Deutsche Willkommenskultur

10 Shtator 2015 - 08:23 - Enver Robelli      

Kultura gjermane e mirëseardhjes: me pritjen e mijëra refugjatëve Gjermania tregon jo vetëm fytyrën simpatike të një vendi human. Menaxhimi i dramës së të mjerëve të kësaj bote nxjerr në pah edhe faktin se Gjermania është shndërruar në një fuqi qendrore evropiane

Kështu ndryshojnë rrethanat: para disa ditësh kryetari gjerman Joachim Gauck, i cili shpesh ligjëron me ton pastoral - fundja ai ka qenë pastor dhe funksionar kishtar - kishte tërhequr vërejtjen mbi rrezikun e “Gjermanisë së errët” (“Dunkeldeutschland”). Gauck i kishte parasysh sulmet e neonazistëve dhe armiqve të tjerë të refugjatëve kundër ardhacakëve nga Siria, Iraku, Afganistani, me një fjalë nga të gjitha vatrat e mëdha të krizës.

Si ndryshuan rrethanat, si ndodhi që mijëra e mijëra refugjatë të priten me kaq dashamirësi nga qytetarët gjermanë?

Disa ngjarje të rënda ndikuan në ndryshimin e atmosferës: dhuna e policëve maqedonas në fund të gushtit në Gjevgjeli kundër refugjatëve, vendosja e telit me gjemba nga Qeveria e Hungarisë në kufi me Serbinë, vdekja e tmerrshme e një fëmije kurd nga qyteti Kobane i Sirisë përballë plazhit të Bodrumit në Turqi, rastet e shpeshta të keqtrajtimit të refugjatëve në Hungari, zbulimi i një kamioni me 71 viktima në Austri.

Tani në Gjermani flitet për “Willkommenskultur” – për kulturën e mirëseardhjes, mikpritjes. Ku bazohet kjo kulturë? Së pari elitat politike dhe intelektuale gjermane ende janë të mendimit se Gjermania duhet të bartë barrën më të rëndë për shkak të përgjegjësisë historike: njëherë, jo më larg se para 75 vjetësh, Gjermania për pak e fundosi botën duke vënë në krye të vendit një piktor të dështuar, i cili drejtoi makinerinë më gjakpirëse të historisë moderne. Pas vitit 1945 ekonomia gjermane kishte nevojë për fuqi punonjëse dhe pranoi mijëra punëtorë të ashtuquajtur “Gastarbeiter”, punëtorë mysafirë, të cilët nuk janë më mysafirë por qytetarë gjermanë me prejardhje migrimi. Në vitin 1964, kur numri i gastarbajterëve kaloi njëmilionëshin, autoritetet dhe firmat gjermane organizuan një ceremoni në Köln: një punëtori nga Portugalia iu dhurua një motoçikletë, sepse ai ishte punëtori i njëmiliontë që erdhi në këtë vend.

Së dyti: shoqëria gjermane hap pas hapi është socialdemokratizuar. Sot edhe partia demokristiane e kancelares Angela Merkel është përfaqësuese e një politike liberale në shumë çështje shoqërore - dhe sidomos në fushën e migrimit. Lëvizja majtiste e vitit 1968 ishte në thelb një ide për një botë më të mirë. Përfaqësuesit e asaj gjenerate sidomos në dy dekadat e fundit kanë depërtuar në institucionet më të larta gjermane. Një taksist revolucionar me emrin Joschka Fischer, i martuar me një iraniane, arriti madje të bëhej ministër i Jashtëm. Të Gjelbrit e Fischerit kanë dominuar debatin mbi domosdoshmërinë e angazhimit më të madh të Gjermanisë në botë. Gjatë viteve ‘90, kur Evropa u ballafaqua me konfliktin në Bosnjë-Hercegovinë dhe terrorin në Kosovë, motoja e kësaj partie ishte: “Kemi thënë: nuk lejojmë më Auschwitz, por kjo domethënë se nuk duhet të lejojmë më as tragjedi si në Srebrenicë”. Rrjedhimisht, Gjermania ishte vendi evropian që pranoi më së shumti refugjatë nga Bosnja.

Së treti: një burim i këtij solidariteti efikas mund të gjendet në vetë filozofinë gjermane. Gazeta “Süddeutsche Zeitung” në një ese të botuar në faqet e kulturës të hënën shkruante se që në veprën e tij “Për paqen e përjetshme” (1795) Immanuel Kanti i përshkruante “kushtet e hospitalitetit të përgjithshëm” si bërthamë të “së drejtës civile botërore”. Kanti e kishte përdorur fjalën latine “hospitalitet” (hyzmet, shërbim, përkujdesje) për të theksuar pretendimin e saj universal.

Vetëm gjatë fundjavës rreth 15 mijë refugjatë arritën në Gjermani. Qyteti i Münchenit është stacioni i parë, ku ata priten – prej policëve gjermanë që lozin me fëmijë sirianë, prej qytetarëve që sjellin ndihma, prej ndihmësve që ofrojnë ndihmën e parë, prej burokracisë që, siç e theksoi një komentator i “Süddeutsche Zeitung”, kësaj radhe po funksionon në mënyrë të përsosur.

Menaxhimi i dramës së të mjerëve të kësaj bote nxjerr në pah edhe faktin se Gjermania është shndërruar në një fuqi qendrore evropiane. Të fillojmë nga Ballkani: pothuaj asgjë në rajon nuk lëviz pa ndërhyrjen, animimin, presionin, ndihmën, përkrahjen nga Berlini. Angela Merkel shikohet si një lloj nëne që e mban në dorë shkopin magjik për t’i zgjidhur problemet. Kjo është një pritje tejet jorealiste, sepse pa angazhimin e elitave politike në Ballkan (të tilla siç janë këto elita) nuk mund të ketë asnjë përparim serioz. Gjermania mund të ndihmojë, por jo edhe t’i reformojë shtetet dhe shoqëritë dhe t’i bëjë ato funksionale. Andaj turfullimat e Edi Ramës, për shembull, i cili për ikjen e shqiptarëve e fajëson Evropën gjoja egoiste, janë vetëm përpjekje qesharake për të larguar vëmendjen nga dështimet kolosale të personelit politik të Tiranës që nga rënia e komunizmit. Kosova, ndërkaq, i ka humbur 15 vjet të vlefshme për të zënë trenin e integrimeve. Një shoqëri që ka rreth 300 mijë njerëz në Gjermani do të duhej të kishte edhe vizion të përfitonte më shumë nga afërsia me shtetin më të fuqishëm evropian.

Përveç në Ballkan, Berlini është shndërruar në faktor të pashmangshëm në krizën e Greqisë. Natyrisht pala gjermane me presionin e madh kundër Greqisë i kishte parasysh edhe interesat e bankave gjermane. Por duhet përmendur edhe një çështje tjetër: ishte sidomos Gjermania që e vuri gishtin në plagët e hapura të Greqisë: në oligarkinë e saj politike, e cila jetonte mirë sa rridhnin kredi nga bota perëndimore, pa kontribuar në bërjen e Greqisë shtet funksional. Në konfliktin e Ukrainës, Gjermania luan rolin e moderatores mes Kievit dhe Moskës, duke ndihmuar në shtendosjen e konfliktit të rrezikshëm.

Kjo është Gjermania e ndritur, aspak e errët. Por që ky shtet të vazhdojë të jetë i tillë kërkohet solidarësi evropiane. Sepse barra e refugjatëve dhe sfidat e krizave botërore nuk mund të menaxhohen nga një shtet, sado i fuqishëm të jetë ai. Të mërkurën kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do të mbajë fjalimin e tij ndoshta më të rëndësishëm të karrierës: para Parlamentit Evropian ai do të prezantojë planet për menaxhimin e dramës së refugjatëve. Angela Merkel do të dëgjojë me kujdes këtë fjalim.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...