Të pasinqertit

8 Shtator 2015 - 07:56 - Flaka Surroi      

...apo rrëfimi për botën e çmendur, për rrenacakët patologjikë dhe për drejtësinë selektive

Tri ishin temat që, desha-s’desha, ma tërhoqën vëmendjen kësaj jave.

E para, punë e cila është duke vijuar qe katër vjet e më shumë, e që është kriza e refugjatëve që ka prodhuar “pranvera arabe” e ndihmuar nga ndërhyrjet ushtarake perëndimore jo fort të suksesshme, nga politika e fuqive të mëdha “ngreh e mos këput”, dhe nga përhapja e përkrahësve/terroristëve të ISIS-it.

E dyta, e cila do të na mbetet temë, pasojat e së cilës do t’i përjetojmë në vitet që do të vijnë: marrëveshja “historike” e 25 gushtit për Zajednicën (si nënmarrëveshje e marrëveshjes “historike” të 19 prillit), që do të shpjerë fillimisht në federalizmin e më pas edhe shkëputjen e veriut nga Kosova. Kjo, nëse vazhdojmë të shikojmë seri dhe nuk ndërmarrim masa juridike.

E treta, e fundit, një vendim gjyqësor ultra ekspeditiv, i dyti me radhë, ku janë përfshirë njerëzit e pushtetit, që dëshmon se gjyqësia është politikisht e ndikuar në Kosovë.

Bota është çmendur

Kur mësonim në histori për barbarinë, shkatërrimin, shfarosjen e popujve, si dhe dyndjet e popullatës, mendja ime më së lehti i ilustronte ato me pamjet nga filmat që i kishin bërë për tmerret e luftërave mesjetare, ndarjeve të shteteve, zaptimit të tokave dhe të pasurive. Se vetë e përjetoj dhe e mbijetoj një luftë, përderisa si vëzhguese pasive i përcjell edhe nja njëzet nëpërmjet televizorit, nuk e besoj se do të ketë qenë as pjesëz e ndonjë ideje që do të ma ketë përshkuar mendjen.

Sido që të jetë, fotoja e javës që i bëri xhiro botës vetëm sa e shpjegon sesa e fëlliqur është lufta dhe sa e ëmbël jeta: e gjithë tragjedia e shumë popujve që po dynden nga Lindja në Perëndim u përmblodh në imazhin e skajshëm të trishtë të trevjeçarit sirian, që valët e kishin bartur, të vdekur, deri në brigjet e Bodrumit turk.

Jo pa të drejtë, tema e nxehtë e debatit këto ditë është se përse dikush e merr një rrugë kaq të rrezikshme, në kushtet kur në rajon ka shtete që do të mund të jepnin strehim. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahrejni apo Omani nuk i kanë hapur dyert për të përndjekurit sirianë. Jemeni i ka lëmsh punët e veta, prandaj as që është vend për strehim. Mbase problemi është që shtetet arabe janë të pasura, por nuk shquhen për demokraci, e në veçanti nuk shquhen për barabarësinë e femrës. Mbase shquhen për nga ksenofobia..., ec e dije.

Kjo, nga ana tjetër, nxit reagimin në Perëndim për mungesën e solidaritetit të të kamurve që jo vetëm kanë para dhe kushte, porse me të ikurit e ndajnë edhe gjuhën, edhe fenë. Nga ana tjetër, të lodhur nga gjithë ata azilkërkues dhe emigrantë ekonomikë, deri në fotografinë e djaloshit, shumë shtete perëndimore mbyllën dyert, duke thënë se nuk mund ta bartin gjithë barrën vetëm. Duke mos e thënë edhe publikisht atë që ekstremistët e djathtë e thonë pa pra: se ardhja masive e popullsisë lindore, myslimane, ka për qëllim ndryshimin e strukturës së popullsisë së Evropës. Për më keq, se kjo dyndje do të sjellë me vete edhe shumë ekstremistë të ISIS-it, që do të kenë për detyrë përhapjen e shtetit islamik në gjithë kontinentin.

Teori që mund të kenë, e mund të mos kenë bazë. Porse për ata njerëz që e braktisën tokën e vet nga frika për jetën apo për shkak se u dëbuan nga ajo, nuk ka gjë më të vlefshme sesa mundësia e të jetuarit në shtëpi, të qetë, në paqe. Për ta gjëja më e rëndësishme është të ndalet lufta – ashtu siç ishte edhe për neve. Kujtojeni se 800 mijë u kthyem nëpër shtëpitë tona për më pak se tre-katër muaj.

E di që sot shumë syresh do të jenë pishman pse janë kthyer, por ka edhe shumë të tjerë që kemi vendosur të mbesim, sepse besojmë se ky vend ende ka shpresë. Por jo me udhëheqjen që ka.

Naivë, injorantë apo rrenacakë -- apo të tria bashkë?

Ende nuk po mundem me ardhë në vete, thjesht e shokuar nga injoranca e pushtetarëve tanë me gjithë këshilltarët politikë që i “këshillojnë” dhe nga arroganca dhe pafytyrësia me të cilën i drejtohen popullit për t’i thënë se nuk di të interpretojë e as të kuptojë dokumente politike. Ende po e kam shumë vështirë të besoj se vetë me dorën e tyre e dorëzuan një të katërtën e territorit të Kosovës dhe që me dorën e përfaqësuesve tanë të gjithëdijshëm dhe gënjeshtarë na u imponua edhe sovraniteti i Serbisë mbi pasurinë tonë. Me nënshkrimin e marrëveshjes së energjisë, Kosova pranoi se pasuria e saj është e kontestueshme që në çastin kur e pranoi regjimin e dyfishtë kushtetues.

Po u druhem edhe marrëveshjeve të tjera që do t’i botojë BE-ja: kush e di edhe sa krokodilë do të dalin prej aty, kush e di edhe sa të drejta i kemi dorëzuar e falur pa na i kërkuar kush...

Pos gjithë asaj që u tha gjatë javës, zbërthimit të dokumentit dhe thyerjes së secilit argument të pushtetarëve që nuk flasin me një zë, thuajse kanë marrë pjesë në tri procese të ndara negociatash (në njërën Mustafa, në tjetrën Thaçi, dhe në të tretën Tahiri), më ra ta dëgjoj edhe një qyfte nga këshilltari juridik i Mustafës, avokati Besnik Berisha, që tha përafërsisht diçka si “...nuk jemi çliru vetë, prandaj edhe tash duhet të pajtohemi me disa gjëra”. Nejse, për korrektësi duhet thënë se pajtohem me konstatimin se po të mos ishte NATO-ja nuk ishim çliruar, porse që për shkak të kësaj ne tash ta falim a ta shesim këtë që e kemi, nuk pajtohem kurrë.

Asnjëherë. Fakti se na çliruan është se prej nesh kanë dashur të krijojnë një shembull të mirë të shtetformimit të mbarë. Ku krejt forcat mblidhen për ta ndërtuar një shtëpi me themel të fortë, që mund të mbajë edhe mbindërtime të planifikuara dhe me materiale që u bëjnë rezistencë edhe motit e edhe fenomeneve natyrore, nëse jo krejt bile pjesërisht.

E çka bëmë ne? Të huajve iu imponua një kastë njerëzish injorantë, që themelin e shtetit e ndërtuan me dy fije armaturë, dhe që mbindërtimet i kanë bërë ashtu siç i ka ardhur secilit, dhe në vend se të kemi një strukturë të qëndrueshme, tash e kemi një përbindësh të cilit, sipas nevojës, ia heqim nga një copë, për shkak se na ka dalë jashtë vijave të drejta. Pushtetin e morën në duar ata që e sollën Kosovën në derexhenë që është sot – ku pa pasur luftë t’i ikin madje 100 mijë veta, sepse nuk dinë çka të bëjnë me veten në një shtet që është financiarisht edhe fiskalisht i bankrotuar qe sa vjet, dhe që mbijeton vetëm falë diasporës.

Berisha do të duhej të turpërohej, e gjithashtu do të duhej të turpëroheshin shefi i tij Mustafa, Thaçi dhe posaçërisht Tahiri, për “nënmarrëveshjen historike” që e kanë prerë në Bruksel. Duhet të turpërohen për shkak se nuk po e kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë se ambiguiteti i anglishtes në dokumentin e vetëm zyrtar është duke e zvogëluar Kosovën, sikurse zvogëlohet xhemperi i leshtë në centrifugën e lavatriçes. Dhe në vend se të ndalen e ta kapin kokën me duar, për “kuku çka bëmë”, dhe të përpiqen t’ia gjejnë zgjidhjen që do të na nxjerrë nga lloçi në të cilin na kanë rrasur, na këpusin pallavra që na e ofendojnë inteligjencën për atë se si krejt kjo është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës; sesi Serbia na e ka njohur shtetësinë, sesi krejt punët i kemi në dyzen se liberalizimi po vjen...

A nuk u bë boll 16 vjet me na tregu të huajt se çfarë duhet bërë? Po për çka na bënë të pavarur? Për t’u varur sërish nga ta, për shkak se e kemi një udhëheqje të papërgjegjshme, dhe, për më keq, të padijshme? Asnjë i huaj nuk do të ishte përzier po të kishim pasur qëndrim të njerëzve të pjekur dhe të vendosur – përkundrazi, atëherë do të na kishin këshilluar, e jo imponuar. Por jo servilë çfarë qenë gjithë kohën, (as në nevojtore po get nuk kanë shkuar pa e thirrur këtë apo atë ambasador), e kërkuan dhe e gjetën alibinë: ne e kemi menduar ndryshe, po ja që miqtë ndërkombëtarë na e imponuan.

Mbrojmë politikanë

E lëre që e kanë mbrojtjen e alibisë, por që nga java e shkuar e kanë mbrojtjen edhe nga gjykata. Kërcënimi nëpërmjet FB që iu bë ministrit Abrashi dhe të birit të kryeministrit, përfundoi me arrestimin e një të riu nga Klina dhe burgosjen e tij 90-ditëshe me procedurë urgjente. Pikë. Shumë mirë. Nga aspekti i përgjithshëm juridik, u veprua ashtu siç e parasheh ligji. U zu kërcënuesi, u dënua, dhe tash le ta vuajë pamaturinë e tij.

Nga aspekti kosovar juridik ndodhi e pabesueshmja – që një rast i këtillë të jetë proceduar me shpejtësi të dritës. Ani që janë diku rreth 400 mijë lëndë që presin për t’u përpunuar në gjykatat e Kosovës. Ani që, për shembull, vetëm KOHA i ka bërë më së paku shtatë kallëzime penale për kërcënimin e gazetarëve të saj, që prej gjashtë a shtatë vjetësh, e që asnjëri të mos ketë marrë bile përgjigje prej dikujt për diçka.

Herën e fundit, ekspeditiviteti i tillë ishte shënuar në rastin e një fotografie të pashije të Jahjagës që ishte botuar në një portal. Atëbotë ishte marrë masa e përkohshme, e menjëhershme, për ta hequr foton nga portali. Dhe përfundimisht, nuk do të ketë qenë veprimi i avokatit/avokates ai i cili e zgjodhi problemin me shpejtësi të dritës: ka qenë këshilla e drejtpërdrejtë, shumë me gjasë e ndonjë miku ndërkombëtar, që do ta ketë bindur gjykatësin/gjykatësen se është më mirë me pasë masë të përkohshme sesa mos me pasë. Ah, edhe ajo masa është imponuar para dy vjetësh. Ende është në fuqi, sepse është e përkohshme, kurse procedura civile nuk ka ardhur në radhë ende.

Veprimi i gjyqtares në rastin e fundit të kërcënimit do të ishte për lëvdatë po të ishte parimor. Po s’është. Për shkak se është vepruar kështu pas krijimit të një atmosfere thuajse ekzekutivi është në rrezik kolektiv, posaçërisht pas ndaljes së protestuesve që shkonin drejt rançit të Mustafës në Prapashticë, si dhe pas arrestimit të njerëzve të cilëve u kontrollohen veturat dhe iu gjenden afishe: thuajse po kthehet filmi më 1981, kur policia serbe i arrestonte ata që shkruanin “KR” nëpër banka shkollore.

Nuk do të harrojmë se edhe hajni që kishte hyrë për të vjedhur në shtëpinë e kryeministrit të Jashtëm ishte akuzuar për tentativë vrasjeje – pra nevoja që pos armiqve kujdestarë, të shtohen edhe këta që pos që kërcënojnë munden edhe të veprojnë.

Për fat të keq, ky sistem gjyqësor është rezultat i udhëheqësve të pasluftës – në vend se të shërbejë për gjykimin e atyre që vodhën, tjetërsuan, keqpërdorën në emrin tonë, ato shërbejnë për mbrojtjen e politikanëve. Për procedura ekspres që ua sigurojnë rehatinë, sepse e dinë se në çdo çast dhe për çdo rast do të gjendet edhe patrulla e policisë e gatshme për të vepruar, edhe prokurori për të ndjekur e edhe gjykatësi për të vulosur...

... e të tjerët do të vazhdojnë të presin rendin për në gjykatë. Do të vazhdojnë të vuajnë se duke i pasur të gjitha predispozitat për të qenë ndryshe, Kosova u bë shembulli se si nuk duhet ndërtuar një shtet. Sepse shtetin nuk mund ta ndërtojnë as mashtruesit e as rrenacakët.

Sepse nuk janë të sinqertë.

flaka@koha.net

 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...