Tri “të vërteta” të dialogut

9 Shtator 2015 - 08:23 - Augustin Palokaj      

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri i Serbisë ka nënshkruar marrëveshje, ku qëndron emërtimi “Republika e Kosovës”. Për çudi në BE thonë se “kjo është e vërtetë”, por në të njëjtën mënyrë edhe kryeministri i Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje ku thuhet se gjithçka që është në territorin e Kosovës është pronë e Republikës së Serbisë. Prapë po kthehemi te një paradoks që ndjek këtë dialog prej kur ka nisur, sipas të cilit Kosova edhe është shtet, edhe nuk është shtet, edhe është pjesë e Serbisë. Me të drejtë shumë analistë në Kosovë po i interpretojnë marrëveshjet si një pranim të një lloj “sovraniteti të dyfishtë” mes Beogradit dhe Prishtinës për një pjesë të Kosovës

Në Kosovë shpesh tregohet një mesele për një plak që në odën e tij kishte pritur shumë mysafirë, të cilët zhvillonin debate për shumë tema. Të rinjtë mblidheshin në odë për të dëgjuar mendime të urta. Një herë njëri nga mysafirët kishte dhënë një mendim interesant dhe plaku, i zoti i shtëpisë, i kishte thënë “të lumtë goja, mirë e ke!” Por tjetri e kundërshtoi ashpër, duke thënë se e gjithë kjo që tha i pari ishte krejt e pavërtetë. Dhe plaku, i zoti i shtëpisë, edhe këtij i tha “mirë e ke edhe ti!”. Dhe kur një i tretë iu drejtua plakut, duke i thënë “nuk mund ta kenë mirë dhe të thonë të vërtetën dy njerëz që thonë gjëra të kundërta”, plaku ia ktheu: “Besa, sikur ta këqyrim hollë e hollë as ti nuk e ke fort keq!”

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë me thëniet e tyre për dialogun dhe interpretimet që japin na përkujtojnë ata që japin mendimin e tyre të kundërt, ndërsa BE-ja si lehtësuese në atë plakun, zotin e shtëpisë, i cili u thotë të dyja palëve “ju lumtë, mirë e keni!“, ndërsa neve gazetarëve, sa herë që u japim dëshmi se palët po i thonë gjërat e kundërta dhe nuk mund të jenë të vërteta edhe ato që thotë njëra, edhe ato që i thotë pala tjetër, sikur na porosisin se “as ju nuk e keni gabim!“

Ky është edhe ai paradoksi i këtij dialogu, i cili qëllimisht është i paqartë, me tekste dhe deklarata shumëkuptimëshe nga BE-ja edhe kur është e qartë se nuk ka kurrfarë përputhjeje mes asaj që thonë palët e përfshira në dialog.

Me pak sukses tash e katër vjet kemi bërë përpjekje që të bindim zyrtarët e BE-së për të na ndihmuar, jo vetëm neve, por edhe qytetarëve, që të kuptojmë të vërtetën e dialogut. U kemi thënë se, nëse vërtet qëllimi i dialogut është për t’u ndihmuar qytetarëve, a do të duhej kjo të thoshte se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën e plotë për rezultatet dhe qëllimet e dialogut. Dhe gjithmonë kemi dëgjuar të njëjtën përgjigje: „U takon palëve që qytetarëve të tyre t’u tregojnë të vërtetën. Ky nuk është dialogu ynë, por i tyre. Këto nuk janë marrëveshjet tona, por të tyre. Ne vetëm lehtësojmë këto takime dhe gjithçka është në duar të palëve“.

Për shkak të kësaj sjelljeje kemi të drejtë ta konsiderojmë edhe BE-në si bashkëfajtore për manipulim të opinionit, qoftë atij në Kosovë apo atij në Serbi, rreth dialogut. Por nuk është kurrfarë satisfaksioni një gjë e tillë, sepse ata të cilët në BE merren me këtë dialog, dhe e “lehtësojnë“ në emër të tij, shkojnë e vijnë dhe askush asnjëherë nuk do të kërkojë nga ta ndonjë përgjegjësi. Çfarë rëndësie ka sot se çfarë thoshte dhe premtonte baronesha Catherine Ashton në prag të dialogut dhe gjatë tij. Çfarë na vlejnë sot “garancitë“ e Robert Cooperit, i cili kishte rolin kryesor në dialog në fazën fillestare të tij. Ai sot është në pension. Çfarë vlere kanë “garancitë“ që mund t’i ketë dhënë apo të mos u ketë dhënë përfaqësuesve të Kosovës Fernando Gjentilini, i cili tash merret me Lindjen e Mesme. Apo çfarë rëndësie do të kenë deklaratat e sotme përshëndetëse të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas disa vjetësh, kur Kosova për shkak të marrëveshjeve të sotme do të ketë probleme serioze dhe nuk do të mund t’i zhbëjë më këto marrëveshje.

Përderisa në rastin e Serbisë dhe të BE-së janë krejt lojtarë të rinj në skenë rreth dialogut, nga pala kosovare kemi të njëjtët vendimmarrës: Hashim Thaçin dhe të dërguarën e tij të posaçme për dialog, Edita Tahirin. Në anën tjetër kemi kryeministrin formal, i cili merr përgjegjësi për të zbatuar të gjitha ato kompromise që në dialog i kishte marrë përsipër Thaçi.

Pos që nuk kanë ndryshuar faktorët kryesorë në dialog në radhët e ”palës së Prishtinës“ (siç thuhet në Bruksel për të mos përmendur fare se dialogu është mes Kosovës dhe Serbisë) nuk ka ndryshuar as fjalori i tyre dhe mënyra e komunikimit të dialogut.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vazhdojnë të thonë se në dialog “gjithçka është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës“, se “Serbia me këto marrëveshje po e njeh Republikën e Kosovës si shtet“ dhe se “Kosova me këto marrëveshje po përparon në rrugën e integrimeve evropiane“. Të gjitha këto thënie mund të vërtetohen si shumë të pasakta. Kosova me dialog ka pranuar se për zhvillimet e brendshme, e besa edhe të jashtme, duhet të merret vesh me Serbinë. Ka pranuar që në territorin e Kosovës të formohen institucione paralele me karakter etnik, e madje ato të jenë edhe legjitime. Ka pranuar që Kosova në skenën ndërkombëtare të mbetet me “fjollën e borës“, siç e pati quajtur kryenegociatorja Edita Tahiri asteriksin që sqaron se Kosova nuk mund të trajtohet si shtetet tjera. Kosova në fakt me këtë dialog nuk e ka promovuar shtetësinë e saj, por ka pranuar se kjo shtetësi ende nuk është komplete.

Të rikujtomë thëniet se “me Serbinë nuk do të diskutojmë kurrë për çështje të brendshme të Kosovës“ e që sot shohim se si me Serbinë nënshkruhen marrëveshje se si do të formohet një asociacion komunash në territorin e Kosovës dhe si do të bëhet furnizimi i energjisë elektrike dhe si do të funksionojnë rrjetet e telefonisë mobile.

Duke qenë besnikë ndaj kokëfortësisë së tyre për të paraqitur vetëm si “suksese“ marrëveshjet e arritura në Bruksel, Qeveria e Kosovës edhe kësaj radhe bëri të njëjtën gjë. Bëhen sikur popullit po ua thonë të vërtetën, ndërkohë që sulmojnë dhe fyejnë të gjithë ata që kundërshtojnë.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri i Serbisë ka nënshkruar marrëveshje ku qëndron emërtimi “Republika e Kosovës”. Për çudi në BE thonë se “kjo është e vërtetë”, por në të njëjtën mënyrë edhe kryeministri i Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje ku thuhet se gjithçka që është në territorin e Kosovës është pronë e Republikës së Serbisë. Prapë po kthehemi te një paradoks që ndjek këtë dialog prej kur ka nisur, sipas të cilit Kosova edhe është shtet, edhe nuk është shtet, edhe është pjesë e Serbisë. Me të drejtë shumë analistë në Kosovë po i interpretojnë marrëveshjet si një pranim të një lloj “sovraniteti të dyfishtë” mes Beogradit dhe Prishtinës për një pjesë të Kosovës.

Duket sikur ekzistojnë tri të vërteta të ndryshme për dialogun. Njëra e Kosovës dhe njëra e Serbisë. Dhe tash një e BE-së, e cila kësaj radhe, e përballur me situatë që mund të bëhet edhe e rrezikshme për shkak të interpretimeve të kundërta të dialogut, vendosi t’i botojë të gjitha tekstet e marrëveshjes, para se ta bënte Qeveria e Kosovës, duke nxjerrë në këtë mënyrë në sipërfaqe edhe disa të pavërteta që i kanë thënë përfaqësuesit e Qeverisë për këto marrëveshje.

Do t’i kuptonim kryeministrin dhe ministrat që marrin pjesë në dialog sikur të thonë: “Kemi pranuar marrëveshjet, sepse kemi qenë nën presion“ apo se “nuk ka rrugëdalje tjetër, sepse kështu na detyruan“, por nuk mund t’i kuptojmë kur mundohen të thonë se këto marrëveshje janë të mira për Kosovën, sepse ato nuk janë të mira.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...