Lufta për liri nuk del para gjyqit, keqpërdoruesit e saj po!

18 Prill 2014 - 09:17 - Enver Robelli      

Imazhi i Kosovës nuk njolloset nëse të dyshuarit për krime lufte dalin para gjyqit dhe marrin dënimin e merituar. Imazhi i Republikës dëmtohet nëse kjo shoqëri vazhdon t’i durojë e pranojë të dyshuarit për krime lufte si deputetë, kryetarë komunash, funksionarë të lartë shteti. Prandaj, në çdo rast Kosova duhet t’i urojë mirëseardhje drejtësisë

“Shef, i kam vetëm 15 minuta për intervistë”. Me këto fjalë të modës së komunikimit ballkanik (“shef”) m’u drejtua Hashim Thaçi kur pas publikimit të Raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, erdha nga Zagrebi në Prishtinë për t’i marrë një intervistë kryeministrit të Kosovës. Atëbotë, nga mesi i dhjetorit 2010, sapo ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare ndoshta më të manipuluarat në historinë më të re të Kosovës. Thaçi kishte gajle të tjera: duhej ruajtur rezultati zgjedhor dhe “fitorja” e partisë së tij. Diplomatët flisnin për vjedhje votash në përmasa industriale, ndërsa Thaçi para fillimit të intervistës fliste përmes celularit “Nokia” me shokët e tij të partisë dhe koordinonte hesapet postelektorale.

Në të vërtetë, intervista do të fillonte disa orë më vonë, pasi Thaçi e kuptoi se pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Martyit mbi trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikimin ilegal të organeve njerëzore në Kosovë nuk mund të injorohen me disa fraza të thëna për 15 minuta. Kryeministri gjeti kohë gjatë ditës dhe foli rreth 50 minuta. S’dukej aq i koncentruar. Ia futi një batare akuzash emocionale dhe me krenari të lënduar shqiptare e krahasoi politikanin zviceran me shefin e propagandës së Hitlerit, Joseph Goebbels, duke e akuzuar njëkohësisht për racizëm antishqiptar. Pastaj paralajmëroi hapa juridikë kundër Martyit dhe me ton kërcënues tha se kishte dëshmi se kush i ka dhënë informata të dërguarit të Këshillit të Evropës. “Një ditë”, vazhdoi Thaçi, “do t’i publikoj këto dëshmi. Shumë njerëz do të turpërohen”.

Majmunët e Sali Berishës

Padi kundër Martyit Thaçi nuk ngriti kurrë. As nuk i publikoi emrat e atyre që gjoja i kanë dhënë informata Dick Martyit. Ishte vetëm një krekosje për konsum të brendshëm politik dhe për frikësim të dëshmitarëve eventualë. Njëjtë ishte krekosur edhe Sali Berisha, atëbotë kryeministër i Shqipërisë. Lëre që i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e ngritura në Raportin e Martyit, por nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë bërtiti se kur shqiptarët kanë pasur kulturë të lartë e të lashtë, të parët e Dick Martyit ecnin nëpër degë lisash. Krahasimi i zviceranëve me majmunë ishte evident.

Ku e solli Kosovën kjo retorikë? Vendi gjendet para aktit të kryer: një Gjykatë Speciale apo Tribunal do të merret me akuzat e ngritura në Raportin e politikanit zviceran. Gjykata do të themelohet në javët në vijim. Nëse nuk e miraton Kuvendi i Kosovës kërkesën për themelim, çështja kalon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nuk ka asnjë dyshim se ky do të jetë pastaj rast i mirë për Rusinë që të demonstrojë ndikimin e saj në politikën botërore. Përfaqësuesi rus në OKB, Vitali Çurkin, do të jetë i pari që do të ngrejë dorën për Gjykatën Speciale. Në një kohë kur të gjithë aleatët perëndimorë të Kosovës janë duke e izoluar Rusinë për shkak të agresionit kundër Ukrainës, Prishtina do t’i ofronte Moskës shans për profilizim politik në forumin më të rëndësishëm të OKB-së. Zgjidhja e vetme është që çështja e Tribunalit të ri të votohet në Kuvendin e Kosovës pa humbur kohë me përralla nacionaliste dhe patriotizëm të qullët.
Demonizimi disavjeçar i Dick Martyit, siç po shihet këto ditë më mirë se ndonjëherë më parë, nuk i solli asgjë Kosovës. Që ai ka qenë kritik sa i përket pavarësimit të Kosovës është punë e ditur. Marty nuk është i vetmi zë kritik.

Kosova gati për çdo ditë ka rastin të dëgjojë deklarata kundër mëvetësisë së saj – së fundi nga goja e presidentit çek, vendi i të cilit madje e ka pranuar Kosovën. Kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës ka edhe në Kuvendin e Kosovës, madje edhe në mesin e partive politike shqiptare. Andaj nuk duhet të përzihen akuzat që ka ngritur Dick Marty në Raport me qëndrimet e tij politike sa i përket statusit të Kosovës. Fundja, skeptikë ndaj pavarësisë së Kosovës sot janë edhe disa politikanë perëndimorë që më 1999 mbështesnin çlirimin e Kosovës. Të tillë ata janë bërë për shkak të papërgjegjësisë së klasës politike të Kosovës, për shkak të kriminalitetit dhe korrupsionit të pafundmë.

Medalja amerikane

Derisa një pjesë e opinionit të zhurmshëm të Kosovës dhe të Shqipërisë nuk i merrte seriozisht akuzat e Dick Martyit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan menjëherë hetime. Për Washingtonin Dick Marty është një personalitet i njohur. Nuk i përket së majtës sektare evropiane, e cila e urren Amerikën. Marty është politikan liberal zviceran dhe ka përvojë të madhe si prokuror. Për meritat e tij në luftë kundër tregtisë me drogë dhe krimit ndërkombëtar ai u nderua në vitin 1987 nga Ministria e Drejtësisë e SHBA-së. Në vitin 2005, Marty u ngarkua nga Këshilli i Evropës të drejtojë hetimet mbi transportimin e fshehtë të të burgosurve dhe kampet e të burgosurve të shërbimit sekret amerikan CIA. Në dy raporte ai arriti të dëshmojë ekzistencën e burgjeve sekrete të CIA-s në Poloni dhe Rumani – burgje këto të ngritura në kuadër të së ashtuquajturës “luftë kundër terrorit”. Amerikanët nuk e shpallën Martyin antiamerikan për shkak të kritikave ndaj CIA-s. Edhe superfuqia bën shkelje të drejtash njerëzore (shih keqtrajtimet në burgun Abu Graib në Bagdad, mbajtjen shumëvjeçare dhe pa aktakuzë të njerëzve në burgun Guantanamo etj).

Pasi Dick Marty e publikoi Raportin për Kosovën, SHBA-ja dhe BE-ja caktuan në kuadër të EULEX-it një prokuror special, Clint Williamson, i cili do të merrej më hollësisht me këtë çështje. Williamson, një prokuror amerikan me përvojë, është duke kryer hetime që nga tetori i vitit 2011. Në maj 2012 Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj, i cili lejonte hetimet nga ana e EULEX-it në territorin shqiptar në lidhje me akuzat e ngritura në Raportin e Dick Martyit. Qëllimi është që të gjendet e vërteta sa u përket krimeve të luftës në Kosovë dhe në Shqipëri kundër serbëve të rrëmbyer në Kosovë dhe kundër shqiptarëve që disa hardallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të shumtën e rasteve pa asnjë fakt i konsideronin “spiunë të Serbisë”. Në fakt, bëhej fjalë vetëm për rivalë politikë shqiptarë.

A thua Shqipëria kishte diçka për të fshehur gjatë gjithë këtyre viteve derisa refuzonte bashkëpunimin e plotë me bashkësinë ndërkombëtare sa u përket krimeve të mundshme të luftës dhe të pasluftës? Në një intervistë dhënë revistës gjermane “Der Spiegel” më 21 shkurt 2000, ish-kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Bujar Bukoshi, kishte thënë se vala e dhunës në Kosovë është e drejtuar nga Shërbimi Sekret i Republikës së Shqipërisë (SHIK). Të gjithë agjentët e larguar të Sigurimit famëkeq të diktatorit komunist Enver Hoxha janë aktivizuar pas ardhjes në pushtet të socialistëve, thoshte atëbotë Bukoshi. “Der Spiegel” nënvizonte: “Sipas informatave të Bukoshit rreth 200 oficerë të lartë të SHIK-ut po qëndrojnë në Kosovë (...). Qëllimi i tyre është destabilizimi i Kosovës dhe kontrollimi i saj nga Tirana dhe që tani po imponohet një ekonomi gangsterësh si në shtetin fqinj (Shqipëri, v.j.)”.

“Më vjen mirë që qenke mirë”

A mund të jetë Shqipëria bashkëpjesëmarrëse në krime të luftës, sepse ka lejuar që në territorin e saj grupe kriminelësh që prezantoheshin si padronë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të hapnin madje edhe burgje e qendra ndalimi për keqtrajtime civilësh? Ka fakte që flasin për këtë. Në një intervistë për TV Mitrovicën, Ymer Ymeri, i cili është mbajtur në burgun e Cahanit të Krumës për shkak se dyshohej se ishte “mbështetës i Ibrahim Rugovës dhe i LDK-së”, jep dëshmi të besueshme për keqtrajtim të civilëve nga “komandantët e UÇK-së”. Gjatë intervistës në emision inkuadrohet nga Ferizaj Sabit Azizi, ish-pjesëtar i Policisë Ushtarake të UÇK-së, i cili në vitin 1999 kishte shërbyer në Cahan. “Zotërinë (Ymer Ymerin, v.j.) kam pasur rastin ta takoj si të burgosur në Cahan. M’u kujtua pas 13 vitesh. Nuk e kam ditur kush jeni. Njerëzit kanë folur. Po më vjen mirë që po të shoh shëndosh e gjallë”, thotë Sabit Azizi. Në një vend serioz Sabit Azizi së paku do të merrej në pyetje nga drejtësia, e cila do të duhej të hulumtonte e hetonte rastin e Ymer Ymerit. Asgjë nuk ka ndodhur deri më sot. Prokurorët e Kosovës kanë futur kokën në zall. Heshtin.

Tragjedia më e madhe është se as shoqëria e Kosovës nuk e ka shtuar presionin publik që fajtorët e krimeve të tilla të ndiqen. Në këtë heshtje hyjnë edhe një pjesë e madhe e gazetarëve të Kosovës. Përse Ymer Ymeri u mbajt në burg në Cahan nga 12 prilli 1999 deri më 20 qershor 1999? Gjatë intervistës me Ymerin në TV Mitrovica në emision inkuadrohet përmes telefonit edhe një ish-ushtar tjetër i UÇK-së. Thotë se po telefonon nga Gjilani, nuk prezantohet me emër e mbiemër, e përshkruan burgun e Cahanit, tregon se kishte ardhur vullnetar nga Gjermania. “Tash po ma rifreskon kujtesën (...) ato kujtime ndaj teje sot i mbaj të freskëta, trishtuese kanë qenë. M’u ke dhimbtë si babai im, si vëllai im, por ti je prezantuar atëherë si njeri i dyshimtë, thoshin e kemi zënë një njeri të dyshimtë. (...) Po më vjen mirë që qenke mirë”, thotë ky ish-ushtar. Ymer Ymeri është vëllai i aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Drenicë, Haki Ymeri, i cili u vra në fillim të nëntorit të 1999-s.

Rasti i Ymer Ymerit mund të jetë njëri prej qindra krimeve të luftës. Për fat të mirë ky ka shpëtuar i gjallë nga dora kriminale shqiptare, por sa të tjerë janë vrarë e nuk u gjendet asnjë shenjë? Gjykata Speciale me gjasë do të merret kryesisht me fatin e civilëve serbë e romë të rrëmbyer nga UÇK-ja dhe të transferuar në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë po përmendet Rahoveci dhe rrëmbimi i disa civilëve serbë si bazë e aktakuzave që do të ngrihen nga Gjykata Speciale. Zaptimi i Rahovecit ka qenë një prej aksioneve më të pamenduara të UÇK-së për shkak se ishte përgatitur në mënyrë joprofesionale. Nga perspektiva e sotme duket si një kurth i forcave serbe, të cilat e lëshuan këtë qytet në mënyrë që kryengritësit shqiptarë ta dëshmonin trimërinë e tyre duke rrëmbyer ndonjë civil serb. Gjykata Speciale do të merret me ato raste për të cilat ka dëshmi. Qarqet e afërta me hetimet thonë se dëshmitarë ka në Shqipëri dhe në Serbi.

Kur do të flasin edhe dëshmitarët në Kosovë? Drejtësia ndërkombëtare në Kosovë në të shumtën e rasteve të krimeve të luftës apo korrupsionit ka dështuar për shkak se qytetarët refuzojnë të dëshmojnë – qoftë nga frika, qoftë nga lojaliteti.

“Menaxherë” dhe “recepsionistë”

Imazhi i Kosovës nuk njolloset nëse të dyshuarit për krime lufte dalin para gjyqit. Imazhi i Republikës dëmtohet nëse kjo shoqëri vazhdon t’i durojë e pranojë të dyshuarit për krime lufte si deputetë, kryetarë komunash, funksionarë të lartë shteti. “Menaxherët” e burgut në Cahan dhe “recepsionistët” e “Hotel Drenicës” në Durrës e kanë vendin në burg. Të nervozohesh sot, siç bëjnë disa arsyetues krimesh, se bashkësia ndërkombëtare po krijon Gjykatë Speciale për të “njollosur luftën” është më shumë se absurde. Lufta për liri nuk po del para gjyqit, keqpërdoruesit e saj po! Iluzionin se askush nuk do të preket për krimet e së kaluarës ka mundur ta mbajë gjallë me manipulime vetëm Hashim Thaçi me kamarillën e tij.

Tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që për themelimin e Gjykatës Speciale të votojnë deputetët e përbërjes së tanishme të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa përmban një mesazh të qartë politik: një parlament i dominuar prej deputetëve me vota të vjedhura dhe me biografi të njollosura politike duhet të votojë për t’ia bërë gjyqin vetvetes – penalisht ose së paku simbolikisht. Andaj tingëllon si cinizëm i pavullnetshëm kur Hashim Thaçi thotë: “Kuvendi duhet ta votojë Gjykatën Speciale”.

robelli@bluewin.ch

 


© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...