Sa lehtë

22 Shtator 2015 - 08:09 - Flaka Surroi      

Sa lehtë është të flasësh në emër të një trupi që nuk të njeh, e që për më tepër të mban të getoizuar, përderisa të detyron të futesh në marrëveshje që ndërtohen mbi baza etnike dhe diskriminuese, e të cilat, meqë bëhet fjalë për Kosovën, janë të pranueshme për BE-në. Është lehtë, përderisa e ke fuqinë e ndikimit te vendimet e atyre njerëzve që e kanë sjellë Kosovën në pikën në të cilën është – për shkak se në asnjë rast të vetëm, askujt nuk i ka shkuar ndër mend se populli mund të mos pajtohet

Ngjarja e javës ishte ikja e Isa Mustafës nga ballafaqimi me Kuvendin ku ka menduar të shkonte vetëm sa për të informuar se në çka e ka qitur nënshkrimin, përderisa Kryesia e Kuvendit i kishte kërkuar t’i nënshtrohej interpelancës.

Me arsyetimin se nuk i ka ministrat në Kosovë (edhe kur i ka nuk i vijnë në Kuvend, pra nuk është ndonjë arsyetim), ka kërkuar shtyrjen për një ditë tjetër. E kuptueshme, ngase me siguri deri tash i është bërë e qartë se atë që ka nënshkruar është një dokument i keq. Dhe, për shkak se ai nuk e ka nisur procedurën për marrëveshjen për Zajednicën, kërkon që edhe kryeministri i Jashtëm të jetë prezent në seancë, si bashkëpërgjegjësi për cungimin e sovranitetit shtetëror.

Propozimi i LDK-së që interpelanca e së enjtes të hiqet nga rendi i ditës, shkaktoi reagimin e opozitës dhe bllokimin e foltores dhe të tavolinës së Kryesisë. Veprim, që nuk çoi kandar, sepse në fund, seanca edhe ashtu u shty dhe nuk u shqyrtuan pikat e tjera të rendit të ditës. Humbje e një dite pune kot, për shkak të insistimit që të realizohet një diçka e pamundur: që Mustafa të vinte në seancë për interpelancë. Nuk e imagjinoja dot situatën në të cilën dikush nga Kuvendi do të shkonte ta merrte Mustafën nga zyra për ta sjellë me zor në mbledhjen në të cilën edhe ashtu nuk ka pasur ndër mend të shkonte.

Nejse, seanca mund të mbahet javën që vjen, dhe mund të ndodhë që të ketë interpelancë. Porse nga ajo mbledhje nuk do të dalë asgjë më shumë sesa konstatimi i opozitës se Zajednica çon në formimin e rrafshit të tretë të pushtetit në Kosovë dhe konstatimin e koalicionit qeverisës që kjo është arritje e madhe drejt normalizimit të raporteve me Serbinë.

Edhe? Saga do të vazhdojë. Por, të shohim se çfarë do të ndodhë në kapitujt që do të vijnë.

Meha

Të martën, gazeta publikoi gjetjet e një studimi shumë interesant në lidhje me kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Për të mos e elaboruar gjatë, sepse kjo temë tashmë është prekur disa herë deri tash, doli në pah një detaj shumë interesant. Murat Meha, shefi i delegacionit të Kosovës për bisedime për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kishte qenë autor më 1998, i një harte të Kosovës në shkallën 1:200,000 dhe me bazë topografike me izohipse (d.m.th., vijë në hartë që i bashkon dy pika të të njëjtës lartësi), që i ka kufijtë e Kosovës shumë të dallueshëm dhe në përputhje me kufijtë e hartave topografike dhe të enciklopedive të hartuara nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në përfundimin e luftës së Kosovës. Ajo hartë, me këtë të renë që është pjesë e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, dallojnë për 8 mijë hektarë. Për aq sa konsiderohet se i humb Kosova me këtë marrëveshje.

Meha ka shpjeguar që ajo është hartë tematike, kurse “të tjera janë ato zyrtare”. Porse nuk është ndalur të shpjegonte se nëse kështu e kishte quajtur edhe më 1998, kur e kishte përpiluar, apo është se ka qenë i bindur, shkencërisht, se ky është vërtet territori i Kosovës.
Esenca mbetet se “tematikja” e Mehës ka qenë replikë e hartave zyrtare të ish-Jugosllavisë nga vitet 1948; 1958; 1962 dhe 1974 e që ishin botuar nga institutet ushtarake dhe ishin shtypur në Enciklopedinë e Jugosllavisë, si dhe në Enciklopedinë ushtarake të Jugosllavisë.

Pra, bazuar në studimin e dy ekspertëve të gjeoinformatikës dhe hartografisë, del se Kosova po i humb 80 kilometra katrorë me këtë Marrëveshje. Kjo, nëse Kuvendi e ratifikon Marrëveshjen. Ose nëse dikush e shkel Kushtetutën, që s’kishte me qenë ndonjë gjë e jashtëzakonshme në Kosovën “e pavarur”.

O’Connell

E se gjasat janë që kjo marrëveshje do të miratohet e zbatohet – na e bëri me dije ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell. “Në asnjë vend të botës nuk merr vëmendje çështja e kufirit sesa në Kosovë. Nuk jam ekspert i këtyre çështjeve, por kam dëgjuar se kufiri do të jetë sipas Kushtetutës së vitit 1974, përmes së cilës Kosovës i ishte dhënë edhe autonomia. Sidoqoftë, pyetja ime është - nëse shpenzojmë kaq shumë energji duke folur nëse kufiri është ndarë pak në majë të malit - pse për gjërat e tjera nuk flitet aq shumë. Nuk flasim për zhvillim ekonomik, për sundimin e rendit e ligjit për të cilin mendojmë se nuk është i mirë sa duhet, nuk flasim se si t’i sjellim investitorët e huaj në Kosovë, sesi të ketë gjithëpërfshirje në vendimmarrje, nuk flasim për demokratizim...”

Kështu e thotë ambasadori. Dhe teksa e lexoja përgjigjen e paramendoja se kjo është njësoj sikurse kur ta këpusin një gisht, e ti thua: “s’ka gajle”, dhe vazhdon t’i lyesh me llak thonjtë e katër gishtërinjve të tjerë që të kanë mbetur. Nëse ambasadorit i duket e parëndësishme copa e tokës në majë të malit, ndoshta para se ta thoshte, do të duhej t’i pyeste pronarët e tokave çka po mendojnë ata. Kjo e para.

Deklarata e dytë e tij ka të bëjë me Zajednicën, e që thotë: “Unë nuk kam parë ndonjë rrezik që (Zajednica) do të mund të shkelte rregullin kushtetues dhe jam i sigurt se këtë Qeveria nuk do ta lejonte... Roli i BE-së ka qenë i qartë prej fillimit, duke e ndërmjetësuar këtë proces. Ne do të vazhdojmë të mbikëqyrim implementimin e këtyre marrëveshjeve, por duhet të demonstrojnë përkushtim të dyja palët - si Kosova ashtu edhe Serbia”.

Dallimi në perceptim te ambasadori është se ai është mysafir në këtë vend dhe mund të flasë sipas instruksioneve që ia japin nga Ministria e tij. Porse për të parë që rreziku i shkeljes së rendit kushtetues ekziston dhe se me këtë marrëveshje legalizohen diskriminimi dhe ndarja në baza etnike – mjafton të lexohet Kushtetuta. Dhe ai, edhe pse e flet dhe e lexon shqipen, mund ta lexojë tekstin burimor të Kushtetutës në anglishte, dhe t’i zbulojë rreziqet pa ndonjë mund të madh.

Në intervistë, ambasadori na ka bërë me dije se BE-ja është aty për ta mbrojtur Kosovën në marrëveshjet e Brukselit, për shkak se ka garantuar se do të vazhdojë t’i mbikëqyrë zhvillimet në Kosovë. Për më tepër, e thotë edhe këtë: “Nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt Bashkimit Evropian, nëse Kosova dëshiron të ftojë investitorë - atëherë duhet marrë vendime të vështira. Para së gjithash, duhet të mbizotërojë sundimi i rendit dhe i ligjit dhe këtu vijmë tek implementimi i atyre që janë vënë në letër, pra zbatimi i ligjeve në praktikë”.

Me këtë rast do të doja t’ia rikujtoja ambasadorit vetëm dy gjëra të vockla, e më pas ndoshta edhe të tretën, për t’i treguar se këtë që po thotë më shumë i ngjet një përralle fëmijësh, sesa realitetit në terren. E para, BE-ja nuk e njeh Kosovën shtet, meqë pesë shtete anëtare të saj, ende nuk ia kanë njohur pavarësinë. BE-ja ka status neutral ndaj shtetit tonë, por ua mundëson shteteve individuale që të zhvillojnë raporte bilaterale me Kosovën.

E dyta, do t’ia kujtoja ambasadorit një mision të cilin e ka sjellë Evropa për të na bërë me rend dhe sundim ligji dhe që na ka garantuar se ato do të realizohen. Ai mision quhet EULEX, që ka operuar nën ombrellën e UNMIK-un falë planit gjashtëpikësh, me status neutral karshi Kosovës. Është duke funksionuar në Kosovë për më shumë se shtatë vjet dhe për rezultat përfundimtar na ka lënë me sundimin e ligjit edhe më të keq seç e kemi pasur. Duke mos harruar se misioni ka pasur fuqi ekzekutive dhe se ka mundur ta pastronte Kosovën nga krimi, po të kishte dashur. Po me gjasë as nuk ka dashur e as nuk ka ditur, sepse sa më pak që ka ditur aq më shumë nuk ka dashur.

Çështja e tretë ka qenë përzierja nga jashtë në shpartallimin e VLAN-it që, sipas fjalëve të zëvendëskryeministrit Shala, ka ndodhur për shkak se Amerika nuk e paska dashur “Vetëvendosjen” në Qeveri. Pra, sipas kësaj, del se të huajt më parë e kanë dashur në Qeveri një subjekt politik që e ka shkatërruar sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, sesa një ndryshim, i cili, pa paragjykuar, ka mundur të sillte diçka të mirë. Por jo, meqë VV-ja kishte deklaruar se do të ishte e gatshme ta merrte mbi vete përgjegjësinë e negociatave me Serbinë, me ç’gjë marrëveshjet si Zajednica dhe sendet e tjera që nuk janë teknike nuk ishin arritur të këtilla çfarë janë, të gjithë të tjerët, në mënyrë të heshtur, janë pajtuar të garantojnë mbikëqyrjen e zhvillimeve në Kosovë.

Sa lehtë është të japësh deklarata për atë se ku sheh e ku nuk sheh rrezik për një zhvillim politik. Sa lehtë është të flasësh në emër të një trupi që nuk të njeh, e që për më tepër të mban të getoizuar, përderisa të detyron të futesh në marrëveshje që ndërtohen mbi baza etnike dhe diskriminuese, e të cilat, meqë bëhet fjalë për Kosovën, janë të pranueshme për BE-në. Është lehtë, përderisa e ke fuqinë e ndikimit te vendimet e atyre njerëzve që e kanë sjellë Kosovën në pikën në të cilën është – për shkak se në asnjë rast të vetëm, askujt nuk i ka shkuar ndër mend se populli mund të mos pajtohet.

Po ai popull të cilin edhe ushtarët e shtetit të ambasadorit e patën shpëtuar nga zhdukja.

Dhe në stilin e ambasadorit do ta përfundoja me një pyetje: A nuk do të ishte më mirë për shtetet që na e bënë të mundur pavarësinë të kishin investuar në heqjen e së keqes që e ka katandisur Kosovën, dhe kështu të kishin dëshmuar se Kosova është njëmend storje suksesi e shtetndërtimit, sesa të improvizonin me zgjidhje që e kanë dëshmuar mu të kundërtën?

Po ta kishin bërë të parën, sot do të flisnim për zhvillimin ekonomik, arsimin e shëndetësinë shumë më shumë sesa për një copë mali që ka rënë nga harta.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...