Migrimi dhe Kurani interpretuar për shqiptarë

11 Shtator 2015 - 08:23 - Halil Matoshi      

Përpjekjet e disa klerikëve kosovarë të islamit, për ta justifikuar mungesën e sensit për fatkëqijtë sirianë (dhe jo vetëm) të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Jemenit etj. për shkaqe klimaterike janë në thelb fashiste. Lexoni përse shumica e arabëve myslimanë (sunni) në rastin e sirianëve ashiqare janë kundër thelbit të islamit që inkurajon refugjatët kudo në tokë të Zotit. Pra nacionalistët arabë (ndër ta wehabitë veçmas) janë armiq të islamit

Termi adekuat për migrimin në Islam është Hixhra.

Pjesorja aktive e fjalës është muhaxhirët, që përdoret dendur edhe në gjuhën shqipe.

Tradita islame përmban dy terma të përafërt, si: ghurba (prej nga vjen po ashtu shprehja që e përdorim në shqip: gurbet) dhe garib.

Dallimi në mes të ‘hixhretit’ dhe ‘ghurba-s’ është se Hixhri përfshin zhvendosjen e përhershme të popullsive, ndërsa ‘ghurba’ përshkruan migrimin e përhershëm ose të përkohshëm.

Kur'ani flet për përvojat e migrimit të shumë profetëve të mëparshëm për Islamin, si Ademi (Adam), Ibrahimi (Abrahami), Luta (Lot), Junus (Jonah), Jakubi (Jakob) dhe Musa (Moisiu.)

Që nga Adami, babai i njerëzimit, që kishte emigruar nga qielli në tokë, tradita e Islamit konsideron të gjitha qeniet njerëzore si emigrantë. Prandaj, mëmëdheu i lashtë i njerëzimit është qielli, ndërsa toka është një vend për të zhvendosurit e përkohshëm. Kjo pikëpamje duket të jetë dominuese në thëniet e Profetit Muhamed. Ai e krahason veten me një udhëtar i cili qëndron për një kohë të shkurtër për të pushuar në hijen e një peme dhe pastaj vazhdon udhëtimin e tij. (Sipas profesorit të Universitetit John Carroll, Zeki Saritoprak, historia e kësaj thënieje të Profetit është transmetuar nga një prej shokëve të tij, Ibn Abasi. Sipas tregimit, Umar vizitoi Profetin, ndërsa ai ishte ulur mbi një rrogoz, dhe i tha Profetit se Profeti duhet të ketë një krevat të mrekullueshëm në vend të fjetur në një rrogoz. Profeti u përgjigj në këtë mënyrë: "Unë nuk kam asgjë të bëj me këtë botë. Historia ime është si një kalorës në një shkretëtirë që merr hije nën një pemë për një moment të caktuar dhe pastaj niset nga atje. "(Vëllimi 6, f. 40. Numri i faqes sipas Ahmed bin Hanbel. El-Musnad janë të bazuara në versionin elektronik të tekstit që është në dispozicion në: www.al-Islam.com arrihen në 4/8/2007.)

Në librin e shenjtë të myslimanëve në Kuran, migrimi është i ligjshëm (fjalë e Zotit – hixhra ose muhaxhiria (gurbeti ose garib.) Në kreun IV surja En-Nisa, (e zbritur pas betejës së Uhudus) çështja e migrimit përmendet në tri ajete: 4.97; 4. 98; 4.99; 4.100.

Ajeti 4. 97 në një pjesë të tij thotë : "A nuk ishte toka e Perëndisë e gjerë, e mjaftueshme për ju që të ikni për të kërkuar strehë?" (4:97). Ky ajet në mënyrë indirekte tregon se ata që kanë autoritet duhet të kujdesen për refugjatët, pasi flitet për Zotin si pronar i tokës. Prandaj, pronarët dhe autoritetet e botës duhet të ndiejnë afërsinë dhe hapjen për ata që janë të varfër dhe të shtypur dhe për këtë arsye të hapin dyert e territorit të tyre për ta. Vargu vazhdon (4: 98) "… si për burrat e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët të cilët nuk kanë as fuqinë e as mjetet për të shpëtuar…” ; 4:99: “Zoti besohet se do t’ua falë atyre. Zoti me siguri do t’i falë. Pastaj 4: 100: Ata që migrojnë për hir të Zotit, do të gjejnë shumë vende strehimi në tokën në sasi kaq të madhe dhe begati ". (Krahaso: Kurani – shqipëruar nga boshnjakishtja nga Avdi Berisha; Prishtinë 2007; Fq. 103-104.)

Prandaj, sipas mësimit islam, çdo pjesë e tokës është toka e Perëndisë.

Edhe pse sot njerëzit kanë vënë kufijtë, për të ndarë popujt dhe për të ndaluar rrjedhjen e emigracionin dhe imigracionin nga një vend në një tjetër, në mësimet islame të gjitha tokat i përkasin Zotit dhe të gjithë njerëzit janë shërbëtorë të Tij.

Eksiton një hadith që tregon se e tërë toka i përket Perëndisë e që gjendet në një nga thëniet e Profetit: "Perëndia e ka bërë tërë faqen e dheut si një xhami për mua dhe tokën e saj si të pastër." (Ibn Hibban Version elektronike:. www.alsunnah.com arrihen në:. 4/7/2007.)

Në anën tjetër migrimi është pjesë e historisë së njerëzimit. Ashtu si evropianët më parë emigruan përtej oqeanit, edhe afrikanët e rinj i tërheq sot Evropa. Në komentin e tij kreu i Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Afrikën, Carlos Lopes, thotë: “Shumica e italianëve kanë harruar ndoshta qëkur, se ato themeluan kombe të tëra si Argjentinën dhe Uruguain. Britanikët mund të mos ndihen të lidhur me Australinë dhe Zelandën e Re, ashtu si edhe spanjollët dhe portugezët nuk i konsiderojnë ndoshta kombet Amerikës së Jugut si të vetat, të shkaktuara nga krijimet e migrimit. Kinezët ndoshta kanë vetëm një ide të vagullt, se përse një rajon i tërë në jugperëndim të vendit të tyre mban emrin Indokina. Dhe amerikanëve mund t’u duhet e pakëndshme të përmendet se një pjesë e madhe e vendit të tyre është blerë nga Meksika.”

Kurani flet ndryshe nga pretendimet e këtyre nacionalistëve arabë që librin e shenjtë të myslimanëve e shfrytëzojnë vetëm për aq sa i konvenon nacionalizmit (fashist) arab, për trushpëlarje duke propaganduar anët vajtuese të tij, por jo dhe anët e tij vërtet humane.

Në këtë ligësi ra dhe imami tiran, Ahmed Kalaja, i njohur për interpretimet e tij ekstremiste të islamit. Sipas tij Arabia Saudite nuk mund të pranojë refugjatë për shkak të kushteve klimaterike. Dhe duhet të jesh tepër idiot për të besuar përrallat e tilla.

Kur jemi tek nacionalizmi arab duhet të konstatohet fakti se ndër shqiptarët, së voni, pas viteve ’90 kur shumë kosovarë ua mësyjnë studimeve islame në Arabinë Saudite si dhe në Emirate dhe me të kthyer në atdhe predikojnë dhe shpërndajnë kryesisht kulturë dhe ideologji arabike në vend të mësimeve kuranore. Predikuesit ekstremistë (që në Kosovë identifikohen me Shefqet Krasniqin dhe Co) as sot nuk e kanë të qartë se kritika ndaj ideologjisë nacionaliste dhe fashiste arabe nuk është njëherësh kritik ndaj islamit. Shqiptarët e besimit islam nuk e kanë asnjë lidhje emocionale me kulturën dhe ideologjitë arabe, porse ata historikisht dhe sociopolitikisht janë të lidhur me Ballkanin Perëndimor, me pretendime të jenë pasardhës ilirësh e dardanësh antikë (politikisht mësyjnë integrimet europerëndimore), kurse gjuha e tyre, gjuha të cilën ata e kuptojnë, është shqipja dhe në këtë kontekst ata janë “komb i gjuhës”, së këndejmi pos si fe të trashëguar nga osmanët dhe Kuranin pos si libër të cilit i besojnë nuk e kuptojnë patjetër edhe si kulturë dhe mënyrë të sjelljes, mënyrë e të jetuarit, sepse mënyra e tyre e të jetuarit nuk përkon me arabizëm. Arabët si një etni që ka formësuar dhjetëra kombe e shtete kanë ideologjitë e tyre, qofshin ekspansioniste apo defensive, fashiste apo komuniste e ndonjëherë pse jo, aty-këtu hasim edhe lëvizje e ideologji liberatore e më liberale; përreth të cilave ata mobilizohen kundër një armiku konkret ose fiktiv. A d.m.th. kjo se edhe shqiptarët për hir se Kurani është i shkruar në arabisht u dashka të solidarizohen me mësymjet panarabe dhe veçmas me lëvizjen wehabiste si fashizëm arab, që në Kosovë po cilësohet si ‘islam politik’?

Identifikimi i islamit me arabizmin, nga pjesa më ekstreme e klerit islam në Kosovë është thjesht jo vetëm nonsens dhe mosdije, por mund të jetë edhe fatal për ekzistencën e shoqërive shqiptare, për interesat e tyre politike dhe ideologjike, ngase duke qenë shoqëri të brishta demokratike (Kosova madje e sapodalë nga një konflikt i tmerrshëm duke u përballur edhe me gjenocid në tentativë), këto shoqëri mund të përçahen dhe të shpërbëhen njashtu sikur shoqëria siriane...

Prandaj klerikët që shpërndajnë arabizëm nëpër Kosovë, në vend të islamit duhet ta kenë të qartë se nuk kalojnë dot dhe se në këtë çështje, atyre duhet t’u kërkohet hapur besnikëria (lojaliteti) ndaj shtetit së pari për të qenë të lirë në ligjërimet e tyre. Ashiqare të marrësh anën e shtetit, në rrethana kur ai nuk është i etabluar në aspektin e sigurisë (shteti si një grumbull institucionesh që përkufizojnë dhe ua garantojnë kosovarëve vazhdimësinë historike të identitetit kulturor (gjuhësor), etnik dhe konstitucional (sigurinë, liritë...) është patriotizëm kushtetues dhe se, është e drejtë që, për ta mbrojtur këtë identitet dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, përdor edhe "dhunën legjitime."

Në krizën e refugjatëve sirianë është përfshirë edhe Ballkani dhe në një mënyrë edhe Republika e Kosovës, duke qenë se humanizmi evropian më tepër u shndërrua në trend edhe tek kosovarët, ata shpesh edhe pavetëdijshëm ranë në kurthin e hipokrizisë, duke përfshirë madje edhe qytetaren Nr. 1 të Republikës, Atifete Jahjagën. Ajo i kërkoi Qeverisë që të pranoheshin rreth 3.000 refugjatë sirianë, në një moment kritik për të dhe Qeverinë kosovare, ngase mijëra refugjatë nga Kosova ende jetojnë nëpër kampe refugjatësh gjithandej në Perëndim, e veçmas në Gjermani.

Pamja me fëmijën e mbytur në ujërat e detit në Bodrum të Turqisë, Aylan Kurdi, shkaktoi një trandje të përmasave planetare dhe natyrisht se preku ndjenjat e shumë kosovarëve, të cilët para 16 vjetësh edhe vetë ishin shndërruar në refugjatë lufte.

Dhe në Kosovë u rizgjuan kujtimet trishtuese, siç ishte pamja e fëmijës katërvjeçar, Valmirit të Deliajve në Obri, të vrarë nga forcat serbe, me biberon mashtrues në gojë…

Mirëpo, u harruan me këtë rast edhe rreth 100 mijë refugjatë kosovarë që ia mësynë Evropës Perëndimore nëpërmjet një toke armiqësore (Serbisë) dhe maleve të acarta, kanaleve etj. Në netët e acarta të tre muajve të fundivitit 2014 dhe tre muajve të parë të vitit 2015.

Si është e mundur, pra, që shefja e shtetit të mos brengoset për të rejat dhe të rinjtë kosovarë që e djegin rininë e tyre udhëve e kampeve të Evropës dhe botës, por ja, që asaj i dhimbka zemra për sirianët e shkretë, që natyrisht pamjet e tilla trazojnë shpirtrat e mendjet e secilit njeri.

Po pse nuk u dëshmuen lidershipi politik kosovar dhe ky popull "humanist" - kushërinj të Nënë Terezës - kur nga Kosova ikën rreth 100 mijë kosovare e kosovarë të moshave të reja dhe u dërguen me goxha brutalitet nëpër kampe hungareze, ku nuk u jepej mjaft ushqim dhe ujë.

Si është e mundshme që Kosova nuk pati kapacitete për t’i “rehatuar” njerëzit e vet që sorollateshin rrugëve të atdheut të tyre, të papunë e të pashpresë dhe tashti, ku i paska Kosova ato kapacitete humane e materiale që t’i sistemojë 3.000 sirianë fatkëqij?

Sepse kjo klasë politike e kuptoi pushtetin si personal dhe levë për prosperimin e familjes - duhej rehatuar dajat e tezet e Grabovcit - dhe klientelën e PDK-së e sa për qytetarët dhe vuajtjet e tyre - në këtë shtet të padrejtë në thelb - askush s’i dha kurrë pesë para!

Prandaj, qytetari i ndërgjegjshëm kosovar nuk guxon t’i lërë liderët politikë kleptokratë e mizorë të Kosovës që t'u shfaqen të shndërruar brenda natës në humanistë dhe altruistë, vetëm pse media perëndimore e fitoi edhe një betejë (me pamje live) ndaj politikanëve të vet, jo gjithandej me etikë (rasti i deklaratave të hungarezit Orban dhe të britanikut Cameron dëshmojnë se ende është i pranishëm sensi racist dhe mendësia paragjykuese në truallin evropian!?

Vetëm gjermanët dhe austriakët pa asnjë dilemë dëshmuan humanizëm të sinqertë e pa asnjë paragjykim.

Kosovarët, së këndejmi, qëmoti janë ndeshur me skena të ngjashme me refugjatët sirianë - që vërtet janë për t’u qarë - por kur s'ke as bukë e ilaçe, as ujë mjaft, as energji elektrike e strehë për shumë qytetarë kosovarë që vuajnë të zitë e ullirit (rreth 15 % e tyre në varfëri të skajshme) si është e mundur që liderët e këtij vendi të deklarohen me pompë propagandistike se mund të pranohen 3.000 refugjatë?

Thjesht, a ka menduar presidentja e vendit se kush ka me u kujdes për ta (në Evropë, lajmërohen mijëra vullnetarë për çdo ditë që të kujdesen për refugjatët) dhe çfarë do t’u jepet për të ngrënë e pi?

Ku do të strehoheshin kur ende ka kosovarë të pastrehë dhe ku do të shkonin në shkollë fëmijët e tyre?

Nëse, po e zëmë, ata do të mbeteshin mysafirë të përjetshëm – ose sipas së drejtës së azilit – të dëshironin realizimin e së drejtës së azilit mes nesh, ku do të punësoheshin prindërit e atyre fëmijëve?

Prandaj ky farë "humanizmi" i klasës aktuale politike (që është shndërruar në kastë milionerësh) është thjesht hipokrizi për hir të trendit dhe nuk dëshmon jo, dhembje të sinqertë për njerëzit që po ikin nga mizoria e luftës civile në Siri.
Kësaj klase politike aq i bën për fëmijët kosovarë që traumatizohen përditë duke u ballafaquar me padrejtësinë e sistemit (presidentja e di se fëmijët e kosovarëve ende kafshohen për vdekje nga qentë!???) e lëre më për sirianët e gjorë...

Tingëllon në një humanizëm shtihan ky i Jahjagës dhe i shumë kosovarëve që derdhnin lot vadë në rrjetet sociale…

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...