Solidariteti si themel i BE-së po shembet

23 Shtator 2015 - 08:17 - Augustin Palokaj      

Gjatë historisë së saj BE-ja ka gjetur mundësi të tejkalojë shumë ndasi. Së fundi edhe testi më i madh, ai si të shpëtohet Greqia nga bankrotimi, u kalua. Por sfida tjetër, ajo e një përgjigjeje të përbashkët evropiane ndaj krizës së refugjatëve, ka shkaktuar aq shumë akuza dhe kundërakuza mes shteteve anëtare, saqë janë lëkundur themelet e BE-së të ndërtuara mbi parimin e solidaritetit mes shteteve anëtare

Egoizmi, frika dhe interesat nacionale e kanë kapluar sot Bashkimin Evropian, i cili nuk po gjen fuqi të merret vesh për një përgjigje të përbashkët evropiane ndaj sfidës së valës së madhe të refugjatëve. Hungaria ka rrethuar me një mur të lartë me tela gjemborë jo vetëm kufirin me Serbinë, një vend kandidat për anëtarësim në BE, por edhe me Kroacinë, vend i cili është në Bashkimin Evropian. Madje ka dërguar në kufi me Kroacinë ushtarë me armatim të fortë. Gjithçka duket sikur Hungaria po bëhet kati për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm apo agresion i Kroacisë. Herën e fundit këto dy kombe, kroatët dhe hungarezët, kishin luftuar kundër njëri-tjetrit, kur kroatët ishin lidhur me austriakët në luftë kundër hungarezëve. Në vitin 2011 ishte pikërisht Hungaria dhe kryeministri i saj Viktor Orban që luajtën rolin kryesor në detyrimin e BE-së që të përmbyllte negociatat për anëtarësimin e Kroacisë, që edhe solli realizimin e këtij qëllimi para dy vjetësh. “Asgjë nuk është më e madhe sesa miqësia jonë me Kroacinë”, thoshte shpesh kryeministri hungarez Viktor Orban.

Sot ai ndërton mure mes vendeve të BE-së. Kërcënon Evropën për rrezik nga hiç më pak se 35 milionë myslimanë që mund të vijnë në Evropë, dhe barrikadon shtetin e tij. Nga Brukseli e porosisin liderin hungarez se “ka kaluar koha e ndërtimeve të mureve”, por në fakt, duke përsëritur se “secili shtet anëtar vendos vetë se si t’i ruajë kufijtë e jashtëm”, në një mënyrë i japin atij të drejtë të ndërtojë mure. Hungarezët, ndoshta për të nxitur edhe më shumë emocione negative në raport me Kroacinë, thonë se “me Serbinë i kanë zgjidhur problemet si miq të vërtetë”.

Barrikadimi i kufijve të Hungarisë me Serbinë, Kroacinë dhe Rumaninë është vetëm një perde e re e hekurt që është e dukshme. Por, siç tërhoqi vërejtjen para një jave edhe komisari nga Austria, Johanes Hahhn, i cili ka përsipër edhe resorin e zgjerimit të BE-së, në Evropë po krijohen edhe perde të hekurta të padukshme, dhe një gjë e tillë duhet të parandalohet. Ai gazetarëve në Bruksel u tha se në zyrën e tij mban një kornizë me hekurat e perdes së hekurt, e cila ndante Austrinë dhe Hungarinë në kohën e luftës së ftohtë. Thotë se atë e mban për të përkujtuar se duhet gjithmonë të punohet që të mos harrohet një gjë e tillë, në mënyrë që të mos përsëritet.

BE-ja është e ndarë më shumë se kurrë. Gjatë historisë së saj, BE-ja ka gjetur mundësi të tejkalojë shumë ndasi. Së fundi edhe testi më i madh, ai si të shpëtohet Greqia nga bankrotimi, u kalua. Por sfida tjetër, ajo e një përgjigjeje të përbashkët evropiane ndaj krizës së refugjatëve, ka shkaktuar aq shumë akuza dhe kundërakuza mes shteteve anëtare, saqë janë lëkundur themelet e BE-së të ndërtuara mbi parimin e solidaritetit mes shteteve anëtare.

Pikërisht parimi i solidaritetit pati krijuar politikën kohezive të BE-së, sipas së cilës me vite shtetet më të zhvilluara kanë kontribuar më shumë në buxhetin e përbashkët, ndërsa ato më pak të zhvilluara, përmes fondeve strukturore, kanë përfituar më shumë. Qëllimi ka qenë që të zvogëlohen dallimet në mirëqenie mes shteteve të Bashkimit Evropian. Dhe themel i kësaj politike ka qenë pikërisht parimi i solidaritetit. Nuk ka qenë lehtë të ruhet kjo politikë, se

Greqia, Portugalia e Spanja në 30 vjetët e fundit përmes politikës kohezive të BE-së kanë zhvilluar infrastrukturën e tyre, kanë ndërtuar me mijëra kilometra autostrada, rrugë, ura, hekurudhë e deri tek aeroportet moderne. Të njëjtën gjë e bëjnë tash e 11 vjet përmes të njëjtave fonde edhe shtetet nga Evropa Lindore e ajo Qendrore që hynë në BE në valën e madhe të zgjerimit më 1 maj të vitit 2004. Të njëjtën mundësi e ka Kroacia si vendi më i ri anëtar dhe do ta kenë edhe vendet e tjera, të cilat do t’i bashkëngjiten këtij unioni në të ardhmen.

Nuk ka qenë lehtë të ruhet politika e kohezionit, sepse shumë shtete të zhvilluara janë ankuar se nuk munden më taksapaguesit e tyre të paguajnë për shtetet e tjera. Por pikërisht duke u thirrur në parimin e solidaritetit, pa të cilin BE-ja as nuk do të ishte krijuar e as nuk do të ishte zgjeruar, u ruajt kjo politikë edhe kur u miratua korniza shumëvjeçare financiare e BE-së për shtatë vjetët e ardhshëm.

Uniteti i BE-së u vu në pikëpyetje edhe rreth krizës greke. Edhe në këtë rast u lajmëruan shumë shtete të cilat thoshin se qytetarët e tyre nuk mund të paguajnë për mega borxhet e Greqisë. Por, prapë duke u thirrur në parimin e solidaritetit, BE-ja miratoi edhe një plan shpëtimi për Greqinë prej 86 miliardë eurosh.

Tash është kriza e refugjatëve që ka lëkundur më shumë se gjithçka më herët themelet e BE-së dhe parimin e solidaritetit. Më shumë se gjysmë milioni refugjatë kanë ardhur në BE në tetë muajt e parë të këtij viti, dy herë më shumë sesa gjatë tërë vitit të shkuar. Refugjatët hyjnë në BE në Greqi, dalin nga BE-ja dhe hyjnë në Maqedoni, nga shkojnë në Serbi. Nga Serbia hyjnë në BE në Hungari dhe tash edhe në Kroaci. Kroacia i drejton nga Hungaria dhe Sllovenia, këto drejt Austrisë, vazhdojnë drejt Gjermanisë e disa edhe deri në Danimarkë dhe Suedi. Nëse do të gjykohej në bazë të rregullave të BE-së, atëherë secili shtet përmes të cilit kanë kaluar refugjatët ka bërë shkelje të ligjeve të BE-së. Sepse, sipas rregullave të BE-së për qasje ndaj refugjatëve, përgjegjësinë e mban shteti i parë i BE-së në të cilin kanë hyrë. Por ky ligj është sa i padrejtë aq edhe i pazbatueshëm. Sikur ai të zbatohej, të gjithë refugjatët do të duhej të rrinin në Greqi, Itali, Maltë apo Spanjë.

Disa shtete do të donin të ishte ashtu, dhe vetë të mos kenë asnjë detyrim. Sepse janë larg dhe nuk i kap kjo valë. Austria kritikon Slloveninë dhe Kroacinë për shkelje të rregullave të BE-së, për shkak se i lejojnë emigrantët të shkojnë në Austri. Kroacia, në territorin e së cilës për tri ditë kanë hyrë rreth 30.000 refugjatë, thotë se nuk mundet dhe nuk do t’i ndalë ata nëse nuk duan të kërkojnë azil në Kroaci.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndërpritet politika e fajësimit dhe drejtimit të gishtit ndaj njëri-tjetrit. Liderët e vendeve të Evropës Lindore dhe asaj Qendrore, të cilat nuk duan ta ndajnë barrën e refugjatëve, duhet të kenë kujdes, sepse kjo do të thotë se në këtë rast nuk vlen parimi i solidaritetit. Dhe me të drejtë shtetet e pasura mund të thonë se, nëse nuk doni të merrni pjesë në strehimin e një numri të refugjatëve, atëherë ne do të mund të ndalim fondet e kohezionit, sepse parimi i solidaritetit vlen në të dyja drejtimet. Pa parimin e solidaritetit nuk do të kishte më kuptim as ekzistimi i Bashkimit Evropian.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...