Në shtetin e privatizuar edhe Garda e Nderit përdoret për qëllime të pandershme

24 Shtator 2015 - 08:13 - Enver Robelli      

Që nga viti 1999, Partia Demokratike e Kosovës i ka shfrytëzuar strukturat nëntokësore dhe shtetërore për të plaçkitur. Tani ka ardhur koha e dëfrimit: Garda e Nderit e FSK-së shfrytëzohet për dasma. Pse jo? Bën edhe për syneti

1.
Është e pamundshme të kalojë një javë pa zemërimin e javës! Anekënd Kosovës e diasporës dridhen mediumet sociale, gazetat e televizionet, profilet në “Facebook” e “Twitter”, dridhen edhe tavolinat e kafehaneve, banakët e bareve dhe të dyqaneve. Ç’bëri vaki javën që shkoi? Pamë se i biri i një këngëtari të përkëdhelur nga pushteti i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit kishte marrë - për t’ia sjellë nusen në shtëpi - hiç më pak se pjesëtarët e Gardës së Nderit të Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK). U veshën gardistët me rroba solemne, u rruan e u kruan – dhe në dasmë shkuan.

Kjo është e palejueshme, thanë të zemëruarit.

Kjo është poshtërsi, thanë të hidhëruarit.

Kjo është marrëzi, thanë të acaruarit.

Jo, jo, kjo është çmenduri, thanë të inatosurit.

Në të vërtetë, ky është normaliteti kosovar!

2.
Fazil Hüsnü Dalarca, poet turk, në poezinë “Në luftë” ka shkruar: “Gjyshi tha: / Nëse humbim / Jemi bar. / Nëse fitojmë / Jemi drithë . / Gjyshja i tha / Atilës së vogël: / Në luftë / Gjysma e ëndrrave vdesin. / Gjysma dalin të vërteta.” Ëndrra se lufta e Kosovës u bë për çlirim të vendit ka vdekur - gjatë luftës. Cubi dhe koçobashi s’bëjnë luftë për çlirim, por luftë për pasurim. Kjo kategori cubash sot e sundon Kosovën me brutalitet dhe me vetësiguri të jashtëzakonshme, sepse kjo kategori është e vetëdijshme se e ka futur në grusht një popull duke e frikësuar, manipuluar dhe rrëzuar përtokë. Dhe duke ia vjedhur votat dhe vrarë shpresat. Në Kosovë ëndrrat dhe ankthet e luftës dolën të vërteta pas luftës. Disa e kuptuan këtë gjatë luftës, disa më vonë, disa kurrë. Jo pak i mbyllën sytë. Sepse oportunizmi ka qenë një fruth që i ka shoqëruar shqiptarët prej se kanë nisur të mendojnë politikisht.

3.
Zemërimin e javës së kaluar shqiptarët e Kosovës së shkretë, prej së cilës në dymbëdhjetë muajt e fundit ikën 100 mijë shpirtra, e lanë pas. Dhe shumë shpejt do ta harrojnë. Tash presin zemërimin e radhës. Sepse zemërimi është pjesë e argëtimit politik në Kosovë. Nuk bën të kalojë një javë pa (së paku) një zemërim. Më e keqja është se zemërimi shërben si stimulim për harresë. Shqiptarët kanë harruar plot poshtërsi. Harruan se në xhirollogarinë e vëllait të shoferit të Kadri Veselit u derdhën 200 mijë euro nga tenderi për pasaporta biometrike. Me shkumë para goje Veseli kishte thënë se nuk e njihte atë shofer. I inkurajuar nga kjo gazetë që pretendimet e tij t’i adresojë në rrugë ligjore, Veseli u dekurajua. Nuk bëri më zë. Shqiptarët kanë harruar se Gani Thaçi, vëllai i Hashim Thaçit, pas luftës u arrestua me një milion marka në xhep. Në vend se të jepte llogari se nga i mori ato para, në vend se të trajtohej nga gjyqësia, Gani Thaçi bëri karrierë në Byronë Kosovare të Sigurimeve – një lloj sporteli për plaçkitje të mërgimtarëve nëpërmjet policës për sigurime. Në situata të tilla mashtruesit bëhen bashkë. Andaj nuk është rastësi, por normalitet kosovar që njëri nga koçobashët e kësaj byroje është edhe Rrahim Pacolli, një familjar i të cilit deshi ta “çlirojë” Kosovën me ndihmën e presidentit rus Boris Jelcin dhe vozhdit serb Slobodan Milosheviq. Kanë harruar kosovarët se kjo kategori e përzier në krim dhe në sisteme oligarkike e sheh veten më të fortë se çdo instancë shtetërore. Po të mos e ndiente veten të paprekshme kjo kategori, nuk do të bënte vaki që djemtë e Adem Grabovcit të rrahin edhe policë. Me uniforma. Në detyrë. A të humbim ca fjalë edhe për perandorinë e bizneseve të Sami Lushtakut, Sylejman Selimit dhe koçobashëve të tjerë? Në luftë gjysma e ëndrrave vdesin. Gjysma dalin të vërteta. A të humbim ca fjalë për rreth një miliard euro të vjedhura nga biznesi i derivateve të naftës? Këtë vjedhje e kanë bërë biznesmenë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, vatrën kryesore të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovën e pasluftës.

4.
Janë harruar tmerre edhe më të mëdha nga shqiptarët. Dhjetëra vrasje të pasqaruara dhe të kryera gjatë dhe pas luftës nga strukturat që akuzohen madje edhe nga NATO-ja të jenë të afërta me PDK-në. Një shoqëri që pajtohet se vrasja e rivalit politik është veç nafakë e keqe, nuk mund të ketë kurrfarë ardhmërie. Këtë e kanë kuptuar jo pak shqiptarë, andaj po ikin drejt Evropës Perëndimore. Të zemërohemi tani për keqpërdorimin e disa gardistëve kosovarë në një dasmë ngrehalucësh? Ky është krimi më i vogël, madje më simpatik që ka ndodhur në këtë vend nga fundi i viteve ‘90. Krim i vërtetë është, për shembull, kur LDK dhe shefi i saj grindavec bëhen hyzmeqarë të sistemit të krimit e korrupsionit, dhe këtë përpiqen ta shesin si sakrificë e shërbim ndaj vendit.

5.
Zemërimi gjatë një jave nuk e çliron Kosovën. Ata që duan ndryshime, ata që duan ta shndërrojnë zemërimin në alternativë politike për shpëtimin e Kosovës, duhet t’i braktisin mediumet sociale dhe të vërshojnë sheshet e qyteteve kosovare. Mbi të gjitha, duhet t’i mobilizojnë qytetarët me opsione të bindshme politike, me ide dhe me projekte realiste për ta bërë Kosovën shtet funksional. Po vazhdoi kjo apati politike, atëherë askush nuk duhet të befasohet që kategoria e të ashtuquajturve çlirimtarë të Kosovës do t’i angazhojë gardistët e Kosovës për të shërbyer çaj, për të bartur ibrikë për avdes, për të qëruar molla dhe thyer gurë – në gurthyesit e shumtë të “kumanirave” të krimit. Në shtetin e privatizuar Garda e Nderit përdoret për qëllime të pandershme. Përse duhet të befasohemi?

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...