë respekt jashtëpartiak – sidomos te shoqëria civile dhe elita politike e kulturore. Pra,personalitete unifikuese, që përveç autoritetit në vend kanë edhe peshë ndërkombëtare, në të cilën kanë dështuar plotësisht liderët e tri partive në opozitë.

Bllokut nuk i duhen njerëz që veprimet e dhunshme i kombinojnë edhe me gjuhë të papranueshme. Qytetarët nuk duan që ndryshimi i një ekstremi të bëhet me ekstremin tjetër - ata sa i entuziazmon këmbëngulësia e opozitës, po aq edhe i frikëson diskursi i tyre. Pra, nuk duhet të ndryshojë vetëm Qeveria, duhet të ndryshojë edhe opozita.

Por, a është herët për zgjedhje?

Opozita e konsoliduar duhet të luftojë, jo për ta rrëzuar, por për ta mposhtur në garë koalicionin qeverisës. Logjika e largimit me çdo kusht dhe pa proces zgjedhor të partive që drejtojnë institucionet nuk garanton ndryshim. Zgjedhjet e ngutshme parlamentare ka shumë shanse t’i konfirmojnë sërish partitë e koalicionit si forcat kryesore. PDK-ja dhe LDK-ja jo vetëm që kontrollojnë Qeverinë qendrore, por ato menaxhojnë me shumicën e komunave. Ky kontroll absolut i pushteteve, përfshirë edhe atyre që do të duhej të ishin të pavarura, është i pafavorshëm për partitë opozitare, që edhe ashtu kanë mjaft të çara në strukturat e tyre menaxhuese. Partitë opozitare të përfaqësuara në Kuvend duhet ta kenë të qartë se deri në një proces të ri zgjedhor, skena mund të pasurohet edhe me parti të reja, e nuk përjashtohet edhe aktivizimi i partive në “pauzë”, siç është AKR-ja që për pak dështoi të hyjë në Kuvend. Dhe energjitë e njerëzve potencialë mund të shtrihen përtej ofertës që ofron opozita e tashme.

Çfarë mund ta ndryshojë këtë raport forcash. A arrihet kjo nëpërmjet ultimatumeve dhe presioneve deri në bllokimin e punës së Kuvendit? A janë të mjaftueshme pakënaqësia dhe revolta e drejtuesve të partive opozitare për të sfiduar pushtetin deri në dorëheqje.

Praktikisht kjo ndodh më rrallë, jo pse mungojnë arsyet, por se partitë opozitare, kur në sasi dhe cilësi janë të dobëta, nuk e çojnë dot këtë proces deri në fund. Rrëzimi i pushteteve të papërgjegjshme bëhet rëndom nga qytetarët – në këtë mes hyjnë edhe ata që kanë votuar për partitë në pushtet. Assesi kjo nuk bëhet nga partitë opozitare, meqë duke fyer, kërcënuar drejtuesit e pushtetit, në fakt hapin frontin kundër vetë atyre. Përveç militantëve partiakë, qytetarët këtë përplasje e vëzhgojnë si spektatorë – ata nuk duan të rreshtohen tek palët para se të zhvillohet një proces zgjedhor.

Opozita në sistemet parlamentare prioritet duhet ta ketë paraqitjen e alternativave të qeverisjes. Idenë dhe programin qeverisës ato duhet ta bëjnë publik dhe ta vënë në diskutim të qytetarëve. Opozita nuk duhet të ndjekë kursin e pushtetit që shpërfill çdo iniciativë dhe propozim të saj. Duhet ta bëjë të kundërtën, t’i shmanget kursit të përplasjes së vazhdueshme dhe ta sfidojë atë me argumente.

Përveç akuzave dhe kritikave, ajo duhet të promovojë edhe alternativat. Opozita në Kosovë nuk duhet t’u prijë shqetësimeve të qytetarëve në rrugë, ajo duhet t’u qëndrojë pranë ose pas. Pakënaqësia e qytetarëve ka efekt kur ajo nuk mban vulën e partive apo grupeve të tjera të interesit që synim kanë pushtetin. Opozita duhet të përfaqësojë hallet e tyre, para së gjithash, në Parlament.

Ky është shansi që opozita të rritet. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...