Pushim i pashpallur në zgjerimin e BE-së

17 Prill 2014 - 09:15 - Augustin Palokaj      

Në mandatin e ardhshëm 5-vjeçar Komisioni Evropian do të vazhdojë të angazhohet në procesin e zgjerimit të BE-së. Ky proces jo vetëm se nuk është më prioritet por është ndër më të padëshiruarit. Madje edhe njëri prej dy kandidatëve kryesorë për kryetar të ardhshëm të Komisionit Evropian ka bërë thirrje që të ketë pauzë në zgjerimin e BE-së. BE-ja do të përballet me sfidën se si në rrethana të reja të mbajë gjallë shpresën e vendeve të Ballkanit për integrime në BE në një periudhë kur nuk pritet që ndonjë prej këtyre vendeve të jetë gati për anëtarësim

Edhe në Bashkimin Evropian kanë filluar në ndihen ethet zgjedhore. Si asnjëherë më parë debati për zgjedhjet evropiane në të cilat zgjidhen deputetët e Parlamentit Evropian ka marrë një përfshirje evropiane duke dalë jashtë debateve nacionale. Deri me tash i tërë procesi për zgjedhjet evropiane, përfshirë edhe debatet zgjedhore, ka qenë i kufizuar në raportet politike nacionale dhe rezultatet e zgjedhjeve kanë qenë kryesisht reflektim i popullaritetit të kandidatëve dhe partive politike tek votuesit në ato vende. Kjo ka bërë që gradualisht çdo 5 vjet sa herë që zhvillohen këto zgjedhje të bjerë numri i atyre që dalin për të votuar.

Kroacia, si anëtare më e re në BE-së, krahas Sllovakisë, mban rekordin për numrin e vogël të votuesve me vetëm 20 për qind të atyre që kanë dalë për të votuar. Kjo ka ndodhur edhe për shkakun se qytetarët nuk janë ende në dijeni për rolin e rritur që ka Parlamenti Evropian në procesin e vendimmarrjes në BE. Diku rreth 70 për qind të ligjeve dhe rregulloreve që janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve miratohen nga institucionet e BE-së, përfshirë edhe Parlamentin Evropian.

Për të rritur interesin e votuesve në tërë Evropën, dhe për t’u dhënë këtyre zgjedhjeve një identitet më shumë panevropian, grupimet partiake kanë dalë kësaj radhe me kandidatët e tyre për kryetarë të Komisionit Evropian. Grupimi aktualisht më i madh në Parlamentin Evropian EPP (Partia Popullore Evropiane), e cila grumbullon partitë e qendrës së djathtë siç janë demokristianët dhe konservatorët, ka kandiduar ish-kryeministrin e Luksemburgut, Jean Claude Juncker, ndërsa partia e dytë, qendra e majtë e mbledhur te Socialistët dhe Demokratët (S&D), e cila ka gjasa kësaj radhe të fitojë numrin më të madh të vendeve në përbërjen e ardhshme të Parlamentit Evropian ka kandiduar për postin numër një në Komisionin Evropian presidentin e tashëm të Parlamentit, Martin Shultz. Liberalët kanë kandiduar ish-kryeministrin e Belgjikës, Guy Verhofstadt.

Porosia qytetarëve është se kësaj radhe, duke votuar në zgjedhjet evropiane, ata jo vetëm se do t’i zgjedhin deputetët nga shteti i tyre në Parlamentin Evropian, por do të vendosin edhe kush do të jetë pasardhësi i Jose Manuel Barrosos në krye të Ekzekutivit të BE-së. Nëse shumicën e vendeve do ta ketë EPP-ja, kryetar i Komisionit për mandatin e ardhshëm 5-vjeçar nga nëntori i këtij viti e deri në fund të vitit 2019 do të duhej të ishte Juncker, ndërsa nëse fitojnë Socialistët evropianë, atëherë këtë post do ta ketë gjermani Martin Shultz. Parlamenti Evropian kur pohon këtë gjë thirret edhe në një formulim të Traktatit të Lisabonës sipas së cilit Këshilli Evropian, kur të nominojë kandidatin për kryetar të Komisionit, duhet të marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve evropiane. Edhe ashtu, ai kandidat pastaj duhet të fitojë shumicën e votave në Parlamentin Evropian.


Por, në anën tjetër, disa liderë nga shtetet anëtare, përfshirë edhe kancelaren gjermane Angela Merkel, kanë thënë se „nuk ka automatizëm në këtë proces“ duke lënë të hapur mundësinë që dikush i tretë të fitojë postin e rëndësishëm të kryetarit të Komisionit Evropian.
Vetëm pasi të dihet se kush do të jetë kryetar i Komisionit Evropian në mandat pesëvjeçar dhe ai të marrë bekimin e Parlamentit Evropian, atëherë do të nisë puna e formimit të Komisionit. Secila nga 28 shtetet anëtare do të propozojë nga një kandidat të vetin, ndërsa Presidenti i zgjedhur do t’ua ndajë resorët. Pazaret se kush çka do të mund të marrë tashmë kanë filluar.

Dhe ajo që bie në sy që në këtë fazë është se asnjë shtet dhe asnjë kandidat nuk është i interesuar kësaj radhe të marrë resorin e Zgjerimit të BE-së, të cilin në mandatin e parë të Barrosos e kishte Komisioneri Olli Rehn, ndërsa në mandatin e dytë e ka Stefan Fule, në kombinim me resorin e politikës ndaj fqinjëve evropianë.
Ka shumë arsye pse nuk ka interes për zgjerimin. Ajo kryesore është se ky proces nuk është më i popullarizuar dhe tjetra se në periudhën e ardhshme 5-vjeçare nuk pritet të ndodhë ndonjë zhvillim i madh në këtë proces. Pasi Kroacia është anëtarësuar në BE vitin e shkuar nuk duket reale që për së paku 8 deri 10 vite ndonjë vend i Ballkanit do të mund të jetë gati për anëtarësim. Madje edhe vendimet e tjera tashmë janë miratuar.

Stefan Fule mund të mbetet si komisioner i suksesshëm, sepse gjatë mandatit të tij Kroacia u bë anëtare e BE-së, Mali i Zi dhe Serbia morën edhe statusin e kandidatit edhe nisën negociatat e anëtarësimit, Kosova nisi dhe me gjasë do t’i përmbyllë negociatat për MSA-në, edhe pse nuk dihet fati i nënshkrimit të asaj marrëveshjeje, ndërsa në qershor ende gjatë mandatit të Fules, Shqipëria ka gjasa që më në fund të marrë statusin e kandidatit. Pasardhësi i Fules do të ketë detyra për të vazhduar këtë proces, për të balancuar mes dëshirave të Ballkanit për një shpejtësi më të madhe dhe insistimit të vendeve të BE-së që procesi të ngadalësohet. Do të ketë aty-këtu ndonjë lëvizje, por jo edhe diçka konkrete. Pra edhe nëse do të ketë pak rezultate ato nuk do të jenë shumë të dukshme.

Nuk ka dyshim se në mandatin e ardhshëm 5-vjeçar Komisioni Evropian do të vazhdojë të angazhohet në procesin e zgjerimit të BE-së, sepse ky proces ka ndikim politik në rajonin e Ballkanit dhe askush nuk dëshiron që të hiqet dorë nga ai. Megjithatë është evidente se ky proces jo vetëm se nuk është më prioritet por është ndër më të padëshiruarit në BE. Madje edhe njëri prej dy kandidatëve kryesorë për kryetarë tërë ardhshëm të Komisionit Evropian ka bërë thirrje që të ketë pauzë në zgjerimin e BE-së. Jean Claude Juncker, i cili si kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e BE-së, duke qenë me dekada kryeministër i Luksemburgut, shtetit më të pasur evropian, ka qenë mbështetës i fuqishëm i procesit të zgjerimit, tash thotë se „BE-ja duhet të bëjë pauzë për të përforcuar së pari integrimet e saj të brendshme“, edhe pse angazhohet që vendeve të Ballkanit t’u përsëritet që ato „kanë perspektivë evropiane“.

Juncker me këtë fjali reflekton qëndrimin dominant në BE për procesin e zgjerimit, sidomos në radhët e qendrës së djathtë. Ajo që do të jetë sfidë shtesë është edhe pritja që e djathta ekstreme, e cila nuk do fare zgjerim të BE-së as të shpejtë e as të ngadalësuar, të shënojë rritje të madhe në numrin e vendeve që do të fitojë në përbërjen e ardhshme të Parlamentit Evropian. Dhe nëse Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, dy institucione të BE-së të cilat me përkushtim kanë bërë presion në favor të zgjerimit, tash bëhen më pak miqësore ndaj këtij procesi, atëherë porosia është e qartë se ky proces ka rënë shumë poshtë në prioritetet evropiane, sidomos për një periudhë të pacaktuar. Në fushatën për zgjedhjet evropiane që në 28 shtetet anëtare zhvillohen mes 20 dhe 25 majit, ose nuk flitet fare për zgjerimin e BE-së ose, që është edhe me keq, kur flitet atëherë kjo nuk bëhet shumë në favor të këtij procesi.

Tash BE-ja do të përballet me sfidën se si në rrethana të reja të mbajë gjallë shpresën e vendeve të Ballkanit për integrime në BE në një periudhë kur nuk pritet që ndonjë prej këtyre vendeve të jetë gati për anëtarësim, e ndërkohë të adresojë edhe shqetësimet të cilat ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian për këtë proces.


© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...